… zgjidh jetën. Zgjidh një punë. Zgjidh karrierë. Zgjidh familjen. Zgjidh një televizor të qimë, zgjedh lavatriqe, vetura… zgjidh shëndet të mire, kolesterol të ultë, dhe sigurim dental…
(nga filmi Transpotting)
Sapo isha martuar, dhe blinim, blinim çdo gjë, por blinim edhe gjëra që na duheshin, si që, sapo kishim blerë dhe po e endnim me gruan, një lavatriqe, dhe pikërisht ndërsa po e vendosnim atë në këndin më të përshtatshëm në banjo, se si më vinte në mendje një kompleks, një çështje kyçe lidhur me gjërat që po bëj, dhe lavatriqja, krejt në absurd, mendoja, më dilte kryesorja në këtë çështje. Disi vezullonte e fanitej si figurë, në këtë vezullimë si aliene e kësaj jete të re, absurd. Por, edhe pyetesha, me shumë seriozitet, nga të qenit i përhumbur disi nga të gjitha gjërat e reja, dhe pasi ishte qetësuar vezullima e bardhë e lavatriqes, nëse jeta që jam duke bërë dhe aq më shumë duke e projektuar për ta jetuar, në martesë, është zgjedhje apo domosdo. Më përhihej, krejt nga larg, si njëlloj junky jetë, e re, në këtë jetën time, të re po ashtu. Paraprakisht martesës, së bashku me gruan e sapomartuar kemi qenë, edhe, kishim eksploruar edhe ne me droga. Por, ia arsyetoja vetes, kohë më parë kisha arritur kontratë të majme, jam mirë, po ecin punët mbarë, gjë që më bënte të kuptoj pse po blinim çdo gjë që shihnim, duke qenë se ishim të sigurt, së paku financiarisht në ardhmërinë tonë, gjë e rrallë në Kosovë. Pastaj, vazhdoja arsyetimin… kontrata kishte edhe sigurim dental… por përnjëherë kjo, beson ose jo, me të kujtuar sigurimin dental, sikur lavatriqja, në të vërtetë të dyja bashkë, sikur më zënë frymën disi në këtë përhumbje, më bëjnë të shoh të tërën si njëlloj bartje nomade e re, të zgjedhur, si premtim për jetë më të mirë, dhe, në këtë, i them vetes, ose e kam nga kolesteroli i lartë, jam majmur pak nga farmako-terapia, ose nga blerja e gjërave të reja në hapësirën jo aq të madhe por të mbushur tejmase me po të njëjtat. Në të vërtetë, sipas këtij arsyetimit tim që vazhdon, të dyshimit, dilemës, të cilën e kuptoja edhe si pasiguri e të sapomarturarit etj, në këtë nomadizëm të bartjes, endjes, e strehimit në një jetë të re, sipas një paranoje të lehtë e të errët që po më përfshinte, qoftë edhe kjo “arritja më e madhe” e imja, si martesa me të gjitha këto blerje, janë, vetëm, njëlloj shkyqje, refuzim, braktisje e tërheqje nga jeta vetë, dhe zgjedhje e jona. Televizori, lavatriqja, kolesteroli i ulët janë zgjedhje në fund të fundit. Ka edhe më ndryshe e ka edhe më mirë e edhe më keq në tërë këtë, dhe, mendoj, nën të zinë e paranojës, janë të gjitha zgjedhje, edhe më e keqja jetë (mu sikur që kishte thënë Paris Hilton – të varfër ndaloni të jeni të varfër), por, si zgjedhje më e mirë, mendoja krejt i kurthuar në paranojë.
