Kreu Letërsi Shënime mbi libra Xheni Shehaj: Agjentura dhe agjentët në romanet e realizmit socialist

Xheni Shehaj: Agjentura dhe agjentët në romanet e realizmit socialist

Gjatë realizmit socialist jehonë në letërsi patën dhe veprat që kishin si tematikë agjentët dhe agjenturat e huaja. Subjektet e veprave letrare janë ndikuar kryesisht nga ngjarjet reale që ndodhnin jo pak herë mes Sigurimit të Shtetit Shqiptar dhe agjenturave të huaja që bashkëpunonin me individë shqiptarë, njerëz që pushteti i kishte marrë gjithçka, njerëz të cilësuar si kulakë, njerëz që ishin shkolluar jashtë dhe kishin formim perëndimor, njerëz të pakënaqur me regjimin komunist. Agjenturat e huaja gjenin vend duke rekrutuar njerëz të tillë, dhe nëpërmjet shkëmbimeve, mesazheve, maskimeve e teknikave të sofistikuara tentonin të rrëzonin pushtetin komunist. Agjenturat janë qendra zbulimi, që kanë në tërësinë e tyre një grup agjentësh, spiunësh, e bashkëpunëtorësh që veprojnë në fshehtësi. Për të sjellë një shembull konkret mund të përmendim këtu agjenturat e Bllokut Lindor (KGB-ja – Sovjetike) dhe Stasi (policia sekrete e Gjermanisë Lindore, e njohur për spiunim masiv të qytetarëve); agjenturat perëndimore ku kryesonin SHBA-ja dhe Britania e Madhe; si dhe agjenturat fqinje UDB-ja Jugosllave dhe Asfalia Greke.

Sigurisht që ne do të ndalemi tek analizimi i disa prej veprave tematika e të cilave sillet rreth agjenturave dhe agjentëve.

“Në Shqipërinë socialiste romanet dhe novelat me agjenturë paraqiteshin si pjesë e letërsisë së realizmit socialist që kishte si protagonist figurën e hetuesit dhe punonjësit të Sigurimit (zbulues e kundërzbulues), sikurse romane të tjerë kishin në qendër figurën e partizanit, punëtorit, kooperativistit, ushtarit, gruas së emancipuar, studentit, pionierit etj. Autorë të veprave letrare me agjenturë ishin shkrimtarë të mirënjohur të realizmit socialist, si Fatmir Gjata, dhe shkrimtarë më pak të njohur që punonin në Ministrinë e Punëve të Brendshme (MPB), si Nuçi Tira, Mark Dodani e Neshat Tozaj. Këta të fundit sillnin në letërsi njohuritë e tyre profesionale për zbulimin e gjurmimin e agjentëve dhe diversantëve. Aparati i MPB-së shprehte interes dhe mbështeste këtë lloj letërsie e i bënte jehonë përmes botimeve të veta, siç ishte revista Në shërbim të popullit. Shkrimtarëve të nomenklaturës së MPB-së apo ata jashtë saj që porositeshin të shkruanin vepra me agjenturë, u lejohej qasje në dosjet sekrete të Sigurimit. Letërsia me agjenturë gjente përkrahje më të gjerë nga shteti dhe partia. Shumë prej romaneve apo tregimeve të kësaj gjinie janë kthyer në skenarë të filmave të realizuara nga Kinostudioja “Shqipëria e Re” dhe Televizioni Shqiptar.”[1]

Pra, nga sa vërehet, kjo lloj letërsie zinte vend gjerësisht në letërsinë shqipe. Natyrisht që kishte qëllim të ndërgjegjësonte masat për armikun që ishte kurdoherë i pranishëm e i gatshëm të godiste. Por edhe të ngrinte lart rolin e rëndësishëm të Sigurimit të Shtetit.

