Kreu Letërsi Bibliotekë Gjergji Mihallari: Schonefeld Airport (tregim)

Gjergji Mihallari: Schonefeld Airport (tregim)

Gjatë dy muaj, duhej të udhëtonte çdo javë drejt aeroportit të Schonefeldit në Berlin. Sa zgjaste fluturimi me avion, ishte edhe koha e autobuzit për ta çuar në qytetin e Drezdenit. Nuk e lodhte kjo kohë e zgjatur udhëtimi, pa tymosur një cigare(nevoja për të pirë një të tillë ishte e domosdoshme si frymëmarja), por qëndrimi ulur në ndenjëse, që mpinte të ndenjurat. Deri në sistemimin e familjes, duhej të udhëtonte, sa drejt Dresdenit edhe të kthehej në qytetin e tij. “ Bëmë me fat dhe hidhmë në hale!”, ishte plotësisht e drejtë. Fati qëlloi në anën e tij. Punët shkuan fjollë. U rregjistrua në bashki, ndihmuar nga kushëriri. Një bashkëfshatar, e ndihmoi për apartamentin. Të shoqes, i gjetën punë në të zezë, sa të paisej me leje qëndrimi. Qyteti, i pëlqeu. Ndërtesa të larta, rrugë të gjera, gjelbërim pafund, dy liqene të vegjël ku mund të bëje edhe serf, qëlluan afër apartamentit. Lumi i Elbës e qerthullonte qytetin, me anijeve që lundronin në të. Kisha e vjetër, shkatëruar nga bombat angleze në fund të luftës, e restauruar, shponte qiellin. Pëlqimi, ia lehtësoi dhimbjen e largimi nga vendlindja. Për  punën nuk ndjeu keqardhje, aspak! Situata rodhi në një shtrat të tillë sa të ndiente njëfarë lehtësimi, por edhe mellf për vitet që çoi dëm në këtë punë. Kishin emëruar eprore, një kolege që punonte paralel në një degë tjetër. Gjatë kësaj kohe, kishin patur fërkime të vogla për punën. Eprorja, ishte nga ai lloj femre që ligësinë e bartin si organ të brendshëm të trupit, si veshkë, stomak apo edhe zemër…  Thjesht, nga ato femra ku në qytet përdorej shprehja” Ajo, është dhi!”.  Fjalët e dëgjuara, si shpirtkeqe dhe hakmarëse, nuk donte t’i besonte. Nuk mund të jenë të vërteta, pati menduar. Është femër, është krijesë që krijon jetë. Femrat janë qënie të buta, të ëmbla, falin qetësinë shpirtërore, ndaj duhet të jenë fjalë për smirë. Ky mendim u lëkund sapo vuri këmbë në institucion. Bëri mbledhje. Broçkullisi gjerë e gjatë, për mënyrën si duhej të punonin dhe silleshin. Qëndrimi në tavolinë ishte sikur të ndihej zot i jetëve të vartësve të saj. Në fund, shqiptoi thatë, që takimi mbaroi. Ai dëgjoi gjithë kohën, me vështrim të derdhur përtej dritares. Vjeshta ishte shtruar këmbëkryq. E dashuronte këtë stinë. Gjethet e gështenjave të egra në krah të rrugëve po ndëronin ngjyrë, ndonjëra, vallëzonte drejt tokës. Lëvizi, pasi u larguan të gjithë. Si personi i dytë në drejtim, priste që ajo të kërkonte bashkëpunim dhe mirëkuptim. Por nuk u shqiptua asnjë fjalë. Duke vështruar kompiuterin, dhe lëvizur lapsin nëpër gisht, shqiptoi:

-Jam e detyruar të punojmë bashkë, por nuk kam harruar grindjet!

-Si të jetë dëshira jote, -ia ktheu qetë ai. -Nuk kanë qënë personale, por për punë. Rëndësi ka të bëhet puna. Unë fal edhe pse më lëndojnë dhe duan të më shkelin me këmbë!

Pastaj, kishte tërhequr derën lehtë, të mos dëgjonte kërcitjen vajtuese. Fjalët e saj, i harroi sapo u largua nga puna. Nuk vonoi hakmarrja. E vlerësoi dobët për punën në fundvit, keq në aspektin profesional. Përvoja e tij, sipas saj, ishte flluskë sapuni. U step. Zemërimi u bë lëmsh në grykë. Të shpërthente në grindje? Ndaj një gruaje? Ti kërkonte shpjegime? E kotë! Do të dëmtonte vetëm vehtveten.

