Kreu Letërsi Shënime mbi libra Noel Boci: Raporti i njeriut me kohën dhe kujtimin në tregimin e...

Noel Boci: Raporti i njeriut me kohën dhe kujtimin në tregimin e Pashkut dhe krahasimi me Migjenin

Simbole të kohës dhe kujtimit: frika për trashëgiminë

Tash me të ishin dy vetë: ora dhe skeleti.[1]

Me këtë fjali nis tregimi “Ora” i Anton Pashkut, i përfshirë në vëllimin me tregime të zgjedhura “Kjasina”. Në këtë tregim ora e dorës dhe skeleti që sheh i kujtojnë birit të paemër[2] babanë dhe orën e tij të çmuar që e kishte kujtim nga gjyshi. Ora shihet gjithnjë e lidhur me të atin, të cilin posë tiktakut të orës së moçme, me gjasa, asgjë tjetër nuk e interesonte aq shumë[3]. Ai dhe ora përbëjnë një çift të pandashëm në kujtimin e rrëfimtarit:

I pëlqente heshtja dhe në heshtje, nganjëherë, i kthente vrik sytë kah ora e vjetër e murit, të cilën e shikonte bukur gjatë e me vëmendje […][4]

Në tregim ngjan që padashje biri has me cep të krahut orën duke u rrëzuar bashkë me të në dysheme, duke rezultuar në dëmtimin e orës, e cila edhe pasi u riparua nga orëndreqësi nuk punoi dot më si më parë.

Ora dhe skeleti rishfaqen më pas në ëndrrën e birit, ku babai ndodhet në baltë me orën që nuk punon dhe shkel nëpër skelete e kafka, ku njëri nga skeletet mbante një orë që s’punonte.

Djelmoshat buzë kënetës, djelmoshat me nga një orë të madhe në dorë. Orët cingëronin. Edhe babai mbante një orë. Ora e tij nuk cingëronte. Ajo ishte rrum gjashtë orë prapa të tjerave. Qeshja e djelmoshave, fytyra e mrroltë e djalit të tij. Edhe fjalët e tij: “Baba, eja!” ku? Ishte në midis të kënetës. Të nisej kah djali, kah djelmoshat që qeshnin me orën e tij që kishte mbetur prapa gjashtë orë? […] Kishte futur dorën nën ujë dhe prej atje kishte nxjerrë një skelet. Edhe në atë skelet kishte parë një orë të ndryshkur. Ajo, kuptohet, s’punonte, sepse sigurisht ishte plot ujë e llomshti të asaj kënete.[5]

Kështu, ora dhe skeleti kthehen në simbole të kohës së shkuar dhe të kujtimit. Babai kaq i lidhur me orën e vjetër që nuk punon më përfaqëson pikërisht prirjet anakronike dhe frikën e ndryshimit, tjetërsimit, dhe të humbjes së identitetit apo trashëgimisë, ndaj edhe në mes të kënetës, simbol tamam për anakronizmin dhe prapambetjen, refuzon apo heziton të dalë e të shkojë drejt të birit dhe djelmoshave si përfaqësues të sinkronizmit dhe prokronizmit njëkohësisht.

Përsëri fjalët e djalit: “Baba, eja, dil jashtë, dil!” Si? Të shkojë pas tij, pas tyre? “Baba, hudhe orën, ajo nuk vlen gjë!” Njëmend? Ç’të bëj? Ishte në kënetë. Orën e vet e mbante në dorë dhe nuk i thoshte mendja për ta fërfëlluar.[6]

Disforia[7] e babait me ndryshimin dhe lënien pas të kohës së vjetër lidhet me frikën e humbjes së kujtimit prej tij. Të mos harrojmë që këtë orë e kishte kujtim nga gjyshi, ndaj ajo mund të ishte kujtimi i tij i vetëm apo i fundit nga gjyshi i vet, ashtu si dhe kujtimi i një të ashtuquajture “e kaluar e lavdishme”. Jo më kot Bashkim Kuçuku, duke marrë shkas nga tregimi tjetër i Pashkut “Kulla”, sjell emërtimin simbolikë e mbijetesës nëpërmjet traditës[8]për tematikën mbizotëruese dhe motivin e vazhdueshëm në tregimtarinë e Pashkut.

