Mbi romanin “Pallati i dëshpërimit” të autores Ena Bulku, Ombra GVG
“Pikat e para të shiut filluan në orën 13:13, numër i mbrapshtë për besëtytët, të cilët trashëgojnë fenomene të tilla mbi shpinën e shekujve.”
Mekëtë fjali e nis romanin e saj, “Pallati i dëshpërimit”, autorja Ena Bulku. Ky roman është në dukje një rrëfim tronditës për disa karaktere, të cilët bashkëjetojnë në një pallat. Një pallat që qysh në krye të rrëfimit na kallëzohet se ai është përfshirë nga flakët e një zjarri të madh. Gjurmët e zjarrit, siç narratorja rrëfen, duken ende në fasadën e tij, e cila nxin. Në atë nxirjen e tij, që nuk e pastron më as shiu, as koha duket se ngrihet hija e rëndë e ferrit. Një ferr midis qytetit të madh e të zhurmshëm, të cilin pak të gjallë e vënë re. Një ferr ku futen e dalin në çdo moment të ditës dhe natës shpirtra të humbur dhe të dëshpëruar. Ferri-pallat është vendbanimi i ca shpirtrave që enden kuturu dhe vuajnë dyfish, shpirtërisht dhe psikologjikisht. Shpirtra që mezi presin fundin e torturës dhe fundin e jetës.
Bulku ndërton një pallat, pallatin e dëshpërimit, i cili lexuesit i kujton një tjetër pallat, atë të ëndrrave, Tabir Sarajin e famshëm (“Pallati i ëndrrave” nga Ismail Kadare), ku mblidhen ëndrrat e të gjithë ëndërrtarëve. Nëse Tabir Saraj i ngjason edhe stukturalisht ferrit sipas modelit të Dantes, ku sa më poshtë të zbresësh aq më e thellë bëhet vuajtja, aq më e madhe bëhet tortura, aq më afër gjendesh me djallin. Pallati i Bulkut është i ndërtuar në një mënyrë të tillë që sa më lart të ngjitesh aq më i madh bëhet dëshpërimi, aq më e mprehtë bëhet vuajtja, aq më shumë shtohet misteri. Një pallat i errët, i çuditshëm ku edhe numrat në dyert e dhomave nuk janë të vendosura sipas rendit normal, por sipas dëshirës momentale të një prej karaktereve.
“Atë ditë, ai pati vendosur t’u jepte identitet të gjitha hyrjeve në pallat. Me bojën e kuqe që i kishte mbetur nga piktura e një nate më parë, ishte ngjitur deri në katin e katërt dhe kishte vendosur pranë secilës derë nga një numër pa asnjë rend logjik.”
Brenda mureve dhe apartamenteve të këtij pallati të nxirë, ku duket se jetojnë karakteret e romanit të Bulkut marrin jetë kujtime të së shkuarës së tyre dhe e tashmja. Apartamentet me numrat e çrregullt rrëfejnë për dëshpërimin e banuesve të tyre, por njëkohësisht duken të jenë vendi ideal për të jetuar shpirtëra si ata.
Secili apartament pajiset me një numër çfarëdo duke u shndërruar në identitet edhe për karakteret. Karakteri një, dy, tre, katër e me radhë deri te teta, përveç bodrumit, i cili shënjohet me një pikëpyetje. E njëjta çrregullësi e përcaktimit të numrave në dyert e apartamenteve të tetë karaktereve është edhe në procesin e rrëfimit të ngjarjeve nga e kaluara dhe e tashmja për secilin prej tyre. Tetë karakteret gjallojnë veçmas, pa patur kontakt me njëri – tjetrin deri në fund të romanit, ku rrëfimi merr një kthesë të papritur. Karakteret, banorët gjejnë gjegjësin përkatës, gjejnë atë që u ka munguar për gjatë gjithë jetës së tyre, ngushëllohen me praninë e njëri-tjetrit, duke u krijuar kështu disa çifte që krijojnë një të tërë. Dikush që dëshiron të vdesë, gjen vrasësin. Vrasësi gjen viktimën. Artisti gjen muzën. Muza gjen artin. Mëma gjen bijën dhe anasjelltas. Fatet e banorëve të pallatit të dëshpërimit kryqëzohen. Këta njerëz të tërhequr në vetminë e tyre, larg shoqërisë, mësojnë dhe kuptojnë që njeriu duhet të bashkëjetojë me njeriun. Sa e lehtë është për ta? Nisur nga gjithë rrëfimi, mentalisht paraqet sfidë, por emocionalisht është tepër e dëshirueshme, jetike.
Në pallatin e dëshpërimit ka vend për të gjithë, aty gjendet artisti (muzikanti, piktori, shkrimtari, aktori), i cili është i dëshpëruar. I dëshpëruar sepse i mungon muza, i mungojnë materialiet, i mungon mbështetja e familjes, shoqërisë, e keqtrajton politika. Artisti jeton në një ferr, ku e ka të pamundur të imagjinojë mundësinë e një bote më të bukur. Traumat e tij ai i reflekton në artin e vet. Shkrime që nuk përfundojnë, piktura me mbizotërim të së kuqes dhe së zezës, skulptura që u mungojnë kokat, interpretime mbytëse, nota të palidhura.
