Rëndësia dhe magjia e artit të fjalës
Vepra më e re poetike, përmbledhja me poezi “N’udhëkryqe koha plaket” e Llesh Ndojt, dashur e pa dashur, të bindë se kemi të bëjmë me artin e fjalës (në rastin konkret me poezinë), që e përcolli njeriun nga fillimet e gjallimit e do ta shoqërojë atë derisa sa të jetojë si i tillë. Në qenësi arti i fjalës – letërsia është shtjellim gjuhësor poetik, nga dalin mesazhe, që bëjnë ndikim estetik. Pra, kuptimi – kuptimet e fjalës dhe marrëdhënia e saj me kuptimet e fjalëve të tjera në tekstin përkatës janë përcaktuese të vlerës dhe të rëndësisë së veprës letrare dhe të ndikimit të saj në marrësin. Këtë gjë e kanë vënë në dukje shumë studiues. Në veprën “Teoria e letërsisë” të René Wellek dhe Austin Warren, thuhet: “Një fjalë bart në vete jo vetëm kuptimin e saj leksikal, po tërë një atmosferë të sinonimeve e të homonimeve, meqenëse fjalët nuk kanë vetëm kuptimin e tyre, po rikujtojnë kuptimin e fjalëve të ngjashme për tingëllim, ndjenjë e prejardhje, e së fundit të fjalëve që kundërvihen dhe përjashtohen”[1].
Natyrisht, vepra letrare poetike dhe përftimi i saj janë të lidhur ngushtë sa me shpirtin e krijuesit të saj e me imagjinatën e tij, po aq edhe me mesin shoqëror, ku ai lind, formohet dhe edukohet edhe me botën dhe me natyrën e njeriut në përgjithësi. Pra, krijuesi dhe marrësi i veprës letrare i përkasin mjedisit përkatës shoqëror dhe “Letërsia është një institucion shoqëror, që shfrytëzon si mjet të vetin të folurit, që është një krijesë shoqërore; e janë shoqërore në natyrën e vet mjetet tradicionale letrare, si simbolizmi dhe vargu (metri)”[2].
Arti i fjalës, përkatësisht vepra letrare është e rëndësishme për arsye se përmes komunikimit me tekstin e tyre, nga një anë ballafaqohet me shumësinë kuptimore, nga ana tjetër përmes të bukurës ndikohet në botën e lexuesit. Nichola Turker-i me të drejtë vë në dukje: “Sidoqoftë, zgjerimi i mundshëm i vetvetes mbetet edhe më tej një nga të mirat e mundshme më të çmueshme që mund të japin librat. Përsëri me fjalët e C. S. Lewis: ‘Në leximin e letërsisë së madhe unë shndërrohem në mijëra njerëz, megjithëse duke mbetur po ai. Unë shoh me një shumësi sysh, por jam gjithmonë unë që shoh […] Unë e ndërroj vetveten dhe asnjëherë nuk jam i njëjti si në çastin paraprak’[3]”.
Duke folur për të bukurën në artin e fjalës[4] Edgar Allan Poe, pati thënë: “Shkurt, poezinë unë do ta përcaktoja si një krijim ritmik të bukurisë […] E vetmja kënaqësi që është njëherësh më e kulluara, më e ethshmja, më shpirtlartonjësja, besoj se rrjedh nga kundrimi i së bukurës. Vetëm nëpërmjet kundrimit të së bukurës, arrin të na jepet mundësia e arritjes së atij lartësimi të kënaqësisë apo ngacmimin emocional të shpirtit, që ne njohim si ndjenjë poetike e që është lehtësisht e dallueshme nga e vërteta, që mund të quhet kënaqje e arsyes apo pasionit, të emëruar si dalldisja e zemrës”[5]. Edhe mendimi i poetit të shquar gjerman, Goethe-s, dëshmon rëndësinë dhe magjinë e artit të fjalës: epi indian “Mahabharata” ishte për të “[…] një prej yjeve që ia bëri netët më të ndritura se ditët”[6].
Lehtësi dhe natyrshmëri e hartimit të poezisë
Çështja e parë që përjetohet kur e lexon përmbledhjen e “N’udhëkryqe koha plaket” të Llesh Ndojt është se poezitë janë hartuar me lehtësi dhe natyrshmëri.
Kjo lehtësi e përftimit të teksteve vërehet edhe kur përdoret mënyra tradicionale e përftimit të poezisë (përdorimi i strofave i vargut metrik dhe i rimës) edhe kur përftohen tekste të mirëfillta moderne.
