Një pemë që nuk jep frute pritet me sharrë a sëpatë, çfarë t’i qëllojë në dorë njeriut, asgjësohet si mos të kishte qenë kurrënjëherë në këtë botë. Një kafshë e paleverdishme për njeriun theret, shitet apo humbet pa gjurmë nga i zoti i saj si një gjë e panevojshme për të gjalluar më tutje. Një rrobë që fillon të griset ose na nuk na bie tamam, sepse kemi shtuar a hequr peshë, e hedhim në kosh mbeturinash ose në rastin më të mirë ia falim ndonjë nevojtari që nuk e ka hallin tonë. Megjithatë, sido që të jetë, ne e shmangim prej vetes pa ndonjë ndjeshmëri për gjënë, sepse ajo nuk na duhet më.
Eh, sa e sa gjëra i kemi flakur nga vetja, i kemi zhdukur nga jeta jonë pa menduar dy herë, pa e vrarë mendjen se dikur na janë dashur aq shumë, sa nuk kemi mundur të mendojmë ditën pa to. I kemi braktisur papërfillshëm, i kemi hedhur në koshin e harresës dhe më nuk kemi pyetur më për to.
***
Edhe unë kam hedhur tutje shumë gjëra që nuk më janë dashur dhe kam braktisur një jetë të begatshme që kam pasur. Kisha një ndërmarrje që shpërndante dhe shiste gjëra ushqimore në shitore të mëdha e të vogla. Fitoja mirë sa për të gjalluar rehatshëm mes të mirave dhe begative. Por, ishte pikërisht kjo rehati që më bezdiste, më mundonte ditë e natë. Nuk e doja një natyrshmëri të gjërave, një ditë të rëndomtë e të zakonshme njeriu. Nuk doja të isha si të gjithë të tjerët, një njeri normal që zgjohet herët, punon, fiton, ha, pi, shkon në mbrëmje në shtëpi, fle me gruan e tij, ose nuk shkon fare në shtëpi, por del e kënaqët dhe shkon në fund me të dashurën në ndonjë fjetore në periferi të qytetit. Pikërisht kjo rrjedhë e të bërit të gjërave njëjtë sikur të tjerët më torturonte aq shumë, sa që fillova ta urrej kohën dhe ditët që i harxhoja në një njëmendësi dhe njëjtësi të tillë. Doja të isha ndryshe, të bëja diçka të pangjashme që më dallonte prej të tjerëve. E vrava mendjen me ditë e net të tëra se ç’duhej të bëja.
Ta shes apo ta fal ndërmarrjen?! Kjo ishte mëdyshja që kisha në fillim. Nëse do ta shisja do të kisha në dorë një shumë të parave që druhesha se mund të më mbanin të lidhur për disa gjëra që nuk dëshiroja më t’i bëja. Fjala vjen, paratë nuk mund të rrinë në një vend, ato lëvizin vetvetiu dhe si rrjedhojë do të mund të më nxiteshin edhe mua të lëvizja. Unë thjesht doja të rrija, të mos bëja gjë, të dilja e të mos dija ku të shkoja, të ecja ashtu kot së koti, duke mos pasur ndonjë cak. Nëse ke para është vështirë të jetosh kështu, sepse ato nuk të lënë, ta ndërpresin rrugëtimin e përgjumshëm drejt pacakësisë. Paratë të ofrojnë me njerëz, të afërt e të largët, një gjë që tashmë, siç iu thash, s’di sa herë, nuk e dëshiroja. Doja të isha një braktisës i përsosur, jo me hove-hove. Për të qenë i tillë, paratë gjithsesi se më pengonin dhe më shmangnin nga vullneti për të qenë i lirë prej të tjerëve. Paratë në dorë zakonisht shpenzohen me të afërm, miq e dashamirë, siç bëjnë shumica e njerëzve. Andaj, kjo ishte një arsye shumë e qëndrueshme pse unë doja të hiqja dorë nga paratë, meqë rrezikoja që me hir o me pahir të bëhem pjesë e shumicës që bëjnë ecejake të ujdisura jetësore, veprime sipas një standardi të përcaktuar në bazë të një njëmendësie të mbështetur nga të gjithë. Unë mëtoja të bëhem një njeri i ndryshëm, andaj si pikë fillestare e kësaj përpjekjeje të nisur ishte braktisja e begative.
