American Pastoral
Prifti është bariu, besimtarët janë delet, djalli është ujku, kambana është zilja e dashit që duhet ta ndjekin delet si shenjë alarmi se ujku është afër. Delet ndjekin dashin me këmborë. Po u hodh ai në greminë, të gjitha hidhen pas tij. Këtë alegori pastorale e ndërtoi Mesjeta dhe funksionon deri sot.
Sapo hyra në dhomë dhe nga dritarja pashë kishën përballë, thashë: ja, do të banoj para një alegorie mijëvjeçare. Por kjo alegori, edhe nëse është e lehtë për t’u deshifruar, s’është e lehtë për t’u përballuar. Jo, nëse çdo 15 minuta të godet me tam-tam si me çekan në kokë.
Erdha natën. Të nesërmen, pa fjetur fare, shkova dhe e shikova si quhej kisha. Ishte: St. John the Evangelist Church.
Më erdhi mirë që së paku e paska emrin e ungjilltarit më të mirë. Nga të katër ungjijtë, i vetmi që më ka pëlqyer ka qenë ai i Gjonit.
Tash kanë kaluar gjashtë muaj që jam këtu dhe kambana bie çdo çerek ore. Besoj se kjo nuk është e lehtë për askënd që s’beson, por sidomos për pasardhësit e Protagorës, në urdhrin e të cilit edhe unë hyj e dal sipas disponimit.
Kur e pata lexuar ungjillin sipas Gjonit, më pati lënë përshtypje fjalia e parë e tij ‘në fillim ishte fjala, dhe fjala ishte pranë perëndisë, dhe fjala ishte perëndi”, dhe fjalët e fundit të Krishtit: Zot, zot, pse më braktise?
Dhe tani, duke e parë për dritare sesi bariu i mbledh delet e veta, duke i rënë kambanës për t’ua kujtuar që ujku është afër, shtrihem në shtrat i uritur dhe i pashpresë, dhe shtrij krahët si Krishti, dhe me sy në tavan, them: Zot, zot, ku m’degdise?
Intervista
Ai ishte shkrimtar i njohur, dhe më i njohur ishte bërë sepse s’pranonte të jepte intervista. Të fundit e kishte dhënë para më shumë se katër dekadash. S’kishte dashur të jepte më as në Kosovë, as në Amerikë, ku jetonte prej vitesh.
Dikush nga një televizion kishte dëgjuar për kapacitetin e tij intelektual dhe kishte ardhur, bashkë me ekipin, për ta intervistuar. Para u doli mbesa e tij dhe iu tha me keqardhje se gjyshi i saj s’pranonte të jepte intervista, as shqip, as anglisht.
Na lini ta takojmë dhe do ta bindim, kishte thënë gazetari.
Vajza i kishte lënë të hynin, por u kishte thënë të prisnin në sallon se gjyshi po shkruante në studion e tij.
Kur vajza u fut brenda, gjyshi ngriti kokën nga librat, e pa mbesën dhe i buzëqeshi. Ajo i tregoi që kishin ardhë ca njerëz dhe po e prisnin për intervistë. Atij i ngriu gjaku.
Ku janë?
Në sallon. T’i thërras?
Mos!
Mirë, po të presim atje, bëri vajza paksa e trembur nga reagimi i gjyshit.
Ai u çua, ia vuri shulin derës. E mori dorëshkrimin dhe s’dinte ku ta fuste. E la mbi vitrinë. Pastaj shkoi dhe e mori prapë. Ishte në panik. Dridhej. E futi nën qilim. Dukej qilimi paksa i ngritur. E mori prapë. Dikush i ra derës. Ai s’u përgjigj. Vetëm sillej me dorëshkrim në duar pa mundur të vendoste se ku ta linte.
Gjysh, hape derën!
Trokitjet shpeshtoheshin.
Ai e hapi dritaren, ishin shumë kate poshtë tij. Trokitjet shpeshtoheshin.
Donte të hidhej, por s’guxonte. Ta hidhte dorëshkrimin, s’bënte, se do t’ia gjenin.
