Kreu Opinion Leonard Qyteza: Simbioza Atë e bir (të pathënat e mia)

Leonard Qyteza: Simbioza Atë e bir (të pathënat e mia)

Natyralisht dhe biologjikisht, atë e bir në veçanti, kanë lidhje genetike nga e cila në raste jo fort të shpeshta, sjellin edhe lidhje e marrëdhënie të ngushtë në mes tyre, në atë që njihet si simbiozë apo bashkëjetesë e vazhdueshme ndërmejt tyre si lidhje në mes dukurish të afërta apo edhe qasje thuajse të njëjtë për çfarë i merr drejtim jeta e tyre intelektuale, në fushën e shkrimeve letrare e historike, të arteve të bukura apo teatrale. Historia njeh plot sish.

Fëmijët mësojnë më shumë duke i parë prindërit e tyre sesa duke i dëgjuar ata – do të thotë, më shumë kapet mësimi sesa mësohet ai.

Prandaj, ne rëndom e kemi ndigjuar atë fjalën e urtë popullore, në shumë treva të vendit tonë: “Bëm baba të të ngjaj”!.

“Për ta rritur një fëmijë në rrugën që duhet të ndjekë, udhëto vetë në atë rrugë herë pas here.”  – thoshte dikur një burrë me mendë (Josh Billings)

E tash, le të kapemi aty në krye të shkrimit, bash te, “Atë e bir”.

Shkodra, në jetën e saj qytetare, simbiozën në fjalë, e ka të dukshme në shumë raste, por për qëllim të shkrimit, po përmendë dy shembuj “Atë e bir”, në fushën e studimeve historiko-letrare, binomet, Hamdi e Nexhmi Bushati dhe Gjon e Willy Kamsi, personalitete të epërme të kulturës edhe në vendin tonë, madje, edhe tej kufijve të vendit tonë.

Dy fjalë për Atin dhe Birin, si përsonazhe.

Hamdi Bushati (Shkodër më 1896 – ndërroi jetë më 10 mars 1983) ka qenë një arsimtar, përkthyes dhe hulumtues i folklorit, toponimisë dhe historisë. Vepra e tij “Shkodra dhe motet” në tre vëllime, mundëson informacion të dendur mbi vendlindjen, u botua pas vdekjes. Po të njëjtin fat, pat edhe vepra tjetër “BUSHATLLINJTË” që mbeti në dorëshkrim. Ka përkthyer disa vepra xhepi të Sami Frashërit nga turqishtja në shqip, të botuara më 2004; shumë përkthime të tjera që ka bërë nga turqishtja në shqip janë ende në dorëshkrim.

Nexhmi Bushati (Lindi në Shkodër më 1931 – ndërroi jetë 25 mars 2024)ka qenë mësues herët, që në vitin 1948, më pas, në vitin 1958 mbaron U.T Fakultetin Histori-Filologji në degën gjuhë letërsi dhe jep mësim deri në daljen në pension, në shkollat e mesme të qytetit të Shkodrës. Ka ndihmuar në plotësimin, sistemimin dhe redaktimin e monografisë 3 vëllimshe “Shkodra dhe motet” dhe “Bushatllinjtë”, vepra të atit të tij.

Gjon Kamsi (Shkodër 1894-1992) ekonomist i naltë, ka qenë mik dhe bashkëpunëtor i Luigj Gurakuqit, Át Gjergj Fishta dhe shumë personaliteteve të tjerë. Veprimtaria e tij ashtë zhvilluar kryesisht në gjysmën e parë të shekullit XX në Shkodër, në Tiranë dhe Bari të Italisë, ku botoi në vitin 1940 vëllimin me poezi “Vjersha” të Luigj Gurakuqit.

Burrë me karakter të papërkulur dhe me ndjeshmëri të rrallë qytetare, botoi shumë artikuj dhe studime por la mjaft dorëshkrime që sot përbëjnë një dëshmi të historisë së qytetit të lindjes.

