Kreu Letërsi Botime të reja 70 vjet të revistës “Jeta e re”

70 vjet të revistës “Jeta e re”

nga Demë TOPALLI

Kur flitet për revistën letrare Jeta e re, assesi nuk mund të shmanget konteksti historik në të cilin ajo lindi. Siç dihet, fati e deshi që letërsia dhe kultura e shqiptarëve gjatë gjithë zhvillimit të tyre të bartin shenja të rrethanave e të përthyerjeve historike, sociale dhe ideologjike. Edhe kjo revistë  lindi dhe e nisi rrugëtimin e saj në rrethana të rënda sociale, kulturore dhe arsimore të shqiptarëve. Ata posa kishin dalë nga një shtypje e rëndë për pesëdhjetë vjet me radhë nga Serbia dhe monarkia jugosllave, si dhe vrasjeve në masë të tyre nga pushteti serbo-malazez fill pas përfundimit të luftës kundër fashizmit. Madje, me një numër shumë të vogël shkollash e njerëzish të arsimuar dhe të shkëputur nga tradita. Me këtë revistë, siç dihet, identifikohet Esad  Mekuli,  ashtu siç identifikohet edhe  zhvillimi dhe ngritja e letërsisë dhe e kulturës së shqiptarëve të kësaj hapësire në një periudhë të caktuar kohore. Ai ishte nismëtar për themelimin e kësaj reviste dhe, njëherësh, edhe u vu në krye të saj që në numrin e dytë ( Zekeria Rexha ishte drejtor i numrit të parë ) dhe e drejtoi atë për 23 vjet me radhë. Mirëpo, t’i hyje një projekti të tillë në rrethanat që u përmendën, njëmend ishte një veprim madhor kulturor. Me këtë revistë, Esad Mekuli sikur mori rolin e mësuesit e të pedagogut e letrar. Krijues me një formim të gjerë letrar për kohën, Esad Mekuli ishte i vetëdijshëm se për të ecur përpara e për ta ngritur këtë revistë, së pari duhej të përballonte trysnitë e rrepta politike të pushtetit komunist të kohës, pastaj të zbulonte, të afronte e të inkurajonte penat e reja, punë kjo që ai e bëri me përkushtim të madh. Dhe, ç‘është më e rëndësishme (ndonëse në fillimet e kësaj reviste, për mungesë të autorëve shqiptarë, si dhe për shkak të frymës së kohës,  dominoi letërsia jugosllave), ta hapte revistën ndaj letërsisë së traditës dhe asaj të përbotshme. Dhe, me guximin e  moralin e lartë që kishte, ai ia doli mbanë.

 Jeta e re është revista më jetëgjatë në historikun e periodikut letrar dhe kulturor prej më së dy shekujsh të shqiptarëve. Numri i parë i saj doli në vitin tashmë të largët, 1949. Në vitin e saj të parë u botuan tre numra dhe numri i saj i parë kishte vetëm 88 faqe. Si revista e parë letrare e shqiptarëve të Kosovës, e cila doli menjëherë pas Luftës së Dytë Botërore,  ajo në fillimet e saj nuk ishte thjesht vetëm letrare. Rrethanat  diktuan që ajo për një kohë të kryente edhe funksionin kulturor e arsimor, duke botuar tekste jashtë fushës letrare, si letërsi popullore, tekste të muzikologjisë dhe të gjuhësisë etj. Ndërkaq, nga viti 1950 Jeta e re bëhet revistë dymujore dhe del me faqe të shtuara, për t’u bërë pas një kohe revistë tërësisht letrare. Mirëpo, kjo revistë, brenda një kohe të shkurtër erdhi e përjetoi një shndërrim të jashtëzakonshëm, kështu që qysh në fund të viteve  pesëdhjetë dhe përgjatë të gjashtëdhjetave, ajo mori fizionominë e një reviste serioze. Gjatë kësaj periudhe, gati në çdo numër, në faqet e saj zënë vend autorë të traditës, si dhe një sërë autorësh të letërsisë botërore, disa prej të cilëve madje shumë të njohur. Po në këtë periudhë, edhe autorët tanë vijnë e përfaqësohen me shkrime të të gjitha zhanreve dhe formave letrare. Ajo tashmë depërton te një numër i madh lexuesish shtresash të ndryshme dhe, njëherësh, ka meritën  edhe për nxitjen dhe formimin e kulturës së leximit. Kështu, kah fundi i viteve gjashtëdhjetë, kur Kosova përjetoi një zgjim dhe zhvillim shumë intensiv arsimor, kjo revistë, si një lekturë e zgjedhur dhe e obligueshme, kishte destinacion bibliotekat dhe shkollat e mesme, të cilat u hapën pothuajse në të gjitha qendrat komunale të Kosovës. Ajo tashmë u shtyp deri në dhjetë mijë kopje dhe u bë literaturë e dashur për mësuesit, arsimtarët, profesorët dhe, madje, edhe për vetë nxënësit e  këtyre shkollave. Kështu, një numër shkrimtarësh e intelektualësh që u afirmuan dhe u promovuan në faqet e kësaj reviste përgjatë kësaj kohe, patën privilegjin të jenë të lexuar e të dashur prej mijëra lexuesve anekënd Kosovës. Tirazh të madh kjo revistë pati edhe në vitet shtatëdhjetë dhe në fillim të tetëdhjetave.