Kurse orët cingëronin. Ato tregonin kohën e saktë. Djelmoshat qeshnin me orën e tij, që kishte mbetur prapa rrum gjashtë orë. “Baba, hudhe orën!” Iu dhemb. Si ta fërfëllojë orën? Ah, ora. Gjyshi. Pallatet rriten, lartësohen gjithnjë e më shumë kah qielli. Edhe djelmoshat rriteshin, lëshonin shtat. Orët e tyre nuk ishin prapa asnjë minutë. Zhurma e maqinave. Balta deri në fyt. Orën e vet e mbante në njërën dorë, të cilën e kishte çuar përmbi krye. Era e rëndë. Qeshja e djelmoshave. Zëri i djalit që e thërriste. Cingërima e orëve. Balta. I zihej fryma. Ora. Djelmoshat. Orët. Djali. Sharronte. Një dorë përmbi kënetë. Ora rrëzohet. Një dorë zhytet. Një dorë fundoset. Sharron.[9]

Në të kundërt, biri jepet në marrëdhënie disforike me këtë orë të vjetër të babait të tij. Në tekst kjo na shënohet me faktin se ora, duke mos punuar, i shkaktonte atij vonesa:

Shumë rrallë ecën me kohë. Kjo gjë nuk i pëlqente këtij, sepse, për shkak të saj, merrte vonesa të paarësyeshme në shkollë. Ah, ajo për këtë ishte bërë një orë e mallëkuar, e cila, edhe pse e ngrehshin rregullisht për çdo mbrëmje, prapë mbetej prapa për kushedi sa minuta […] shumë herë kishte thënë që të blenin më një orë të re, një orë të mirë, që nuk të mashtron dhe që njeriu të ketë besim në të. Por, babai as që donte të dëgjojë.[10]

Disforia e djalit shkon më tej se kaq. Urrejtja e tij ndaj orës për shkak të vonesave që i shkakton për në shkollë simbolizon urrejtjen apo pakënaqësinë ndaj anakronikes, ndaj asaj që mbetet në të shkuarën dhe që nuk pranon të ecë përpara me bashkëkohësinë. Përkundrazi, duket se ky anakronizëm kthehet gati në një padron distopik që nuk e lejon individin, dhe metonimikisht shoqërinë, të ecë përpara drejt së ardhmes, por e lë atë skllave të verbër e të heshtur të së shkuarës. Megjithatë, pesha e kohës dhe e kujtimit mbetet e rëndë, dhe për individin bëhet e vështirë t’i largohet së shkuarës që e ka formësuar atë. Kjo duket sikur përfaqësohet edhe nga struktura rrëfimore si një rikujtim i birit për të atin duke u nisur nga objektet simbolike të lartpërmendura.

Një disfori e tillë jepet edhe te romani i Pashkut, “Oh”:

Kurrë nuk më ka pëlqye ajo erë, ajo duhmë e dheut të malit, e dheut të arave të babës sim… As ai, as baba… As ai… Ai e donte tanë atë dhè të vet… Hëm, atë, atë dhè të vet!… Dhe ishte shumë e vështirë të bisedosh për gjana të tjera, pos për atë dhè… Hëm, për atë dhè… Dhe ai ishte i gatshëm të bahej dhè, dhè për atë dhè… Dhe bahej…[11]

Anakronizmi vs. Sin/Prokronizmi: përplasja mes brezave

Marrëdhënia që krijojnë babai dhe biri me kohën kthehet në faktor ndikues në marrëdhënien midis tyre:

Njëmend, kjo ishte gjë e vogël, ndofta pakëz qesharake, por rreth saj vazhdimisht zihej me fjalë me babanë, që ishte mjaft i rreptë, madje edhe i gatshëm të çojë dorë kundër djalit, kur ia merrte mendja se vetëm ai kishte të drejtë. Në këso rastesh, kurrsesi nuk mund ta kuptonte. Por, as ai nuk mund ta kuptonte hallin e këtij. Që të dy kënaqeshin kur e mundnin njëri tjetrin me fjalë. Mirëpo, ky kurrë nuk ka qenë i bindur se ishte mundur prej tij. E as babai, me gjasë, kurrë s’kishte qenë i bindur se e kishte mundur ndonjëherë i biri.[12]

Përplasja mes babait dhe birit mbi prirjet e tyre në raport me kohën (anakronizmi i babait dhe sin/prokronizmi i birit) nuk jepen vetëm përmes orës dhe skeletit, por edhe përmes situatash të tjera të përditshme.

