Kreu Letërsi Bibliotekë “Zonja Ditë vdiq” poezi nga Frank O’Hara

“Zonja Ditë vdiq” poezi nga Frank O’Hara

përktheu Roland Gjoza

PËRSE NUK JAM PIKTOR

Nuk jam piktor, jam poet.
Përse? Mendoj se, megjithese s’jam
piktor, jam poet.
Për shembull, Mike Goldberg
është duke pikturuar. I afrohem.
“ Uluni dhe pini diçka! më thotë
ai. “Unë pi. Ne mund të pijmë bashkë.” 
I hedh një sy tablosë, me kureshtje.
“ Ju keni pikturuar sardele. “
“ Po, duhej bërë diçka dhe e bëra.”
“Oh!” Ika, u ktheva përsëri
pas disa ditëve dhe iu afrova.
Ai vazhdonte të pikturonte. Unë
ika dhe u ktheva përsëri
si më parë. Iu afrova.
Piktura kishte mbaruar. “ Ku janë sardelet?”
S’kishte më asnjë sardele
përveç titullit.
“ Ishin shumë,” tha Mike.
Po unë? Një ditë po mendoja
për një ngjyrë; atë të portokallit.
Shkrova një rresht vetëm për ngjyrën
e portokallit. Shumë shpejt u mbush
një faqe me fjalë. Dhe një tjetër.
U bënë kaq shumë fjalë, por jo
për portokallin, sa të tmerrshme
janë portokalli dhe jeta.
Ditët kalojnë. Megjithëse aty ka dhe prozë,
unë jam një poet i vërtetë.
Poezitë mbaruan një ditë
dhe unë ende nuk i kam bërë publike
portokallet e mia. Janë dymbëdhjetë poezi
që mbajnë titullin; Portokallet. Dhe një ditë në galeri
unë shoh pikturën e Mike që quhej; Sardelet.”


TË KESH NJË DALLDI ME TY

Është më zbavitëse se sa të shkosh në San Sebastian, Irun, Hendaye, Biarritz, Bayonne
Ose ngaqë vuaj nga stomaku, në Travesera de Gracia në Barcelonë
Por edhe për atë se me këmishën tënde ngjyrë portokalli ti dukesh më e lumtur se San Sebastiani
Por dhe për dashurinë time për ty, për kosin që ti e pëlqen aq shumë
Për tulipanët e portokalltë me shkëlqim lëbyrës rreth e qark mështeknave
Për sekretin që fsheh buzëqeshja jote kur je përpara njerëzve dhe statujave
Është e vështirë të besohet se kur jam me ty ka diçka tjetër me solemne, se sa pakënaqësia totale e statujave kur qëndron përballë tyre
Ne dritën e ngrohtë të orës 4 të Nju Jorkut kur shkojmë para dhe prapa midis njëri- tjetrit si një pemë që ndryshon pamje përmes spektakleve të stinëve
Dhe në shfaqjen e portretit duket sikur s’ka fytyra, ti thjesht pikturohesh, aq sa unë befas pyes veten se kush e bën këte mrekulli
Unë të shikoj më mirë, të kuptoj më mirë se të gjithë portretet në botë
Përveç ndoshta Rider Polak, por kjo ndodh nganjëherë, kur shkoja te Frick
Falenderoj Zotin që ti ende s’e ke parë dhe ne s’kemi shkuar për ta parë së bashku
Dhe lëvizjet e tua aq të magjishme, aq sa më duket se je krijuar për t’u kujdesur për Futurizmin
Dhe në shtëpi nuk mendoj më për Nudon që Zbret një Shkallë, as
Provoj ta çoj mendjen te një pikturë e Leonardos apo e Mikelanxhelos, që gjithmonë më mahnisnin
Dhe çfarë mund të nxjerrësh nga gjithë ato hulumtime të punëve të Impresionistëve
Kur ata asnjëherë nuk e gjetën personin e duhur për të qëndruar pranë një peme në kohën kur dielli perëndonte
Ç›mund të thuash pastaj për Marino Marinin që nuk ia doli me kalorësin që zgjodhi, po as me kalin
Dhe kështu të gjithë u mashtruan ngaqë iu duk se kishin të bënin me ndonjë përvojë të mrekullueshme
E cila, për fat, nuk doli e keqe për mua, prandaj po ju tregoj për të


MËNGJES MELANKOLIK

Mëngjes melankolik
Blu lart blu poshtë
 
Veza e heshtur mendon
Dhe veshi i tosterit elektrik pret të dëgjojë;
 