Willy Kamsi (Lindi në Bari, 17 dhjetor 1926 – ndërroi jetë në Shkodër, 24 janar 2017), ka qenë arsimtar, bibliograf, publicist, albanolog dhe diplomat shqiptar. Krahas punës ndër biblioteka Willy Kamsi është marrë edhe me studime historike dhe bibliografike. Ka botuar një seri artikujsh, ka përkthyer vepra dhe ka disa punime të gatshme për botim.

Pasi ceka dy shembuj të jashtëzakonshëm të asaj që më sipër e quajta simbioza – Atë e bir, – dy vehtje , që në Shkodër kanë bërë histori familjare në fusha thuajse të njëjtë, por nga qasje të edukimit të tyre shkollor e kulturor, të traditës familjare dhe të përkushtimit për të shkuar te e verteta shkencore dhe historike.

Breza të rinj e të reja në Shkodër por edhe ato që janë edukuar në shkollat apo në Universitetin e saj, kanë njohuri të mjaftueshme por edhe ndoshta njohje personale me këto njerëz të shquar shkodranë.

Unë, nuk jam njëri nga ato të rinj e të reja, që i njoha të sipërcituarit nga shkollimi në qytetin tim të Shkodrës, as njohje të afërta personale, por i njoha nga librat e tyre dhe rrezatimi që ato patën në jetën e përditëshme të qytetit tonë.

Njohjet filluan gjithmonë nga Ati, bie fjala, si e njoha Hamdi Bushatin?.

E njoha nga librat.

Vite má parë, lexova një libër të pa ndigjuar kurrë -“Frati i pashallarëve Bushatli të Shkodrës” (At Erasmo Balneo;1756 -1788), Kronikë e gojdhanë, shkruar nga Át Zef Pllumi O.F.M.,  një botim i rrallë sepse sjell një ditar të mbajtur nga Át Erasmo Balneo, gjatë kohës së shërbimit edhe si frat, por edhe si mjek personal, pranë pashallarëve Bushatllinj të Shkodrës. Ai mban datën 22 qershor 1788. Dhe pas rreth 250 vjetësh Át Zef Pllumi arriti që ta nxjerrë në dritë këtë vepër që flet për Shkodrën e shekullit të XVIII dhe për rolin e anëtarëve të kësaj familje të shquar shkodrane në historinë e këtij vendi. Librin, nga “kronikë e gojëdhanë”, dhe letërsi historike, e bëjnë të besueshëm edhe  3 dokumenta shtesë të gjetura në  Arkivat e Vatikanit të vendosura në fund të librit si Shtojcë. (Botime Françeskane, Shkodër 2017).

E kështu, nga bukuria dhe narracioni i këtij libri unik, kërshëria më grishi të kërkoj emërmëdhenjtë, vezir të Shkodrës, të gjysmës së dytë të shekullit të 18-të, kështu mbërrita te libri “BUSHATLLINJTË” me autor Hamdi Bushati (Mësues i Popullit), pajisur me shënime, ilustrime dhe një Suplement nga Nexhmi Bushati, do të thotë, “zbulova”, Atë e Bir, por edhe një libër të plotë mbi Shkodrën para pushtimit osman të vendit, mbi Balshajt, mbi rrethimet e Shkodrës, mbi pashallarët e parë që sunduan Shkodrën dhe dinastinë e Bushatlinjëve – vezir të Pashallekut që në historinë tonë kombëtare, njihet gjërësisht si “ Pashalleku i Shkodrës” në ndarjen administrative të Shqipërisë nën sundimin e gjatë turk, ose si Pashalleku i Bushatllijve, që ishin, nga Ati te të birtë, dhe sundua për 75 vjet atë pjesë të Perandorisë turke, si të ishte e tyre. Edhe sot, Shkodra ruan ende si trashëgime të ndertimeve unike nga koha e tyre, objekte me rëndësi historike, Ura, Xhaminë e Plumbit, Banjo turke dhe rrugë të karvaneve, por mbi të gjitha Shqipëria, Biblioteka Kombëtare , ruan në fondin e saj, Bibliotekën e Bushatllinjve, një thesar unik, dokumente historike të pashoqe.