Ziheshin në gojë edhe një mijë punë të tjera: haheshin rreth modeleve të reja të petkave që nuk kënaqnin aspak shijen e babait, rreth këngëve të reja, ritmeve të reja, po, sidomos rreth këngëve moderne, të cilat i pëlqenin aq shumë, kurse babait i shponin veshin e mësuar me do këngë të tjera, që tash këndoheshin, më shumë ndër ndeja nëpër odat e fshatrave. Babai mrrolej edhe atëherë kur ky fillonte të fliste edhe për aso gjërash, që ishin të tmerrshme për të, po për të cilat djalit i flisnin çdo ditë profesorët e historisë, gjeografisë, biologjisë… Dhe, kur donte ta ngacmojë edhe një çik më shumë, i thoshte me ironi: “Baba, a di të më tregosh gjë për barkën e Nojit?… A thua, po kusha paskan qenë Adami dhe Eva?… Ah, zoti na ruajte, po çfarë krijese është ai farë Luciferi që digjet e piqet në flakë të ferrit… Kushedi çfarë lëkure ka ai që kurrë s’digjet e s’piqet!” Babai, posa e dëgjonte, hidhërohej dhe çirrej, i thoshte të thyente qafën jashtë shtëpisë së tij, por ky rrinte i qetë dhe, vetëm atëherë kur ai çohej, çohej edhe ky dhe ikën prej tij, duke vrapuar rreth e rrotull tavolinës. E kur babai i afrohej për ta zënë, shkonte e strukej afër nënës, e cila thoshte: “Shenjti qoftë ndërmjet jush… Njeri!… Bir!… O Zot!”[13]

Këto përplasje në shkallë të parë, paraqesin një tablo të mirëfilltë të përplasjes mes brezave, brezit të ri që do të largohet nga e shkuara dhe nga varësia e të fitojë lirinë e të qenit vetvetja dhe të të formësuarit të identitetit vetjak, dhe brezit të vjetër që më tepër se për pushtet apo ndikim mbi brezin e ri, gjakon për moshumbje të identitetit dhe për mosharrim, për moskalim në margjinë si diçka e pavlerë e që s’ka ekzistuar. Kështu, kalojmë në një shkallë të dytë: përplasjen e kahjeve brenda vetë qenies njerëzore, dëshirën për të ecur përpara duke u çliruar dhe pa u ndikuar nga e shkuara, dhe pamundësinë për të mohuar dhe për t’i shpëtuar të kaluarës që mbetet përherë si kujtim dhe si zanafillë e qenies.

Kjo duket se shpjegon edhe ndjenjën e dhembshurisë së birit për të atin:

Në atë heshtje babai i dukej shumë tragjik, i dhembsej dhe vendoste të mos e trazojë më atë njeri që aq shumë i kundërshtonte gati të gjitha mendimet e tij.[14]

Në personazhin e birit jepet empatia për të atin që ndryshe nga ai e ka të vështirë t’i largohet kujtimeve dhe herë-herë edhe vargonjve të së shkuarës, e cila ka një vlerë dhe domethënie specifike për të. Për më tepër, nuk mund ta harrojmë përpjekjen e vazhdueshme të birit për ta bindur të atin të dalë nga këneta e të shpëtojë, siç diskutuam më lart, dhe vështirësinë e atit për t’u larguar kaq lehtë nga e shkuara. Kjo ndjesi dhe qasje deri diku euforike[15] e birit ndaj të atit dhe dhembshuria për vështirësinë në të cilën ndodhet ai, ruhet gjer në fund të tregimit:

Por nëna kishte shfaqur dëshirën që ora e moçme e murit të mbetej edhe më tutje aty. I kishte thënë se prej vdekjes së babait ora ishte vetëm e saj. Ky e kishte kuptuar. Mandej ajo i kishte dhënë të holla që të blente një orë të re, orë dore, të cilën ky tash po e çonte te orëndreqësi për t’ia vënë rrypin dhe për ta ngrehur për së pari. Ecën duke fërkuar orën e re në xhep dhe, njëheri, duke menduar për orën e moçme të murit dhe skeletin në gjysmëterrin e muzeumit.[16]

I gjendur bashkë me të ëmën përballë vdekjes së babait dhe duke kuptuar lidhjen e nënës me orën e vjetër si kujtim prej të shoqit, biri tashmë kupton edhe lidhjen që kishte i ati me këtë orë si bartëse e kujtimit të gjyshit të tij. Me blerjen e orës së re duket se biri “i jep fund” rrethit vicioz të përplasjes mes brezave duke i dhënë më në fund vlerën e merituar si të shkuarës ashtu edhe të tashmes dhe të ardhmes, e përforcuar kjo nga fakti që ai vijon të mendojë për orën e vjetër të babait teksa fërkon orën e tij të re, duke shpëtuar lidhjen e shkëputur baba-bir dhe duke bërë paqe me kohën.