Yjet
Ajo re i ka fshehur
 
Ndjesia e mosbesimit
Është shumë e fortë në mëngjes


ATIT TIM TË VDEKUR

Mos më thirr, baba
Kudo që të jem, kam mbetur
Ai djali yt i vogël që
Jashtë e zinte nata
 
Nuk kthehem
Edhe po ta dëgjoj zërin përsëri
Trëndafilat në kopsht nxijnë
Si zemra ime
 
Dhe ferrat rreth tyre
Dhe kashta e mundimeve të tua
Si fytyra ime
Mos mendo më për trëndafilat
 
Mos m’i frikëso sytë blu
Me pikla ngjyrë lajthie
Buzët e mia të trasha
Kur shoh veten në pasqyrë
 
Mos pyet pse jemi kaq të ndryshëm
Dhe kuptohemi çuditshëm
Mrekulli kjo, ta lëmë vdekjen
Baba, unë jam gjallë! Baba
 
Më fal mua dhe trëndafilat!


PËR XHON ASHBERIN

Nuk mund të besoj se nuk ka
Një botë tjetër ku do të ulemi
Për t’i lexuar njëri-tjetrit poezitë e reja
Larg në mal, në erë
Ti mund të jesh Du Fu, unë Po Chu-i
Dhe Monkey Lady lart në hënë
Do të qeshë mbi kokat tona të sëmura
Ndërsa shikojmë borën në një degë.
Apo do të jemi zhdukur vërtet? Ky
Nuk është bari që kam parë në rini
Dhe në qoftë se hëna, kur të ngrihet sonte
Do të jetë e zbrazët, kjo është shenjë e keqe
Dhe do të thotë se; “ Ti shkon, si lulet. “


V. R. LANG

Ti je serioze, sikur
të flet në vesh një akullnajë
sikur ke dalë nga
porta e madhe e Kievit
për te shkuar në dhomën e ndënjes.
Unë shqetësohem për ty, sepse
të dashuroj. Sikur të mos ishte kaq groteske gjithçka
mjafton që jetojmë me hidrogjenin
dhe marrim frymë me atomin, kjo ndoshta të bën
të mendosh se unë jam një arkitekt i madh!
Dhe dukesh kaq e përralltë
në shkallët elektrike, e qetë, si një mbretëreshë xhungle
duke e përfytyruar atë si një lopatë me avull. Diçka kërkon
pak e shqetësuar. Ti je gjithmonë vetvetja
rruazat e argjendta heq nga qafa.
Mos harro, Uvertura Ruse e Pashkëve
është plot me lepurushka. Ji gjithmonë e bukur
plot respekt dhe nder dhe butësi. Oh,
ngaje kalin me vrik në linjën pink, ji e lumtur!
dhe kalëro me rruaza, sepse bie shi.


POEMË PËR VETEN 

Tani në drekë ndërsa dal dhe shëtis
kam vetëm dy gjëra me vlerë në xhep
një monedhë të vjetër romake që Mike Kanemitsu ma dhuroi
dhe një kokë-rrufe që për shkak të paketimit të keq u thye
kur isha në Madrit dhe gjë tjetër kurrë
s’më ka sjellë kaq fat, edhe pse ata e bënë këtë
të më mbanin në Nju Jork, natyrisht, përkunder detyrimit
por tani jam i lumtur për njëfarë kohe dhe çuditërisht më është shtuar dhe interesimi për gjërat
 
Eci nëpër avujt e ndritshëm
kaloj House of Seagram me lagështinë e saj
me mjedise për të kaluar kohën dhe me ndërtimin
në të majtë që ka mbyllur trotuarin dhe
nëse unë do të isha një punëtor ndërtimi
do të më pëlqente të kisha një kapele argjendi
marr andej nga Moriarty’s, ku rri dhe pres
LeRoi-n dhe dëgjoj se kush dëshiron një pije të përzierë
apo një të shkundur dhe pesë vitet e fundit mesatarja ime
është 016, kjo pikërisht, LeRoi hyn brenda
dhe më thotë se Miles Davis ishte mbrëmë në klub më 12
dhe është nxjerrë jashtë Birdland-it nga një polic
dhe një zonjë na kerkoi para për një sëmundje
të tmerrshme, por ne nuk i japim gjë, se ne nuk
i pëlqejmë sëmundjet e tmerrshme, pastaj
ne hamë ca peshk dhe shkullojmë ca birrë të ftohtë
aty ka plot njerëz, ne nuk na pelqen Lionel Trilling,
e themi me bindje, më fort na pelqen Don Allen, por nuk na pëlqen
aq shumë Henry James dhe më tepër se ai na pëlqen Herman Melville
dhe nuk duam të ecim në rrugën e poetëve në San Francisko
thjeshtë na pëlqen të jemi të pasur
dhe të ecim mbi kapriatat e kapeleve tona prej argjendi.
Pyes veten nëse një person në 8 milion ështe duke menduar tani për mua dhe
ndërsa shtrëngoj dorën me LeRoi-n
dhe blej një rrip për orën time të dorës
i kthehem punës i lumtur, nëse kjo mundësi ekziston


