Kreu Opinion Vangjush Saro: “Fëmijëria” e tejzgjatur e Letërsisë për Fëmijë

Vangjush Saro: “Fëmijëria” e tejzgjatur e Letërsisë për Fëmijë

Edhe pse është bërë e udhës të cilësohet “Letërsi për Fëmijë e Të rinj”, në vështrimin tim, ajo duhet të jetë më së pari thjesht Letërsi; të vlerësohet dhe të lexohet nga një spektër i gjerë moshash. Letërsia e mirë i thyhen tabutë; dhe vjen te publiku në të njëjtën masë e standard, si gjithë krijimtaria tjetër. Por ajo për të cilën po flasim, është e paragjykuar; dhe sigurisht, jo pa arsye. Megjithatë, më duhet të them që në fillim të këtyre radhëve – dhe ky është thjesht një opinion – që Letërsia jonë e këtij zhanri ende mbetet në kuota tejet modeste.

Sigurisht, nuk i kanë munguar qasjet. Në poezi, spikatën autorë si Tasim Gjokutaj, Bekim Harxhi, Xhevat Beqaraj, Adelina Mamaqi, Lajde Staku, më pas Shkëlzen Zalli, Tatiana Kurtiqi, Ferit Lamaj, Jani Duri, Iliaz Bobaj, Agim Bajrami, Rifat Ismaili, Elmaz Qereti, Vasil Gjivogli, etj. Në prozë erdhën me përpjekjet e tyre më të mira Bardhyl Xhama, Loni Papa, Gaqo Bushaka, Petraq Zoto, Viktor Canosinaj, Shpresa Vreto, Astrit Bishqemi, Sokol Jakova, Ramadan Pasmaçiu, Viron Kona, Thanas Jorgji, Stavri Pone, Fatmir Terziu, Ana Tisi, Fatmir Gjestila, Edlira Rama, etj.

Pati krijues që dhanë ndihmesë në të dyja gjinitë, si Odhise Grillo, Skënder Hasko, Petraq Samsuri, Sazan Goliku, Moikom Zeqo, Xhahid Bushati, Hamdi Meça, Alketa Dervishaj, Kastriot Mahilaj, etj. (Përtej modestisë, mund të përfshija në këtë rang edhe një pjesë të krijimtarisë sime: fabulat apo edhe disa novela, si “Një ditë pa mamin”, “Polic këmbëvogli”, “Djali që u bë tullumbace”, etj.)

Gjithsesi, nëse do ta vështrojmë këtë Letërsi në përballje me ato më të njohurat në botë – e kemi fjalën për autorë si Mark Tuen, Karlo Kolodi, Ferenc Molnar, Ekzyperi, etj. – mund të themi se Letërsia Shqiptare për Fëmijë e Të rinj ishte dhe gjendet ende në njëlloj prapambetjeje. Këtu, shpesh ngatërrohet ajo që mund ta quanim “Letërsi fëminore”, me krijimtarinë që, pavarësisht temave e stilit, u drejtohet të gjitha moshave, (sikundër u shpreha edhe më lart). Për fat të keq – dhe do të doja të isha i gabuar – Letërsia Shqiptare për Fëmijë e Të rinj kaloi dhe vazhdon të kalojë një “fëmijëri” tejet të gjatë.

Shkrimtarët e spikatur të vendit dhanë shembuj se si mund të shkruhet për fëmijë e të rinj; sollën edhe ndihmesa.  (Rrëfenjat e Mitrush Kutelit, romani “Shpella e piratëve” i Petro Markos, “Koha e shkrimeve” dhe “Gurgëdhëndësit” të Ismail Kadaresë, “Beni ecën vetë” i Kiço Blushit, etj.) Por ata, ta themi me sinqeritet, nuk ishin të përkushtuar në këtë zhanër. Megjithatë, të tjerë autorë iu kushtuan kësaj Letërsie me më shumë energji, mbase edhe në krejt jetën e tyre; gjithnjë duke e konsideruar termin (pra, atë, Letërsia për Fëmijë e Të rinj) si një marrëveshje fjale, më shumë për interesa studimore. Në këtë vështrim, përpjekje të vlerësueshme – që treguan dhe tregojnë se nuk ka dy a tre, por vetëm një letërsi dhe ajo mund dhe duhet të lexohet nga i madh e i vogël – u bënë nga autorë si Bedri Dedja (“Një udhëtim i rrezikshëm” etj.), Viktor Canosinaj (“Meriyll”), Petraq Zoto (“Burimi i Drerit”), Fatmir Gjestila (“Edhe pëllumbat qajnë”), Riza Braholli (“Djali i pëllumbave”) etj.