Gjysh, hape!
U ul afër dritares dhe, duke u dridhur, nisi të qajë.
Trokitje prapë.
Ai nisi ta hajë dorëshkrimin.
Përtej derës dëgjohej një bisedë e shqetësuar.
Ai vazhdoi të hante.
Kur e thyen derën dhe u futën brenda, shkrimtarin e gjetën të vdekur. Me një letër të fundit që i varej mbi bark bashkë me jargët.
Gazetari dhe ekipi s’po kuptonin asgjë.
Kur televizioni në gjuhën shqipe dha lajmin për vdekjen e tij, u përmend edhe tërheqja e tij nga jeta publike pas intervistimit në Komitet, pak pas protestës së vitit 1981.
Amerika dhe gota me katër pika
Aga Ban jeton me trup në Amerikë, me mend në Kosovë. Ka shumë vjet këtu, por di pak fjalë anglisht, madje edhe atyre që i di, ua ngatërron kuptimin dhe vendin. Kështu, për shembull, kur dikush ia bën një nder, ai ia kthen me fuck you, ndërsa kur dikush i bën një të keqe, i thotë thank you, duke e impresionuar edhe të krishterin më të mirë.
Një ditë teksa po mbante qenin e nipit në prehër, erdhi partneri amerikan i vajzës dhe provuan të nisin një muhabet. Mysafiri nxori një mindil të madh dhe i fshiu hundët potershëm. Aga Ban e pa dhe u kollit njëherë, duke e shikuar me vëmendje vajzën, që i kishte sjellë në shtëpi burrin e tretë, pas dy divorceve të mëparshme. Vajza i bëri me shenjë të mos e qortonte se ishte i huaj. Plaku, e mori gotën me katër pika dhe e piu çajin duke bërë një zhurmë gurgulluese. Mysafiri e futi mindilin në xhep. Plaku ia ktheu: Fryj sa të mundesh se the house belongs to mysafir and dog.
Vajza, dhe të gjithë sa ishin aty, u kthyen për ta parë ku donte të dilte.
Çka po më këqyrni ashtu? A nuk thotë Kanuni, qi shpija âsht e mikut dhe e Zotit.
Atëherë e kuptuan që plaku kishte ngatërruar fjalën god me dog.
Aga, që kurrë s’dihej nëse i ngatërronte vërtet, apo i bënte me qëllim, kroi kokën i zënë ngushtë, pastaj tha: edhe fort gabim s’e paskam pasë. Në njanën anë po më duhet me ia durue pordhët qenit, në tjetrën hundtë mysafirit. Po me sa mend, amerikanët i kanë lanë të njëjta germa Zotit edhe qenit, he Zoti i vraftë!?
Mysafiri ndërhyri: po kuptoj nuk pëlqeni inglisht. Shumë difficult, yeah?
Difikëllt qi mos vet! Asni sen këtu nuk m’pëlqen.
Ti s’do Amerika?
Qysh me dashtë Amerikën? A e sheh qet bardak? Çaji i rusit… rus, Putin, ju nou… nuk pihet n’karton, as n’filxhan, as n’gota çfarëdo, as në gotë të njejtë, në qoftë se anash s’i ka qeto katër pika. A po i sheh?
Unë sheh, po s’kuptoj. Tea is tea; the cup doesn’t matter.
Po qata po t’thom. Ju s’kuptoni. Çaji nuk është veç me e pi e me ikë me luftu. Ka taraqillik.
What is taraqillik?
Nuk pihet veç me e mbushë barkun. Pihet kadale, tu e shijue.
Dhe nuk shijue në gota tjetër?
Aga Ban, i dorëzuar, pa pikë vullneti për t’ia shpjeguar, iu drejtua vajzës: e sheh? Qysh ki me u kuptu me të? Pastaj i shikoi të gjithë dhe shtoi: qysh kemi me u marrë vesh unë dhe Amerika, kur ajo s’e kupton randësinë e gotës me katër pika?
Nga “Blloku i Bostonit” (libër në dorëshkrim)



