Ramadan Musliu, Shtjellë shpirtërore, Shtëpia botuese “Beqir Musliu”, Gjilan 2021
Libri “Shtjellë shpirtërore”, me poezi të përzgjedhuira të poetit ramadan Musliu, ka një kuptim përtej simbolikës që lidhet me shkuarjen në amshim të këtij poeti. Pra, libri është vetë tipologjia e një verbi poetik, që vjen i sintetizuar në formën e tërësisë. Kjo tërësi arrin të pajtojë harmoninë estetike të shprehjes poetike dhe rrafshin kuptimor të ideogrameve që vijnë në formë të zërave të brendshëm në vetë qenësinë e mikrokozmosit.
Ata që s’kanë pasur rastin ta ndjekin zhvillimin dhe formimin krijues të Ramadan Musliut poet, tani do të mund të rigjejnë një autor pak a shumë të rifreskuar në kujtesën tonë, i cili del në pah me gjithë gamën e plotnisë së tij poetike, e shpërndarë në pesë vëllimet me poezi të shkruara para se të ndërronte jetë.
Cila është merita e përzgjedhësit të poezive që ndodhen në këtë libër?
Do t’i hynim në hak ndoshta autorit të këtyre poezive, Ramadan Musliut, nëse themi se Anton Nikë Berisha me këtë përzgjedhje na ka ofruar një portret krejt të ri poetik të këtij krijuesi, por ama është e pashmangshme bindja që na imponohet se përgjegjësinë për këtë metodologji përzgjedhëse, ai sikur e ka ndarë me vetë autorin e poezive.
Në hyrje të librit hartuesi i kësaj zgjedhje me poezi ka veçuar një mendim thelbësor të Ramadan Musliut, e që shpreh edhe pikëpamjet mbi artin poetik përgjithësisht: “[…] poezia është një prej atyre arteve që aktin e ripërtëritjes e ka më shumë si një gjenerim të brendshëm, gjenerim permanent, të vazhdueshëm dhe pikërisht kjo na bën me dije se poezia e mirë është ajo e vetë ripërtëritura, ajo që vjen si shprehje sintetike, por që në thelbin e saj është një perceptim i ri, pushtim i një hapësire të re të emocionit dhe një pasqyrim i aftësisë gjeneruese të vetë gjuhës…”
Për ta përforcuar këtë mendim të Ramadan Musliu, përzgjedhësi i poezive është i vetëdijshëm se me këtë sistem poetik që po na sjell në formë të këtij libri, në fakt ka dashur të na e dëshmojë se poezia e këtij poeti hyn në rrethin më të ngushtë të veprave që bëjnë kulmin e poezisë bashkëkohore shqipe. Sigurisht që ky vlerësim s’ka mundur të bëhet pa një lexim dhe rilexim të kujdesshëm që i bërë ai gjithë opusit krijues të Ramadan Musliut, sepse po të ishte ndryshe tani këtë libër nuk do ta përjetonim si një riformatim të një strukture komplekse poetike, edhe për faktin se, siç e thotë ai, vepra e mirëfilltë letrare nuk lexohet lehtë.
Para se të merrte ndonjë vendim përfundimtar për sa i përket shtjellimit tekstor dhe estetik të këtij libri, Anton Nikë Berisha, me siguri është ndeshur me dilemat jo të pakta se cilat poezi duhet të futen në përzgjedhjen e tij. Këto mëdyshje ai nuk i fsheh edhe në parathënien e librit, teksa shprehet se nuk e kishte të lehtë të vendoste se cilën poezi ta merrte, e cilën ta linte jashtë përzgjedhjes. Me fjalë të tjera, kjo i bie që edhe ato poezi që nuk ndodhen në këtë vëllim antologjik, mund të përfshihen në ndonjë libër tjetër të një karakteri të ngjashëm, ose të përafërt. Megjithatë, aftësia dhe shija për të përzgjedhur të duhurën, dhe metodologjia e përcaktimit të kritereve për cilësinë, e kanë udhëhequr autorin e kësaj përzgjedhjeje përgjatë gjithë procesit të vlerësimit dhe rivlerësimit të poezisë së Ramadanit. Me këtë metodologji Berisha sikur synon të kompensojë mbase edhe të rikthejë vëmendjen e humbur të kritikës letrare ndaj botës poetike të këtij krijuesi të veçantë, edhe për faktin se, siç thotë Berisha në parathënie, poezia e Ramadan Musliut është shumë më e vlefshme dhe poetikisht më e pasur dhe e lartësuar sesa del në shqyrtimet dhe interpretimet e deritanishme.