Më poshtë kemi listuar disa romane për kemi marrë për të analizuar:

a) Agjenti 333 – Dhimitër Karaguni, 1970

b) E fshehta e paqetës Porti – Stavri Madhi, 1977

c) Kurthi i gjelbër – Hasan M. Petrela, 1976

d) Këneta – Fatmir Gjata, 1977

e) Pas ngjarjes në rrugë – Fatmir Mborja, 1981

Për lehtësi, kemi bërë një renditje të tillë, në mënyrë që analiza e veprave të jetë më e qartë dhe e plotë. Ndarja vijon si më poshtë:

1. Qëllimi i rrëzimit të pushtetit

2. Mjetet dhe mënyra e organizimit (parrullat, pseudonimet)

3. Femra si agjente/spiune (prania e një gruaje në këto situata)

4. Sigurimi i shtetit

1. Qëllimi i rrëzimit të pushtetit

Arsyet e rrëzimit të pushtetit komunist thuajse në të gjitha romanet e marra në shqyrtim janë të njëjta. Kemi të bëjmë me njerëz që pushteti i ka marrë gjithçka, i ka cilësuar si armiq. Në romanin “E fshehta e paqetës Porti” Liza për ta nxitur e për ta bërë Danielin të marrë pjesë në grup e të mos ketë frikë i thotë qëllimin përse ata duhet ta luftojnë pushtetin:

“Kam për të të folur ty për një çështje me rëndësi që ka të bëjë me jetën tonë. Për urrejtjen që kemi ne të dy kundër pushtetit. Ky pushtet na katandisi mos më keq. Mua më prishi të ardhmen, ty të rropi deri në palcë, të la me gisht në gojë, të mori dyqane e shtëpi dhe nga zotni të ktheu në një njeri që t’u lëpish këmbët shefave të tu. Dhe nga kush të erdhën gjithë këto të këqija? Nga pushteti.”[2]

Po këtë ide ka dhe personazhi i Bilal M në romanin “Kurthi i gjelbër”. Ai ishte pinjoll i një familjeje të pasur por mbeti pa asgjë. U burgos nga nazistët dhe për të shpëtuar kokën u bë spiun e agjent i tyre. Ai ka një urrejtje të madhe për komunistët e sojin e tyre, ashtu siç ka dhe një vizion për Shqipërinë.

“Në këto punë mua më kanë futur bindjet e mia politike. E urrej me gjithë shpirt këtë pushtet. Dikur, gjatë luftës së dytë botërore, për shkak të pjesëmarrjes sime në Lëvizjen NacionalÇlirimtare, më internuan në kampet e përqëndrimit në Gjermani. Pas luftës u ktheva në Shqipëri. Babanë e gjeta të vdekur. Mora vesh se fill pas çlirimit, njerëzit e këtij pushteti s’ma kishin trajtuar mirë. Pra, një në dorë. E dyta: edhe me mua u sollën jo korrektë. S’më përfillën fare. Me pozita në qytet ishin bërë ca njerëz mistrecë që s’dinin sa bëjnë dy dhe dy. E treta: kursi që ndoqi qeveria s’ma mbushte mendjen. Përse të mos vendoseshin marrëdhënie diplomatike dhe një bashkëpunim i ngushtë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Anglisë, për shembull? S’mbetej udhë tjetër veçse përmbysja me forcë e këtij shteti totalitar.

Do ta shkatërrojmë nga themeli këtë sistem, do ta bëjmë Shqipërinë një vend krejt modern, do t’u vëmë flakën kooperativave bujqësore, tokat do tua japim atyre që i kishin dikur dhe që sot janë kthyer në skllevër të komunistëve. Kështu e përfytyroj unë Shqipërinë  në një të ardhme jo shumë të largët, liri, qejfe, kabare, vetura dynjaja, tregti e lirë, ndërtime të reja, grataçela si Nju Jorku, vajza amerikane, teknikë, inxhinierë, mjekë, profesorë dhe shkencëtarë amerikanë nëpër shkollat  universitetet e Shqipërisë.”[3]

Rrëzimi i pushtetit tentohej nga njerëz të pakënaqur, tregtarë të rënë nga vakti, njerëz të diplomuar jashtë vendit. Në romanin “Pas ngjarjes në rrugë” këtë qëllim e kanë doktori dhe disa njerëz që vijnë nga histori jete të ndryshme. Doktor Spiro Simoni vinte nga familje tregtare e pasur, i ati i tij kishte miqësi me italianët dhe gjermanët. Spiroja edhe pse në dukje mbajti qëndrim të asnjanshëm në lidhje me luftën, edhe pse kur i jepej mundësia të mjekonte ndonjë partizan të plagosur nuk hezitonte, ai punonte nën rrogoz. Arsyeja kuptohet lehtë: “Në vitin 1945 i ati u tatua me 1 milion franga për fitimet e jashtëzakonshme të luftës.”

