Kreu Muzikë Zhuljeta Kadilli: Dasma dardhare në vështrimin e profesor Albert Dojës

Zhuljeta Kadilli: Dasma dardhare në vështrimin e profesor Albert Dojës

Gjatë punës kërkimore për dasmën në qytetin e Elbasanit, në fund të shek. XIX dhe fillim të shek. XX, u ndesha me dy artikuj të shkruar nga Profesor Albert Doja për ceremonialin e dasmës  dardhare. Artikujt janë botuar në revistën “Kultura Popullore” të viteve 1986 dhe 1987. Në këta dy artikuj pashë një analizë shkencore të hollësishme. I lexova dhe rilexova të dy shkrimet. Nga mënyra se si ishin shkruar më bënë që t’a përjetoja dhe përfshihesha me emocione në këtë ceremonial. Më tërhoqën vëmendjen veçanërisht titujt e tyre. I pari:“Pasqyrimi poetik i zbukurimit në ceremonial të dasmës”, kurse i dyti: “Poetika e zbukurimit në ceremonial të dasmës”. Në pamje të parë të duket sikur janë e njëjta gjë, në fakt flasin për të njejtën gjë, por  në përmbajtje janë të ndryshme. Artikulli i parë “Pasqyrimi poetik i zbukurimit në ceremonial të dasmës”, na tregon mënyrën e organizimit të ceremonialit, ambjenti  në të cilën kryhet, pjesët përbërëse dhe ndikimi i tyre në këtë ceremonial. Këngët si pjesë e rëndësishme e ceremonialit dhe komunikimi i tyre me mjedisin dhe të sapomartuarit si mesazhe për jetën e tyre. Këta elementë tërësisht të vlerësuar në këndvështrimin filozofik. Artikulli i dytë “Poetika e zbukurimit në ceremonial të dasmës” ka si objektiv të na japë aspektin estetik që kanë zbukurimet qofshin në ambjentin fizik, këngët, vallet apo ritet e ndryshme  të dasmës dhe ndikimin në botën shpirtërore të njeriut. Parë në tërësinë e tyre elementët përbërës dhe interpretimi i tyre, na tregojnë dasmën dardhare në gjithë komponentët dhe dimensionet e saj. 

Profesor Doja e nis artikullin  me një përshkrim të kushteve fiziko-gjeografike të fshatit Dardhë, në rrethin e Korçës,  të cilët kanë ndikuar në zhvillimet historiko-shoqërore.  Fshati Dardhë, duke qenë në një reliev malor, zhvillimin ekonomik e kishte të kushtëzuar, kryesisht në blegtori. Janë pikërisht këto kushte, që rritën valën e emigrimit dhe përcaktuan rrugën e zhvillimit të fshatit dhe të krahinave juglindore e jugore të vendit. Në këtë kontekst edhe materiali folklorik i përdorur kryesisht nga Dardha dhe krahina e Devollit, do të shërbejë për nxjerrjen e  përfundimeve që mund të vlejnë deri  diku edhe për zona të tjera të Shqipërisë Juglindore.  Kjo jo vetëm si rezultat i afrisë gjeografike që është mjaft i rëndësishëm, por edhe  i  këmbimit dhe tregtisë, i martesave  dhe i së njëjtës histori zhvillimi në aspektet ekonomike dhe sociale. Kushtet natyrore kanë ndikim të padiskutueshën në botën shpirtërore dhe jetën e  njeriut.

Profesor Albert Doja

Dasma nuk është një ceremoni e thjeshtë, që ka në qendër vetëm marrjen e nuses. Dasma është proces që zgjat në kohë, deri në kryerjen e plotë të të gjitha riteve dhe zakoneve.  Profesor Doja bën një analizë të hollësishme dhe shkencore mbi këtë proces ceremonial.  Ai e vlerëson dasmën si një proces të strukturuar mirë, mjaft kompleks dhe të përshkallëzuar.  Këtë strukturë ishin të detyruar ta zbatonin me përpikmëri të zotërit e dasmës. Tre janë pjesët  përbërëse të  ceremonialit të dasmës: 1) zhvillimi hap pas hapi i ceremonive, riteve dhe  praktikave dasmore, 2)  këngët  dhe 3)  mjedisi në të cilin kryhet dasma[1]

Gjithsesi, ndër të gjithë këto elementë, dy artikujt vënë në dukje për ceremonialin e dasmës, bukurinë reale, që është një bukuri e qenësishme e brendshme e saj. Sido që të jenë pjesët përbërëse të ceremonialit, dasma vetvetiu ka një bukuri të sajën, ajo pa tjetër është e bukur edhe sikur të mos ecë sipas programit. Në çdo përmasë që të kenë pjesët përbërëse të ceremonialit, në çdo shtresë shoqërore që ajo të zhvillohet ka brënda saj bukurinë reale, bukurinë e dasmës dhe bukuria reale e saj është vazhdimësia e jetës. Dhe kjo nuk ka diskutim. Krahas kësaj bukurie reale, dasma ka edhe bukurinë artistike, të bërë me dorë, që arrihet nëpërmjet zbukurimit të çdo elementi të ceremonialit dhe sigurisht, këngët dhe ritet e tjera që kryhen në të. Janë pikërisht këto, që e bëjnë të pashlyer në kujtesën e pjesëmarrësve dhe kanë një ndikim tejet pozitiv.

