Miti i Orfeut dhe i Euridikës është një tregim i lashtë që ka marrë, në kohë, forma të ndryshme letrare: është treguar nga Virgjili te “Gjeorgjikat” dhe në vazhdim është rimarrë nga Ovidi te “Metamorfozat”. E shohim më në detaje historinë në variantin e saj, analogjitë dhe diferencat mes versionit ovidian e atij virgjilian deri sa mbërrijmë në interpretimet artistike më moderne në poezitë e Rilkes e të Cvetaevës.
Miti i Orfeut ka origjina greke, që i paraprijnë versionit latin dhe humbin në lakadredhat e errëta të mitologjisë. Në fakt Orfeu shenjonte poetin e shkëlqyer, birin e muzës Kaliopi e të Apollit, ishte konsideruar si shpikësi i qestes (lloj lire) dhe paraardhës i Homerit dhe i Hesiodit. Shfaqet edhe te legjenda e Argonautëve ku, falë këngës së tij, mbërrin të zbutë sirenat e frikshme, duke lejuar pesëdhjetë heronjtë të vazhdojnë udhëtimin e tyre. Orfeu, në Greqinë e lashtë, bëhet një figurë e njohur, aq sa rreth tij zhvillohet një fe e vërtetë: orfeizmi, një lloj kulti i mistershëm në të cilin mbështetej çlirimi i shpirtit nga trupi përmes procesit të metempsikozës (apo të rimishërimit të shpirtrave).
Orfeizmi ishte i lidhur me konceptin e pavdekësisë dhe të kremtimit të Mbretërisë së Nëntokës, pikërisht sepse miti i Orfeut ishte një nga të parat rrëfime antike që trajtonte konceptin e botës së përtejme përmes udhëtimit të përtejvarrit: një nga episodet më tërheqëse të mitit ishte katabaza, ose zbritja e shpirtit të Orfeut në përtejvarr për të shpëtuar të shoqen Euridikën. Gjithsesi, historia romantike mes Orfeut dhe Euridikës, imazhi i tij që kthehet duke e humbur përgjithmonë, nuk është përmendur kurrë në mitin klasik grek: shfaqet për herë të parë në versionin e Virgjilit në librin IV të “Gjeorgjikave”, kur bariu Ariste flet për vdekjen në masë të bletëve të tij dhe zbulon se e kishte shkaktuar pa dashje vetë ai duke u dashuruar me Euridikën. Në vazhdim historia rikthehet e treguar nga Ovidi në librin X të “Metamorfozave” ku tregohet një version i ngjashëm, por edhe i ndryshëm i mitit: në versionin ovidian eliminohet krejt personazhi i Aristeut dhe shkaku i vdekjes së Euridikës, është në fakt një fatalitet tragjik.
Shohim më në detaje historinë analoge dhe diferencat mes versionit virgjilian e atij ovidian.
Miti i Orfeut dhe Euridikës te Virgjili
“Orpheu, quis tantus furor?”. Në librin IV të “Gjeorgjikave” flitet për një çmenduri që kaplon “të dashurin e pakujdesshëm”. Miti i Orfeut gjen shprehjen maksimale dhe pikën më të ngritur të pathosit në çastin kur Orfeu kthehet dhe humb Euridikën përgjithmonë.
Dhe Euridika, teksa kthehej, shkonte duke e ndjekur nga mbrapa- në fakt Prosperina ia kishte vënë atë kusht- kur një çmenduri e papritur e kapi të dashurin e pakujdesshëm-një çmenduri për t’u falur natyrisht, nëse duart do të dinin të falnin.
Veprimi i Orfeut përkufizohet nga Virgjili “çmenduri”, madje, i pafalshëm. Virgjili na tregon se këngëtari theu marrëveshjen me sovranët e nëntokës, Plutonin e Prosperinën, sipas së cilës nuk duhej ta kthente kokën pas për të parë nëse po e ndiqte Euridika. Tamam në çastin e fundit, Orfeu kthehet, duke thyer kështu paktin dhe duke bërë Euridikën të zhdukej mes hijeve. Shkelja e Orfeut ndjek skemën klasike të përrallave popullore, ose ndalimin e shkeljes, sipas të cilit protagonistit i vjen ndëshkimi.