Edhe kur ishte student jashtë shtetit, Spiroja ishte mësuar të bënte jetë luksi pasi babai i dërgonte shuma të mëdha parash. Sipas dëshmive të dikujt që kishte studiuar bashkë me të, kur të atit nisën ti shkonin keq punët e tregtisë, vetëkuptohet se Spiroja e kishte shumë të vështirë të ambientohej me një jetë tjetër nga ajo që qe mësuar të bënte. Ai ishte mësuar të bënte qejf e të mos numëronte ato që prishte.

Edhe në romanin “Këneta” grupi sabotator synon rrëzimin e komunistëve, duke ngjallur pakënaqësi tek populli, duke mbjellë pesimizëm, ata synonin që regjimi të binte pasi siç shprehet dhe inxhiner Kujtimi: Ne po bëjmë një jetë qensh. Na rroftë shkolla e dituria. Ja ti, cilin ke drejtor në ministri? Një bari mali, një analfabet me tërë kuptimin e fjalës, që sdi të hedhë firmën. Ky pushtet s’është për ne intelektualët.

Arsyet janë të thjeshta, këta individë nuk e duan sistemin e ri. Të gjendur pa pasuri, të parë shtrembër nga masa, të detyruar të punojnë në punë që nuk kanë asnjë lidhje me shkollimin e tyre, ata shohin të vetmen zgjidhje rrëzimin e pushtetit.

Agjenturat e huaja i zgjidhnin me kujdes personat që rekutonin për të minuar regjimin komunist. Tiparet karakteristike duhet të ishin të qarta; urrejtje ndaj komunizmit, maturi, dinakëri, gatishmëri për të bërë gjithçka që u kërkohej. Ata i stërvisnin para se ti hidhnin në mision. “Bilali dha informata të ndryshme dhe shpejt ai u bë një agjent me vlerë në duart e gestapos. Pas gjashtë muajsh e shpunë në një shkollë për ta stërvitur si diversant në radhët e lëvizjes klandestine dhe partizane. I mësuan përdorim thike, mundje sambo,gjuajtje me preçizion me pistoletë dhe automatik, hedhje granate dhe çdo gjë tjetër që i duhej një agjenti të kualifikuar.” 

Personazhet e sabotatorëve, diversantëve, agjentëve përshkruhen si të pacipë, të pamoral. Ata radhiten në vazhdën e personazheve negative e që urrehen nga masa.

2. Mjetet dhe mënyrat e organizimit (parrullat, pseudonimet)

Të depërtoje në Shqipërinë komuniste ishte e vështirë por jo e pamundur. Fakti që ka patur një sërë tentativash, një pjesë e të cilave janë përdorur si subjekte për letërsinë e atyre viteve apo dhe në kinematografi, dëshmon se sistemi ka patur të çara e boshllëqe. Natyrisht, që të organizoje një komplot, të sabotoje një projekt apo të nxirrje informacione të rëndësishme nga vendi ishte një mision që kërkonte shumë guxim, maturi dhe një organizim tejet të saktë. Metodat e mënyrat e përdorura ndryshojnë nga një roman tek tjetri. Agjentët kishin kodet e tyre, pseudonimet, parrulla, gjeste e sjellje në mënyrë të njiheshin, të vepronin, të bashkëpunonin. Po sjellim ato më të veçantat e më të sofistikuarat.

Në “E fshehta e paqetës Porti” ka një dredhi të këndshme. Liza shkon në aeroport të përcjellë “kushëririn” Hofman dhe i jep gjoja për fëmijët një kuti me bonbone. Në dukje nuk ka asgjë të çuditshme. Por gruaja i ka marrë masat që më parë që për sytë e njerëzve ajo kuti ka vetëm bonbone kur në fakt : “Liza mori një punim artistik dhe një kuti me bonbone; e çeli me kujdes, hoqi një bonbone dhe në vend të saj vendosi filmin që i dorëzoi Pjetri.”