Megjithatë, nuk doja edhe ta falja ndërmarrjen time jo edhe aq të vogël. Druhesha se falja që mund ta bëja mund të ma jepte një imazh të dashur, të ndershëm sipas pikëvështrimit të të tjerëve. Po t’ia falja vëllezërve, do të më lavdëronin se si kujdesem për njerëzit e mi të gjakut, se si isha shëmbëlltyrë e njeriut të mbushur me virtyte që nuk e harron trungun e tij e gjëra të tilla që mua nuk më hynin në punë. Po t’ia falja gruas, do të thoshin se sa i mirësjellshëm dhe sa respektues isha. Do të thurnin fjalë të mira për mua dhe do të më merrnin si shembull përkushtimi e devotshmërie në raport me gruan. Nuk më pëlqente një portret i tillë që mund të ma vishnin, meqë unë nuk doja të mbahesha mend si njeri i mirë. Të thënë të drejtën, nuk doja të mbahesha mend fare.
Në një ditë të mirë pranvere, vendosa që t’i shlyeja të gjitha detyrimet që kisha, jo për t’u dukur i mirë, ju thash s’di sa herë, por për të mos më kërkuar më njerëzit për shlyerje borxhesh e pagesash për punë të kryera. Nuk doja të mbaja më kontakte me njerëzit të botës së ndërmarrësisë. I thash njërit prej djemve të zellshëm që për dy muaj nuk do të paraqitesha në punë, meqë kisha nevojë për një pushim të gjatë. E gënjeva, natyrisht, sepse nuk do të kthehesha më. Ai mbeti gojëhapur, më shikonte me habi, nuk mund t’iu besonte veshëve, meqë më parë nuk mungoja në punë verë e dimër dhe nuk ndodhte të bëja pushim më shumë se tri ditë. Ai u zotua se do të bënte më të mirën për ndërmarrjen dhe unë bëja sikur po ia miratoja premtimet e tij.
***
Kam braktisur miqtë, sepse e meritonin një gjë të tillë. Më ishin bërë të afërt, sa që nuk më linin t’i shijoja i vetëm rrezet e diellit. Gjithnjë ishin afër meje. Më ishin bërë si tatuazhe që duhej t’i mbaja orë e çast me vete. Herë të ftuar e herë të paftuar, më vinin e më ngjiteshin pas, madje edhe atëherë kur nuk duhej. Nuk mund të rrinin pa mua. M’i kishin mësuar të gjitha oraret e mia, e dinin kur dilja nga shtëpia, ku e kur ulesha, sa do të rrija e pse do të rrija, madje edhe më kë shkruaja në celularin tim. Ishin bërë bashkëpjesëmarrës të çdoçastshëm në një zakonshmëri time ditore. Isha i bindur se me këtë ngarendje të tyre për të qenë të afërm me mua, ata nuk më ofronin gjë, pos një shtrëngim ngulfatës që më dukej se më mbyste çdo ditë nga pak. Të tillët doemos se e meritonin braktisjen time.
Në një ditë të bukur pranvere, nuk e mbaj mend saktësisht as ditën e as datën, e hodha një shënim denoncues për ta në profilin tim në rrjetin e fytyrbotshëm dhe ua përmenda një nga një marrëzitë e tyre dhe gjërat e liga e të padrejta që i kishin bërë me vite të tëra. Nuk e bëra për t’u dukur i drejtë e i ndershëm, as mos t’iu shkojë mendja për një gjë të tillë. E bëra vetëm e vetëm që të hidhërohen me mua dhe të më linin të qetë në rrugëtimin tim drejt të qenit braktisës i përsosur. Sa herë mendoja që ndoshta nuk mund të jenë zemëruar me mua aq sa duhet dhe ndonjërit prej tyre edhe mund t’i shkonte mendja të më falte, e hidhja edhe një shënim tjetër në rrjet me denoncime e fyerje që synonin zenitin e baltosjes, duke ua rënduar dozën çdo ditë e më shumë.