Vlerat poetike të poezive të këtij libri dëshmohen sidomos përmes poezisë si tërësi shtjelluese shprehëse dhe kuptimore[7], që i cilëson tekstet e tyre, pikërisht ashtu siç thuhet në këtë mendim të Adgar Allan Poe-së, ku bën fjalë për një poezi të Longfelow-it kushtuar gruas, të hartuar me strofa dhe me vargje metrike: “Sido që të jetë, poezia si një e tërë, është admiruar kryesisht […] për përputhjen e vet me karakterin e ndjenjave, por në mënyrë të veçantë është vlerësuar për lehtësinë e mënyrës së të shkruarit”[8].
Çështja e dytë që bie në sy në këtë poezi është se autori përligj mprehtësinë e mendjes dhe aftësinë e shtjellimit të tekstit poetik, ashtu siç do të thoshte shkencëtari i njohur, Ryder: dhurata (dhuntia) poetike nuk është diçka e rrallë; edhe një mendje e mprehtë nuk është fenomen i jashtëzakonshëm, por mpleksja e të dyjave, e dhuratës poetike dhe e mendjes së mprehtë, takohet rrallë[9].
Poeti Ndoj u qaset dhe i bën objekt vështrimi poetik dukuritë nga më të ndryshmet. Një pjesë e poezisë së tij ndërlidhet me vargun e Dante Algerit: “Ejani t’i dëgjoni këto ofshara”[10]. Mirëpo, duhet thënë se secila dukuri që bëhet objekt shqyrtimi poetik në poezinë e tij nuk është e rastit; secila në mënyrën e vet e ka cytur poetin të merret me të dhe t’i kushtojë kujdesin e duhur për të nxitur një komunikim sa më gjallërik dhe për të bërë ndikim përkatës.
Në tekstet e poezive të “N’udhëkryqe koha plaket” mbizotëron rrëfimi dhe të shprehurit lirik. Mirëpo, në disa poezi mbizotëron rrëfimi epik dhe bëhet përbërësi kryesor si, fjala vjen, në “E ke shtëpinë me vete”, “Kau dhe mizat” etj.
Në poezitë e këtij libri të Lleshit kemi atë realitet që e kemi përjetuar ose e përjetojmë në jetën e përditshme apo siç thotë Chris Hedges për realitetin e “Uliksi” të Xhojsit: shqiptohen shastisjet dhe çuditjet e pazgjidhura të cilat të gjithë i përjetojmë nga lindja e deri në vdekje, ku na bëhet thirrje të tregojmë dhe dhembshuri e mirëkuptim, dhe na paralajmërohet që t’u rrimë larg kërkesave joshëse për të shkelur mbi të tjerët […][11].
Në pjesën më të madhe të këtyre poezive autori i përdor format e traditës në përftimin e poezive: strofën, rimën dhe ritmin. Mirëpo, duhet thënë se nuk bëhet rob i tyre; aty ku nuk ia del të përftojë vargje me rimë dhe metrikë të saktë, i lë ashtu, siç thuhet, vargje të bardha. Mirëpo, i kushton kujdes të shtuar mendimit që synon ta shprehë, përkatësisht shumësisë së mendimeve që duhet ta cilësojë çdo tekst poetik.
Poeti e përdor atë sistem të të shprehurit që i duket më i përshtatshëm, ku dukuritë i shpreh në mënyrë më të natyrshme, më të mirëfilltë dhe më të lartësuar. Edhe format e fjalëve, të nazaleve dhe të paskajores të gegnishtes e dëshmojnë dhe e plotësojë synimin e tij. E drejtë e patjetërsueshme: gegnishtja është pjesë e pandashme e shqipes, në të cilën janë shkruar disa nga kryeveprat e letërsisë sonë të traditës dhe asaj bashkëkohore. Ndoj i zgjedh ato fjalë dhe shprehje që kanë bukuri, nuancime dhe veçanti më të mëdha dhe nga dalin kuptime të rëndësishme dhe të shumta.
Poeti ynë përdor forma e mënyra të ndryshme të ndërtimit – shtjellimit të teksteve të poezive. Po ashtu përdor vargje të llojeve të ndryshme metrike, gjë që dëshmohet edhe në ritëm.
Llesh Ndoj nuk e përfton vargun me saktësinë dhe mjeshtërinë metrike të tetërrokëshit, fjala vjen, të Fishtës ose të Ndre Mjedjes etj., po përdor shprehje dhe sistem që e cilësojnë stilin dhe botën e tij shpirtërore, e cilësojnë artin e kohës së tij. Përqendrohet sidomos në shqiptimin e qenësores së dukurive dhe të ideve; gjakon ndriçimin dhe zbulimin e të fshehtave të tyre, që në tekstet e tij kanë frymëmarrje të gjerë dhe kohësisht të pakufizuar.