Në fjalimin e tij të mbajtur me rastin e dorëzimit të Çmimit Nobel në Letërsi, shkrimtari turk Orhan Pamuk do të shprehej: ajo çka letërsia duhet të tregojë dhe të hulumtojë sot, është problemi kryesor i njerëzimit, frika e përjashtimit dhe e të ndjerit i parëndësishëm, ndjenja e të mosqenit i dobishëm, cenimet e sedrës të provuara nga shoqëritë, brishtësitë, frika e poshtërimit, zemërimet e çdo lloji, ndjeshmëritë dhe mburrjet kombëtare…[17] Mbase është kjo frikë që kishte babai e për të cilën u vetëdijesua biri, e mbase këtë “detyrë” të letërsisë po ushtron vetë Pashku.

“Ora” dhe “Studenti në shtëpi”: marrëdhënia atë-bir dhe qasja ndaj anakronizmit

Marrëdhënia e kontraktuar atë-bir në letërsinë shqipe jepet në mënyrë përfaqësuese edhe në novelën “Studenti në shtëpi” të Migjenit. Ashtu si tek “Ora”, në këtë novelë na paraqitet një raport kompleks mes babait dhe birit dhe qasjeve të ndryshme që kanë me kohën dhe traditën si konstrukte sociale. Sipas Sabri Hamitit, në novelën e Migjenit menjëherë në fillim krijohet njëri ndër relacionet themelore të veprës: relacioni babë e bir, madje në një ambient ku mbretëron ligja patriarkale. Mirëpo, që këtu jipen shenjat e tejkalimit të kësaj ligje, apo konvence, sepse nënshtrimi i birit bëhet në mospajtim të heshtur, me një moskënaqësi[18].

Mandej i ati iu paraftyronte Nushit, mbasi ai e ka shkruem letrën tue hymë n’at shtëpi, në muzg të mbramjes, dhe tue prue natën me vete. Se mbas tij dera u mbyllte, dhe atëherë të hymet e të dalmet ishin jashtëzakonisht të rralla, dhe vetëm kur lajmonte kush ndoj lindje, ndoj vdekje ose vinte ndoj mik i papritun, çka ngjante shum rrallë, u prishte kjo ligjë patriarkale. Ligjë, edhe çfarë ligje! Kush e shkelte at ligjë, gjith at natë do ta çonte në një ndjenjë si me pasë shkelë diçka të ftohtë, të rrëshqitshme si gjarpni. E syt e t’et që të përshkojnë me ftohtsi përftojshin tamam një aso ndjenje te Nushi. Si me pasë shkelë gjarpnin.[19]

Ky relacion babë e bir është krijuar, tematizuar dhe profilizuar edhe më si një ftohje, si një mospajtim në heshtje, sepse baba mundohet që nga biri të krijojë, të “riprodhojë” pikturën e vet.[20]

Nushi nuk dinte ç’ka me thanë. Nuk dinte me fole me t’anë. Kur ishte fëmi, e kuptonte shumë ma mirë. Por kaloi ajo kohë, kur n’imagjinatë të tij baba ishte diçka ma tepër se babë, ishte një ideal, ideal i andrrimeve fëminore. E sot, e din Nushi, se baba i tij asht një prej qindra – në mos dhe mija – etnish të qytetit tonë, njeni prej atyne etënve që nga fmia i vet duhen me bamë një njeri anakronik, pikturën e vet, trashigimtarin e dej të një të kalueme të gjymtë.[21]

