Kreu Histori Zërat e historisë në dramën e vetme të Kongresit të Lushnjës

Zërat e historisë në dramën e vetme të Kongresit të Lushnjës

HEKURAN ZHITI

-nga Akti III i dramës “Të mblidhemi në Lushnjë”

Në Kongres:

Salla me 10 ose 12 sërë karrigesh. Në krye një tryezë e madhe, në anë të saj një flamur kombëtar me shtizë dhe një portret i Skënderbeut në njërën dhe i Ismail Qemalit në anën tjetër. Kongresistët, disa me veshje karakteristike të Veriut e të Jugut dhe disa me kostume evropiane, borsalina e gravata e çanta, janë shpërnarë në grupe, dy e nga tre, duke biseduar…

. Lushnjarë e bashkë me ta e të tjerë të armatosur, Vathi, Bajrami, Vrenozi, Thimiu etj., si roje rrinë pak larg, hyjnë dhe dalin.

ZËRA:

– …kam ardh mes borës, ujqve dhe ushtrisë serbe…

– E madhe shtëpia… e mblodhi Shqipërinë…

– …nuk kanë mbrritë të gjithë…

– …ku ishit mbrëmë?

– Këtu afër. Na kanë pritur me këngë. Këndonin me radhë dhe dilnin bënin roje me pushkë jashtë shtëpisë…

– …kush e kishte Korçën, grekërit apo francezët?

– Francezët për grekërit…

– Shiko Plakun e Butkës… legjendarin…

– … sa kohë që s’jemi parë? Qysh në Vlorë,

– …atë ditë kur u ngrit flamuri…

– A fillojmë, burra? Koha nuk pret…

– I përndershmi Sheh Karbunara do t’i bëjë një lutje Zotit, që të na bekojë… ogur i mirë… në mbrojtje nga të papriturat e shumta… ka kaq trazira…

(Të gjithë pa lëvizur nga vendi ngrijnë në heshtje dhe secili, sipas mënyrës së vet, luten, dikush me kokën lart, me duart e bashkuara, me kryet ulur, ndonjë gjunjëzohet, mërmërisin etj., në mes tyre Sheh Karbunara i statujtë duke krijuar kështu një si grup skulpturor sugjestionues, suprem…

– Përfaqësuesi i Lushnjës ta marrë fjalën… Zoti Vokopola nise…

PËRFAQËSUESI I LUSHNJËS: Në emër të Prefekturës së Lushnjës, Beratit e Skraparit ju uroj mirëseardhjen në Kongres. Nuk jemi këtu vetëm në shtëpinë e mikut tonë bujar, lushnjarit të nderuar Kaso Fuga, por dhe brenda mureve të historisë. Po nisim një betejë, sot më 21 Janar 1920, e mërkurë, që nuk do të harrohet, e ndjej… (emocionohet) Zini vendet… në këtë sallë… por dhe në ngjarjet që na presin…

Ia jap fjalën patriotit të flaktë, veprimtarit të palodhur kundër pushtimit otoman, mbështetësi kryesor i Ismail Qemalit, ministër në qeverinë e parë, Elbasan Pashës, i zbardhur në përpjekjet për çështjet e më mëmëdheut. Urdhëroni!

ELBASAN PASHA (I moshuar, me pak mjekër të bardhë, i hollë, i thatë, me kravatë e qylaf, me zë të ngadaltë e pak të ngjirur.): Të dashur qytetarë, delegatë nga i gjithë vendi, ju që keni ardhur dhe ata që nuk kanë arritur ende, por dhe ata që nuk do të vijnë dot kurrë se janë vrarë për ideal, (duartrokitje të forta), luftëtarë, burra që më bëtë nderin ta çel këtë kuvend, vazhdim i atij të Lezhës me Skënderbeun dhe i atij të Prizrenit me Abdyl Frashërin me shokë, duke ju falenderuar me shpirt, shpall të hapura punimet. Së bashku të hapim udhën që do të ndjekim. Nëpër vazhdën e gjakut do të shkojmë ku na e do zemra e plasur që të arrijmë te ëndrra, atje ku na e do puna, sipas amanetit të të parave. Shqipëria është bërë një herë dhe nuk ka pse zhbëhet! (Duartrokitje)