Profesor Doja i shpjegon në mënyrë të detajuar elementët rituale, materiale, poetike, muzikore dhe koreografike, si dhe ndikimin e tyre në ceremonial.

Banesa është vëndi kryesor ku kryhet ceremoniali, objekti i parë me të cilin ndeshin pjesëmarrësit dhe ku shfaqet efekti zbukurimor i dasmës. Për këtë arsye banesa është edhe objekti i parë i analizës. Banesa e zonës së Dardhës është kushtëzuar në radhë të parë nga relievi i thyer dhe për këtë banesat janë thuajse dykatëshe të tipit kullë. Fillimisht kanë qenë me përmasa të mëdha, prizmatike e të mbyllura. Duke qenë se kur ndërtoheshin shtëpitë e Dardhës  nuk kishte arkitektë të mirëfilltë, pra bënin pjesë në arkitekturën vernakulare, ndërtuesit përveç konceptit të banimit kishin parasysh edhe konceptin e shtëpisë si strehë ritesh. Madhësia e dritareve p.sh. bën të mundur që banorët  të kenë mundësinë të shohin edhe ritet e ceremonitë e dasmave. Edhe oborri dhe kopshti me perimetër më shumë të gjerë se të gjatë, lejon edhe performancën e valleve tradicionale dhe hapësirës për të ftuarit. Me kalimin e kohës, banesa pësoi ndryshime arkitekturore me çardakun, ballkonin, qoshkun, të cilat i jepnin asaj bukuri të rrallë. Këto banesa të mëdha, të vendosura në atë mjedis natyror e piktoresk të Dardhës, e bënin edhe më madhështore dasmën. Për këtë arsye kjo madhështi e banesave është përjetësuar edhe në këngët e ceremonialit të dasmës dhe banesa bëhej kështu pjesë e ceremonialit madhështor, impozant e monumental.

Pse ky përshkrim i banesës dhe lidhja me ceremonialin e dasmës? Sigurisht që banesa ka ballafaqimin e parë me pjesëmarrësit, njëkohësisht dhe impaktin e parë në psikologjinë e tyre. Sa më e bukur e madhe të jetë banesa, aq më të mëdha janë pritshmëritë dhe kënaqësia që ndjen kur e shikon. Kjo mendoj është arsyeja që autori e përshkruan në detaje banesën. Nga ana tjetër, banesa lidhet edhe me gjendjen ekonomike shoqërore. Ai që bën dasmën ndihet mirë kur shikon, që shtëpia ku ka dhënë vajzën, apo ka marrë nusen është e madhe, që do të thotë se dhëndri apo nusja janë në gjendje të mirë ekonomike. Kjo të krijon pozitivitet, kënaqësi dhe qetësi shpirtërore.

Në Dardhë si kudo në Shqipëri, vëreheshin dallime midis shtresave të ndryshme të shoqërisë, të cilat shprehen edhe në aspektin e përpunimit arkitekturor dhe zbukurimor, sidomos në mjediset e brendshme të shtëpisë. Dhoma e miqve, ku shijet estetike ishin më të dukshme, bënin diferencën midis shtresave të ndryshme të shoqërisë, në aspektin ekonomik e social. Banesa ka qenë problem në të kaluarën jo të largët. Gjithsesi edhe tek këto shtresa shoqërore më të varfra kishte përpjekje të krijonin ambient të përshtatshëm për ceremonialin e dasmës. Cilado qofshin përmasat e shtëpisë, sidomos dhoma e miqve, zbukurohej për dasmë me shtroje të leshta të bukura.

Që shtëpia të ketë pamje festive nuk mjafton që ajo të jetë e madhe apo me vlera të veçanta arkitekturore. Gurët e gdhendur, tavanet e zbukuruar, musëndrat janë njëra anë. Këto janë pjesë e banesës. Për ceremonialin e dasmës ajo përgatitet në mënyrë të veçantë nga gratë dhe vajzat e shtëpisë shumë ditë përpara. Këtë situatë na e ka përshkruar me hollësi profesori deri në detaje. Ai e vlerëson zbukurimin e shtëpisë për dasëm si një nga domosdoshmëritë kryesore në zonën e Dardhës. Gratë nxirrnin qilimat e velenxat në ballkon me të cilat tregonin se këtu ka atmosferë festive. Madje shtroheshin qilima apo velenxa të reja, që ruheshin për këto raste, apo edhe të tjera. Këta qilima, velenxa, perde i kanë sjellë kurdoherë shtëpisë dhe ceremonialit një bukuri të rrallë dhe pamje të veçantë. Ky moment është paqyruar edhe në këngët dardhare[2].

Një element tjetër që bie në sy gjatë përshkrimit të shtëpisë për dasmën, është flamuri në të. Bukuria e shtëpisë qoftë kjo reale e kushtëzuar nga arkitektura apo edhe nga zbukurimet plotësuese për ceremonialin e dasmës, është njëra anë. Por, funksionin estetik më të veçantë e merr flamuri apo bajraku i dasmës. Flamuri ishte i kuq, me lule të bardha e ngjyra të tjera. Pavarësisht funksionit të tij në ceremonial, ai i shton bukurinë ceremonialit, sidomos kur mbahet nga ai që hap vallen e dasmës. Profesor Doja, ka bërë gjetjen e duhur për të na dhënë këtë element të veçantë të dasmës dardhare, në kombinim harmonik me vargjet aq të njohura popullore që e himnizojnë këtë moment.