Lavatriqen, me shportën e re të shtrenjtë të mbeturinave, me mbajtësen krejt origjinale të letrës së tualetit, e me shumë gjëra të mëdha e të vogla në tualetin tonë të ri, në banesën e re në martesën e re, e pse jo edhe të jetës së re, tashmë i kishim vendosur përgjithmonë, si që vendosen gjërat, e mobiliet në shtëpi, e si që ndodh në shtëpi, e në martesë, çdo gjë, përgjithmonë. Jetonim, kalonte koha, kënaqeshim, ndërsa e errëta paranoja e lehtë, rrallë përhapej e shpërhapej në mua, në çdo gjë që bëja, por kishte krisur krejt fuqishëm e ndjeshëm dhe thellë, kur kisha kontraktuar implantimin e disa dhëmbëve të rinj me një dentist të njohur, sigurisht përmes sigurimit shëndetësor nga kontrata e majme e punës, kisha pasur një krizë, krejt të ndjeshme, gati se të rënë të fikët, sepse, ndërsa, dentisti më kishte pyetur nëse do të zgjedhja ndërmjet implanteve të përimtuara, (kishte thënë disi kështu sepse nuk e kuptoja dhe aq mirë), apo të zgjedhja implante estetike, artistike, më ishte kthyer ajo paqëndrueshmëria nga post efekti i drogave, si flashback. Të them drejt, unë edhe besoj në gjëra të argumentuara dhe të bukura por edhe të çmendura si sinkronia sipas psikologut të njohur Jung, dhe edhe më ndodhin që nga eksplorimet me droga, këto sinkroni, por, ndërsa po pija kafen duke pritur radhën në klinikën e dentistit, kisha qenë duke menduar se si, për të zgjidhur paranojën e errtë dhe të lehtë nga pasiguria prej filleve të martesës, po përimtoja mundësitë, e me këtë zgjedhjet. Po mendoja saktë kështu “Le ta marrim në konsiderim se zgjedhja në përimtimin e jetës në individë po ashtu të përimtuar, që jemi unë e gruaja ime, me gjithë teprinë e kësaj të thëne, është vetë përimtimi i zgjedhjes. Apo për ta thënë saktë, përimtimi i njeriut në zgjedhje. Por ka edhe një konsideratë tjetër këtu, që e vë në kundërshti, paradoks, vetë filozofinë ekzistencialiste mbi – zgjedhjen -, e ajo është parimi i kënaqësisë. Sipas këtij parimi ne jemi me automatizëm, të gjithë Junky, jemi të gjithë luftëtarë terroristë, dhe atë në kërkim të kënaqësisë së besimit terrorist. Në këtë arsyetim timin të – përimtimit të zgjedhjes – me të cilën mundohesha të shpëtoj veten nga paranoja e fillimit të martesës, më dilnin të gjithë bashkë, terroristët të cilëve po i bashkoheshin kosovarë të mjerë, junky, e unë me gruan time, dentisti e qeni që sapo kemi blerë në banesën tonë të të sapomartuarve, jemi, dhe janë kërkim dhe përmbushje për kënaqësi”. Ndalem dhe mendoj, kjo është të menduar i çmendur paranojë.
Ditët kalonin, martesa po bëhej, që do të thotë në seks gjenim gjëra dhe pozita të reja, në gatim kishim atë ‘përimtimin” e individit, herë duke gatuar ajo, gjëra, e herë unë, po bëhej martesa. Por, po bëhej edhe paranoja, tashmë e saktësimit të të pas zgjedhurit të kësaj ikje nomade të re, pikërisht në martesë, në vallëzimin e gjërave që blinim e bënim në martesë, edhe kënaqësia, si shenjë e re përmbajtjeje të paranojës time, por, si varësi, si pamundësi ikjeje, askund në botë, pa qoftë agun e mugët të netëve si junky që i kisha kaluar në jetën e braktisur kohë më herët. Hyja në shtjellime aq të thella, serioze, të rrezikshme, sa që më habiste një njohuri e re e imja në këto gjëra, që dilte nga kjo e errtë e paranojës. Kësaj paqëndrueshmërie të jetës, së re, ta quaj. “Le ta marrim në konsiderim” thosha dhe filloja këto shtjellime gjithmonë me një ‘Le ta marrim në konsiderim…’, “luftën, në të vërtetë Xhihadin jo atë religjioz, por të terroristëve, për të luftuar në Siri dhe Irak. Persona krejtësisht të thjeshtë në jetët e tyre, të zakonshëm në bindjet e tyre, ngritur nga, le të themi, Kaçaniku me gra e fëmijë për të shkuar në po këto vende. Në një mohim të shumfishmërisë së interpretimeve, dhe sidomos të dhunës në relacion direkt me bindjen e kësaj fryme, kjo është gati se identike me revolucionin në Spanjë për rrënimin e fashizmit atje”.