Ashtu si tek “Ora”, edhe te “Studenti në shtëpi” jepet pikërisht kjo tendencë drejt së shkuarës, drejt anakronikes. Megjithatë, nëse babai te tregimi i Pashkut nuk largohet dot nga e shkuara sepse ndjen një lidhje të fortë me të dhe nuk largohet dot nga kujtimi i të parëve të tij, babai te novela e Migjenit jepen si një figurë autoritare patriarkale, “viktimë” dhe njëkohësisht “mbështetës” i këtij ligji patriarkal që e ka kthyer atë në një qenie të tillë që synon nënshtrimin e anëtarëve të tjerë të familjes jo aq nga frika e përjashtimit vetjak dhe të kthyerit në njeri pa vlerë sa nga frika e “koritjes”, ndaj dhe disforia në rastin e Nushit dhe babait është shumë më e theksuar se ajo mes babait dhe birit te tregimi i Pashkut. Anakronizmi te Pashku del si një fatalitet i jetës njerëzore prej të cilit njeriu e ka të vështirë të shpëtojmë e që për më tepër lidhet me pamundësinë njerëzore për t’u larguar nga e shkuara dhe kujtimet. Ndërsa te Migjeni, teksti i të cilit priret drejt një njësie të njohjes[22], autori e funksionalizon përplasjen mes anakronikes dhe sinkronikes për të formësuar realizmin e tij kritik, duke denoncuar dhe “ndëshkuar” prirjet patriarkale dhe shtypëse si ligje të pashkruara, konvenca më saktë, të një shoqërie që jo vetëm nuk sjell “asgja të re”, por vret edhe grimën më të vogël të së resë që përbën një kërcënim ndaj pushtetin të konvenës. Qasje kjo gati-gati mesianike teksa kujtojmë veprimet “blasfemuese” dhe “jokonvencionale” të Jezu Krishtit kundrejt farisenjve dhe saducenjve në Dhjatën e Re.

Pastaj u tregoi këtë shëmbëlltyrë: «Askush nuk pret një copë prej një rrobe të re për të arnuar me të një rrobë të vjetër, sepse copa nga rroba e re do të griset e nuk do t’i përshtatet së vjetrës.

Askush nuk hedh verë të re në kacekë të vjetër, se vera e re do t’i çajë kacekët e do të derdhet, ndërsa vetë kacekët do të shkojnë dëm. Prandaj vera e re hidhet në kacekë të rinj.

Askush nuk dëshiron të pijë verë të re pasi ka pirë verë të vjetër, sepse thotë: “E vjetra është më e mirë”». [Luka 5:36-39][23]

E trajtuar si një novelë me në qendrën përplasjen mes brezave dhe mentaliteteve përkatëse mes Nushit dhe babait të vet si përfaqësues, përkatësisht Nushi simbol i progresit dhe babai simbol i konservatorizmit, duket sikur në çdo sekuencë narrative kërkon të nxjerrë në pah këtë antagonizëm mes subjekteve në rrëfim[24] shkruan studiuesi Eljon Doçe.

E Nushi ndëgjon. Don me qenë djal i mirë. Si mos me ndëgjue babën i cili e lindi, e rriti dhe e bani kaq! Pale mos ndëgjo. Megjithëse kundra ndërgjegjes së vet, Nushi ndëgjon. Nga fjalët e t’et i shtrembnohet fytyra, por me dëgjue – ndëgjon. Ndëgjojnë edhe vllaznit e motrat, të cilët kanë ndejun përreth edhe të gjithë janë bamë vesh. Pale mos ndëgjo. Ndëgjon dhe nana në dhomë të zjarrit fjalët e burrit të vet dhe me një frigë çuditet për ditunin e madhe të bashkëshortit. Tanë një familje, e mbyllun mbrenda mureve të shtëpis dhe mbrenda një ambienti patriarkal, përgatitet për jetën qytetare të nesërme. “Mos të më korisin, – mendon kryetari i familjes, tue i shikue me rend të gjith pjestarët. Mos të më korisin, prandaj shtrëngo frenat, shtrëngo sa të mundësh, e nse nuk mund të marrin frymë – të pëlcasin. Sa vështirë asht me rritë fëmi në kohë të soçme! Sa vështirë asht me i ruejtë varzat! Eh, kohët e kalueme![25]

Këtë lidhje të fortë e të pazgjidhshme të atit me të kaluarën duket se Nushi arrin ta kuptojë:

Nushi ndëgjon. Të gjithë ndëgjojnë. Pale e mos ndëgjo! Nushi ndëgjon dhe mendon. Ndoshta jeta e ka bamë kët njeri kaq të rreptë.[26]