Prania e luleve në dasëm dhe përmendja e tyre në këngët e dasmës i shton edhe më shumë bukurinë reale të bërë me dorë ceremonialit. Lulja zbukuron këdo, nga oborri, kalin e dasmës, bajrakun, dhomën e nuses, pajën, duvakun e nuses, nusen, dhëndrin etj. Pamja e tyre, eleganca, aroma e këndshme i japin dasmës vlera të veçanta estetike, të cilat  Profesor Doja me fjalën e tij i tregon të sintetizuara në bukurinë e tyre reale, ceremoniale dhe poetike.

Kënga është një tjetër përbërës shumë i rëndësishëm, në mos më i rëndësishmi i dasmës. Këngët që këndohen e paraqesin dasmën si një festë të madhe familjare. Në ceremoninë e dasmës ka ndonjë rit apo prakti që që edhe mund të mos kryhej, por kënga merr përsipër të bëjë të pranishëm me detaje tërësinë e riteve dhe të transmetojë dasmën e plotë me madhështinë e saj ceremoniale. Këngët e dasmës në përgjithësi dhe ato dardhare në veçanti, kanë elementë të rëndësishëm në përmbajtjen e tyre. Interpretimi që bën profesori për këngët e dasmës dardhare, tregon se ato kanë një përmbajtje të pasur poetike, që i përgjigjen madhështisë ceremoniale të dasmës. Ato dallohen nga komunikimi fjalësor dhe mesazhet e qarta që japin. Këngët e dasmë sjellin një sasi të caktuar informacioni për aspekte të ndryshme të jetës në komunitet apo në bashkësitë e periudhave të mëparshme historike, nëpër të cilat është krijuar dhe është përcjellë ky lloj krijimi folklorik.

Këngët janë gjetur nga më të ndryshme në përmbajtje, që nga këngët për shtëpinë, për flamurin, ndarjen e nuses nga prindërit, lulet, pajën etj. Ato janë cilësisht ndër më të shumtat në folklorin tonë, ato shprehin një tematikë të gjerë nga disa aspekte të jetës, duke përcjellë kështu doket dhe zakonet në ritualet e ndryshme dhe në anën tjetër, duke vënë në pah me nota realiste gjendjen e zhvillimit kulturor në një stad të caktuar të zhvillimit të tyre historik si dhe në ecurinë e tij të mëvonshme. Në të dy rastet Profesor Doja ka bërë përzgjedhjen e duhur të këngëve në dasmën dardhare, që ato të përcjellin qoftë informacionin për jetën apo edhe zakonet e ritet e damës.

Përmbajtja e tyre është sa emocionale aq edhe poetike. Në këngët e dasmës shprehen të gjitha bukuritë e dasmës dhe mesazhet për çiftin apo pjesëmarrësit. Poezia popullore e këngëve të dasmës si krijimtari artistike, jo vetëm pasqyron vlerat e mjedisit të ceremonialit, por e ka futur të bukurën edhe aty ku nuk mund të shihet drejtpërsëdrejti. Autori analizon me hollësi mënyrën se si me forcën semantike të bukurisë fjalësore poetike, të harmonizuar konkretisht edhe me bukurinë plastike, pasqyrimet poetike të vlerave zbukurimore bëhen të plota e të qëndrueshme dhe, ndoshta konkretisht jo të pranishme, me një poezi e art aq të thellë, sa thua se e krijojnë sërishmi realitetin. Nëpërmjet këtyrë pasqyrimeve paraqiten përjetime estetike, që mjedisi vetë nuk i tregon drejtpërsëdrejti, nuk i zbulon, as i bën të diktohen me atë forcë që kënga i nxjerr sheshazi si realitet poetik.

Në dasmë nuk mungojnë edhe këngët satirike, të cilat krijojnë situata humori të veçanta gjatë ceremonive, duke shprehur edhe një aspekt kontradiktor të marrëdhënieve shoqërore që varen nga faktorët ekonomiko-socialë dhe që nuk mund të shprehen ndryshe veçse nëpërmjet satirës humoristike. 

Sigurisht kjo përzgjedhje nuk është e rastësishme, sepse pas këtij teksti fshihet ndonjëherë ajo që është prapa ceremonialit. Gjithsesi, nga studimi vemë re se këngët e dasmës janë të shumta dhe shprehin aspekte të jetës së popullit tonë. Me mjaft besnikëri ato japin doket dhe zakonet e popullit, në këtë rast të fshatit Dardhë. Janë këto këngë apo edhe të ceremonive të tjera që përcjellin brez pas brezi krijimtarinë popullore. Ato janë shprehëse të situatave të ndryshme, gjendjes shpirtërore dhe paraqitjes së botës reale. Në këngët e dasmës dardhare edhe pse shfrytëzohet çdo element, për t’iu nënshtruar pasqyrimit fjalësor, përsëri vendin kryesor e ze nusja. Pjesa më e madhe e këngëve i kushtohen nuses si figura qëndrore e dasmës. Ajo jo vetëm zbukuron dasmën por mban në këmbë edhe ceremonialin me hijeshinë e bukurinë e saj.