Pra, një antologji e mirë, siç është “Shtjellë shpirtërore” na shtyn t’i kthehemi edhe njëherë autorit, kurse ata që do të kenë gatishmërinë dhe përgatitjen e duhur për ta studiuar poezinë e tij, mund ta marrin si pikënisje pikërisht këtë përzgjedhje, sepse ajo del të jetë edhe si një rinjohje me autorin e pesë vëllimeve poetike: “Parodia e trupit” (1981), 1985 “Shqisa e gjashtë” (1985), Prishtinë; “Pasqyra e të rrëfyerit” (1987), “Në zemrën e gjërave” (2004) dhe “Gjendje neutrale” ( 2019 ).
Trupi, harrimi, flijimi, janë disa nga kontaktet asociative figurative që e përçojnë kuptimin e tekstit – rrëfimit poetik të Ramadan Musliut, ku figurativiteti pashmangshëm është i lidhur me aftësinë për perceptimin dhe zbërthimin e kuptimësisë, kurse vargu, siç do të thoshte Malarme, mundëson rikompozimin e trajtave të papërkryera të gjuhës, sikundër mund t’i hasim në vargjet: bie nata ngadalë me parukën e territ mbi kodër ( tek poezia Natë kalabreze), arsyeja e flijimit është si shiu për ugar ( tek poezia Tallja përpara kryqit), drurin e fantazisë e kishin mbjellë në kopsht ( tek poezia Herbariumi), vetëm pikëllimi na gjuan me gurë ( tek poezia Mashtrimi i hënësinës), ç’muzikë akulli solli kjo kohë ( tek Hënësina që po shuhet), Me pëlhurë mushkërish i mbulova ëndrrat (tek Mërgimi i trupit), Si një petk i vjetruar plot arna, rri e varur vjeshta, në gozhdën e ndryshkur të stinës (tek poezia Vjeshtë e vonë), Zërat e çerra të pulëbardhave, kur bukuroshet e fatamorganeve shfaqen, vinin të dridhshme si malli atdhetar (tek poezia Për emrin e lashtë të trupit tonë).
Ata që do ta kërkojnë, me çdo kusht, tejdukshmërinë figurative të verbit poetik të Ramadan Musliut, nuk do të mund të gjejnë për arsye se kjo nuk është një poezi që shuan kureshtjen me një të lexuar. Procesi i rileximit të kësaj poezie ndërlidhet me natyrën komplekse komunikuese të diskursit letrar që përmban në vetvete, për arsye se, siç e thotë autori i parathënies së këtij libri, përcaktimi i Ramadan Musliut të hartojë poezi të mirëfillta moderne, të ndërtojë atë lloj të tekstit që e përligj poetin madhor dhe si të tilla (poezitë) mund të komunikojnë dhe të ndikojnë estetikisht në lexuesin, jo vetëm të kohës kur u hartuan, përligjet para së gjithash nga poezia e tij, po dhe nga pikëpamjet e tij teorike e estetike që Ramadani i shprehu për dukuritë e ndryshme të poezisë e të artit letrar në përgjithësi.
Një poet si Ramadan Musliu, që e kishte të zhvilluar edhe ndjeshmërinë e të kuptuarit të poezisë në pikëpamje teorike e estetike, paraqet jo vetëm arsyen për ta perceptuar poezinë e tij nga një këndvështrim pak a shumë të veçantë, por edhe tërësinë e vlerave stilistike që ofron kjo poezi.
Libri “Shtjellë shpirtërore” me metodologjinë përzgjedhëse të Anton Nikë Berishës, dëshmon edhe njëherë se poezia, nëse vendoset në rrafshin e duhur të vlerësimit, si e tillë mund të funksionojë shumë natyrshëm si fryt krijues i një sistemi të konsoliduar poetik.
Shkup, tetor