Shkrimi që po ju sjell sot është botuar si parathënie e librit të Prof. Dr. Shaban Sinanit, “Një dosje për Kadarenë”, në vitin 2005, në një kohë kur hapja e arkivave dhe ballafaqimi me mekanizmat e censurës komuniste sapo kishin nisur të trajtoheshin publikisht me seriozitet institucional dhe kulturor.
Sot, pas kaq shumë vitesh, ai mbetet dëshmi jo vetëm e një debati mbi Ismail Kadarenë dhe marrëdhënien e letërsisë me pushtetin, por edhe e një përpjekjeje për të kuptuar atmosferën e kontrollit, frikës dhe mbikëqyrjes që shoqëroi jetën intelektuale të vendit në diktaturë.
Kadareja nuk u bë simbol i letërsisë shqipe sepse u rreshtua në një opozitë të hapur politike ndaj regjimit, por sepse krijoi një vepër që i mbijetoi kohës dhe kufijve ideologjikë.
Në një sistem që kërkonte nënshtrimin e artit ndaj doktrinës, ai arriti të ndërtonte një univers letrar me përmasa universale, ku alegoria, metafora dhe memoria historike u bënë forma të lirisë krijuese.
Pikërisht në këtë kuptim, emri dhe vepra e tij përfaqësuan një sfidë të vazhdueshme për diktaturën.
Jo përmes manifestit politik apo disidencës klasike, por përmes autoritetit që i dha letërsia e tij.
Sa më shumë rritej jehona ndërkombëtare e Kadaresë, aq më e vështirë bëhej për regjimin ta trajtonte atë si çdo shkrimtar tjetër.
Dokumentet e kohës dëshmojnë se ai mbeti nën vëzhgim të pandërprerë, çka tregon se pushteti e konsideronte ndikimin e tij si një çështje që nuk mund të shpërfillet.
Kadareja vazhdon të mbetet figura më përfaqësuese e letërsisë shqipe në botë, një autor që, edhe pas ndryshimit të sistemeve dhe epokave, vazhdon të lexohet, të studiohet dhe të debatohet.
Pikërisht për këtë arsye, dokumentet, dëshmitë dhe interpretimet mbi veprën dhe kohën e tij mbeten ende me interes publik e kulturor.
Ripublikimi i këtij shkrimi nuk synon të mbyllë një debat, por të rikthejë vëmendjen te rëndësia e dokumentit, kujtesës dhe leximit kritik të së shkuarës.
Sepse koha mund të zbusë pasionet, por nuk e zbeh nevojën për të kuptuar.
“PURGATORI” I KADARESË NË NJË BOTIM SHKENCOR
Ishte viti 2002 dhe nuk kishin kaluar as dy muaj nga dita e fillimit të shërbimit tim në krye të Ministrisë së Rendit Publik, kur një telefonatë përshëndetëse e Ismail Kadaresë për çfarë kishim mundur të arrinim për bllokimin e trafiqeve, sidomos të trafikut të qenieve njerëzore, më solli në mendje një ambicie të hershme: hartimin e një vepre mbi sjelljen e atyre institucioneve që dikur quheshin “organe të Ministrisë së Punëve të Brendshme” ndaj shkrimtarëve dhe artistëve.
Puna për një kohë relativisht të gjatë si gazetar më kishte dhënë mundësi të njihja shumë prej protagonistëve të të dy palëve: të persekutuar e persekutues, të rekrutuar në shërbime të fshehta dhe rekrutues, spiunë e të spiunuar, vullnetarë të zellshëm e të devotshëm dhe të tjerë që kishin qenë të detyruar të pranonin detyrën, me një fjalë “vullnetarë” të pavullnetshëm.
Një botë e çuditshme, e mbushur me mistere dhe, mbi të gjitha, e mbushur me “gjahtarë të shpirtrave njerëzorë”.