“Le ta marrim”, pastaj vazhdoja net të gjata e të ngadalshme në jetët tona që kishin filluar të kalonin në përditshmëri, vazhdoja tutje, zakonisht, si netët kur nata ishte e rrezikshme pikërisht për shkak të të qenit pazakonshëm e qetë, net pa probleme me gruan, gjëra që kishin filluar të ndodhnin në masë të madhe në martesën tonë, në të vërtetë ajo më akuzonte tërë kohën me “të qenit i vetmuar timin deri në humbamendje…, dhe më ndëshkonte me ndalim apo refuzim të seksit, këtë natë, këto net sidoqoftë, unë vazhdoja “Le ta marrim në konsiderim, atë që njihet edhe në sociologji, si – reatreatism – (mënyrë jete e tërhequr përmes drogave, kryesisht), i drogirashave, heroinashëve”, Junky, etj. Me një fjalë atyre që me zgjedhjen e tyre vendosin të jetojnë një jetë të shkyçur, të shkëputur dhe të veçantë prej globales dhe universales. Dhe vazhdoja, sikur në ndonjë ligjeratë, le të pyesim këtu, çka kanë të përbashkët këto dy lloje të të jetuarit, atij sipas frymës së terroristëve dhe të reatreatism? Duke e vazhduar këtë konsideratë, të pyetemi rreth diçka që është krejtësisht dhe rrënjësisht blasfemuese: se ka diçka aq të ngjashme dhe aq të mohuar (blasfemuese) ndërmjet faljes në kolektiv dhe vallëzimit në një klub nate. Një kolektivizim i qeniesimit, por vetëm përmes thellimit të personales – dhe sa më e thellë personalja aq më e madhe – përmbushja/kënaqësia -. Aq më shumë që vallëzimi në klub tanimë ka marrë edhe trajtën më ekstreme të tij. Atë të të varurve nga heroina të cilët e bëjnë këtë me vetëdije, me administrim dhe me qëllim, gjë që edhe ka arritur pikërisht tek ajo që e morra në konsiderim si reatreatism”.
Gjërat, më pengonin, më pengonte e qara e foshnjave, e qeshura e tyre, më pengonte vetura ime e shtrenjtë, e madhe dhe e gjerë, sepse nuk kisha ku ta parkoja dhe ishte tejet vështirë të manovroje me të, më pengonte edhe tërheqja seksuale që kisha ndaj asistentes në punë, gjinjtë e mëdhenj joshës e më ngjanin përplot qumësht epshi që do të derdhej secilin moment, e shihja në ëndërr, e ëndërroja në pritje në kolonat e pafundme të trafikut, e shihja në fytyrat e grave rrugës, secilës, më pengonte edhe më shumë gruaja ime, seks nuk bënim, por tani, ajo blinte, unë prej reflektimeve të mia, kisha filluar të përmbahem, nga shfrimi në jetë mundësuar nga kënaqësia e çdo gjëje, përmbahesha nga kacafytja më së shumti me njerëz, rrugës, njohur e panjohur, e sidomos me hoxhën që në vendin e punës ku punoja thërriste lutjen në mesditë me një zë krejt të dashur e disi të mjaftuar në vete, sikur të ishte i mjaftuar me jetën e tij, me Zotin e tij, e me të gjitha, “Le ta marrim në konsiderim”, vazhdoja të reflektoj për gjërat që i reflektoja tërë kohën në të vërtetë, dhe kisha vazhduar tutje duke blasfemuar ndërmjet agjërimit dhe reatreatism, “më tutje në një mënyrë, dhe në një konsideratë më tutje, agjërimi dhe reatreatism (tërheqje ose strehë) kanë një gjë të përbashkët: kënaqësinë nga të abstenuarit nga jeta aktuale. Është paradoksale, derisa religjioni ka për qëllim pastërtinë morale dhe arritjen e një jete me qëllime më të larta, të ketë të përbashkëta me përdoruesit e heroinës. Por, edhe përdoruesit e heroinës e shohin veten brenda asaj që është quajtur në sociologji reatreatism pra njëlloj agjërimi prej aktuales, për qëllime revolte dhe rebelimi ndaj po të njëjtave. Shikuar nga prizmi i kënaqësisë, njeriu merr kënaqësi në çdo gjë në jetë: prej të pirit ujë, injektimi i heroinës dhe deri tek të qenit luftëtar në Siri. Por, është, edhe, një pyetje krejtësisht e tmerrshme, si mund të jetë kënaqësia nga heroina, kënaqësi? Apo, për të qenë edhe më të guximshëm të shtrojmë pyetjen kryesore: nëse ke marrë pjesë në luftë, apo në luftën e Sirisë nën besimin, bindjen dhe bashkë-qeniesimin se do të arrish dhe aq më shumë ke arritur parajsën, e ke siguruar atë, a mund të ketë diçka më të fundme se kjo? Cili është dallimi ndërmjet kënaqësisë religjioze sipas terroristëve, dhe kënaqësisë nga heroina, në momentin më aktual. A nuk është po e njëjta kënaqësi që e shndërron disi njeriun deri në një zgjedhje të fundme, prej të cilës më nuk ka kthim.”