Ashtu si te tregimi i Pashkut, edhe te novela e Migjenit biri arrin të vetëdijesohet për “rëndesën e padurueshme të së kaluarës” mbi të atin dhe vështirësinë e tij për t’i shpëtuar vargonjve të së shkuarës. Ndaj edhe këtu gjejmë shenja të fatalitetit të anakronizmit si fat tragjik i qenies. Kjo e bën komplekse qasjen e Nushit ndaj babait, metonimikisht, përplasjen sin/prokronizëm-anakronizëm:

[Nushi] urren të kaluemen që asht aq e afërme, si baba i tij. Baba asht i afërm, si babë, por i largët si përfaqësues i shoqnis, si person. E gjith mosmarrëveshja, të gjitha moskuptimet vijnë ngase të gith kemi nëpër shtëpira, nëpër votra, ka një ose ma tepër të këtillë të dashtun dhe t’urrejtun përnjëherësh. […] Nushi e din që edhe baba i tij s’ka faj se asht i tillë; rrethanat dhe shoqnia e krijuen. Prandaj dhe ka mbetun dashunia birnore në Nushin, pse din t’arsyetojë. Por vllaznit  e tij, motrat, a thue do ta dojnë babën? Kujtohet se kur ishte fëmi, kundrejt babës ma parë ndiente frigë se dashuni. E tash motrat dridhen para babës, e vllaznit nuk e kanë aspak në qejf shoqnin e babës; kur vjen baba, ata zhduken.[27]

Ashtu si tek “Ora”, biri arrin të kuptojë peshën e vargonjve të anakronikes mbi babain, ndaj dhe disforia nuk përbën tërë raportin baba e bir, duke na dhënë një marrëdhënie komplekse njerëzore që në një rrafsh tjetër paraqet marrëdhënien mes së shkuarës dhe së tashmes/së ardhmes, dhe prirjet ndaj tyre brenda vetë njeriut. Në këtë përplasje tendecash brenda qenies, njeriu mbetet pasiv, i paaftë për të vepruar e për të vendosur, viktimë e kësaj kontradikte qeniesore. Nushi është tejet i kthjellët për pamundësinë e ndryshimit të gjërave në mënyrë aktive[28], ndaj paradoksalisht i shndërron gjërat në mënyrë pasive[29].Personazhet e Migjenit kthehen në personazheve vëzhguese, pasive, abstenuese, Programi Narrativ i të cilave bëhet pikërisht abstenimi/mosveprimi[30], se mbase duke mos vepruar atëherë të paktën, duke mos qenë më dot simbole të ndryshimit, kthehen në simbole të qëndresës, duke mos u pajtuar me kontekstin dhe rrethin social që i kufizon. Kështu, novela mbyllet me monologun e brendshëm të Nushit, i cili revoltohet jo ndaj të atit, por ndaj tërë shoqërisë fajtore për këtë anakronizëm të kthyer në normë:

Unë jam pa moral, koncepti i em menduer – mos me thanë ideologjik – nuk pajtohet me moralin, të cilin mue kjo shoqni ma imponon. Por unë e marr moralin e saj për sy e faqe, nsa mbrapa ia loz lojën kur të due. Kështu si unë ia lozin lojën shoqnis me qinda veta në vendin tonë. Prandaj, shoqni, po deshe të mos lozin në kurriz tand, ndrro format. Hiqi bragashat.[31]

Orhan Pamuk shprehet se gjëja për të cilën bën thirrje letërsia e mirëfilltë, nuk është forca jonë e gjykimit, është aftësia jonë për ta vënë veten në vend të një tjetri[32], dhe këtë e dëshmojnë më së miri këta dy autorë.


[1]  Pashku, Anton. Kjasina (Tregime të zgjedhura), Rilindja, Prishtinë, 1973, f. 65.

[2]Kjo botë tregimtare është e banuar me preokupimin e shkrimtarit mbi fatin tragjik të njeriut në përgjithsi. Andaj, personazhet e këtyre tregimeve nuk kanë emra. [Raifi, Mensur. “Parathënje”. Pashku, Anton. Kjasina (Tregime të zgjedhura), Rilindja, Prishtinë, 1973, f. 11.]

[3]  Pashku, Anton. Kjasina (Tregime të zgjedhura), Rilindja, Prishtinë, 1973, f. 67.