Një nga metodat më të përdorura e që në romanin “Pas ngjarjes në rrugë” është tejet i pranishëm është metoda kur një nga agjentët, zakonisht tip i shkathët, i hapur, fjalëshumë, zë miq e shokë, u rrëfen të rinjve për aventurat e tij me femra, udhëtimet jashtë vendit, i fton ata për të pirë. Pra, në dukje biseda normale por në të vërtetë metodë e përzgjedhur për të bërë për vete rininë, për të nxitur reagime e pakënaqësi, duke synuar kështu një rebelim të rinisë që mund të përmbyste sistemin. Një tjetër metodë ishte ajo e autosugjestionimit. Autosugjestionimi është një proces psikologjik përmes të cilit një person ndikon në mendimet, ndjenjat, sjelljet duke përsëritur vazhdimisht ide ose bindje të caktuara.

“Ai ishte bindur plotësisht se njeriu me të cilin kishte folur nuk mund të qe dikush tjetër veç atij. Ja përse rojës i ishte dukur sikur e kishte njohur dhe kishte dëgjuar zërin e Astritit. Ndërsa në fakt ai vetëm i kishte përfytyruar këto i shtyrë nga një bindje e gabuar. Ky qe një rast i thjeshtë autosugjestioni, ku disa rrethana të dorës së dytë, duke shmangur arsyen, e kishin bërë atë ti shihte gjërat në mënyrë të përciptë, pa u thelluar, dhe të nxirrte një përfundim që nuk i përgjigjej realitetit.”[4]

Tek romani i Dhimitër Karagunit “Agjenti 333” direktivat janë të prera.

“Dërguesi duhet të dërgojë tri mostra kadifeje: të kuqe, të verdhë, të gjelbër. Në çdo mostër, duke filluar nga e para, shkruani 2 m. 4 m. 6 m dhe inicialet e emrit tim”[5].

Në romanin “Këneta” një metodë e përdorur është ajo e zënkave. Dy inxhinierët hiqen sikur nuk e durojnë njëri – tjetrin para të tjerëve, e fshehurazi veprojnë së bashku.

2. a) Parrullat

Janë fjalë ose fjali që janë caktuar paraprakisht nga dy ose më shumë persona, për të komunikuar e për të njohur sho- shoqin në raste rreziku. Në romanet që kemi marrë në shqyrtim parrullat zënë një vend të rëndësishëm. Agjentët ia dalin të takohen mes tyre duke thënë parrullën e kundërparrullën.

Njeriu i ngarkuar do t’ju gjejë. Parrulla është: Kryqi dhe shpata. Kundërparrulla: Punoj për mbretin. / Lulet mbinë, por u thanë! Trëndafili me gjemba të mëdhenj duhet të shkulet. Dallëndyshet u larguan se dikush u prishi folenë. (Agjenti 333)

Pantera e zezë nuk duhet ta harrojë strofkën.  (Agjenti 333)

A ka pasur det?/ Deti ka qenë i egër. (E fshehat e paqetës Porti)

Briri i zi i kaut të kuq erdhi në Tiranë. / Unë nuk mora bririn e zi por të bardhin.

Djalli nuk është aq i frikshëm, sa çe paraqesin. / Djalli është djall, po ne nuk i trembemi atij. (Kurthi i gjelbër)

Ditë e nxehtë sot, doktor. /Ashtu, vërtet. Sot ka qenë me të vërtetë një ditë e nxehtë. Fjalët e tij tingëlluan në një mënyrë të çuditshme. Dukej sikur fjalia përbëhej nga tri fjalë: sot, vërtet, nxehtë. (Pas ngjarjes në rrugë)

2. b) Pseudonimet

Është e kuptueshme që në situata sabotimi, spiunazhi, personat e implikuar të mos përdorin emrat e tyre të vërtetë por pseudonime. Në romanin “E fshehta e paqetës Porti” pseudonimet e përdorura janë: Ujku, Çakalli, Dhelpra, Korbi, Gjarpri.