Drama, që konsumohet në pak çaste, rrëfehet nga këndvështrimi i vetë Euridikës, që e pyet zemërlëshuar: “Orpheu, quis tantus furor?” (Orfe, ç’është gjithë kjo marrëzi?”Nuk ka përgjigje kjo pyetje, mbetet pezull si një enigmë, që vargjet e Virgjilit e lënë ndoshta me qëllim, të pazgjidhur.
Ja sërish fatet e egra më thërrasin dhe një gjumë po varros sytë që lëkunden. Tani lamtumirë: po tërhiqem pasi jam rrethuar nga një natë e thellë.
Ngjarja e Orfeut dhe e Euridikës futet nga Virgjili brenda “Gjeorgjikave” me një mjet letrar: tregim brenda tregimit. Historia në fakt fut brenda ngjarjen e bariut Ariste, një bletërritës i brengosur nga vdekja e bletëve të tij. Do të jetë plaku Prote që ia zbulon Aristeut shkakun e shfarosjes së bletëve: ka shkaktuar zemërimin e një zoti. Zoti në fjalë është Orfeu, që s’ka qetësi nga humbja e Euridikës së tij. Sipas versionit virgjilian të mitit, në fakt ka qenë vetë Aristeu që ka shkaktuar vdekjen e gruas së re. Ndërsa bariu i dashuruar pas saj e ndiqte nëpër pyje, Euridika rrëzohet dhe kafshohet nga një gjarpër, që me helmin e tij, ajo, pohon Virgjili, “qe e dënuar të vdiste”.
Të ndjek zemërimi i një zoti; e jo i paaftë, do paguash një gabim të rëndë që ke kryer: Orfeu, i palumtur pa faj, do të t’i shkaktojë këto dënime
Në versionin virgjilan përveç kësaj personazhi i Orfeut e i Aristeut shfaqen mendues dhe njëkohësisht të kundërt duke u mpleksur në një lojë të ndërlikuar ngjashmërish: Orfeu dështon, sepse shkel ndalimin e vendosur nga zotat; ndërsa Aristeu shpërblehet mbasi ndjek udhëzimet e shortarit Prote, sakrifikon një buall për zotat dhe kështu arrin atë çfarë ka humbur.
Fati i Orfeut është tragjik në tregimin e Virgjilit, teksa është i dënuar të endet pa ngushëllim në trishtimin e tij e në fund vritet nga Bakantet që, të dalldisura, e copëtojnë dhe e përpijnë.
“Asnjë dashuri, asnjë martesë e re nuk e përkuli zemrën e Orfeut: shkonte vetëm, akujve të veriut… duke rënkuar për Euridikën -”
Miti i Orfeut dhe Euridikës te Ovidi
Ka një ndryshim themelor mes rrëfimit virgjilian dhe atij ovidian: te Ovidi Euridika është memece, bën hije dhe jo prani. Gjithë ajo që Ovidi thotë për të është se “nuk pati fjalë qortimi për të shoqin” dhe atëherë shprehu “lamtumirën e fundit” të saj që mezi “mbërriti në veshët e tij”.
Edhe në rrëfimin ovidian të mitit Orfeu kthehet, duke shkelur ndalimin; por në ndryshim nga sa ndodh te Virgjili, këtu gjesti i Orfeut shpjegohet. Me të gjitha arsyet e botës, Orfeu kthen kokën pas nga dashuria e tepërt, sepse ka frikë se e humb e, njëkohësisht, digjet nga dëshira ta shohë.
Nuk ishin larg nga sipërfaqja e tokës; dhe këtu Orfeu, nga dashuria, teksa trembej se nuk do të vinte dhe lakmia ta shihte, ktheu sytë pas; dhe ajo menjëherë rrëshqiti prapa e duke shtrirë krahët për t’u kapur, kapi vetëm ajrin e butë.
Edhe në variantin ovidian drama konsumohet në pak çaste dhe është e pandreqshme: por këtu ka një shpjegim dhe në fund një kthesë të ndryshme e të papritur. Një herë, i kthyer në Trakë, Orfeu “përzë çdo dashuri gruaje” sepse e tija ka përfunduar keq dhe vendos të ngushëllohet me “dashuri meshkujsh”. Në trajtimin ovidian historia e Orfeut ka një kthesë homoerotike, ndërsa në variantin e Virgjilit- si nga tradita- Orfeu endet i pangushëlluar dhe refuzon çdo dashuri gruaje; për këtë shkak vritet e copëtohet nga Bakantet e zemëruara.