 Hapja kësaj reviste ndaj letërsisë së traditës dhe asaj botërore, si dhe fuqizimi institucional i Kosovës në vitet shtatëdhjetë, shënoi një bum letrar e kulturor të paparë. Në këtë kohë, u shfaq një letërsi nacionale e me prirje moderne. Një ton të fuqishëm, pak më vonë, po kësaj letërsie ia dhanë një numër  autorësh brezash të ndryshëm, pikërisht të formuar e të promovuar në faqet e kësaj reviste. Prandaj, është për t’u theksuar me këtë rast se një sërë rrethanash historike nëpër të cilat kanë kaluar shqiptarët e kësaj hapësire, si dhe kultura, arti dhe letërsia e tyre, i kanë dhënë Jetës së re një rol specifik dhe të rëndësishëm. Në rrugëtimin e saj të gjatë, ajo erdhi e u bë revista më prestigjioze në gjithë hapësirën kulturore të shqiptarëve.

Ajo tashmë është pjesë e pandashme e traditës dhe e identitetit letrar dhe kulturor të shqiptarëve të Kosovës. Dhe, mund të thuhet, edhe pasqyra më e mirë për t’u parë shpirti krijues i shqiptarëve dhe evoluimi e transformimi i tij në një shkallë të lartë pjekurie brenda një kohe shumë të shkurtër dhe në rrethana specifike. Mirëpo, në fund të viteve tetëdhjetë dhe në periudhën e të nëntëdhjetave, në rrethana të okupimit e të deinstitucionalizimit  të Kosovës nga pushteti serb, edhe Jeta e re pësoi fatin e institucioneve të tjera arsimore, kulturore e shkencore. Periudha më e rëndë për këtë revistë, si dhe për revistat e tjera, si Fjala, Pionieri dhe Shkëndija, po edhe për gazetën Rilindja dhe  Shtëpinë Botuese, ishte viti 1990, kur na dëbuan me dhunë nga Pallati i Shtypit. Ishte kjo periudhë e përpjekjeve tona për të mbijetuar. Ndonëse botimi i saj nuk u ndërpre, gjatë kësaj periudhe, revista doli me numra e faqe të reduktuara. Rrethana të pafavorshme, sidomos materiale, e shoqëruan edhe pas çlirimit të Kosovës, madje në  vitin 2006, botimi i saj qe ndërprerë për një kohë të shkurtër.  Mirëpo, në vitin 2010 kjo revistë filloi sërish rrugëtimin e saj, por tash me një koncept dhe fizionomi të re, me tre numra në vit me nga 400-450 faqe, duke pasuruar gjithashtu rubrikat ekzistuese dhe duke hapur nga viti 2013 rubrika të reja, të cilat përbëjnë bërthamën e revistës. Kështu, nga viti 2010 deri në fund të vitit 2019, në rubrikat e saj: Ligjëratë, Prozë, Poezi, Intervista dhe Kritika/ Ese, pos autorëve shqiptarë, janë prezantuar mbi 100 autorë të letërsisë botërore rrymash e drejtimesh të ndryshme letrare. Është për t’u theksuar këtu, posaçërisht rubrika e re Dossier, hapur më 2013, në të cilën, në një hapësirë prej 50-80 faqesh, janë prezantuar një numër autorësh  botërorë me nam, pak ose fare të panjohur nga lexuesit tanë. Po në këtë periudhë, revista Jeta e re ka botuar gjithashtu një numër intervistash, ndër më të rëndësishmet, të  shkrimtarëve të mëdhenj, të cilat edhe janë botuar në një libër prej 560 faqesh me titullin Intervista të  shkrimtarëve të mëdhenj.

