Kreu Letërsi Bibliotekë Arbër Selmani: Burrat planifikojnë për mua (poezi)

Arbër Selmani: Burrat planifikojnë për mua (poezi)

Si e vogël doja një kukull prej pambuku
aso që ka tri duar dhe hap gojën kur unë dua
ma blenë, një mëngjes, një arush të thjeshtë klishe
burrat që vendosin mbi lëngun e mendjes sime.

Doja t’i haja ëmbëlsirat saktë në orën dhjetë të mbrëmjes
dhe doja përrallat e Ezopit menjëherë pas
natyrisht, ma vunë gjumin si mur mbrojtës
burrat që pushtojnë territore ku s’takojnë.

Nisa ta shkruaja romanin e dytë
në fleta të bardha vjedhur nga printeri i zyrës
çdo sinops qenka i shthurur, sepse
burrat kanë lexuar për mua, burrat kanë vlerësuar për mua.

Më dhimbset nëna ime
nuk ka skutë të shtëpisë që nuk e ka mbushur mërzi
më pëlqen të jetoj me të, por ata s’duan
burrat që kanë hapur shkolla emocionesh.

Motrës me aftësi të kufizuara i takon vendparkimi i posaçëm për veturë
i kaltër, pa kufizime, i turpshëm para syve të lagjes
e prapë, shpesh atë na e vjedhin
burrat që kanë zaptuar, burrat që mbajnë timonin në duar.

Dal nga shtëpia e matur, e kujdesur
besoj, lutem nën shall, i analizoj vetullat e kalimtarëve
i hapem kësaj bote si nëntor i larë, megjithatë
burrat tashmë kanë caktuar hyrjen time në kor kishtar.

Ndalem në rrugë dhe shoh në të gjitha anët
më pëlqen ngjyra gri e statujave
aroma e mandarinave
gratë rome që puthin ballin e njëra tjetrës
gjyshja që nuk gjëmon nga kilogramët e jetës
bora e ndotur që bie pa vullnetin e saj
semaforët kur skuqen (dikush turpërohet në këtë qytet).

Rëndon që për secilën grua
burrat thurin plane, zbulojnë matematikë të re
njëjtë, burrat planifikojnë edhe për mua.

Exit mobile version