Në historinë e letërsisë shqipe, pak zëra kanë mbetur kaq të ngjizur me përfytyrimin e trishtimit poetik sa ai i Frederik Rreshpjes. Emri i tij mbart me vete hijeshinë e errët, melankolinë e trishtimin, që shpesh janë parë si damka dalluese e krijimtarisë së tij. Poezia e Rreshpjes, e mbushur me imazhe të mjegullta, figura dhe ndjeshmëri gati onirike, ka ushqyer për vite me radhë një mit të ndërtuar mbi personalen e tij; atë të poetit të vetmuar, të përmalluar, që di të flasë gjuhën e dhimbjes. Por përtej këtij imazhi të ngrirë, Rreshpja përbën një univers më kompleks, shumëdimensional. Ai nuk ishte vetëm poet i përhumbur në trishtim, por edhe shkrimtar me ndjeshmëri të hollë për botën e fëmijëve, për brishtësinë dhe metafizikën e pafajësisë. E pikërisht kështu e kujtojmë sot Frederik Rreshpjen, jo vetëm si poetin e trishtimit, por si shkrimtarin përtej tij.
Një tjetër Rreshpje: zëri i butë i letërsisë për fëmijë.
Në një lexim më të kujdesshëm të korpusit letrar që shkrimtari na ka lënë pas, na shfaqet edhe një Rreshpje tjetër, më pak i njohur: Rreshpja si autor i letërsisë për fëmijë. Ndonëse pjesa më e madhe e vëmendjes kritike është përqendruar tek lirika e tij melankolike, më pak janë ndalur tek përrallat e tij apo tregimet për fëmijë, që ndonëse nuk i kanë shpëtuar universit tematik popullor, mbartin në vetvete tipare të poetikës së veçantë të shkrimtarit.
“Eranda ishte një vajzë e vogël, por trime, një arbëreshë e vërtetë, e cila jetonte diku mes maleve të Matit. Historianët nuk thonë asgjë për ngjarjet e këtij tregimi. Po është një këngë e lashtë që tregon për këtë. Është aq e lashtë sa gjyshërit nuk dinë të rrëfejnë se kush e thuri.”[1]
“Eranda” është më shumë sesa thjesht një tekst për fëmijë. Ajo është një rrëfenjë e brishtë, e mbështjellë magjishëm me copëza nga folklori ynë, që mbart struktura klasike të ndërtimit të përrallës, por përmes një gjuhe të kristaltë, fëmijërore dhe ndjeshmërisë që – për lexuesin besnik të Rreshpjes – është prekja e tij. Ç’vlerë ka për ne fakti se një shkrimtar si Rreshpja, i përndjekur nga vuajtja dhe përjashtimi i kohës shkruan për botën e fëmijëve? Tregimi është botuar në vitin 1968, shumë më përpara se ai të dënohej e arrestohej. Pikërisht këtu nis të çahet miti i poetikës së tij të trishtimit të përhershëm. “Eranda” nuk përbën thjesht një përjashtim nga pjesa tjetër e krijimtarisë së tij, por një zgjatim të saj, një dëshmi se motivet letrare janë të kontekstualizueshme.
Është e rëndësishme të kuptojmë se për Rreshpjen, fëmijëria nuk është vetëm një fazë e jetës, por një territor poetik. Edhe në poetikën e tij, fëmija, nëna, kujtimet e para, ato janë të vijueshme. Kështu, edhe “Eranda” nuk është një largim nga poezia e tij, por një tjetërsim i saj në një regjistër tjetër. Ai e rikthen fëmijërinë jo vetëm si përfytyrim, por edhe si një formë ligjërimi.
Frederik Rreshpja është padyshim një nga figurat më të vështira për të guxuar ta përmbledhësh në një kategori të vetme. Poeti i përmalluar, romantiku i vonë, melankoliku i poezisë moderne shqiptare; ndonëse të vërteta, këto nuk janë të mjaftueshme. Ai dinte dhe mundi të shkruante edhe për dritën, përmes vëllimeve si “Aventura e fundit e Gishtos” apo “Trofta hutaqe”, për botën e fëmijëve, të njihte dhe vlerësonte naivitetin letrar fëmijëror, ta rafinonte gjuhën e tij drejt përshtatjes, duke na ftuar edhe në tejkohësinë e tij për rilexim, për reflektim dhe një kontakt të ri me një fragment të beftë të krijimtarisë së Rreshpjes, atë për fëmijë.
“Këtu kënga mbaron. Ndoshta kënga qe më e gjatë, por vargjet humbën nëpër mote.”[2]
[1] “Eranda”, Frederik Rreshpja, fq. 1, Biblioteka e Fatosit, Tiranë, 1968.
[2] “Eranda”, Frederik Rreshpja, Biblioteka e Fatosit, Tiranë, 1968.