Kreu Letërsi Bibliotekë Arben Velo: Juga e bardhë e një artisti

Arben Velo: Juga e bardhë e një artisti

“Keni skenar se për çfarë duhet të flas? -pyeti Ferhati.

 Kështu quhej artisti që njihej për rolet komike sidomos në pjesët ”Doni më për qytetin tim”? “Ah pushtuesit gjermanë” “Dhia e haramit” 

“Është thjesht një intervistë”- pohova unë.

Tundi kokën dhe nisi të nxirrte prej dollapit disa skaleta .

Miliona të qeshura, duartrokitje, ishin paketuar në korniza. Mijëra foto, ishin gati të ngjalleshin. Vetëm prisnin zërin e tij.

” Kujdes, mos m’i grisni. I kam bërë gati, që, kur të mos jem unë, të paktën të mbeten ato” – gati pëshpëriti .

Kameramani më bëri shenjë. Për dreq kishte harruar pa karikuar bateritë. Dhe kërkoi një prizë elektrike për ti karikuar.

Ferhati iu afrua dritares.

“Nisi dhe juga”- psherëtiu.

Hodha sytë jashtë.  Buzëqesha.

Kishim shkuar për ti marr një intervistë. Jetonte i vetëm. 20 vite më parë i kishte vdekur gruaja. Nuk ishte rimartuar. Dhe ende nuk ishte mbushur viti,nga vdekja e djalit të vetëm. Tani jetonte me personazhet

“Moos,”- bërtiti befas.

“ç’është kjo  dreq erë.  Po kush e hapi dritaren”?

U duk sikur një filxhan ra në dysheme. Fillimisht krisi e pastaj u thye. U dëgjua zhurmë.

“Mbylleni dritaren”- ulëriti ai.

Vërtet, po vërshonte një erë e çuditshme?

 “E shihni çpo ndodh? Po përzihen bashkë humor, duartrokitje, batuta, të qeshura, parodi, peizazhe, fusha xhirimesh dhe po kthehen në një erë drethkël myzeqare Nga një frymë ujku po shndërrohet në Jugë të bardhë”- gati recitoi ai. 

Kameramani gati po shqyente sytë nga habia. Të them të drejtën, dhe unë po trembesha

“ Ah ”!- bërtiti prapë ai. I shkatërroj kjo jugë të gjitha. Pastaj, hapi krahët, dhe u  shtri mbi fashetat e  fotove, të mbledhura kutullaç, sipër pllakave të sallonit,  

Duart i dridheshin. Nuk po u besonim syve.  Ndoshta po aktronte. I marrë prej mallit për skenën, personazhet, po stiste para nesh, para asaj interviste, ndoshta një rol prej babloku vetmitar.

“Nuk dua të filmohen kështu, -shtoi duke u përpjekur të mblidhte me krahët e tij gati të tharë, grumbujt e fashikujve. 

“Është jeta ime aty, arti, personazhet. I kam dhënë këtij qyteti. Nuk ika si të tjerët. Se braktisa, sepse dhe ai me deshte. Tani më kanë harruar?”-pyeti ai

“Nuk ka gjë” shtoi,- veç më ndihmoni të mbyll dritaren.Akoma nuk e shihni çfarë po ndodh?.

“Dritarja është mbyllur” – përsërita unë.  Kot shqetësoheni.

 “ E keni gabim”- përsëriti. Dhe rendi drejt dritares. E shtrëngoi dorezën me dorën e rreshkur ku dukeshin damarët dhe pasi u sigurua që ishte mbyllur, tundi kokën mosbesueshëm.

“Çudi”!- psherëtiu. Vërtet nuk e  patë se cfarë ndodhi”?

“Për pak  era më përpiu kujtimet. Shyqyr që u shtriva sipër tyre sepse kush e di ku  kishin përfunduar”- tha duke marrë frymë i lehtësuar .

“Ky nuk është në rregull” më tha kameramani. Po sillet cuditshëm”.

Nuk ktheva përgjigje.

“Pa më pyetur mua, nuk do filmosh asgjë”, – përsëriti 90 vjeçari me trupin e hajthëm, shumë të brishtë, me sytë e gjallë edhe pse vështrimi po e braktiste ngadalë, 

“ E dini çmë gjeti sot në mëngjes”?

Ne heshtëm dhe ngritëm supet.

“Në mënges më erdhi një vajzë në shtëpi. Kërkoi  të merrte  disa foto nga puna e ime. I duheshin për një studim. E ndihmova dhe e lashë t’i zgjidhte vetë. Në fund kur iku, më përqafoi dhe me puthi në faqe. Dhe më uroi ditë të bukur. Po po. Kur e përcolla, thashë; paskërka ende njërëz që e duan artin dhe artistin. “!.

“Pastaj dola për të bërë pazar. Do ti. Disa më shikonin.Të tjerë ndalonin hapat. Herë më shikonin me habi. Herë  vinin buzën në gaz. Disa dhe qeshnin ore, qeshnin. Shyqyr thashë. U kujtuan se unë rroj akoma!

 Kameramani bëri shënjë te faqja e vet dhe tregoi me sy nga  faqja e djathtë e artistit

“  Shikoje mirë, më pëshpëriti te veshët. Ka dy shënja buzëkuqi në fytyrë.” I duhet thënë. Nëse do ta intervistojmë, nuk mund ta filmojmë ashtu!

“Një, dy, tre, Një, dy, tre”-numëroi ai mbi mikrofonin lidhur me kamerën.

Ferhati mori lupën  në dorë.

Një fjollë drite vërshoi  nga dritarja, çau mespërmes sallonin, dhe u  shlodh mbi fytyrën e rrudhur të artistit.  

Hodha sytë jashtë.  Asnjë  degë peme nuk  lëvizte. Vetëm  dy gjurmët e buzëkuqit  në faqen e Ferhatit, dukej sikur lëkundeshin në erë,sa herë   ai fliste për jugën e bardhë. Unë bëra gati mikrofonin për intervistë.

Exit mobile version