Kreu Letërsi Bibliotekë Agim Vinca: Elegji për Tiranën time

Agim Vinca: Elegji për Tiranën time

Nuk e njoh qytetin, as nuk më njeh ai.
Kemi ndryshuar shumë, shumë që të dy.

Mungojnë miqtë e vjetër, s’po gjej miq të rinj.
Shekulli është tjetër, bota, gjithsesi.

Eci rrugës vetëm, me një barrë mendime
Kërkoj miqtë e vjetër, kërkoj veten time.

Bëra burg për ty, dikur, Tirana ime
Shkaku i një vule, shkaku i një vize!

Bëra burg për ty, mbyllur në qeli
Po nuk isha vetëm, qeshë me miqtë e mi.

Ku janë ata burra, ku tulaten, vallë?
Lëngojnë në shtëpi apo në spital?

Janë dyndur ngamos, kanë marrë botën në sy:
Europë, Amerikë, azil në pleqëri…

Ca të tjerë flenë gjumë, diku në periferi
Në Sharrë a Tufinë, nën një qiell gri.

Eci bulevardit, sheshit Skënderbe
Larg mali i Dajtit, mbuluar me re.

Ka ndryshuar Tirana, s’është më ajo që ish
Tani është Nju-Jork, Berlin, Romë, Paris…

Vinçat ngrenë krye, rrokaqiej plot
Makina pa fund, njerëz, zhurmë e smog.

Kafenetë cit, baret cep më cep
Me çuna e goca e muzikë rep.

Pije e orgji deri në mëngjes
Dikush hiqet zharg, dikush ndofta vdes.

U flas si vëlla, shqip u flas, për besë.
Njëri më sheh vëngër, tjetri më përqesh.

Ç’të bëj, ku të shkoj, me kë të pi një gotë:
Gëzuar, Dritëro! Ave, Moikom!

Kërkoj Tiranën time, por s’po e gjej dot
S’më mbetet tjetër, miq, veç të derdh një lot.

Tiranë, Janar 2022

Exit mobile version