-Më ke vlerësuar dobët!? Nuk njoh procedurat!? -pyeti me ton ironik. -Këtë vlerësim ke ti për mua, kur vetëm tre muaj po punojmë bashkë? Konsideratë e madhe!

Kishte mundur të mbante nën fre zemërimin. Doli jashtë dhe ndezi një cigare. Pandehu, se pati shijuar një ëndërr të keqe.

Stinën e pranverës do ta shijonte si rilindje të shpirtit. Qetësia ishte arma, e përforcuar nga indiferenca, për të anashkaluar çdo situatë nervoze të sjellë nga eprorja. Kuptoi se situata, do kishte një fund jo të dëshirueshëm, ndaj u parapërgatit shpirtërisht. E priste me mospërfillje. Ndaj filloi të mendojë për diçka të re në jetë. I pari mendim, vendosi të largonte familje. Pastaj ndodhi ajo çfarë kishte për të ndodhur. E trasferuan në degë tjetër. Në bisedë me një nga drejtuesit në qendër, mësoi se ishte dëshira e eprores për ta larguar. Pra, fundi mbriti. Kërkoi dorëheqje, duke mëshuar faktin se situatën e krijuar, e shihte si goditje ndaj personalitetit dhe etikës së tij profesionale. Në këto kushte, e shihte të nevojshme largimin, nuk bëhej dhëndër me zor, në një vend ku nuk e pranonin as në oborr.

Mbëriti në mëngjes në Selanik, nga do fluturonte drejt Gjermanisë. Në errësirën e natës, pati mbyllur derën e shtëpisë, duke ndjerë shtërngim në gjoks. Kudo, heshtja e plotë. Dikur, qetësia thyhej nga lehje qenësh, por, emigrimi, bëri edhe kafshët të largoheshin. U mungonte dora që ushqente. Natën e kthjellët me yje në kupën të qiellit kur po largohej, do ta mbante mend. Agu i mëngjesit, e përshëndeti kur taksia, shkeli rrugët e Selanikut. Qyteti në zgjim, ishte i zhurmëshëm, me një lumë automjetesh nëpër rrugë. Vështroi orën. Duhej edhe tre orë për tu nisur avioni. I pihej një kafe e fortë, por edhe të tymoste një duhan. Kafen ekspres nuk e bënin si në qytetin e tij, përsëri, pëlqente tek rrufiste lëngun e zi buzë detit. Deti e rrëmbente me pafundësinë dhe thellësinë e tij.

Në monitor, në aeroport, mësoi se avioni kishte vonesë. Shpresoi të mos vonohej shumë, sepse humbte autobuzin në zbritje. Kur nga dritarja e vogël ovale e avionit, dalloi së largu aeroportin, u qetësua. Qiellin i vrejtur, ngarkuar plot re të hirta mbi Berlin, lotoi në shi sapo zbriti nga avioni. Nga terminali deri në stacion hodhi çapat shpejt, gati duke vrapuar, e mbrojtur nga shiu me çantën e shpinës që e mbante mbi krye.  Ndali poshtë strehës së vogël në stacion, pushtuar nga udhëtarë të tjerë, duke u përpjekur të gjente një vend të lirë. Si për fat, shiu pushoi. Dhe u gjend i vetëm në strehë. Autobusi i sapombritur, rrëmbeu të gjithë njerëzit. Pas pak, duhej të mbrinte autobuzi i linjës së tij.

-Më falni zotëri, -dëgjoi dobët një zë të zvarrët, nga pas shpine. Fjalët u shqiptuan në anglisht. -Më ndihmoni, të lutem!

Ngeli i habitur me shfaqjen e djalit. Pamja, ia përforconte idenë e mbirjes nga dheu, shfaqur nga hiçi, apo sjellë nga shiu me vete. Ishte njomëzak, ndoshta vërsnik me të birin. Nga flokët, duke zbritur në fytyrë, i lëpiheshin rëkeza të imta uji. Me siguri ka qëndruar tërë kohës nën shi, mendoi, kur dalloi se edhe rrobat i kullonin ujë.

