-Shënime rreth librit për fëmijë “Princesha Charlotte” të shkrimtarit Kleo Lati-
Mbas një narracioni romantik me romane, tregime, monografi: “Dhe yjet dridhen nga dashuria”, “Mëkati i bukur i tradhëtisë”, “Diamante të gurtë”, “Trupi im më përket mua”, “Hakmerru duke dashuruar”, “Jehona e tradhëtisë”, “Pa dashuri as të vdesësh nuk pranohet”, dhe një trajektoreje thellësisht kritike dhe maturuese me romanet “Shpirtra të shitur” dhe “Pushteti i kancerozëve”, shkrimtari dhe përkthyesi i njohur Kleo Lati vjen kësaj here me librin për fëmijë “Princesha Charlotte”, me ilustrime të Endri Beqo, një botim cilësor i Shtëpisë Botuese NERAIDA.
Sinqerisht, kur e lexova këtë libër, u ndjeva si një fëmijë. Në përgjithësi, është në natyrën e qenies njerëzore “të mos kënaqet apo të kërkojë gjithnjë e më shumë”. Fëmijët bartin dhe dhurojnë emocione, gëzime, shqetësime; ata krijojnë një botë tjetër për prindërit, gjyshërit, midis tyre enden pafund dëshirat, tekat, imagjinata…pse jo edhe shpirti i tyre magjik. Përtej gjithë këtyre dilemave, na duhet të shohim se çfarë fshihet, si kapërcehen, sa realizojmë…? Po nëse fëmija i ka “të gjitha” dhe ndihet jo i kënaqur?
Në këtë libër, përrallat e gjyshit rendin diakronike nga lindja e Charlottës e deri sa ajo do të fillojë shkollën fillore. Shkrimtari K.Lati dëshmon psikologjinë e thellësive të shpirtit të tij me atë të rritjes së parë fëminore të mbesës ose të “mjaltit të mjaltit”. Ajo që e nxit lexuesin është kalvari mahnitës i rrëfenjave të gjyshit, gjyshes, mamit, kapedan Nikos, xhaxhi Andonit, të harmonizuara me: “Sytë e Charlottës, Përse qan gjyshi nga gëzimi, Fshati dhe shtëpia, Shpella e piratëve, Kukulla Rafaela, Zogj dhe peshq fluturues, Vëllai Diell dhe motra Hënë, Edhe yjet kanë emra…që e bëjnë librin mik të dashur të fëmijëve.
Tek princesha Charlotte, autori ka përjetuar disi më thellë, për një arsye tejet thelbësore, ai shkruan si gjyshi Kleo. Në fund të librit të vjen vetiu prof. H. Beqja me shprehjen brilante: “Të rrisësh, të ngresh një fëmijë në këmbë është si të hapësh një pus me gjilpërë!”.
Nuk ka të vërteta, ka vetëm përjetime dhe imagjinatë riprodhuese.
“Princesha Charlotte” demostron mesazhe filozofike, psikologjike, epos mitologjik dhe sfidat e brezit, gjeneratës ndaj fëmijëve; në një rend metrik, ajo bart botën fëminore, rrezaton rrethin e përgjegjësive prindër-gjyshër-edukatorë. Rrëfenja e parë në këtë libër nis me ndjenjën: “Sa sy të bukur dhe shprehës ke…ata shprehin të gjitha fjalët që thua!”. Gustave Flaubert, gjigandi i dimensioneve të syrit vëzhgues, novelisti francez i shek.XIX-të, u formua me romantizmin e Hygo, Vinji, Mishel, Shatobrian. Syri klinik ndaj jetës, i trashëguar nga babai-mjek, i lejoi autopsinë e shpirtit të njeriut. Ne – njerëzit e vdekshëm – lindim, jetojmë dhe shkojmë drejt pluhurit kozmik me perceptime të Dante Aligerit. Syri – i vetmi organ i pandryshuar gjatë gjithë jetës së njeriut.
Fëmijët meritojnë dashurinë.
Libri shtjellohet mbi dashurinë, gëzimin dhe lumturinë e lindjes së jetës: Dita më e lumtur e jetës sime lidhet me ty! Autori sfidon ligësinë, moskujdesin, urrejtjen me atë që vjen mbas dashurisë së madhe. Tek “Dueli”, A. Cehov e paraqet Laievskin si një qenie me urrejtje ndaj N. Fedorovnës: Qafa e saj ishte shumë e bardhë! Anna Karenina e L.Tolstoit nuk e donte burrin, sepse ai nuk i pëlqente “veshët” e saj! Me “Vëllezërit Karamazov”, Dostojevski shfaqet më radikal: mund ta urresh dikë, që e “përtyp ushqimin” me zë të lartë, për të urryer gjithë njerëzimin! Sigmund Freud i vendos kapakun e floririt të J.S.Millit: ne jemi qenie të anullimit, kur shohim tek dikush vetëm një aspekt negativ! Te libri i K. Latit, bashkë me kukullën Rafaela – një gjetje analoge me kukullën, vajza e vogël dhe Franc Kafka – Princesha Charlotte është simbol i gjithçkaje të bukur, ngazëlluese, shpirtërore në plotësinë e saj engjëllore…
Edhe mua më ka lindur një femër – i ka lejuar autorit idenë shterruese të konceptit dhe privilegjin e arsyes. Ai nuk e kërkon aspak pranimin logjik të lexuesit; as pohimin e gënjeshtërt, iluzor apo të vërtetë të çiftit kozmogonik; ai e unifikon pasardhësin e tij – Elonën, me lindjen e ngjashme të princeshës Charlotte. E vërteta e klithmës, shtrëngimit dhe qarjes është jo vetëm e qenies idealiste, e të gjithë të lindurve nga fama, gjeniu apo ndriçimi i dhuruar nga parajsa e Evës dhe joshja e gjarpërit djallëzor…jemi predikat i mëkatit apo kryqëzimeve me erectus të homosapiens?