Librat janë si gurët kilometrik, të drejtojnë në udhëtimin tënd të pafund drejt dijës, kështu ndodhi edhe kur pas leximit të librit të atit dhe birit “Bushatllinjtë”, kalova te një tjetër, te monografia e Stavri N. Naçi “Pashallëku i Shkodrës” në vitet e para të shek. XIX, 1796-1831. E kështu, thellohu e thellohu, erdhi libri tjetër me autor Fedhon Meksi “Mahmud pashë Bushati”- Skendërbeu i Ri. Libri është një punim shkencor monografik në fushën e historisë për Mahmud Pashë Bushatin, prijës i pashallëkut të Shkodrës në gjysmën e dytë të shekullit XVIII e politikani i parë që tentoi shtetin e parë të pavarur shqiptar gati një shekull e gjysmë para se ai të shpallej në vitin 1912.

Në këtë rrugëtim si shtysë nga Ati, edhe biri, Nexhmi Bushati nuk rreshti pa studiuar dhe shkruar, libra historik, kritikë letrare dhe së fundi librin e vlertë “Qemal Draçini (njeriu, intelektuali, martiri)”-përmbledhje shkrimesh, që ndriçojnë jetën dhe hedh dritë të re në shumë anë të panjohura më parë të shkrimtarit dhe mendimtaritmartir.

Një tjetër binom simbiozatik në Shkodër janë edhe Atë e bir, Gjon e Willy Kamsi, që poashtu, i përkasin një dinastie familjare të vjetër qytetase të Shkodrës në analet sa patriotike, historike, inxhinierike, letrare dhe bibliografike dhe fetare.

Jeta e Gjon Kamsit ( 1894-1992) është e pasur me aktivitete patriotike, historike dhe të sherbimit në shtetin shqiptar me detyra të rëndësishme në fushat e ekonomisë dhe në ato bankare. Boton në shtypin kombëtar, brenda e jashtë vendit, shkrime me argumenta të ndryshëm, por kryesisht ekonomik e financiar.
Boton të parën biografi të plotë të Luigj Gurakuqit, me qëllim “që të mbahet gjallë kujtimi i të mëdhjave tonë”.

Sot, ne kemi në duar librin e tij postmortum, “Njerëz dhe ngjarje të lirisë së Shqipnisë”, përgaditur për botim nga i biri i tij, i ndrituri bibliotekar, publicist, albanolog dhe diplomat shqiptar, Willy Kamsi. Edhe këtu, simbioza Atë e bir, shkëlqen.

Shtysa e shkrimit.

Një ngjarje në Bibliotekën publike “Marin Barleti” me, 3 maj 2025, kushtuar Nexhmi Bushatit “Intelektuali që e dashunoi Shkodrën” qe arsyeja, nisur edhe përkujtimi i këtij burri në 1 vjetorin e ndarjes nga jeta, referimet dhe diskutimet rreth jetës së tij shumëplanëshe në fushat ku ai kontribuoi, më dha shkas të bëj deduksione te simbioza “Atë e bir”.

E për fund, duke u lidhur te koka e shkrimit “Simbioza Atë e bir”, duhet të evidentoj shkarazi edhe shembuj të tjerë, njerëz të shquar të vendit tonë në shumë fusha të dijës, të artit, të letërsisë, të muzikës, të inxhiniersië, të mjekësisë e të tjera, që Atë e bir, kanë shkëlqyer.

Ja disa, gjithmonë sipas meje.

       – Kristaq e Edi Rama

       – Gjovalin e Egon Gjadri

       – Kristo e Gjergj Frashëri

       – Mustafa e Ermir Krantja

       –  Zija e Dritan Çela

       –  Feim e Etrita Ibrahimi

       –  Kiço e Orjon Gliozheni

       –  Sadik e Buron Kaceli

       –  Luigj e Nikolin Gurakuqi

       –  Avni e Inva Mula

E lista vazhdon, se është shumë e gjatë.

Shkodër me, 10 maj 2025.

Exit mobile version