[4]  Po aty, f. 66.

[5]  Po aty, f. 70.

[6]  Po aty.

[7]  Refuzim, lëvizje larguese [Shih: Pozzato, Maria Pia. Semiotika e tekstit: Metoda, autorë, shembuj (përkth. Dhurata Shehri), Albas, Tiranë, 2017,f. 39].

[8]  Shih: Kuçuku, Bashkim. Pas eklipsit letrar: Letërsi shqipe bashkëkohore I (Studime, artikuj, ese), Toena, Tiranë, 2014, f. 275.

[9]  Pashku, Anton. Kjasina (Tregime të zgjedhura), Rilindja, Prishtinë, 1973, f. 71.

[10]  Po aty, ff. 67-68.

[11]  Pashku, Anton. Oh, Camaj-Pipa, Shkodër, 2002, ff. 98-99.

[12]  Pashku, Anton. Kjasina (Tregime të zgjedhura), Rilindja, Prishtinë, 1973, f. 68.

[13]  Po aty, ff. 68-69.

[14]  Po aty, f. 69.

[15]  Tërheqje, lëvizje drejt [Shih: Pozzato, Maria Pia. Semiotika e tekstit: Metoda, autorë, shembuj (përkth. Dhurata Shehri), Albas, Tiranë, 2017,f. 39].

[16]  Pashku, Anton. Kjasina (Tregime të zgjedhura), Rilindja, Prishtinë, 1973, ff. 71-72.

[17]  Pamuk, Orhan. “Baulja e babait” (Fjalimi i mbajtur me rastin e dorëzimit të Çmimit Nobel në Letërsi, përkthyer nga Urim Nerguti). Baulja e babait, Skanderbeg Books, Tiranë, 2014, f. 25.

[18]  Hamiti, Sabri. Letërsia moderne shqipe, Tiranë, UET Press, 2013, f. 468.

[19]  Migjeni. VEPRA. Vargjet e lira dhe Novelat e qytetit të veriut (mbledhur dhe redaktuar nga Skënder Luarasi), Migjeni, Tiranë, shtypur në “Gorenjski tisk storitve” në Slloveni, 2011, f. 171.

[20]  Hamiti, Sabri. Letërsia moderne shqipe, Tiranë, UET Press, 2013, f. 468.

[21]  Migjeni. VEPRA. Vargjet e lira dhe Novelat e qytetit të veriut (mbledhur dhe redaktuar nga Skënder Luarasi), Migjeni, Tiranë, shtypur në “Gorenjski tisk storitve” në Slloveni, 2011, f. 173.

[22]  Shih: Hamiti, Sabri. Letërsia moderne shqipe, Tiranë, UET Press, 2013, f. 467.

[23]  Besëlidhja e Re, Ungjilli sipas Lukës, Bibla, shkrimi i shenjtë (përkth. Joan Leka, Marian Paloka, Oldi Morava, Zefjan Nikolla; përgat. për bot. Altin Hysi), Fondacioni “Shoqëria Biblike Ndërkonfesionale e Shqipërisë”, Tiranë, 2020, f. 1227.

[24]  Doçe, Eljon. Kangë në vete. Migjeni: poetika e prozës së shkurtër, “Albas”, Tiranë, 2022, ff. 139-140.

[25]  Migjeni. VEPRA. Vargjet e lira dhe Novelat e qytetit të veriut (mbledhur dhe redaktuar nga Skënder Luarasi), Migjeni, Tiranë, shtypur në “Gorenjski tisk storitve” në Slloveni, 2011, ff. 173-174.

[26]  Po aty, f. 174.

[27]  Po aty.

[28]  Doçe, Eljon. Kangë në vete. Migjeni: poetika e prozës së shkurtër, “Albas”, Tiranë, 2022, f. 140.

[29]  Po aty.

[30]  Shih po aty, ff. 138-143.

[31]  Migjeni. VEPRA. Vargjet e lira dhe Novelat e qytetit të veriut (mbledhur dhe redaktuar nga Skënder Luarasi), “Migjeni”, Tiranë, shtypur në “Gorenjski tisk storitve” në Slloveni, 2011, f. 187.

[32]  Pamuk, Orhan. Në Kars dhe Frankfurt (përkthyer nga Hysen Voci) në “Baulja e babait”, Skanderbeg Books, Tiranë, 2014, f. 69.

Exit mobile version