Arsyet pse në këtë Letërsi ende nuk ka vepra që të kapërcejnë kufijtë (e vendit) dhe kohërat, janë të ndryshme; disa mund t’i quajmë asish vetjake, që kanë të bëjnë me shfaqjen e talenteve dhe këto nuk se janë me shumicë. Letërsia e mirë zhvillohet si një proces që, më në fund, është krejt personal, ka të bëjë me vetëdijen, prirjen dhe gjetjet, me gjuhën dhe tekstin; ajo shkon te lexuesi e botuesi (vendas a i huaj) pa lejën e institucioneve apo kritikës letrare. Por ndërkaq, duhet thënë që jo më një kritik letrar, por çdo autor profesionist, madje çdo lexues me një kulturë mesatare, mund të dallojë menjëherë nëse një libër është shkruar mirë apo në të është baltosur profesioni i shkrimtarit… Institucionet, përfshi edhe Kritikën, gjithsesi, do t’ia lehtësonin detyrën dhe do t’ia “pastronin” hapësirat letërsisë së mirë. Por ndodh që pikërisht mosfunksionimi i hallkave në tërësi, institucione, zyra, komisione e individë – gjithnjë në njëlloj presioni që ushtrohet sheshit – çojnë në vlerësime të pamerituara; dhe kjo është pjesa tjetër e hidhur e kësaj të vërtete.

Çfarë ndodh, e dimë të gjithë. E përsëris me keqardhje, ky zhanër është bërë pothuaj “eksperimental” – më vjen zor ta them – si ato makinat që dikur i quanim “Mësimore”. Këtu hyjnë e dalin gjithfarë shkrues, që dikur “harrojnë” të shkruajnë, siç harrohen edhe ata vetë nga publiku. Por arrijnë ta trazojnë gjendjen, për aq kohë sa janë në një interes apo tekë. Bie fjala, sapo që shfaqet në këto “ngastra” ndonjë ish-Ministër a Ministre apo ndonjë zyrtar i tjetër i lartë – qasur rastësisht dhe pa kurrfarë “historie” në këtë profesion – nderohet sakaq me çmim, duke u vënë bërrylin mjeshtrave hallemëdhenj të kësaj Letërsie. Dhe ata nuk se mungojnë, por rëndom s’e hapin gojën; (mbase ngaqë jetë e mot shumëçka shkon sipas tarafeve). Kësisoj, institucionet “marrin zemër” për të vazhduar me anime dhe arnime, publiku konfuzohet duke e bërë tregun përshesh, kurse Kritika Letrare parcelizohet; dhe ja tek e shkatërruam çdo përpjekje për përparim te mëtejshëm e të vërtetë në këtë zhanër.

Pasojat e një sjelljeje të tillë të papërgjegjshme me arritjet reale të një Letërsie, fillojnë si farsë, por janë vërtet për të qarë. Duke kërkuar shumë më shumë, s’mund të bëjmë indiferentin apo dinakun për ato sa kemi. (“Ai kishte parë zogj e breshka, por elefantin jo.” Krillov, fabula “Kureshtari”) Krijues të njohur, prindër, por edhe specialistë të fushave të ndryshme, hedhin dyshime, bie fjala, për mënyrën se si shkruhen dhe përzgjidhen tekstet shkollore, se si “u gjendet vendi” fondeve për përkthim në gjuhë të huaja apo për të botuar një libër ose antologji, etj. Kjo do të thotë se mungon transparenca, nuk është marrë parasysh një mendim sa më i gjerë dhe një pëlqim sa më i besueshëm, por është vepruar “nën tryezë” apo në “prapaskena”; dhe kështu, paratë e hedhura nga shteti për një qëllim të mirë… janë “hedhur” vërtet. 