Më thërrisnin, më shkruan mesazhe, më luteshin e më përgjëroheshin që t’i hiqja shënimet, por as që doja të dëgjoja për vajet e tyre. Më thoshin se isha bërë i urryer dhe i padëshiruar për të gjithë ata që më njihnin dhe më kishin respektuar më parë, gjoja se baltosja e miqve më shumë e rëndonin baltosësin se të baltosurit. Më thoshin se do të të shpërfillin të gjithë, askush nuk do të dëshiroj të rri më me ty pas gjërave që i ke shënuar. Nuk e dinin të gjorët se unë pikërisht këtë gjë dëshiroja. Po pra, dëshiroja t’i shpërfill të gjithë dhe të shpërfillëm nga të gjithë ata që më kishin njohur më parë. Doja që jeta ime të marrë një rrjedhë të re dhe çdo ndërlidhje me shkuarën time më bezdiste tejmase. Miqtë e dikurshëm, mes tjerash, më thoshin se mjaftonte vetëm t’i heq nga rrjeti shënimet, madje as kërkimfalje nuk kërkonin sikurse në ditët e para. Kjo më kënaqte shumë, për shkak se isha i bindur se ata kishin filluar të vuanin. Mendoja se pak vuajtje iu bën mirë, për shkak se nuk është e thënë që njeriu të jetë vazhdimisht i kënaqur dhe të mos vuaj fare, qoftë edhe pa ndonjë shkak të madh. Të thënë të drejtën, edhe iu kam bërë nder me atë varg të denoncimeve publike. Besoj që nuk e kanë merituar një nderim të tillë, por meqë u larguan përfundimisht nga unë, le ta gëzojnë, le ta mbajnë në sirtarët e tyre, as që më bëhet vonë. Fundja, ata mund të jenë të lirë edhe të lavdërohen me vuajtjet që ua kam shkaktuar.
***
Kam lënë në rrugë gruan time pa e vrarë mendjen dy herë, duke mos i dëgjuar asnjëherë lutjet e saj që më ngjanin në fjalë koti që nuk meritonin vëmendjen time. Më përgjërohej që t’i kthehesha dhe të krijojmë familje, të bëjmë fëmijë, gjëra që nuk më duheshin. Nuk doja t’i lija botës pasardhës, duke besuar gjithnjë se bota nuk e meriton një nderim të tillë nga unë. Nuk doja të lija pasardhës në një botë ku duhet të mendosh para se të veprosh. Do ta dëshiroja për ta një botë ku mund të veprosh pa menduar shumë ose në rastin më ideal pa menduar fare. E them në rastin ideal, për shkak se për disa gjëra edhe duhet të mendohet, jo edhe aq shumë, por megjithatë duhet të mendohet.
Gruaja çdo ditë e më shumë nervozohej për shkak të bredhjeve të mia pa ndonjë qëllim, për shkak të gjallimit tim në një paqëllimësi jetësore. Më bërtiste, më fyente, herë-herë edhe më mallkonte dhe një ditë të bukur vere iku pa i thënë që të ikte. Dorën në zemër, mirë bëri, sepse do t’i vazhdonte betejat e saj dhe mosdurimin e pafundmë me mosvramendjen time që rritej nga dita në ditë.