Tek “Kurthi i gjelbër” gjejmë pseudonimet Marsi, Shkaba, Pinkertoni, Filatelisti, Thana.

2. c) Mjetet

Përsa i përket mjeteve të përdorura ato janë gjithfarësoj. Shami, stema, paketa cigaresh (paketa Porti, paketa Diamant, paketa Ardian), letra, regjistrues, aparat fotografik i vogël, solucion për zbadhjen e letrave ku shkruheshin mesazhet, etj.

“La aty mbi tavolinë letrën që i solli Dhimitri, hapi sirtarin e një komedine, gjeti një kuti prej kartoni dhe nxori një shishe të vockël si ato të penicilinave. Hapi me kujdes letrën që i vinte nga vendi i huaj, dhe, pasi derdhi pak solucion nga shishja e vogël, dalëngadalë zunë të dilnin shkronja të tjera, ngjyra – ngjyra.”[6]

Një tjetër metodë e përdorur për të hapur një letër është ajo e hekurit. Ja si e përshkruan autori tek “Kurthi i gjelbër”: “Dikur kishte mësuar se si mund të hapej një letër pa lënë dyshime. Vuri hekurin në prizë dhe priti derisa u nxeh mesatarisht. E pastroi në batanije dhe e vendosi lehtë në vendin e ngjitjes. Zarfi u çel pa asnjë vështirësi.”[7]

Metodat e përdorura, u mësoheshin agjentëve që kur i rekrutonin. Ata përgatiteshin seriozisht për misionin që kishin marrë përsipër të kryenin.

3. Femra si agjente

Një rol të veçantë në romanet me spiunazh luan dhe figura e gruas agjente. E përbashkëta e personazheve gra të romaneve të marra në shqyrtim është se ato janë kryesisht me origjinë të huaj, ose gjysmë të huaja ose shqiptare që nuk e pëlqejnë e nuk e duan vendin por janë të dashuruara me perëndimin dhe Amerikën. Zyraka tek “Këneta” një jugosllave nga Zagrebi e martuar me një inxhinier shqiptar; Elizabeta tek “E fshehat e paqetës Porti” me baba shqiptar e nënë austriake; Liljana te “Pas ngjarjes në rrugë”, shqiptare; Madam Baterflaj ose Lukrecia te “Agjenti 333”, italiane e natyralizuar greke; Meri te “Kurthi i gjelbër”.

Të gjitha këto personazhe – gra përshkruhen si të pamoralshme, mendjelehta, të bukura, dinake, të përdala. Ato janë të gatshme të bëjnë gjithçka që u kërkohet nga eprorët. Kryesisht luajnë kartën e joshjes, për të marrë informacionet që duan, për të ndjekur ecurinë e planit të grupit ku bëjnë pjesë. U vishet atyre futja në kurth e burrave, zhvatja e informatave. Gratë agjente janë gra pa familje, pa fëmijë, të gatshme në çdo orë të ditës.

Zyraka tenton të fusë në shtrat Stavri Larën; Liljana ka mbërthyer Astritin e pas dashurisë i merr informacione atij mbi xhaxhanë që ka oficer madhor; Meri futi në kurth gjeologun; personazhet gra përdoren nga autorët për të përforcuar subjektin. Duke i dhënë atyre një rol lozonjar, rolin e një kokete që “bie në dashuri”, që josh e afron burra që nuk janë aq të fortë, që lëkunden shpejt dhe që kanë devijuar disi nga vija e parimet e partisë. Ata janë të lehtë për t’u peshkuar.

Jo rrallë herë, shkrimtarët e realizmit socialist vënë përballë gratë agjente/armike të pushtetit kundrejt grave shqiptare, punëtore, të mira, të zgjuara, të ndershme. Një përballje që ka si qëllim të godasë gratë agjente e spiune që bashkëpunojnë me armiqtë kundër vendit, kundër popullit. Një mënyrë kjo për të drejtuar lexuesit drejt heronjve pozitivë.