Në prapambetjen e kësaj Letërsie, ndikojnë për keq edhe disa iniciativa private për të sjellë studime (ku i zoti përfshin ata apo ato që pëlqen ai,) si dhe disa antologji, ku parimet dhe profesionalizmi shkelen me të dyja këmbët. Protagonistët e këtyre sjelljeve brutale, siç thotë diku Ç. Dikens, “jo vetëm që s’kanë mbetur në zall, por tani kanë hyrë në ujërat më të thella dhe nuk po ia gjejnë dot fundin… mendjemprehtësisë së tyre.” (Nuk po flasim për asish që në çdo fjali mund t’u gjesh tre-katër gabime logjike e drejtshkrimore, por edhe për të tjerë, me gjasë të shkolluar e të kulturuar, por që mbyten me një lugë ujë.) Zelli për shkrime, studime, antologji, ka marrë dhenë; dhe ka një “luftë” të frikshme individësh që ndjekin fiksime të frikshme.

Një e tillë antologji, me mungesa të dukshme, u botua këto kohë. Nuk ia vlen të hyjmë në detaje. Por që të mos mbetem tek opinioni apo bindja ime, po përmend vetëm një prej emrave të shquar që mungoi në këtë “antilogji”, Skënder Hasko, ndër themeluesit e Letërsisë për Fëmijë e Të rinj, nga të paktët që është botuar edhe në Kosovë e gjetkë. Çfarë mund të presësh më nga gjysmakë të tillë, që shkojnë pas prurjeve mediokre e të rastësishme apo që, për më keq, shfryjnë inatet personale në punë që duhej të kryheshin me shumë përgjegjësi dhe duke u mbikëqyrur nga institucione të specializuara (!)

Ndërsa përpiqemi të nxjerrim në pah arritjet dhe mangësitë në këtë zhanër, ashtu në përgjithësi mund të themi që letërsia më e mirë nuk do të shpëtojë asnjëherë nga konkurenca e grafomanëve apo nga përbuzja e atyre që dinë të nderojnë vetëm miqtë dhe ofiqarët. Por shpresoj, megjithatë, të bëhet më mirë në dy gjëra: Të gjenden vullnet e profesionalizëm për një shqyrtim sa më të paanë e korrekt të krijimtarisë; dhe kjo shkon për çdo zhanër. (“Ndiqni të paktët, jo njerëzit vulgarë…” Petrarka) Dhe e dyta, në korin e madh të krijuesve, të kohës apo që mund të vijnë ndërkaq, të dallohen gjithnjë e më shumë zëra origjinalë e, mbase, mes tyre, edhe ata që do të shkojnë (siç pretendojmë e urojmë) përtej kohrave dhe kufijve.

Duke i mbyllur këto radhë, duhet të shtoj se një pjesë  e autorëve të përmendur në këtë shënim letrar, nuk jetojnë më; të tjerë kanë qenë rastësisht në këtë zhanër apo nuk janë shfaqur më assesi. Por m’u duk e udhës të vizatoja me përgjegjësi një tablo sa më të plotë, prej nga spikatja bëhet më e dukshme, duke kundruar nëpër reshta apo duke kuptuar sakaq, me të lexuar një frazë. E ndërsa ndonjëherë entet apo individë (me fiksime, theksova) vënë shkopinj në rrota, Kritika Letrare dhe Tregu, siç mund ta kem vlerësuar edhe në ndonjë shënim tjetër, vënë notat e duhura për këdo. Dhe prapë s’është fjala për fate dhe përvoja të veçanta, patjetër edhe për aso, por më së shumti për një Letërsi që mund të synojë më mirë dhe më tepër; brenda dhe jashtë vendit.

Exit mobile version