-Të lutem, dua të kthehem në shtëpi!-vazhdoi i përgjëruar. Nga sytë i rrodhën lotë. Sytë e lodhur, ishin një me lëkurën e zbehtë të fytyrës. Nuk dallohej që të ishte përdorues i drogës. -Kam humbur portofolin, ndaj të kërkoj ndihmë… Më beso, nuk kam mundësi të komunikoj me familjen… Ndoshta…

Ky djalë, mundet të kishte moshën e të birit. Ishte imcak dhe i ndrojtur, ashtu si biri i tij. Po sikur edhe i biri, gjatë udhëtimeve të tij, të ishte gjendur në të njëjtën situate? I uritur, pa ngrënë? U ndje keq. Një lëmsh iu gërmuq në fyt. Gati t’i ndalte frymën. Futi dorën në xhepin e brendëshëm të xhakaventos. Kaloi gishtat mbi kartëmonedha,duke i lëvizur pak. Ishin  vetëm prerje të mëdha.Shqiptoi se nuk mundej dhe ndihej keq që nuk mund ta ndihmonte. Autobuzi, ndali para këmbëve. Ndërsa me njërën shtërngoi çantën në sup, dorën tjetër e futi në xhep të pantallonave.

-Hej djalosh, -i foli, duke rrotulluar pakëz trupin ndalur në mes të derës, dhe zgjatur dorën që më parë e kishte rrasur në xhep. I lëshoi në duar, gjithë sa kishte patur në xhep. Ishin disa monedha metalike dhe një kartëmonedhë dhjetëshe euro. Djaloshi, përkuli kryet dhe i puthi dorën. Përsëriti disa herë faleminderit.

-Paç fat! -i foli nga dritarja. Mbajti kokën mbështetur tek xhami, duke vështruar djalin. Siluheta e tij zvogëlohej, derisa një moment, u tret plotësisht, si të kishte qënë një njollë e vogël  në hapësirën gri të aeroportit. Më vonë, e kaploi gjumi. Imazhi i djalit të panjohur po i fanepsej në atë dalldisje gjumi, duke ndryshuar fytyrë. Herë ai, dhe herë tjetër tjetërsohej në fytyrën e të birit. Njëherë fytyra e kënaqur e djalit të huaj që i puthte dorën duke e falenderuar, pastaj, i biri duke thënë se me ato lek të dhëna nuk mund të blinte as një sanduiç në shitoret e aeroportit. Në këtë përplasje fytyrash, midis falenderimit dhe qortimit, duket se po triumfonte e dyta. Nga dremitja u përmend dhe duke dashur të largojë ndjesinë e keqe, shkundi qepallat, lëvizi kokën disa herë majtas-djathtas. Pse nuk i dhashë pesëdhjetë apo njëqind euro, kjo pyetje, filloi ta gryente trurin e tij. Nuk pushoi së godituri në tru, edhe kur mbriti në shtëpi, edhe kur e shoqja e pyeti në t’i shtronte për të ngrënë.

-Më bëj vetëm një kafe, -ia ktheu të shoqes, gati i përhumbur në një botë tjetër.

-Nuk më dukesh mirë,-vazhdoi ajo. E njihte mirë. Nga fytyra e dallonte kur nuk shkonte diçka me të. Ishte tepër i lexueshëm për sytë e saj. Edhe tani ai qëndronte ulur në ballkon, duke tymosur një cigare me vështrim të përhumbur. Nuk përkëdhelte as qenin, ulur pranë këmbëve, duke iu fërkuar dhe tundur bishtin nga kënaqësia e të qënit pranë. Herët e tjera, e përkëdhelte kafshën me gishtat e dorës mbi lëkurë, i fliste fjalë të ëmbla, sikur përkëdhelte dikur birin e tyre kërthinjak. Sot, gati tjetër njeri. I heshtur në mendime. Duke i çuar kafenë vërente ngurtësimin e tij.

 -Nuk të shoh mirë, ka ndodhur gjë? -pyeti e shqetësuar, tashmë edhe ajo nga gjendja e tij, duke iu ulur në krah.

Nguroi në fillim t’i tregonte, por kur hasi këmbënguljen, i rrëfeu për sa i kishte ndodhur. Edhe tani që i fliste, në sy, i fanepsej imazhi i atij djali të huaj. Sytë e tij të përgjumur, fytyrën e ligështuar duke iu damarëzuar nga lotët e shiut.

-Epo mire ke bërë, -shqiptoi e shoqja, kur ai përfundoi së treguari. -E ndihmove djalin e huaj, pse duhet të vuash tani dhe ta përjetosh keq atë situatë?

-Vërtet e ndihmova, por, a ishte e mjaftueshme ajo ndihmë? -foli ai, duke kërkuar sytë e të shoqes.-Po sikur në gjendjen e atij djali të huaj, të panjohur për askënd në atë mizëri të pafund njerëzish, të ndodhej djali ynë?

Exit mobile version