Dhe ja, unë isha në krye të asaj ministrie që kishte pikërisht arkivin ku duhej dhe mund të gjendeshin dorëshkrime të ndaluara, vepra të burgosura, të shkrimtarëve të dënuar ose të padënuar, të cilat përbënin një lëndë tërheqëse për mua, për të më shërbyer që të shkruaja një studim monografik për letërsinë e ndaluar dhe raportet e krijuesve me pushtetin në periudhën komuniste.
Ndërsa koha shkonte me shpejtësi sipas kalendarit të vet të përjetshëm, gjithnjë e më shumë vëreja se, me aq liri sa më tepronte, nuk do të kisha mundësi të merresha me këto dorëshkrime në tërësi.
Gjithsesi, mund të bëja diçka më të kufizuar. Si e kanë parë sytë e policisë politike veprën e I. Kadaresë? Kjo pyetje mund të ishte objekti i kërkimit tim, tashmë të ndarë nga e përgjithshmja.
I entuziazmuar jo aq nga ideja, por më shumë nga ajo që prisja të arrija, ia transmetova këtë zgjedhje Kadaresë. Ai jo vetëm e priti mirë, por edhe më inkurajoi. “Kjo është një gjë e rrallë”, qenë pak a shumë fjalët e Kadaresë. “Një ministër i brendshëm që jo vetëm lejon të tjerët, por punon vetë për të botuar dorëshkrimet e policisë për shkrimtarët — kjo është më shumë se një çështje kulture; kjo është shprehje e përparimit të mendësisë shqiptare dhe një shenjë e mirë për vendin.”
Kjo dashamirësi e shkrimtarit ishte një nxitje tjetër për ta realizuar këtë projekt, i cili, në mendjen time, lidhej edhe me një synim vetjak për të ndryshuar përfytyrimin publik për ministrin e rendit. Gjithnjë më kishte shqetësuar fakti që, për rrethana të njohura, figura e ministrit të rendit shihej gati-gati si një figurë e demonizuar, që për shumëkënd duhej doemos të ishte me portret të ngrysur, me fytyrë të zbehtë, rreptësisht i ngrysur, kurrë i buzëqeshur, që të tjerët duhej ta kishin frikë.
Duke pasur bindjen se qenia ministër nuk të bën as më të mençur, as më me autoritet, por thjesht më përgjegjës, e ndieja si pjesë të detyrës sime ta ndryshoja sadopak këtë përfytyrim, duke e paraqitur në publik ministrin e rendit në një pamje më qytetare. Kjo nismë, jam i sigurt, se do të më ndihmonte për ta arritur edhe këtë.
Koha rrodhi më shpejt nga ç’e kisha menduar. I detyruar të ndiqja përparësitë dhe urgjencat funksionale, veçmas luftën kundër trafiqeve dhe krimit të organizuar — në fakt, pikërisht në ata muaj Shqipëria u bë për herë të parë një referencë pozitive në mjediset ndërkombëtare për këtë — erdhi një ditë dhe shërbimi im në krye të Ministrisë së Rendit Publik mbaroi dhe thuajse në të njëjtin çast mendova se ndoshta e kisha humbur edhe shansin e realizimit të veprës që kisha në krye.
Por ja, tani unë kisha në tryezën time të punës një vepër të ngjashme, me studime dhe dokumente, titulluar “Një dosje për Kadarenë”, me autor studiuesin Shaban Sinani.
Vepër e ngjashme u shkrua, sidoqoftë jo me burimet që unë kisha pasur në mendje, por me dokumente partiake dhe të ngjashme me to. Megjithëse të një kategorie tjetër, dokumentet e kësaj vepre ishin po aq me karakter policor, sa kishin karakter politik edhe dokumentet e policisë që unë doja të koleksionoja. Kisha përpara një vepër që kishte analogji me projektin tim, po gjithsesi nuk e pengonte aspak nismën time; përkundrazi, vetëm e ripërcaktonte atë, duke e lehtësuar.