Sytë të mpirë tanimë, bashkë me shpirtn, disi mbetur në vëmendjen time krahu i majtë i rënë nga mbajtësja e kauçit, si gjë në vdekje e sipër, qeni i rritur tanimë i rënë në depresion për mungesë loje, një nga netët, pasi që kisha gjetur pak qetësi, të cilës, çuditërisht nuk i frikësohesha, as nga e cila nuk kisha ndonjë shqetësim, po shikoja filmin e regjisorit Jim Jarmusch, “Only lovers left alive”, ndërsa filmi shfaqte një grup prej tre vampirësh, që kishin jetuar nëpër gati se të gjitha epokat e civilizimit të njerëzimit, e jetonin edhe sot, duke siguruar gjakun e domosdoshëm për jetën e tyre nga laboratorë të gjakut, dhe që ishin vampirë krejtësisht human, duke u përmbajtur nga gjakpirja e njerëzve të gjallë, unë në të vërtetë e shihja tërë filmin si vampirësi të njeriut për kënaqësi. Filmi, në tërë bukurinë e tij, të cilën e kapja rrallë për shkak të mpirjes së mendjes sime, metaforizonte në një mënyrë diçka si të ishte bukuria e kësaj jete, e qeniesuar, apo shikuar nga vampirët. Por gruaja, kishte vendosur të dilte. Ishte paksa vonë, e dija edhe për lidhjen që kishte filluar me një kasap, nga të gjithë burrat e mundshëm, lidhja e saj ishte një kasap. Dhe, sigurisht, edhe i qetë, por edhe i mësuar me daljet e saj me kasapin, ndërsa unë ëndërroja asistenten time në gjumë e në jetë, filloj, “Le ta marrim në konsiderim të abstenuarit përmes asaj që quhet agjërim (gjë që nuk i përket vetëm religjionit të fesë Islame por është pjesë e të gjitha religjioneve që ekzistojnë, dhe për më shumë, forma shumë më rigoroze njihen në religjione të tjera) apo të “abstenuarit” nga qëllimet e jetës aktuale përmes të konsumuarit të heroinës, nga prizmi i hedonizmit, krijon në të dy rastet dehje të administruar. Dhe nuk është problemi tek të qenit i dehur (high) nën cilëndo influencë – kjo është fjalë e shkëputur nga terminologjia, shkencore e mjekësore që do të thotë “high energy” por problemi është në atë që kjo high konoton tek njeriu.
Të qenit high nën influencën e heroinës, apo nën administrimin e kësaj substance, për aq sa zgjatë, është status tej konvencionales që konoton përvojë të pashembullt.
Të qenit high nën adrenalinën e luftës në Siri është po ashtu status që konfirmon përvojë të pashembullt nën administrimin e religjionit (sigurisht tmerrësisht të keqkuptuar). Është status tej konvencionales. Është status i të qenit më i thellë në çdo gjë, dhe status që konfirmon një pozicion të pakthyeshëm (lexo: të paarritshëm) të njeriut.
Dhe, është paradoksale, të dyja, edhe pjesëmarrja në luftën në Siri p.sh., edhe pjesëmarrja në luftën kundër komercializmit pra “retreatism”, kanë të njëjtin qëllim: refuzimin e aktualitetit bashkëkohor.
Dhe edhe më paradoksale është ngjashmëria në atë se në të dyja jeta aktuale është sekondare, në raport me jetën shpirtërore të personit religjioz dhe të Junky. Në përvojën e personit religjioz ne të tjerët jemi të gjithë “qafirë” sipërfaqësor që së shpejti do të digjemi në zjarrin e kiametit të afërm, dhe në përvojën e Junky ne jemi tërësisht “zombie” sipërfaqësor që kënaqemi në “junk” (bërllokun) e komercializmit. Por në të dyja ne, që jetojmë aktualen, jemi të padijshëm për kënaqësitë e “asaj” bote. Dhe mu këtu buron shtresa e statusit të paprekshëm të tyre, në mosdijen tonë ndaj, dhe në përvojën e tyre”, kisha përfunduar i zgjuar tashmë nga mpirja prej frymëzimit që më jepte ky reflektim imi.