Poezi mbi bazën e traditës, po edhe poezi moderne
Dukuritë që bëhen objekt i vështrimit poetik i përkasin sa të tashmes konkrete, po aq dhe të kaluarës; ato gërshetohen dhe njësohen ndërmjet veti dhe ndërlidhen me atë që thoshte Th. S. Eliot: “Ndryshimi ndërmjet të tashmes dhe të kaluarës është se e tashmja e vetëdijshme është vetëdija e së kaluarës në një mënyrë dhe në një masë të cilën vetëdija e së kaluarës s’mund ta shfaqë”.[12]
Në veprën e Llesh Ndojt “N’udhëkryqe koha plaket” gërshetohen forma poetike të traditës me ato bashkëkohëse (moderne). Kjo vetvetiu të sjellë ndër mend mendimin e Eliotit (1888 – 1966), të shprehur në “esenë e shekullit”, siç është quajtur punimi i tij “Tradita dhe talenti individual” (1919): “Rendi ekzistues është i plotë para së të arrijë vepra e re; që të qëndrojë rendi pas ardhjes së të resë, i tërë rendi ekzistues, sado pak, duhet të ndryshojë; dhe kështu marrëdhëniet, poroporcionet dhe vlerat e çdo vepre të artit ndaj së tërës ri përshtaten; dhe kjo është përshtatja ndërmjet të vjetrës dhe të resë. Kushdo që e ka përfillur këtë ide të rendit të formës së letërsisë evropiane, të asaj angleze, nuk do ta marrë si të pavend se e kaluara duhet të ndryshojë nga e tashmja për aq sa e tashmja duhet të udhëhiqet nga e kaluara”[13].
Një varg poezish të kësaj përmbledhjeje ndërlidhet me ndërgjegjen vetjake dhe me vetëdijen e fjetur të njeriut[14], qoftë atij të botës sonë shqiptare, qoftë të njeriut në përgjithësi: ligësinë dhe prapësitë e tij, dëmet që ia shkakton vetes dhe tjetrit me veprimet e përditshme, ashtu si thoshte Stefan Cvajg-u: “Ne që kemi mësuar në shekullin e ri të mos çuditemi më nga asnjë shpërthim mizorie kolektive, ne që me agimin e çdo dite të re presim të shohim poshtërsi akoma më të mëdha se të një dite më parë…” [15].
Në vend që njeriu të veprojë në të mirë të tij dhe të tjetrit: “Ngrihu dhe shihe diellin në mëngjes / dhe frymoje dritën e agimit”, ai dëshmon se “Ka mjaltë në buzë e helm në zemër”. Dukuritë e liga, dëmprurëse dhe të shëmtuara e trazojnë shpirtin e poetit në atë mënyrë sa ai i drejtohet edhe Zotit:
O Zot, mbroje prej nesh
kët’ botën tonë!
Amen!
[…]
E kur ne të ikim
nga kjo bukuri e trishtë,
si frymë
(N’këtë botë)
Pra, në përftimin e poezisë Llesh Ndoj niset nga realiteti konkret, ku jeton ai dhe njeriu i botës së tij; i emërton dukuritë me emrin e tyre, sidomos ato që shprehin botën e vet dhe botën e njeriut të tij, po përmes strukturës gjuhësore shprehëse e ndërton një realitet tjetër, të veçantë dhe të pasur, të gërshetuar e të ngjizur me përfytyrimin dhe me ëndrrën[16]. Kjo botë i përgjigjet natyrës së artit dhe shpesh i kundërvihet realitetit të përditshëm, që frymon brenda rregullave të caktuara. Realiteti i përftuar përmes tekstit poetik ka lirinë e pakufi, qoftë në hapësirë, qoftë në kohë.
Në këtë realitet poeti i drejtohet ëndrrës si diçka konkrete, krejtësisht të prekshme e të gjallë.
Fjalë do t’i çoj andrrës
Nuk dua më të flej.
(Ëndrrës i çoj fjalë)
dhe
Si na qenka jeta!
Një proces i shkruar,
Kujtime dhe ëndrra.
(Ëndrra e kujtime)
Kjo mënyrë e përftimit të realitetit poetik dëshmohet edhe kur autori e përfton vargun e tij të mbështetur në traditë, kur përdoret strofa dhe vargun metrik:
Mirëmëngjes rrezja e dritës!
Që çel synin majës malit,
E na mbrrin kaq bujarisht
Tue trokitë na pyet për hallet.
(Mirëmëngjes)
edhe kur krijon tekste të poezisë së mirëfilltë moderne si, fjala vjen:
Udhëtova pafund me erën,
U gjenda n’ishullin e ëndrrave,
Për rreth
as det,
as tokë, kish
veç një tis të murrët, e të ftohtë
formuar prej zhgjëndrrave.
