“Është liria që na bën të pakuptueshëm: secili kupton vetëm të vetën, ndërsa ajo e tjetrit i duket një formë marrëzie.”
Viola Ardone nuk është e panjohur për lexuesin shqiptar. Një vit më parë, ajo ishte në Tiranë, për një vizitë të shkurtër, me rastin e prezantimit për lexuesin shqiptar të romanit “Treni i fëmijëve”, botuar nga Dituria, libër që shërbeu edhe si skenar për një film shumë të suksesshëm, të shfaqur kohët e fundit.
Kësaj radhe vjen me romanin “Mrekullia e madhe”, i përkthyer sërish nga Agim Doksani, një libër që rrëfen për një revolucion kulturor dhe mundësinë për të ndryshuar botën, duke nisur nga personat më të brishtë.
Ngjarjet zhvillohen menjëherë pas miratimit të ligjit Basaglia të vitit 1978, që shënon një kthesë vendimtare në historinë e psikiatrisë italiane. Protagoniste është Elba, një grua e re e rritur brenda një spitali për të sëmurët mendorë (Fashone i Napolit), një hapësirë pezull që ajo vetë e quan “gjysmëbotë”.
Elba është mbyllur aty, që pa lindur ende, në bark të nënës. Pas zhdukjes së saj, Elba fillon të mbajë një Ditar, ku mbledh historitë dhe çuditë e njerëzve që banojnë në atë univers të mbyllur. Ardhja e psikiatrit të ri Fausto Meravilja sjell një dritë në atë zymti: projekti i tij është të hapë portat e spitaleve të tilla, ta shoqërojë Elbën jashtë dhe t’i rikthejë kujdesit një dimension më njerëzor.
Rrëfimi ka një këndvështrim të dyfishtë: njëri është shikimi dhe mendimet e Elbës, ndërsa me tjetrin ndjekim rrugëtimin njerëzor të doktor Meraviljas, përballë kundërthënieve të një shoqërie që po ripërcakton vetë kuptimin e çmendurisë.
“Është liria që na bën të pakuptueshëm: secili kupton vetëm të vetën, ndërsa ajo e tjetrit i duket një formë marrëzie.”
Falë këtij dyzimi të shikimit, autorja arrin të shkojë përtej rrëfimit të një fati të vetëm, duke dhënë tablonë e një transformimi më të gjerë kulturor dhe institucional, atë që shoqëron fundin e spitaleve të tilla. Ajo arrin kështu t’i japë zë njerëzores së çdo pacienti, ekzistenca unike, shpesh të mbushura me ironi, vuajtje, shpresë dhe brishtësi.
Autorja na tregon se “sëmundja mendore” shpesh ishte një etiketë e imponuar ndaj më të dobëtëve, ndaj atyre që devijonin nga rregullat ose cenonin ekuilibrin shoqëror. Protagonistja, Elba, nuk është e sëmurë: ajo thjesht ka lindur në vendin e gabuar, vajza e një gruaje të përjashtuar nga normat e kohës.
Çmimin më të lartë e paguanin sidomos gratë (siç rrëfen edhe Alda Merini në “L’altra verità. Diario di una diversa”), «të gjykuara si të gabuara, të papërsosura, ekscentrike, të paqëndrueshme, sepse nuk kishin qëndruar në anën e botës ku ishin vendosur. Të shpallura të çmendura nga babai, vëllai apo burri, për t’u çliruar nga një grua që nuk e donin më».
Viola Ardone është e aftë ta trajtojë këtë problem me forcë, intensitet, emocion, por edhe me lehtësi. Zëri i Elbës është i pastër, ironik, herë-herë poetik. Vështrimi i saj fëmijëror nuk e banalizon dhunën e spitalit, përkundrazi, e bën edhe më therëse. Shkrimi është thelbësor dhe i matur, me një ritëm që alternon momente butësie me skena me emocione të forta. Një gjuhë e thjeshtë dhe një stil rrjedhës rrëfejnë një histori që të hyn në zemër dhe të zgjon shumë ndjenja, si trishtimi, zemërimi, indinjata, butësia dhe melankolia. Larg çdo vetëkënaqësie, autorja shmang sentimentalizmin dhe i rikthen kompleksitetin historisë pa rënë në sensacione.
“Mrekullia e madhe” na fton të rishqyrtojmë kufijtë mes shëndetit dhe çmendurisë, duke sugjeruar se mrekullia e vërtetë qëndron në një vështrim që di të shkojë përtej përkufizimeve dhe të njohë te tjetri një person, përpara se të jetë një diagnozë, bartës i një historie unike.
Dy fjalë për autoren
Viola Ardone (Napoli, 1974) jep latinisht dhe italisht në shkollë të mesme. Është autore e disa romaneve, ndër të cilat përmendim: “Receta e zemrës në trazira” (2012), “Një revolucion sentimental” (2016), “Treni i fëmijëve” (2019), Oliva Denaro (2021), që janë konsideruar ndër veprat më të suksesshme të letërsisë italiane të viteve të fundit.
“Mrekullia e madhe” është romani i dytë i Viola Ardones, që botohet nga DITURIA, pas Treni i fëmijëve (2023), që sapo u botua në Itali u bë ngjarja letrare e vitit dhe u përkthye në tridhjetë e gjashtë gjuhë. Me skenarin e këtij libri është realizuar së fundi një film.