4. Sigurimi i shtetit

Sigurimi i shtetit në romanet me agjentura të realizmit socialist del tejet i përgatitur. Gjithë sy e veshë, me popullin në krah, sigurimi ia del kurdoherë të zbulojë e demaskojë agjentët e huaj e vendas. Ai ishte i informuar për çdo gjë. Populli ishte bashkëpunëtori kryesor i sigurimit. Një dyshim sado i vogël, një situatë e parë, një frazë e dëgjuar, e çonte popullin drejt e në zyrat e Sigurimit të shtetit.

“Ti kujton se ne nuk dimë asgjë dhe na e ke hedhur. Ashtu mendo deri në fund. Porsi nuk të shkoi ndërmend o faqezi, se ne kemi burim informacioni popullin. E, sikur ta dije ti sesi na vjen populli neve. Ty të ka rrethuar një rrjet i padukshëm që të përgjon natë e ditë. Njerëzit e popullit të përgjojnë ty dhe armiqtë si ti, edhe kur i porositim ne, por edhe kur nuk i porositim.”[8]

Shkrimtarët i veshin njerëzve të Sigurimit një aureolë besimi, force, mprehtësie. Ata burra janë kurdoherë syçelur, të gatshëm të shkojnë deri në fund të çështjeve, të gatshëm ti mbërthejnë armiqtë, ti demaskojnë e dënojnë. Një rol të rëndësishëm luan edhe përvoja e mëparshme. Në romane flitet për hetues të rinj që dëgjojnë me kujdes e vëmendje hetuesit më të vjetër, për të mësuar nga përvoja e tyre. “Ai dëgjonte me kujdes mësuesit, të cilët, përveç dijeve teorike, kishin edhe një përvojë shumë të madhe në luftën kundër elementëve armiq e keqbërës.” (Kurthi i gjelbër)

Punonjësit e Sigurimit janë prototipat e njerëzve të rregullt, të fortë e të guximshëm. Ata janë heronjtë pozitivë që sakrifikojnë gjithçka; veten, kohën, familjen vetëm për hir të atdheut. Gjejmë shpesh herë situata kur në një drekë familjare, në një festë, oficerin e Sigurimit e thërrasin dhe edhe pse ai është në ditën e tij të pushimit lë festën, gruan, fëmijët, dhe del në detyrë.

Kompozimi i romaneve me karakter agjenturesk është i atillë që vë përballë dy pole të kundërta: heronjtë pozitivë dhe armiqtë e vendit. Në mes të galerisë së personazheve pozitivë e negativë lexuesi e ka më të natyrshme të ndjekë personazhin e mirë, të drejtin, heroin pozitiv me të cilin identifikohet. Këto vepra i qëndruan kohës kur u shkruan, e diçka më pas, por tashmë janë lënë në harresë. Për të kuptuar një anë të realizmit socialist duhet studiuar seriozisht jo vetëm kjo lloj letërsie por edhe vepra të tjera të asaj kohe. Është një mori personazhesh, situatash, ngjarjesh të vërteta e të trilluara që kanë pafund material studimor për kohën, njerëzit, reformat, mënyrën e jetesës, sistemin e vendosur e që presin për t’u marrë në shqyrtim e analizë.


[1]  Armiku në romanet me agjenturë të realizmit socialist, Enis Sulstarova.

[2]  “E fshehta e paqetës Porti”, Stavri Madhi, Shtëpia botuese “Naim Frashëri”, Tiranë, 1977, fq. 64- 65.

[3]  “Kurthi i gjelbër”, Hasan M.Petrela, Shtëpia botuese “Naim Frashëri”, Tiranë, 1976, fq. 50 – 51.

[4]  “Pas ngjarjes në rrugë”, Fatmir Mborja, Shtëpia botuese “Naim Frashëri”, Tiranë, 1981, fq. 129.

[5]  “Agjenti 333”, Dhimitër Karaguni, Shtëpia botuese “Naim Frashëri”, 1970, fq. 45.

[6]  “Kurthi i gjelbër”, Hasan M. Petrela, Shtëpia botuese “Naim Frashëri”, Tiranë, 1976, fq. 14 – 15.

[7]  Po aty, fq. 107.

[8]  “E fshehta e paqetës Porti”, Stavri Madhi, Shtëpia botuese “Naim Frashëri”, Tiranë, 1977, fq. 189.

Exit mobile version