Zotërinj, jeni të lodhur, e di, keni ardhur rrugë e pa rrugë, mes përmes pushtonjësve të Shqipërisë, kjo na ka vrarë më shumë se sa të tatëpjetat, shtigjet e humnerat, se nata me erë e bora, kemi ecur me mjete që prisheshin, kështu e lanë atdheun tonë, me karroca e kuaj e më këmbë, po u shplodhëm që gjetmë sho-shoqin e do të bëhemi me flatra kur të gjejmë dritën që na duhet.

Kam kërkesën që të nderojmë dëshmorin e kësaj ideje, bashkëpunëtorin tonë të ngushtë, Abdyl Ypin, që e vranë ca ditë më parë për të mos qenë këtu ai dhe të gjithë ne e ky Kongres të mos mbahej. Nëpërmjet tij duam të përulemi para gjithë të rënëve dhe martirëve të Kombit…

Të gjithë ngrihen më këmbë. Heshtje e thellë…

KRYETARI (i porsazgjedhur) Të vazhdojmë më tej… tëformojmë komisionet, që tani, të ndahen përfaqësonjësit në grupe dhe… Po emërojmë Sekretarin e Kuvendit, zotin Vokopola dhe për të këqyrur letërpërfaqësimet e delegatëve, pra një komision të posaçëm prej 5 vetash… Hë, të presim… për të mos pritur…

DELEGATI I MATIT (ngrihet) Unë jam për sulm, i përndershmi Sheh!

ZËRA: Me shka, me çfarë?

DELEGATI I MATIT: Me armën e diplomacisë, me diplomacinë e armëve.

DELEGATI IV:: burra, gra, djem e pleq, me spata e me hunj, me armët që kemi, të përzëmë armiqtë nga toka jonë. Të hedhim si leckë qeverinë e sotme, që nuk bën për sot. (Duartrokitje)

KRYETARI: Traktatin e Fshehtë të Londrës… Kongresi e hedh poshtë me vendosmëri duke përgatitur një protestë energjike për Konferencën e Parisit.

Kjo bëhet në emër të Asamblesë së Kombit në Lushnjë, kundër vendimeve të Francës, Anglisë, Italisë për copëtimin e Shqipërisë ndërmjet Italisë, Greqisë, Sërbisë e Malit të Zi. Rezolutën, na vjen një kërkesë, përfundoje kështu (lexon): Shqiptarët janë gati të bëjnë çdo lloj sakrifice dhe me e derdh pikën e fundit të gjakut të tyre kundër çdo veprimi, që mundet me vue në rrezik pamvarësinë dhe tërësinë e saj tokësore…

Ndizen drita ngadalë, salla e kuvendit, përfaqëuesit nëpër vende, kongresi vazhdon punën…

SHEH KARBUNARA: Të tregojmë që dimë të qeverisim. Shteti i pavarur shqiptar është realitet. Kështu kanë bërë dhe disa shtete të tjera të robëruara, zotërinj, kështu Çekosllovakia, Finlanda, Polonia, Lituania… Edhe ne. Shtet i vjetër, qeveri e re!

ROJET E ARMATOSURA: Rroftë Qeveria e re!… (Duartrokitje)

NËNKRYETARI: Të përgatiten tekstet që do t’i dorëzohen Konferencës së Paqes në Paris dhe Senatit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, sugjerime!

PLAKU I BUTKËS: T’i drejtohemi Parlamentit italian, por jo me ton të butë, kështu m’u duk se dëgjova, me lal e me lule ose me tryla si thotë myzeqari. Me spatët dardharit siç e përdorin nga Korça…

PËRFAQËSUESI I MATIT: Shkronjat duhet të bjenë erë barut!….

VRENOZI: Zoti ka urdhëruar këtë Kongres për të shpëtuar Shqipërinë.