Edhe veshja e nuses dhe dhëndrit, që në fakt është një veshje festive, nuk ka kaluar pa u analizuar nga Profesor Doja. Ai jep në detaje efektin estetik që ka kostumi nga mënyra e qepjes dhe e punimit të tij. Me larminë e ngjyrave, të kombinuara në mënyrën më perfekte në pikëpamje estetike, me kombinime motivesh në qëndisje dhe qepje në forma të ndryshme i jepnin madhështi dasmës. Kostumi tradicional i dasmës për nusen e dhëndrin me elegancën e tyre krijonte një atmosferë festive në dasmë, krijonte gëzim e hare. Veshja, zbukurimi i nuses është çasti më i rëndësishëm, më prekës e më domethënës në të gjithë ceremonialin e dasmës. Veshja ka lidhje me një sërë veçorish, qofshin këto ekonomike- shoqërore apo edhe kulturore të popullit. Cilado të ishte gjëndja ekonomike e familjeve, për kostumin ceremonial të martesës të gjitha familjet do të ishin të gatshme të bënin çdo sakrificë, që fëmijët e tyre të kishin një të ri. Kjo ishte edhe çështje prestigji apo dinjiteti për familjet e fëmijët. Pasqyrimet poetike dhe estetike që ka dhënë profesori në analizën e kostumeve të dasmës duket sikur i rimarrin vlerat edhe më shumë kur i lexon.

Kostumi tradicional i dasmës, ashtu si kudo, edhe në Dardhë, ishte në çdo rast varianti më i pasur dhe më i realizuar artistikisht si për nusen edhe për dhëndrin.  Mënyra se si Profesor Albert Doja e ka analizuar projektimin poetik në këngët e dasmës kostumin tradicional, e bën  ceremonialin e dasmës  në Dardhë pjesë të trashëgimisë kulturore dhe historike.

Një vënd të rëndësishëm në tërë ceremonialin e dasmës zenë ritet e ndryshme që zhvillohen gjatë ditëve të ceremonialit, të cilat kanë rëndësinë dhe domethënien e tyre. Kryerja e këtyre riteve e bën më interesante dasmën, sidomos për ato breza që nuk i njohin.

Një prej tyre ishte riti i thirrjes në dasëm të miqve, i cili kryhej nëpërmjet thirrësve. Ata ishin fëmijë të vegjël, djem zakonisht, që me një plloskë me verë në dorë ku kishin lidhur borzilokun, qarkulloninin në tërë fshatin, shtëpi më shtëpi, që të ftonin miqtë për dasëm. Simbolika në këtë rast është vera dhe borziloku. Në traditën e besimit ortodoks, së cilës i përket popullsia e Dardhës, kjo simbolikë ka një domethënie. Borziloku jo vetëm që ka aromë të mirë, por është edhe përbërës i vajit ortodoks. Vaji përdoret për të lyer të sapo pagëzuarit. Vera e cila ndodhet në plloskat që mbajnë fëmijët në dorë merr pjesë në përgatitjen e Hirit Hyjnor. Pra, midis bukës, ujit dhe vajit, vera është pjesë e përgatitjes. Kështu, natyra merr pjesë në shpëtimin e njeriut dhe elementet tokësore bëhen bartës të fuqisë së Perëndisë. Natyra dhe Fryma bashkohen në shpëtimin.

Kur lexon për këtë rit, ndjen emocion, jo vetëm për mënyrën, por për faktin se thirrësit janë fëmijë. Fëmijët janë shpresa e të ardhmes dhe vazhdimësisë. Ata janë gëzimi i jetës. Është mjaft domethënës ky zakon. Në vetë përmbajtjen e ritit ka elementë estetikë që e bëjnë edhe më të bukur ritin gjatë ceremonialit. Profesor Doja, ka ditur të japë me mjeshtri ritet e dasmës. Ai gjithashtu ka lidhur dhe harmonizuar të gjithë elementët e ritit dhe këtë e ka bërë mjaft mirë. Pikërisht këtë lidhje e harmonizim e ka bërë gjatë ceremonialit. Gjatë kremtimit të ceremonialit të dasmës ndodh edhe ritualizimi i pjesëmarrësve në ceremonial, nëpërmjet të cilit synohet përqasja sa më e plotë, përafrimi i realitetit me modelin e idealizuar. Ky proces nënkupton pikërisht veshjen me ngarkesë të theksuar simbolike të çdo elementi të ceremonialit, duke bërë qëllim në vete simbolizmin. Simbolizimi përfshin të gjitha parametrat e shprehjes rituale, si personazhe, objekte, veprime dhe këngë. Në këto nivele kënga përmbush qëllimin pragmatik e simbolik. Pikërisht, nevoja për t’iu afruar modelit ideal përgjatë kohëzgjatjes së dasmës çon në estetizimin e realitetit. Harmonia dhe mjetet shprehëse bëjnë që çdo kremtim dasme të risjellë kuptimin e përvojave arkaike dhe të vetë riteve që konceptohen si një sistem unitar me njësitë e tij, me një strukturë të konsoliduar brenda sferës së besimeve në kohezion me sistemin e marrëdhënieve sociale.