Krah artistit gjendet gruaja, gruaja publike, që ka një arsye pse është bërë e tillë dhe kjo është për shkak të rënies së familjes dhe shoqërisë. Gruas që i kërkohet dashuri dhe i ofrohet veç përbuzje. Bulku e sjellë gruan viktimë të përdhunimit nga familjarë, duke i dhënë lexuesit një ndër rrëfimet më tronditëse në të gjithë romanin. Vëllai i sëmurë abuzon seksualisht me të motrën. Një rast, i cili në roman na tregohet se mund të parandalohej, nëse do të dëgjohej vajza. Por, bota është shurdhe kur gruaja kërkon ndihmë apo flet të vërtetën.
“Në fillim e shqetësuan vështrime të turbullta për të cilat nuk mund të raportonte dot te mamaja esaj pa marrë pas një shpullë prej duarve të thata si kamzhik. (…) Më pas nisën prekjet në trupin e saj tashmë të zhvilluar dhe kjo e bëri të mendonte me atë tru prej katërmbëdhjetë –vjeçareje se diçka jo e shëndetshme po ndodhte rreth saj. Kur edhe kësaj radhe u përpoq të bisedonte me të ëmën, hasi po të njëjtën fytyrë të ngurtë e të hirtë si tjegullat në çatinë e tyre.”
Po aty në pallat jeton edhe një magjistricë, një falltare që të kujton madam Sosostrin. Me tarot dhe triqet e tyre ato u zbulojnë naivëve të fshehtat që rezervon e ardhmja e panjohur. Falltarja, magjistrica zbulohet të jetë e ëma e një prej karaktereve, njëshit. Gruaja e çuditshme, siç na rrëfehet e ka pritur takimin me të bijën prej një kohe shumë të gjatë. Të dyja së bashku janë viktima të një mallkimi, një mallkimi që trashëgohet në breza, prej të cilit ato nuk mund të kenë as baballarë, as bashkëshortë. Një lloji matriarkati.
“Gra të destinuara të mos kenë kurrë burra, fëmijë pa vëllezër, pa baba. Babai i saj ishte më pak se një kujtim tashmë dhe ajo nuk kishte për ta njohur kurrë. Femra të cilat krimi më i madh që mund të bënin ishte të dashuroheshin.”
Në këtë shumëllojshmëri karakteresh, me artistë, gra publike, magjistrica dhe vrasës të rrënuar, të dëshpëruar këta banorë arrijnë të bëhen një i vetëm. Befas, rrëfimi merr një kthesë shokuese, ku zbulohet se gjallon vetëm një personazh, një vajzë e re shkrimtare. Njëshi. Karakteri i njëshit takohet me të shkuarën e panjohur, me besëtytënitë, misterin dhe magjinë. Njëshi është strumbullari i të gjithë rrëfimit, krijuesi i karaktereve të tjerë. Karaktereve që gjallojnë në kokën e saj. Ajo duket se vuan nga skizofreni e avancuar, shumëfishim personalitetesh. Janë pikërisht këto personalitete të vajzës që lëvizin brenda pallatit të saj mendor, që vuajnë, që mezi presin fundin si shpëtimin e vetëm prej dhimbjes. Në kartelën e saj shënohen hollësi mbi gjendjen e saj mendore, ku ndër të tjera shënohet :“Paralelizon jetë të individëve që nuk i njeh dhe pretendon se i ka jetuar. Ka tetë (8) personalitete të integruara brenda vetes me karakteristika, seks dhe moshë të ndryshme.”
Pasi ka lexuar kartelën, lexuesi i rikthehet rrëfimit qysh prej fillimit për të kuptuar çfarë ndodhi? Përpiqet të gjejë hapësira boshe nëpër të, për të lidhur fijet narrative të lëna nëpër tekst. Gjithë çka gjen është një lëmsh i madh rrëfimesh ngjarjesh që përforcojnë diagnozën e mjekëve për sëmundjen e vajzës. Me shumë mundësi kemi të bëjmë me një të sëmurë mendore. Një e sëmurë mendore që ka shumë gjëra për të thënë, që shkuan vazhdimisht dhe që i mungon shiu. Ajo është autorja e zjarrit që dogji pallatin, por i mungon shiu.
Ky është një lexim. Një lexim i një tjetër lexuesi mund të na dëshmoië se të tetë karakteret gjallojnë, (ose kanë gjalluar) se janë të vërtetë, gjithmonë brenda vërtetësisë së romanit. Ky lexuesi tjetër mund të shtojë se këto tetë karaktere vdiqën ashtu siç jetuan, të panjohur, në heshtje. Kush u interesua për ta në të gjallë që të interesohej për vdekjen e tyre? Ndoshta ata ishin vërtetë banorë në të njëjtin pallat me vajzën. Se çdo gjë ndodhi vërtetë, por i vetmi dëshmitar i gjallë ishte vajza që u diagnostifikua e sëmurë. A mund t’i zihet besë fjalës së një të çmendure? Po e vërteta sa e çmendur na tingëllon? Përtej të gjithave, ky roman nuk synon që të nxitë lexuesit të zbulojnë ndonjë të vërtetë, por të pranojnë të vërtetat. Të vërtetat që ne ja mohojmë vetes çdo ditë, që nuk kemi nevojë për ndokënd, se jemi mirë.
Ne jemi qënie njerëzore dhe gjithmonë do të kemi nevojë për dikë, ne nuk jemi të vetëmjaftueshëm. Ne jemi copëza të papërfillshme të një të tëre të pakuptimtë. Pjesë e një pallati dëshpërimi, që disa e quajnë jetë, disa botë e disa të tjerë thjesht nuk e emërtojnë dot.