Ka një gëzim, pas një kohe të gjatë në jetën tonë me gruan time, ajo e lodhur me kasapin e saj, nga lidhja e tyre, dhe unë duke pas kaluar nëpër miliona projektime seksuale fizike të asistentes, dhe asistentja më në fund edhe ishte martuar e kishte emigruar në Shtutgart, kishim vendosur, që të zgjidhnim, them të zgjedhurit e kësaj jete, do të ishte, zgjedhja më e mirë përmes të pasurit e një fëmije në martesën tonë, të kishim fëmijë, ishte zgjedhja jonë. Bënim seks, shpesh, e pafre, të zgjidhur disi kompleksesh e dhembjesh të të pas qenit të kufizuar në jetën e kaluar, apo me premtimin se do të bëheshim njerëz të kësaj galaktike, me të lindurit të një fëmije. “Nomad?!”, për një moment, ndërsa po zgjidhnim rroba për vajzën tonë që ishte në muajin e shtatë të shtatzënisë së gruas, po zgjidhnim emrin, dhe jetën e ardhshme të saj, kisha dëgjuar t’i them vetes, pikërisht aty. Pa një pa dy, të njëjtën natë të kësaj dite zgjedhjesh, i isha kthyer pas disa viteve, në momentin e lënë të reflektimit tim, dhe kisha vazhduar, shtrirë në krevat me listën e këngëve të zgjedhura, si prindër të kujdesshëm, për të na mbajtur në frymën e të kaluarit në prindër, “Le ta marrim në konsiderim se ka një të metë në të dyja, nëse ju kujtohet nga reflektimi i fundit” po i thosha vetes në shumës, dhe vazhdoja “në agjërim përmes besimit, dhe në agjërim përmes kënaqësisë së heroinës, dhe, në të gjitha ekstazat: kur besohet ëndrra dhe përfundon realiteti. Apo kur i tërë realiteti është sakrifikuar në kurriz të ëndrrës.” Pastaj, në po të njëjtën natë, kisha ndalë muzikën, shumë serioz, pa një pa dy e kisha lexu, tërë shembullin markant të kësaj, që është, autobiografinë e Thomas De Quincey “Confessions of an opium eater”, një rrëfim personal i harrimit të aktuales dhe përfundimit në ferr, e që është si në të gjitha ekstazat, dhe të gjithë, si njeriu i religjionit dhe ai i reatreatism. Nëse reatreatism është, edhe kjo, po ashtu, vetë-zgjedhje; pastaj edhe zgjedhja për të terrorizuar njeriu njeriun në emër të religjionit si vetë-zgjidhje (me qenë se religjioni në të vërtetë e ndalon këtë), ndoshta këtu flitet për kënaqësinë, kënaqësinë prej dhunës dhe prej shkyçjes, jo si përvojë njerëzore, por ndoshta edhe si njëlloj influence, apo në këto dy raste, tërësisht ekstreme, si njëlloj braktisje ekstreme, dhe, aq më shumë, amputim, kolektiv si i terroristëve, i të ndryshmes, qoftë edhe si e njohur, por edhe për të shkyçurit e reatreatism”. Dhe këtu kisha lëshuar prapë muzikën, herët në ag tashmë, herët në agun e jetës sime të perënduar në të gjitha zgjedhjet, dhe pamundësinë për t’u ikur, duke përfunduar, atë paranojën e errtë të lehtë, të thelluar zi përjetë, tanimë. “Kjo ngjanë si njëlloj frike nga kënaqësia, në të dyja këto masa sociologjike: jashtë, të përbashkëtës, jetës, të ikurit në këto ekstreme, dhe brenda në atë që shndërrohet në ekstrem”.
Në lumturinë, dhe herë herë ankthin, e ardhjes së përgjegjësisë prindërore, po të njëjtin mëngjes, kisha braktisur, sidomos këtë fushë të pasionit tim, të të qenit i punësuar dhe të vëzhguarit të gjërave, të gjithave. Dhe kur e pyes veten pse dhe si, e tëra më del në atë vezullimën e lavatriqes së sapo blerë në fillim të martesës sonë.