Miti i Orfeut dhe Euridikës rrëfyer nga Rilke: “Ajo aq e dashur”
Një variant të shkëlqyer modern të mitit na ka dhënë Rainer Maria Rilke me poezinë e tij kushtuar Orfeut dhe Euridikës me titull “Orfe, Euridikë, Hermes” (1904): risia e punuar nga Rilke qëndron në futjen mes dy të martuarve të një figure tjetër, të Hermesit, “zotit të udhëtarëve e të lajmeve”. Në variantin e poetit gjerman me origjinë boheme, Hermesi ecën qetësisht në krah të Orfeut, bashkë me Euridikën. E veçantë paraqitja që Rilke bën për Euridikën: nuk e ravijëzoi në fakt si prani më vete, por si objekt dashurie.
Ajo që bën për Euridikën është fakti se poeti e përshkruan me një epitet të veçantë “Aq e Dashur” ‘Ajo kaq e dashura’. Rilke vendos të na e paraqesë Euridikën pa ia përmendur emrin, duke përdorur fjalët e këngës që Orfeu kishte shkruar për të e me të cilën shpresonte ta risillte në jetë:
Ajo- kaq e dashur- që një lirë e vetme qau më shumë se një mijë gra në zi;
dhe gjithë bota qe në vaj, pyje e lugina, rrugë e fshatra, fusha, lumenj e kafshë;
përreth kësaj bote në vaj si përreth një toke tjetër
ktheheshin në heshtje dielli e qielli plot yje, qiell vaji dhe yje të shformuar-
ajo, kaq e dashur.
Na është paraqitur si një qenie e pafrymë, tashmë e përfunduar plotësisht në vdekje: qenia e saj e vdekur e mbushte si një plotësi. E humbur në vdekje Euridika- që nuk përmendet kurrë nga Rilke me emrin e saj të vërtetë- nuk ishte më ajo, nuk ishte më flokëverdha e kënduar nga Orfeu, prania erëmirë që ai kishte marrë në “shtratin e gjerë”. Euridika e vërtetë shfaqet vetëm në finale, kur formulon një pyetje zemërlëshuar, pra bën të dëgjohet zëri i saj kur thotë “Kush?”. Pyetja e Euridikës kristalizon dhimbjen duke bërë prej saj protagonisten. Nëse varianti virgjilian vendoste në qendër Orfeun që kthehej duke bërë një ‘topos’, ja që Rilke i jep Euridikës- ajo kaq e dashur– fjalën e fundit që është një frymë e jehonës së pavdekshme. Në atë “Kush?” të shqiptuar nga Euridika ngrihet gjithë misteri zemërlëshuar i vdekjes: masa e humbjes së pandreqshme, dhimbja e panatyrshme.
“E kur zoti ashpërsisht e ndaloi, me zërin e dhimbjes thirri:
Po është kthyer- ajo nuk kuptoi dhe me një frymë pyeti: Kush?”
Miti i Orfeut dhe Euridikës në artin e pikturës, muzikës, letërsisë.
Tema e Orfeut që kthehet, inauguruar te “Gjeorgjikat” virgjiliane, do të kishte një ndjekje të madhe dhe do të rimerrej nga artet piktorike, letrare e muzikore. Orfeu dhe Euridika kthehen në operën e Gluck e të Monteverdit, në skulpturën e Kanovës e të Rodin, në pikturat e Ticianit, Shagallit, Bruegelit e Corot. Ndoshta artistët nuk i ka rrëmbyer vetëm ngjarja tragjike në vetvete, por numri i madh i tematikave që ajo përmban: dashuri dhe vdekje, triumf e dështim, kërkim i bukurisë dhe i absolutes. Rijeton përjetësisht përralla e trishtuar e Orfeut që, edhe duke e arritur të dashurën e tij, vendos të kapërcejë kufijtë e përtejvarrit për ta sjellë pas, por tradhtohet nga dashuria e tij e tepërt dhe kthehet duke e bërë atë një hije. Do të jetë pikërisht gjesti i Orfeut- që tradhton pritshmëritë dhe pengon fundin e lumtur që pritet- për të tërhequr vëmendjen e letrarëve, artistëve, poetëve: mbasi është drama pa justifikim, pyetja që rri pezull, nyja e pazgjidhur kurrë. Pse Orfeu kthehet? Nuk ka përgjigje të vërteta për këtë pyetje, vetëm hipoteza të shumta: ka që mendojnë se Orfeu është kthyer sepse nuk dëgjonte hapat e Euridikës pas vetes dhe ka që besojnë se e ka bërë thjesht se nuk mund të bënte më pak. Në “Dialogje me Leukon”, tregim kushtuar mitit me titull “I pangushëllueshmi”, Çezare Paveze hedh hipotezën se Orfeu është kthyer sepse në fund e mendon kthimin e Euridikës të pamundur, ashtu siç është e pamundur për një njeri të kthejë rininë.