Brenda kontekstit të ceremonialit një moment mbresëlënës është edhe ai i marrjes së nuses. Ky veprim është mjaft i bukur dhe me karakteristika të veçanta.

I pari është kali me arkën e pajës, që kishte të lidhur një shall në qafë. Pas tij ishin kuajt dhe mushkat e krushqve, samarët e të cilëve, ishin mbuluar me qilimka të kuqe. Në këtë rit, më kryesori ka qenë kali i nuses dhe dhëndrit. Këta zbukuroheshin me velenxe të kuqe dhe shalle me ngjyra në qafë. Ngjyra e kuqe është gëzim, hare, kurse ngjyrat e shallit shprehin natyrë të hareshme. Pasqyrimi estetik i këtyre zbukurimeve nxjerr në pah përjetimin e ndjenjave në atmosferën entuziaste dhe të bukur të krijuar gjatë marrjes së nuses[3]. E bukura është fenomeni estetik më i përhapur, më i pranishëm në këtë moment. Gjithashtu është fenomeni estetik më i kërkuari ndërmjet dukurive të tjera estetike, jo vetëm në dasëm, por gjatë gjithë jetës.

Në të gjithë atë ceremonial të madhërishëm, profesori nuk ka lënë pa përshkruar edhe natën e parë të martesës, apo natën e gjerdekut. Mbyllja e nuses me dhëndrin është finalja e dasmës. Pa dhënë shumë shpjegime për këtë rit, mënyrën e zhvillimit në zonën e Dardhës, profesori e shoqëron me një projektim poetik dhe tregon se si ky moment sublim shoqërohet nga këngët popullore të rastit.

 Ky projektim poetik, i hedhur në vargje e i shoqëruar me muzikë, jep vlerat plastike të shtëpisë dhe të shtrojeve të saj si mjete figurative poetike, për të shprehur përjetimin estetik të ndjenjave dhe të gjendjes shpirtërore të tensionuar. Situata është e tensionuar dhe emocionale, të sapomartuarit të nesërmen e kësaj nate, marrin një status të ri në shoqëri. Ceremoniali i dasmës është një nga momentet më interesante për sa i përket vlerave estetike.

Në vallet, këngët e meloditë me vegla muzikore, në veshjet e stolitë, në gjithë përgatitjet për të bërë një dasëm sa më madhështore, dëshmohet temperamenti i banorëve të vendit, botëvështrimi i tyre mbi jetën, dashuria për të, dëshira për të filluar jetë të re. Struktura organizative e dasmës paraqet një shtrirje kohore, e cila, e vështruar në diakroni, ka relativitet të dallueshëm. Por edhe në sinkroni, dasma vijon të mbetet ngjarja më e bukur e jetës zakonore shqiptare, që zakonisht ka vëmendjen kryesore në ritualet shqiptare. Kjo është vlera e këtyre artikujve, që tregojnë ndërthurjen harmonike të elementeve të ndryshme të ceremonialit të dasmës (materiale, rituale, simbolike, poetike etj.)[4].

Në përfundim të kësaj analize do të vlerësoja dy artikujt e Profesor Albert Doja, të cilët nuk i gjeta të përfshirë në bibliografinë e plotë të botuar nga Instituti i Antropologjisë në ASA, në numrin e fundit nr. 5 2022, të revistës shkencore të titulluar “Antropologji”. Artikujt duhej të ishin përfshirë, pasi nga viti 1980 deri në 1990, janë vetëm katër artikuj për dasmën dhe martesën në bibliografinë e botuar.  Kjo sigurisht që e bën më të domosdoshme, pasi katër artikuj për dhjetë vjet janë shumë pak, që do të thotë se studimet në këtë fushë kanë munguar dhe ka nevojë për to. Përveç kësaj mendoj që, nga pikëpamja shkencore janë artikujt më të realizuar. Mungesa e këtyre artikujve në bibliografi tregon më së paku neglizhencë dhe më së shumti çensurim apo mungesë dëshire për t’i përfshirë, mbase pse jo edhe vetë profesorin apo emrin e tij. Përfshirja e tyre jo vetëm që do të shtonte informacionin dhe tregonte mënyrën e analizës  për dasmën, por do i bënte nder bibliografisë dhe do i vinte në ndihmë edhe studiuesve të rinj. Ata  do të mësonin.

Pse duhet të lexohen këta artikuj sot. Leximi dhe risjellja pas gati dyzet vjetëve ka arsye. Dhe arsyeja e parë është vështrimi i tyre në një kontekst të ri kohor.  Sot  në Shqipëri ka ndryshuar çdo gjë, qoftë në aspektin politik, ekonomik, social, apo kulturor. Shoqëria shqiptare është në një periudhë të përplasjeve midis traditës dhe modernes. Gjithsesi, duket se këta artikuj i qëndrojnë kohës mirë edhe sot, madje edhe ballafaqimeve kulturore. Dhe kjo është mjaft për t’u vlerësuar. Profesor Albert Doja, dasmën Dardhare e ka dhënë në shumë dimensione, duke e parë si proces. Në këtë proces kulturor harmonik përfshihen njëherazi mjedisi ceremonial, ritet e ndryshme që kryhen gjatë saj, veshjen, stolisjen, lulet, këngët, vallet, urimet etj. dhe sidomos ndikimi që ka tek pjesëmarrësit.