Dhe për fund, duke ndjekur traditën e deritashme, kemi përfshirë në këtë numër jubilar të gjithë brezat krijues, që nga themelimi i saj e deri në ditët e sotme. Kemi përfshirë, për aq sa na ka lejuar hapësira, edhe autorë jashtë Kosovës, si të Shqipërisë, të Maqedonisë  dhe arbëreshë, të cilët janë përfshirë në rubrikat: Poezi, Prozë dhe Kritikë.

POEZI

Esad Mekuli, Voreo UJKO, Lluka PERONE, Mark KRASNIQI, Martin CAMAJ, Enver GJERQEKU, Din MEHMETI, Fatos ARAPI, Besim BOKSHI, Dritëro AGOLLI, Latif BERISHA, Ali MUSAJ, Jakup CERAJA, Adem GAJTANI, Agim GJAKOVA, Muhamed KËRVESHI, Bedri HYSA, Fahredin GUNGA, Qerim UJKANI, Rexhep FERRI, Azem SHKRELI, Rrustem BERISHA, Rrahman DEDAJ, Mirko GASHI, Frederik RRESHPJA, Haxhi VOKSHI, Ali PODRIMJA, Jusuf GËRVALLA, Nebih MURIQI, Zef Skiro, DI MAXHO, Musa RAMADANI, Xhevahir SPAHIU, Qerim ARIFI, Jonuz FETAHAJ, Agim VINCA, Hasan HASANI, Demë TOPALLI, Flora BROVINA, Nexhat HALIMI, Edi SHUKRIU, Sabri HAMITI, Skënder ZOGAJ, Ramadan MUSLIU, Milazim KRASNIQI, Ibrahim BERISHA, Adem GASHI, Arif KUTLESHI, Dije Demiri-FRANGU, Abdullah KONUSHEVCI, Sali BASHOTA, Basri ÇAPRIQI, Halil MATOSHI, Xhavit BEQIRI, Arben IDRIZI, Ndue UKAJ, Ag APOLLONI, Blerina ROGOVA GAXHA.

PROZË

Ramë ZUKA (Zekeria Rexha), Hivzi SULEJMANI, Sitki IMAMI, Tajar HATIPI, Murat ISAKU, Rexhai SURROI, Ramiz KELMENDI, Ismail KADARE, Adem DEMAÇI, Anton PASHKU, Rifat KUKAJ, Ramadan REXHEPI, Nazmi RRAHMANI, Bajram KARABOLLI, Ymer SHKRELI, Jusuf BUXHOVI, Eqrem BASHA, Rushit RAMABAJA, Arif DEMOLLI, Mehmet KRAJA, Zejnullah RRAHMANI, Arsim KAJTAZI, Ridvan DIBRA, Mira MEKSI, Agron TUFA, Kujtim RRAHMANI, Gëzim ALIU, Adil OLLURI.

 KRITIKË

Vehap SHITA, Hasan MEKULI, Ali ALIU, Rexhep QOSJA, Ali D. JASIQI, Mensur RAIFI, Ibrahim RUGOVA, Rifat ISMAILI, Anton Nikë BERISHA, Bajram KRASNIQI, Prend BUZHALA, Xhemail MUSTAFA, Anton BERISHAJ, Rexhep Murtez SHALA, Osman GASHI, Muhamet HAMITI, Vehbi MIFTARI, Kujtim M. SHALA, Nysret KRASNIQI, Agron Y. GASHI.

Exit mobile version