Euridikën e qaj, ishte një stinë e jetës. Unë kërkoja tjetër gjë përtej dashurisë së saj. Kërkoja një të kaluar që Euridika nuk e di.
Paveze kërkon një kuptim të gjestit të Orfeut- që kaq shumë i ka munduar lexuesit e mitit- e më në fund e justifikon kështu, përmes dialogut me Bakën:
Orfeu: Ç’hyn fati. Fati im nuk tradhton. Qesharake që pas atij udhëtimi pasi e kam parë në fytyrë asgjënë, unë kthehem gabimisht apo për tekë.
Baka: Këtu thuhet se qe nga dashuria.
Orfeu: Nuk dashurohet kush ka vdekur.
Në tekstin e kushtuar nga kantautori Roberto Vekioni me titull “Euridika”, gruaja e dashur e Orfeut lihet në përtejbotë, sepse tashmë ka vdekur dhe aty është vendi i saj: vdekja është e pandreqshme, Euridika është bërë hije.
E do të kthehem sepse ti do vyshkesh
Do të kthehem sepse ti do të zhdukesh
Do të kthehem sepse tashmë nuk je.
Dhe do të flesh përgjithmonë.
Në variantin më bashkëkohor të historisë- nga Cvetaeva te Yorcenari, nga Kalvino te Rushdie- fokusi zhvendoset mbi këndvështrimin e Euridikës, bëhet ajo protagonistja e vërtetë në një perspektivë të përmbysur, të regjistrit feminist: ajo që nuk ka fjalë thirret për të treguar historinë e vet dhe- përkundër versionit ovidian- e qorton të shoqin që nuk e kishte shpëtuar. Në këtë perspektivë të përmbysur Orfeu nuk paraqitet si një i dashuruar tragjik, por si një burrë që kërkon të kapërcejë kufijtë mes hyjnores e njerëzores, duke mashtruar nusen e vet të vdekur me premtime false të ringjalljes. Në poezinë “Euridika Orfeut” (1923) të Marina Cvetaevës, e merr fjalën vetë gruaja që nuk do të jetë e shpëtuar, sepse e di që nuk është më grua dhe i lutet të dashurit të saj: “Harromë dhe më braktis!”
Meqë në këtë shtëpi të rreme ti i gjallë je fantazmë, dhe e vërteta unë, e vdekur… Çfarë mund të të them- përveç: “Harromë dhe braktismë!
S’do të arrish t’më turbullosh! Nuk do ta mbaj!
Nuk kam as duar! As buzë të vendos! Nga kafshimi i nëpërkës së pavdekësisë pasioni i gruas merr fund.
Cvetaeva vë theksin mbi një çështje jo shumë të ndryshme nga ajo që ka pranuar Rilke: poeti gjerman përmes ndarjes së parë të Euridikës, duke përsëritur se ajo që e bën të pranishme është dashuria që i ka kushtuar në jetë, “Ajo kaq e dashur”; tani poetja ruse- që me Rilken pati një korrespondencë të apasionuar- shkon më thellë, duke kapërdirë vizionin e mentorit të saj të dashur. Ndërsa Rilke vëren se tashmë Euridika është hije, por ndërmend se ka qenë e gjallë vetëm kur Hermesi vëren: “Është kthyer”, duke iu referuar Orfeut, përkundrazi Cvetaeva na tregon Euridikën e vdekur që e ka pranuar krejtësisht gjendjen e saj. Në këtë vizion të ri të gjërave, akti i kryer nga Orfeu nuk është një tentativë shpëtimi, por një ndërhyrje, një dhunë, sepse mbretëria e të gjallëve dhe ajo e të vdekurve janë të ndara dhe nuk mund të komunikojnë më në asnjë mënyrë. Thirrja e Euridikës drejtuar Orfeut është pra që ai të vazhdojë të jetojë dhe të mos merret me hijet. “Harromë dhe braktismë!”