Metodologjia e ndjekur është tërësisht e mbështetur mbi parime shkencore. Fillimisht mendoj profesori ka hartuar skemën në të cilën do të mbështetej për të shkruar artikujt. Më pas është konsultuar me literaturën që ka ekzistuar dhe më kryesorja ka bërë kërkime në terren. Literaturën e ka parë në një qasje tërësisht shkencore. Kërkimet në terren janë bërë për periudha  të ndryshme. Të gjithë këtë material të grumbulluar profesori e ka interpretuar në një qasje tërësisht filozofike, antropologjike dhe psikologjike. Gjithashtu ka bërë vlerësim të elementëve estetikë të dasmës dhe ndikimin e tyre tërësisht pozitivë në jetën e njeriut.

Të gjitha këto, së bashku me interpretimin shkencor të dukurive në ceremonial i japin këtyre artikujve vlerë të padiskutueshme. I tërë punimi ka si bosht parimet filozofike, estetike, të bukurën në shoqërinë njerëzore. Asgjë nuk është rastësore, gjithshka e ka një shpjegim dhe një mesazh. Kjo e bën interesante  dhe i shton vlerën artikujve. Për kohën kjo metodologji ka qenë mjaft e përparuar. Në studimet e tij është udhëhequr nga parimet shkencore të antropologjisë kulturore, estetikës dhe poetikës, pavarësisht kohës kur janë shkruar.

Elementi i parë në këtë shkrim është prezantimi me natyrën e Dardhës, që ndikon edhe në ceremonialin e dasmës. Bukurinë e natyrës e ka ndërthurur mjeshtërisht me këtë ceremonial duke i dhënë madhështi dasmës. Fshati Dardhë është i pasur me komplekse të bukura natyrore, atraktive dhe me natyrë magjepsëse. Gjithashtu ky fshat paraqet një thesar të pasur të trashëgimisë kulturore, materiale e shpirtërore gjatë periudhave të ndryshme historike.

Elementi i dytë i përshkruar në detaje është banesa e cila mbart ngarkesën kryesore në të cilën zhvillohet ceremoniali. Ajo jepet ashtu siç është, me të gjithë elementët përbërës të saj.

Pjesën kryesore në të dy artikujt e ze ceremoniali i dasmës, të cilën e zhvillon me aq dashuri dhe emocion. Këndvështrimi nga i cili e sheh këtë eveniment është ai estetik dhe poetik.

Edhe ritet përbëjnë një nga momentet e rëndësishme në ceremonial. Ato i japin realisht elemente të traditës dasmës që në thelb janë pjesë e identitetit.

Duhet të pranojmë se profesori ka pasur edhe vështirësi gjatë punës për shkrimet e tij. Periudha kur janë shkruar artikujt ka pasur mangësi të literaturës së huaj apo shqiptare. Literatura e huaj nuk lejohej, ose kishte fare pak, dhe jo e lehtë për t’u gjetur. Këtë mangësi është përpjekur ta plotësojë nëpërmjet gjetjeve në terren dhe interpretimit të tyre me aq mjeshtri dhe kulturë. Vështirësia tjetër qëndronte edhe në interpretimin e literaturës apo gjetjeve në teren, që kërkonin mjaft kujdes. Sa i takon studimeve shqiptare, për këto probleme ishin të pakta. Atë literaturë që profesori ka patur në dispozicion e ka parë në një qasje tërësisht shkencore, i zhveshur nga ndikimet dhe paragjykimet politike të kohës. Nuk gjejmë asnjë referencë të literaturës politike apo dokumenteve të Partisë së Punës dhe udhëheqësit të saj. Ky qëndrim, jo vetëm ka qenë tejet i guximshëm, por flet edhe për formimin shkencor të autorit. Pra, nuk e ka ngatërruar shkencën me politikën. Në një nga këngët e përzgjedhura nga profesori tregohen edhe dallimet ekonomike midis personave që martoheshin. Ata mundet të vinin nga familje me diferenca në aspektin ekonomik. Këtë e ka bërë për të qenë i vërtetë dhe për të treguar dasmën dhe shoqërinë ashtu siç ishte. Konkretisht: “….un’ do të marr se ke dyqan, e çdo muaj më bën fustan, un’ do të marr se kam zili, më mban qosteknë larë flori. Më mban unazë gur xhevahir, un’ do të marr se ke shtëpi, e do më bësh shumë stoli[5]. Vendosja e këtyre vargjeve është guxim. Jemi në komunizëm ku supozohej se nuk kishte dallime klasore. Apo përmendja e qostekëve prej floriri dhe unazave me gurë xhevahiri, që ishin sinonim i borgjezisë, gjithashtu duhet vlerësuar. Partia trumbetonte se njerëzit ishin të barabartë, nuk ka pronë private (dyqan) etj. Kjo ishte kënga. Ajo nuk duhej dhe nuk u tjetërsua nga profesori.

