Kreu Letërsi Shënime mbi libra Adil Olluri: Memoaristika dhe porosia e Pashko Camajt

Adil Olluri: Memoaristika dhe porosia e Pashko Camajt

Të premten e kaluar në Prishtinë, gjegjësisht në ambientet e Institutit Albanologjik, u promovua libri “Porosia e kullës” e autorit Pashko R. Camaj. Të them të drejtën, deri para pak ditësh ishte një emër tërësisht i panjohur për mua. Por, meqë libri botohej nga një botues i njohur, si “Onufri” nga Tirana dhe kishte parathënie nga shkrimtari i njohur dhe tejet i vlerësuar, Besnik Mustafaj, ma shtoj kureshtjen që të marr pjesë në këtë përurim dhe ta lexoj librin që po përurohej. Kureshtja nuk më la duarthatë, meqë u ndesha me një libër mjaft interesant dhe të këndshëm për t’u lexuar.

“Porosia e kullës” është një libër me kujtime, një vepër e zhanrit të memoaristikës, shkruar nga Pashko R. Camaj, i lindur në trevën shqiptare të Malit të Zi, ndërsa sot jeton dhe punon në ShBA. Së pari, ky libër është shkruar në gjuhën angleze, me titullin “Dreaming from the Trunk of an American Car (Ëndërrime nga bagazhi i një veture amerikane)”, dhe është përkthyer në gjuhën shqipe nga Nikollë Camaj, i vëllai i autorit, një veprimtar i shquar dhe njohës shoqërisë shqiptare.  Shumë lehtë ka mundur të jetë titulli i parë edhe titull në gjuhën shqipe, por “Porosia e kullës” është titull që tingëllon më fuqishëm për lexuesin shqiptar dhe i përgjigjet mirëfilli rrëfimit dhe kujtimeve që shpalosen në këtë libër të Pashko Camajt.

Ky libër me kujtime dhe rrëfime është i ndarë në dy pjesë të mëdha, të cilat përbëhen nga kapituj të ndryshëm, ku secili prej tyre kap një aspekt të veçantë të përjetimit të autorit në të kaluarën e tij, qoftë atë të hershme në fëmijërinë dhe rininë e tij të kaluar në fshatin e lindjes në Mal të Zi, qoftë në të kaluarën e tij të afërm në moshën e pjekurisë dhe kulmimit profesional në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në të dy pjesët ka rrëfime, të ndodhura interesante, por pjesa e parë, së paku për mendimin tim, është shumë më domethënëse dhe më e ndjerë, për shkak se na jep një tablo sa emocionale, aq edhe njoftuese e sqaruese. Pjesa e parë është edhe një pasqyrë shoqërore dhe kulturore e një etape nëpër të cilën kanë kaluar shqiptarët e Malësisë së Malit të Zi. Është një pjesë ku e shohim shqiptarin e nëpërkëmbur, të shtypur, të cilit i mungon si liria, po ashtu edhe mundësia për një ekzistencë të natyrshme njerëzore në një vend e në një regjim brutal, siç ishte ish-federata e kuqe, një burg i madh për shumë shqiptarë që jetonin në të.  

Libri fillohet me hyrjen në ShBA dhe mbaron me rikthimin në Malësi për ta parë kullën, si një trashëgimi shpirtërore e autorit, por edhe e shumicës së mërgimtarëve të kësaj ane shqiptare që jetojnë në botën perëndimore. Rikthimi te kulla është një rikthim i përkohshëm fizik, por në mbamendjen shpirtërore autori, në këtë rast rrëfimtari, është vazhdimisht aty, sepse kulla është pjesë e trashëgimisë së tij kulturore, jetësore e njerëzore, pjesë e identitetit dhe dinjitetit të tij personal.

Autorit, siç na rrëfen dhe kujton përmes librit të tij, kishte hyrë fshehtas në tokën amerikane, në tokën e premtuar që kishte dhe ka vend për të gjithë. Ai, së bashku me motrën e tij, tashmë të ndjerë, Dritën, e kishin kaluar kufirin meksikan të vendosur në një bagazh të një veture amerikane, në një hapësirë të ngushtë dhe pa ndriçim, që do t’i dërgonte në një vend ku do të shihnin shumë dritë dhe shumë shpresë për një jetë njeriu. Kjo situatë do të jetë pjesë e mbamendjes dhe përmendjes së vazhdueshme të autorit, si një pikë orientuese për ëndrrat për të ardhmen dhe për vëzhgimin psikologjik të së kaluarës së tij dhe të njerëzve të afërm të Pashko Camajt.

Në pjesën e parë të librit, një personazh mjaft i veçantë dhe shumë i rëndësishëm për jetën dhe të kaluarën e kujtimtarit është babai i tij. Përpos kullës, babai është pika e tij orientuese e qëndrimeve dhe mendimeve të tij të tashme. Ai e sheh babanë tashmë të ndjerë si një hero të së kaluarës së tij, por edhe të sotmes, meqë të bëmat e të atit për të kanë një rëndësi të madhe për formimin e tij njerëzor dhe intelektual. Babai është pika që gjithmonë e mbanë atë të lidhur për trungun, për identitetin malësor dhe shqiptar. Rrok Pjetri, siç quhej babai i tij, portretizohet si një njeri i ndershëm, një falës gjaku që nuk kishte dashur të hakmerrej për plagosjen e tij që për pak sa nuk e kishte dërguar drejt varrit, një vajtimtar i pashoq dhe një familjar i pashembullt, që mundohej gjithnjë të siguronte më të mirën, më të ndershmen dhe më të mundshmen për familjen e tij. Mbi të gjitha babai portretizohet si një njeri i drejtë dhe me një moral të pakundshoq.

“Porosia e kullës” është një libër që mund të lexohet edhe nga historianët që mund të kenë interesim për histori të treguara nga dora e parë, nga një rrëfimtar dhe dëshmitar unik i presioneve të pushtetit komunist jugosllav mbi shqiptarët e Malit të Zi. Siç tregohet në këtë libër, autorit i vritet gjyshi qysh pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, për shkak se falangat e kuqe partizane e konsiderojnë si armik të tyre dhe një njeri me ndikim në fshatrat dhe malësitë shqiptare. Po ashtu, ky libër mund të lexohet nga etnologët dhe antropologët për shkak se brenda tij ka përshkrime të riteve dhe të dasmës shqiptare. Në pjesën e parë na përshkruhet dasma e motrës së madhe në fshatin e lindjes, ndërsa në të dytin dasma në mes të dy të rinjve shqiptarë të emigruar në ShBA. Pra, studiuesit e fushave përkatëse mund ta marrin këtë rrëfim autentik si pikë fillestare të hulumtimeve të tyre krahasuese. Përpos historianëve dhe etnologëve, natyrisht se ky libër mund dhe është e nevojshme të lexohet edhe nga letrarët, për shkak të mënyrës së shkrimit dhe shpalosjes së kujtimeve që na vijnë përmes një ligjërimi të përafërt me atë të letërsisë. Pra, Pashko Camaj i ngjyros kujtimet e tij edhe me një penë letrare. 

Exit mobile version