(Ishulli i ëndrrave)
dhe
Me grushte e piva heshtjen,
E vrushkuj loti më rrodhën
Flakë ma kallën etjen.
(Me grushte e piva heshtjen)
Duhet thënë se përmes teksteve poetike të kësaj vepre Llesh Ndoj e gjakon për shqiptarët edhe atë që thoshte Cvajgu për hebrenjtë: “Dëshira e mirëfilltë e hebreut, ideali i tij thelbësor, është lartësimi shpirtëror, arritja e një niveli më të lartë kulturor”[17]; atë botë dhe atë dinjitet të trashëguar e që do t’u mundësojë ngritje, mirësi dhe përparim të vijueshëm:
Strehë burrit i bëhet besa dhe fjala
Sofra plot, kur tjetrit ia hap votrën!
(E ke shtëpinë me vete)
Ec dhe ec drejt dritës
çdo hap është fillim
(Pikënisje)
Me përmbledhjen më të re “N’udhëkryqe koha plaket+” Llesh Ndoj e pasuron dhe e lartëson mirëfilli veprimtarinë e tij në fushën e poezisë.
Prishtinë, maj 2024
[1] René Wellek, Austin Warren, Teoria della letteratura. Società editrice il Mulino, Bologna 1999, f. 233.
Përkthimet nga italishtja janë të autorit të parathënies.
[2] René Wellek, Austin Warren, Teoria della letteratura, vep. e përm., f. 121.
[3] Ncholas Tucker, Il bambino e il libro. Armando editore, Roma 1996, f. 193
[4] Viktor Hygoja thoshte me të drejtë: “Bukuria e gjithçkaje mbi tokë (edhe ajo e artit) qëndron në mundësinë e saj për t’u përsosur. Gjithçka ka dhuntinë e kësaj veçorie: të rritet, të shtohet […] të përsoset”. Shih Victor Hugo, William Shakespeare, vep. e përm., f. 111.
[5] Edgar Allan Poe, Poezi dhe esse. Përktheu nga origjinali Dritan Thomollari. Plejada, Tiranë 2004, f. 101.
[6] Kalidasa, Sakuntala. Dramë. E përktheu prej anglishtes Skënder Luarasi. Ndërmarrja shtetërore e botimeve. Tiranë 1958, f. 6.
[7] Qysh Ciceroni e theksonte rëndësinë e çështjes së tërësisë së veprës letrare, si vërehet në letrën drejtuar Pizonëve, ku ai shtronte kërkesën për unitet të veprës letrare dhe integritet të saj e, në këtë kontekst, gjithsesi edhe nevojën për harmoninë e kompozicionit, harmoninë e elementeve të ndryshme në vepër.
[8] Edgar Allan Poe, Poezi dhe esse, vep. e përm., f. 104.
[9] Kalidasa, Sakuntala. Dramë, vep. e përm., f. 5.
[10] Shih Dante Alighieri, Vita nuova. Përgatiti dhe shqipëroi Arben Dedja, Pika pa sipërfaqe, Tiranë 2021, f. 91.
[11] Chris Hedges, Mësimet e “Uliksit” të James Joyce” një shekull më pas. Në Exlibris, 5 shkurt 2022, Tiranë f. 20. Duke folur për veçantit e romanit të Xhojsit Hedges shkruan: “Të lexosh Joyce-in është të shohësh realitetin të paraqitur pa thjeshtësimet e ndarjeve tradicionale”. Shih Chris Hedges, Mësimet e “Uliksit” të James Joyce” një shekull më pas. Në Exlibris, f. 20.
[12] T. S. Eliot, Ese të zgjedhura. Zgjodhi dhe përktheu nga origjinali Isa Zymberi. Rilindja, Prishtinë 1982, f. 17.
[13] T. S. Eliot, Ese të zgjedhura, vep. e përm., f. 15 – 16.
[14] Po kujtoj këtu vargun e Pablo Neruda “Shihu në pasqyrën e vetvetes”.
[15] Stefan Cvajg, Bota e djeshme – Kujtime të një evropiani. E përktheu nga origjinali gjermanisht Aristidhi Ristani, Botimet “Santori”, Tiranë 2012, f. 14.
[16] Edgar Allan Poe thotë se poezia “[…] s’ka të bëjë fare as me detyrën e as me të vërtetën”. Shih Edgar Allan Poe, Poezi dhe esse, vep. e përm., f. 101. Th. S. Eliot thotë: “[…] ndryshimi ndërmjet artit dhe ngjarjes është gjithnjë absolut”. Shih T. S. Eliot, Ese të zgjedhura, vep. e përm., f. 20.
[17] Stefan Cvajg, Bota e djeshme – Kujtime të një evropiani, vep. e përm., f. 21.