Autori Kleo Lati e ka konfliktin me shpirtin e thyer njerëzor, me atë që është renditur materialist i shtatëzanisë me lehoninë planetare, pse jo edhe kozmike, universale! “Edhe yjet kanë emra”, ja…Orioni, Arusha e Vogël i japin frymë fantazisë së simboleve të jetës, koncepteve etike dhe estetike, qenies epistemike… Ai shpalos kënaqësinë e edukimit të fëmijëve, kundër doktrinave biocentriste të kohës; apelon zgjimin e energjive dhe atributeve të tyre në përballje me jetën humane; në analogji me fëmijërinë e tij zgjon tek princesha Charlotte – dhe për të gjithë fëmijët – rrugëtime të formimit në shtatë vitet e para të jetës.
Në këtë proces vendimtar njohës marrin rrugë perceptime dhe konsiderime zanafillorë të rëndësishëm; “zgjohen” dhe akumulojnë njohuri kontekstet mentale dhe vizuale fëminore për botën që i rrethon; objekte, lodra apo përjetime brenda fantazisë dhe imagjinatës së tyre janë stimuj dhe marrin role të caktuara. “Yjet kanë emra si njerëzit, vëllai Diell, motra Hënë, peshqit fluturues apo shpella e piratëve: – një aspekt animizmi i objektit pa shpirt – i japin autorit meritën e stilit të veçantë; ai është edhe aktor i rrëfimit, edhe përjetues i emocioneve, edhe bashkëbisedues me princeshën. Dhe jo vetëm ai. Të gjithë aktorët përfshirës – prindërit, gjyshërit, edukatorët, familja dhe shoqëria – midis fabulës së përrallës dhe konceptit të së vërtetës formale të ngjizjes fiziologjike e parazgjedhin me pasion vlerën e botës reale; si një manifestim i gjendjeve transhedentale dhe të dobishme për të ardhmen e njerëzimit, qenia e evolucionit biologjik nga grimca e AND-së dhe ARN-së përfiton vetëm lejen e kushtëzuar të ekzistencës dinamike dhe imponon hierarkinë e standarteve civilizuese. Në jetë, qenia njerëzore ka pasuri mendimin; ndjenja, dashuria, kujdesi dhe mirërritja e fëmijëve kërkon shumë më tepër përkushtim, se sa kontrata në altarin e sakramentit kanonik “deri sa vdekja të na ndajë”; harmonia e funksioneve jetësore me ndjenjë dhe emocion, respekt dhe mirëkuptim… lindin natyrshëm, kur vjen një burim i ri frymëzimi. Do të mjaftonin vetëm fjalët prekëse të autorit me dedikimin: Princeshës Charlottë, mbesës sime. Ditën që ti linde, unë rilinda!
Le të ndalojmë së ndjekuri hijet e së kaluarës, të nxjerrim jashtë vetes shpirtin e keq, mentalitetet dhe egoizmin vrasës të jetës. Të përulur në forcën magjike dhe vullnetin individual të qenies së përkorë, larg kufijve poshtërues të vetvetes, le t’ju nënshtrohemi me frymëzim “grimcës së parë”, si një akt unik i mospendimit. Princesha Charlotte, vetvetja jonë – engjëlli mbrojtës, shpëtimtari brenda shpirtit të padukshëm, na e lehtësojnë dhe shpëtojnë shpirtin nga dhimbjet e mëdha jetësore.
Drejt mbretërisë së përrallave.
Në sfondin analitik të librit “Princesha Charlotte”, si shkrimtar dhe studiues i krijimtarisë letrare – artistike, po i ngjizem pakëz jehonës filozofike dhe traditës së prezantuar deri më sot. Veprat letrare për fëmijë – nga shek.XV-të, kanë shprehur mesazhe morali dhe besimi fetar – si tradita puritane. Deri në shek.XX-të apo e njohur si “epoka e artë” e letërsisë klasike për fëmijë, janë shfaqur qasje shkencore nga fauna dhe flora – Charles Darvin dhe filozofike – John Locke (Loku). Filozofia mbi kuptimin “tabula rasa” – mendja e njeriut në lindje është e zbrazur, pa rregulla përpunimi, të dhënat shtohen nga përvoja shqisore – diktoi botimin e librave të lehtë, të këndshëm dhe ilustrime me figura zbavitëse dhe kurreshtare.
Bota e letërsisë shqiptare për fëmijë ka trashëguar Naimin, Mjedën, Çajupin…A. Mamaqin, B. Dedja, G. Bushaka, O. Grillo, T. Gjokutaj, A. Deva, V. Canosinaj…filma vizatimorë, multiplikativ dhe fantastiko – shkencorë. Të gjithë kanë dhuruar dashuri dhe dije për fëmijët. Kur njerëzit rriten dhe ju largohen mbretërisë së përrallave, ata mbushen me muzë, dhëmbshuri, poezi, fisnikëri…E tillë do të mbetet edhe “Princesha Charlotte”.