Për të qenë të drejtpërdrejtë në atë kohë gjejmë mjaft artikuj të profesorëve dhe autorëve të ndryshëm  për këtë problem. Ka punime të cilat e shohin dasmën në të gjitha dimensionet, por ka edhe që shohin elementë të veçantë të saj. Gjithsesi këto janë zgjedhje personale. Krahas vlerësimit nuk mund të lemë pa përmendur edhe disa problematika, që bëjnë diferencën me artikujt e trajtuar. Në këto artikuj janë referuar dokumente të Partisë apo fjalime të Enver Hoxhës. Të krijohet bindja sikur orientimet në këto dokumente janë këndvështrimi nga i cili janë nisur për të trajtuar problemin. Konkretisht në një artikull të botuar në vitin 1980, shkruhet: “Tani nusja shkon në shtëpinë e burrit pa duvak, por fytyrëzbuluar, e veshur thjesht e bukur. Madje, në ato krahina ku ka kostume popullore ajo vishet me to, duke ruajtur traditën pozitive të popullit tonë. Duke folur për këtë problem shoku Enver ka thënë: “Po çfarë na prish ne dëshira e një vajze, që kur martohet do të veshë një kostum të bukur popullor…?[6]” Pse duhej referuar Enver Hoxha, a nuk mund të shihej ky ndryshim si rezultat i emancipimit të shoqërisë dhe tendenca për të përkrahur të renë? Sigurisht që nuk dua të paragjykoj asnjeri, pasi ashtu ishte koha, duhej patjetër të kishe si referencë dokumentet e Partisë dhe shokut Enver në punimet shkencore, por ama vlerësoj edhe ata studiues që me kurajo dhe guxim nuk i referonin dhe i shmangën ato, gjë që mund të kishte edhe pasoja.

Mund që edhe redaksitë e revistës të mos e pranonin punimin pa këto referenca, por  fakti tregon se, kur artikujt ishin të arrirë nga pikëpamja shkencore redaksia mund t’i pranonte. Niveli shkencor mund të shmangte çdo përpjekje për politizim. Jo vetëm kaq, por në mjaft raste, janë paraqitur si zhvillime pozitive të dasmës gjatë periudhës së socializmit disa dukuri të reja. Tek këto dukuri përmendim, thjeshtësinë e ceremonialit, heqjen e disa riteve, duke u konsideruar si zakone prapanike etj. Gjithashtu nuk harrojmë disa risi në ceremonial, që nga  ngritja e dollisë së parë për Partinë dhe udhëheqësin e saj, heqjen e fustanit të bardhë të gjatë të nuses, zvogëlimin e pajës, daljen menjëherë në punë të nuses etj. Këtyre fenomeneve madje edhe u është kënduar dhe të kundërtat janë quajtur mbeturina mikroborgjeze. Pikërisht këto “të reja” nuk i gjejmë të pasyruara tek artikujt e shkruar nga Profesor Doja. Ceremoniali i dasmës është përshkruar siç ishte. Kjo bën diferencën dhe sot ia rrit vlerën këtyre artikujve. Ajo është realisht e vërtetë.

Sot ka shumë punime, libra, artikuj që janë shkruar për ritet dhe traditat në dasmat në Shqipëri. Janë punime të cilat meritojnë të vlerësohen. Të tillë mund të përmendja monografinë e Dr. Albana Velianj, Rite e Simbole në Dasmën Tradicionale Shqiptare, botuar në 2017.

Pas viteve 1990 autorët kanë pasur lehtësira për të shkruar. Literatura si e huaj dhe shqiptare gjendet pa vështirësi. Gjithashtu ka ndryshuar edhe këndvështrimi i problemeve apo interpretimi i tyre. Liria akademike i ndihmon studiuesit. Në studimet e sotme, në jo pak raste vemë re se nuk trajtohen disa rite që u krijuan në kohën e komunizmit. Edhe këtu mendoj se ka shmangje nga e vërteta. Duam apo nuk duam disa gjëra kanë ndodhur dhe janë pranuar nga populli. Ato janë pjesë e historisë dhe kulturës sonë shpirtërore. Të tillë mund të vlersoja edhe artikujt e Genc Lekës[7],“Doke të martesës në Bërzeshtë (Librazhd)”, ku na jepet një informacion mjaft i bollshëm për disa zakone të martesës. Aty nuk analizohet dasma si ceremonial. Informacioni fillon me përpjekjet për lidhjen e krushqisë, kushtet midis familjeve, raportet midis të rinjve etj., deri tek dasma.

Ai jep disa zakone të cilat e shpesh-herw e bënin të pakëndshme martesën. Ja si shprehet autori: “Sidoqë në të kaluarën e largët zakonet e dasmës ishin të tilla që e bënin atë më tepër një ngjarje formale, sesa të gëzuar, nga që shtypja dhe ndrydhja ishin shumë të rënda, po të vërejmë këngët lirike të dasmës, kuptojmë se dëshira për fejesë dhe martesë të gëzuar ka qenë shumë e madhe tek të rinjtë”[8]. Autori ka tendencë, që të mbajë edhe qëndrim ndaj disa dukurive apo riteve tradicionale, të cilat po zhdukeshin dalëngadalë, madje pajtohet me ndryshimin. Ajo që të bie në sy është fakti që, autori i sheh disa rite si zakone të “vjetra”, të cilat pengojnë frymën e re në procesin e martesës.