Nga ky libër del se Kadareja kishte probleme serioze me pushtetin jo vetëm në kohërat kur sulmohej publikisht, por edhe në kohë në dukje të qeta, madje edhe atëherë kur vepra e tij formalisht quhej “e vlerësuar”.
Kadareja ishte në kontroll jo vetëm kur gabonte, kur në veprat e tij gjendeshin “lajthitje ideologjike”, por edhe kur rastiste të shkruante “në rregull”, domethënë sipas kërkesave të realizmit socialist. Mund të duket e çuditshme, por ai ishte nën mbikëqyrje edhe kur nuk shkruante fare! Doktrina i kërkonte shkrimtarit t’ia paracaktonte veprës së vet cilësitë ashtu si i donte ajo, por kjo, për artin e pavarur, është po aq paradoksale sa t’i kërkohet nënës t’ia zgjedhë cilësitë fëmijës para se të lindë.
Duke njohur, përmes këtij libri, vetëm një pjesë të një mali të tërë fajesh dhe gabimesh që kanë rënduar mbi shkrimtarin, lexuesi sheh se, në mos ferri vetë, procesi i shkrimtarisë për I. Kadarenë ka kaluar përmes një purgatori të vërtetë. Ferri ndoshta gjendet në atë pjesë të dokumenteve që ruhen në arkivin e Ministrisë së Rendit Publik.
Në këtë proces I. Kadare arriti të ruajë të pashtrembëruar karakterin e letërsisë së tij. Duke e dëshmuar këtë, libri mund të quhet një model se si duhet t’i serviren publikut burimet.
Ku janë ata që nuk iu ndanë shkrimtarit për më shumë se tre dhjetëvjeçarë me radhë dhe ndoshta edhe sot vazhdojnë të kërkojnë gabime e lajthitje të reja te vepra e tij?
“Rrugës për në theqafje këtejpari i ranë”, thotë Migjeni. Le t’i lëmë në fatin e tyre; Shën Pjetri duhet të ketë punë me ta.
“Një dosje për Kadarenë” është një vepër e shkruar me baraslargësi ndaj faktorëve politikë e kulturorë në Shqipërinë e dikurshme dhe në atë të sotme. Përkundër rëndesës morale që mbajnë shumë nga dokumentet që libri përmban, vetë vepra e autorit është shkruar me një qytetari dhe distancë nga dëshira për të penguar, ndaluar, dënuar, njollosur, dërrmuar. Kjo është një vepër që u jep mundësi lexuesve të shohin se si burimet flasin vetë. Vetëm faktet janë të pagabueshme dhe të palakueshme. Opinionet dhe konsideratat edhe mund të lakohen. Në Shqipëri madje lakohen mirë. Prandaj çmistifikimi i së shkuarës nuk mund të pritet me lojërat “ul e ngri” të një autori a një tjetri, mundësisht duke hyjnizuar njërin dhe rroposur tjetrin, por duke zbuluar të fshehtat.
Dëshironi t’i bëni njerëzit të lirë? Jepuni fakte e burime dhe ata janë të zotë të mendojnë vetë! Historia duhet të flasë me gjuhën e vet, duke përfshirë edhe historinë e letërsisë. Sikurse na ka mësuar një nga kryeparët e mendimit njerëzor, Ciceroni, detyra e parë e historisë është t’i shmanget gënjeshtrës; e dyta — të mos e fshehë të vërtetën; e treta — të mos japë shkas që të dyshohet për anësi.
Shumica e dokumenteve të këtij libri janë shprehje e një klime kulturore që sot nuk mund të përfytyrohet. Por lexuesi ka nevojë për këtë përfytyrim, sepse, përndryshe, rrezikohet të mos e kuptojë as letërsinë e asaj kohe. Ky është një shërbim i vlefshëm për dijen dhe mendimin shqiptar.