***
Kam braktisur të gjithë njerëzit e mi, nënën, babanë, vëllezërit, motrat, mos të flasim për kushërinj, dajallarë e xhaxhallarë, për të cilët asnjëherë nuk kam pasur ndonjë konsideratë. Nuk ua hapja telefonat në thirrjet e tyre të panumërta, nuk ua ktheja mesazhet e përçdoditshme që m’i dërgonin. Nuk e vrisja fare mendjen se si e plaknin ditën, ç’bënin, ç’hanin, ç’pinin, a iu mungoja apo ajo, a mërziteshin për mua apo jo. As që më bëhej vonë se ç’mendonin për mua. Për shkak të thirrjeve dhe mesazheve të shpeshta, fillova ta mbaja pa bateri celularin gjatë ditës. E mbushja vetëm në orët e vona të mbrëmjes, vetëm sa për ta parë botën një copë herë, jo më shumë se pesë minuta, dhe atë me sy përçmues. Aty i lexoja mesazhet që më vinin gjatë ditës dhe gëzohesha me faktin që ende, edhe pas një viti, të tjerët e vuanin mungesën time. Doja t’iu shkruaja që të mos e mundonin më veten për të më bërë njeri si të tjerët, për të më kthyer në veprimet që ata i cilësonin si të natyrshme, normale, meqë nuk do të kishin më sukses.
***
Pas gati një viti e gjysmë të përpjekjeve të mia për t’u shmangur nga çdokush e çdo gjë që trajtohej si virtyt publik, konstatova se tashmë jam bërë një braktisës i përsosur. I duartrokita vetes për këtë arritje. Po të kisha mundësi do t’ia jepja vetes një përqafim triumfal, një ngrykmarrje hareplotë për një ecejake të mëvetësishme, fundi i së cilës mendoja se doli shumë i mirë.
Festa m’u ndërpre në gjysmë sapo e ndeza telefonin dhe pash një mesazh të ardhur nga vëllai im, i cili më lajmëronte se nëna ishte diagonistifikuar me kancer. Filloi të më dhimbsej nëna, sepse ka hequr shumë për të më rritur. Me këtë dhimbje që ndjeja për të, filloi të më shembej edhe bota e re që e kisha krijuar për vete për më shumë se një vit e gjysmë. Nuk e prisja që do të ishte pikërisht nëna që do të ma prishte të gjithë ngrehinën që e kisha ndërtuar suksesshëm ditë pas dite, muaj pas muaji. Ishte e vetmja që nuk më kishte shkruar e as nuk më kishte thirrur ndonjëherë, duke më lënë të qetë në rrugëtimin tim të ri. Ishte e vetmja që asnjëherë nuk kishte kërkuar diçka nga unë. Dhimbja për të vetëm sa rritej, meqë ishte një sëmundje që vështirë se mund t’ia dilte në atë moshë. Sa do të isha i lumtur të mos kisha fare nënë, për shkak se ajo nuk më la të jem braktisës i përsosur. Më rrëzoi në tokë nga një përpjekje që mendoja se e kishte arritur kulmin.
E thirra vëllain në telefon, ai filloi të qante nga gëzimi se më në fund u bëra i gjallë për të. Më tregoi se është sëmundje e rëndë dhe nënës i duhet një operim që kushtonte shumë para dhe ai nuk e kishte asnjë mundësi t’i siguronte ato. Pa u menduar dy herë, shkova në këmbë në shtëpi. Hyra i lodhur dhe i uritur dhe pash nënën duke e përgatitur vetes një racion të lehtë ushqimi me kos e bukë misri në një pjatë të vogël, ashtu siç e kishte porositur mjeku. Kur më pa ashtu, më luti që ta haja ushqimin që kishte përgatitur për vete. Më luste me ngulmim, duke më thënë disa herë se për vete do ta përgatiste një tjetër, meqë ka mjaftueshëm kos, bukë misri dhe pjata të pastra. I uritur sa më s’ka, fillova ta haja ushqimin që e kishte përgatitur ajo për vete dhe filluan të më pikojnë lotët, meqë m’u kujtuan vitet e fëmijërisë kur ajo qante se nuk kishte ushqim mjaftueshëm të shijshëm për të në dhënë. Në këtë çast hoqa dorë përfundimisht nga dëshira për të qenë braktisës i përsosur.