ZONJA DITË VDIQ

(Dita kur vdiq këngëtarja e madhe e xhazit Billie Holiday)

Ora 12:20 në Nju Jork, e premte
Tre ditë pas ditës së Bastijës
Viti 1959 dhe unë shkoj të marr një palë këpucë
Sepse do të zbres në orën 14:19 dhe në Easthampton
duhet të jem në 7:15 dhe pastaj do të shkoj drejt e për darkë
Dhe nuk i njoh njerëzit që do të paguajnë për mua
 
Eci në rrugën e errët që ende s’e ka kapur dielli
Marr një hamburger dhe një birrë dhe blej një
Ndyrësirë; New World Writing dhe shoh se
ç›të reja kemi nga poetët e Ganës
Pastaj shkoj në bankë
Dhe Miss Stillwagon ( emri i parë Linda, dikur ia kam dëgjuar )
Nuk e ka parë asnjëherë balancën time të parave
Dhe në Golden Griffin marr një Verlain të vogël
Për Patsy-n me vizatime nga Bernard, megjithëse unë mendoj për
Hesoidin, përkthimin. Po dhe për Richmond Lattimore apo
për dramat e reja të Brendan Behan’s, ose Le Balcon ose Les Negres e
Genet, por jo, unë jam lidhur pas Verlaine
Pasi praktikisht dua të fle pa dilema
 
Dhe për Mike, unë thjesht shëtis në Park Lane
Futem te tregtiza e pijeve dhe pyes për nje shishe Strega
Pastaj kthehem nga kam ardhur te 6 Avenue
Kaloj nga duhanshitësi te teatri Ziegfeld dhe si rastësisht
pyes për një stekë me Gauloises dhe një tjetër me
Picayunes, dhe marr një New York Post me fytyrën e saj në faqen e parë
dhe jam i mbytur në djersë dhe, për këtë shkak,
mbështetem te dera e Xhonit te 5 Spot,
ndërsa ajo këndon si me pëshpërimë dhe Mal Waldron
i bie pianos, të gjithëve dhe mua na mbahet fryma.


AVE MARIA

Nëna të Amerikës
Lërini fëmijët të shkojnë në kinema!
Nxirrini jashtë shtëpisë që të mos shohin punët e rëndomta që bëni ju
Është e vërtetë që ajri i pastër është i shëndetshëm për trupin
Po për shpirtin
Që rritet në errësisrë, i ushqyer me imazhe të argjendta?
Kur të plakeni, siç ndodh me njeriun kur i vjen mosha, ata nuk do t’ju urrejnë
Ata nuk do t’ju kritikojnë, sepse nuk do të dinë shumë gjëra, nuk do të udhëtojnë nëpër vende të tjerë magjepsës
Ata vetëm do të mbajnë mend një të shtunë padite kur panë hokej
Ata madje do t’ju jenë mirënjohës për përvojën e parë seksuale
Që ju kushtoi vetëm 25 cent dhe nuk e prishi fare qetësinë familjare
Ata do ta marrin vesh nga vijnë ëmbëlsirat dhe çanta falas me kokoshka
Po aq falas sa largimi nga filmi para se të mbarojë
Me një të huaj të këndshëm shtëpia e të cilit është te Parajsa e Tokes Blgd
Pranë urës Williamsburg
O, nëna, ju i bëni kolopuçet e vegjël kaq të lumtur
Ngaqë askush nuk i merr nëpër filma
Dhe kështu ata nuk do ta kuptojnë ndryshimin
Dhe nëse dikush i këshillon të përplasen me jetën
Të jenë të kënaqur me të dyja mënyrat
Në vend që të varen në kopsht, ose lart në dhomat e tyre duke ju urryer
Para kohe sepse ju ende nuk keni bëre ndonjë gjë të keqe
Përveç mbylljes së tyre ndaj gëzimeve të errëta
Dhe kjo e fundit natyrisht që është e pafalshme
Kështu që mos i mallkoni dhe, nëse nuk do ta merrni seriozisht këtë këshillë, paqja në familje do të prishet
Dhe fëmijët tuaj vazhdojnë të plaken dhe verbohen para televizorit duke parë
Filma që ju nuk i linit t’i shikonin kur ishin të rinj

Exit mobile version