Ky është dallimi me shkrimet e profesorit, i cili na jep edhe rite të dasmës Dardhare, që kishin qënë para Shpalljes së Pavarësisë, apo Luftës së Parë Botërore, ashtu siç kishin qenë. Ai nuk vlerëson rite “të reja” apo “të vjetra” të dasmës. Profesori e sheh dasmën si ansambël ritesh dhe zakonesh, të cilat tregojnë kulturën materiale dhe shpirtërore të zonës së Dardhës. Gjitashtu e sheh dhe e vlerëson edhe në kontekstin historik

Shpjegimi i dukurive në disa nga këto punime të autorëve të tjerë ka qenë i mirë, por ka munguar vlerësimi estetik dhe poetik i ngjarjeve. Gjithashtu ka munguar analiza antroplogjike e disa riteve të cilat nuk ndodhnin rastësisht në ceremonial. Kjo ka bërë që kur i lexon merr njohuri, por nuk kupton cila është domethënia e e riteve që zhvillohen aty, si dhe nuk ndjen asnjë emocion. Mesazhet dhe ndjesitë, emocionet  janë ato që përçohen gjatë leximit.

Me artikujt e shkruar nga Profesor Doja ndodh e kundërta. Aty merr dhe njohuritë dhe emocionin hap pas hapi për të gjithë ceremonialin. Kur i lexon ndjen një kënaqësi të brëndshme, përfshihesh në ceremonial, madje të duket sikur i jeton ato çaste. Ndjen nostalgji.

Dasma e paraqitur është sa magjike aq dhe e fisme dhe këtë ai e ka bërë me pasion. Dasmën, me të gjithë elementët përbërës, e ka kthyer në institucion. Sipas përshkrimit, është dashuri, këngë, valle, bukuri, lule, nuse, dhëndër. Këto janë fjalë kyçe me të cilat parakuptohet dasma si ceremonial. Nga dasma tradicionale profesori nuk ka hequr asgjë, nuk ka bërë as më të voglin retushim. Aty shkruhet edhe për rite, të cilat pas 1967, në emër të revolucionarizimit të jetës, me vendim të Partisë, thuajse ishin hequr fare. Ai e ka dhënë dasmën me vërtetësinë dhe realitetin e saj në kohë dhe hapësirë, në të tërë përmbajtjen. Në atë periudhë të trazuar, të mpirë dhe të vështirë, leximi i këtyre artikujve krijonte një ndjenjë të bukur dhe të gëzuar, të jepte emocion, për të cilin kishte nevojë shoqëria jonë.

Dasma e paraqitur në artikujt e Profesorit, duhet të jetë pjesë e trashëgimisë kulturore të Dardhës e zonave përreth. Mënyra e paraqitjes së saj është sa filozofike aq dhe e thjeshtë për t’u kuptuar.

Në këta artikuj gjen koherencë dhe rrjedhshmëri në të shkruar. Ka fjali dhe frazë të plotë dhe melodioze. Janë punime tërësisht origjinale. Ato mund të shërbejnë si referencë për studiuesit e rinj. Artikujt janë shkruar të rreth 40 vjet më parë, por duket sikur janë shkruar me dijet dhe përvojën e sotme, me mendësinë dhe mundësitë e sotme. Këta artikuj tregojnë mënyrën se si organizohet një studim kërkimor mbi baza shkencore, por edhe si krijohet një vepër arti, apo krijimin e të bukurës nëpërmjet fjalës. Unë mësova.


Zhuljeta Kadilli: Diplomuar në Universitetin e Tiranës, në Fakultetin e Historisë dhe Filologjisë, dega Histori Gjeografi në vitin 1983. Në vitin 2008 ka marrë gradën shkencore “Doktor”. Në vitin 2014  ka marrë titullin “Profesor i Asociuar”. Nga viti 2000 deri në vitin 2022 ka qenë pedagoge në Universitetin “Aleksandër XHUVANI” Elbasan. Nga viti 2022 pedagoge në Kolegjin Universitar “BEDER” Tiranë.


[1]  Albert Doja, Pasqyrimi poetik i zbukurimit në ceremonial të dasmës, Kultura Popullore, nr. 2, 1986, f. 39.

[2]  Po aty, f. 46.

[3]  Albert Doja, Pasqyrimi poetik i zbukurimit në ceremonial të dasmës, Kultura Popullore, nr. 2, 1986, f. 44.

[4]  Albert Doja, Poetika e zbukurimit në ceremonial të dasmës, Kultura Popullore, nr.1, 1987, f. 138.

[5]  Albert Doja, Poetika e zbukurimit në ceremonial të dasmës, Kultura Popullore, nr.1, 1987, f. 142.

[6]Dukuri të reja të ceremonialit të dasmës pas çlirimit dhe lufta kundër zakoneve të vjetra, Kultura Popullore, nr. 2, 1980, f. 81.

[7]  Genc Leka, Doke të martesës në Bërzeshtë (Librazhd), Kultura Popullore, nr. 1-2, 1993, 1-2, 1994.

[8]  Po aty.

Exit mobile version