DELEGATI IV: Populli është mbret vetë dhe s’ka nevojë për mbretër, sulltanë e perandorë.

KRYETARI: Të gjykojmë situatën ku ndodhemi.

DELEGATI II: Kongresi do përballet dhe do krijojë situatë vetë. Ne na shkon republika, republika, zotërinj dhe asgjë tjetër.

ZËRA: Republikë, po, po republikë…

THOMAJ: Mbështetur nga shumë pëlqime, mendoj të kemi kryeministër zotin Sulejman Delvina.

DELEGATI I: Tani ai ndodhet jashtë shtetit, në Konferencën e Parisit, pra askush këtu nuk mendoi tjetrin pranë a vetveten.

DELEGATI II: Gjithmonë më i mirë është ai që mungon… (Të qeshura)

KRYETARI: S’është ashtu gjithmonë. Ne i dimë vlerat e mëdha të zotit Delvina, rrjedh nga një familje ndër më të njohura dhe më të famshme në të gjithë Jugun. Ka kryer gjimnazin e Janinës dhe mandej në Stamboll. Fakultetin e Mylqijes në kryeqendrën e Perandorisë Osmane dhe pas marrjes së diplomës, siç e dini, ai u caktua menjëherë atasheut në Ministrinë e Brendshme të Turqisë dhe më pas si sekretar në zyrën e dekreteve të Kryeministrisë. Po në ato vite, ai shërbeu si profesor i literaturës në Gallata Saraj, etj. Në Bibliotekë gjithmonë e gjeje me libra francezë, të kulturës dhe shkencës perëndimore, dihen dhe interesi i tij e adhurimi dhe mirënjohja për Amerikën…

DELEGAT II: Ai të vijë sa më shpejt.      Ministër i Punëve të Mbrendshme Delegatin e Matit, Zogun e maleve, trimin 25 vjeçar… po, po… Ministër i Punëve të Jashtme z. Mehmet Bej Konica… Ministër i Arsimit z. Sotir Peci… Ministër i Drejtësisë z. Hoxhë Kadri Prizrenin… Zëvendës z. Hysen Bej Virjoni… Ministër Finance Z. Ndoc Çoba… Zëvendës z. Idhomen Kosturi…

(Votohen. Duartrokitje…)

KRYETARI: Tani nuk na mbetet gjë tjetër, veç të bëjë betimin Këshilli i Naltë dhe Qeveria e re dhe të gjithë delegatët për ato që marrim përsipër. (Heq flamurin me shtizë e del para tavolinës duke e mbajtur në dorë.) Urdhëroni, zotërinj, të bëjmë betimin më të lartë para Kombit.

(Delegatët ngrihen në këmbë ndërsa të zgjedhurit afrohen para Flamurit.)

SEKRETARI (Lexon me zë të lartë): «Betohem n’Emën të Perëndis, tue dhanë besën shqiptare e fjalën e nderit përpara Mbledhjes së Kombit, se do t’i shërbej popullit dhe shtetit shqiptar drejtësisht dhe mproj ligjet dhe indipendencën e plotë të atdheut të shenjtë!»

TË ZGJEDHURIT (Një zëri) Betohemi!

(Duartrokitje. Kryetari u jep dorën. Delegatët ulen.)

NJË ZË: Dua të shtoj dhe poetin e madh Gjergj Fishta! Le ta kenë si sekretar më vonë…

NJË ZË TJETËR: Rroftë Poeti! (Duartrokitje prapë.)

KRYETARI: Kongresi i Lushnjës është Pavarsia e Dytë e Atdheut!

SEKRETARI: Si kujtim nga ky Kongres kemi ca flamurë të vegjël si lulkuqet e fushave me grurë të Muzeqesë, vërini nga ana e zëmrës. Këta do t’i shpërndajmë kudo.                            

Shpërndan flamujt e vegjël.

NJËRI NGA DELEGATËT: Ja, kështu dua ta kem plagën në gjoks në luftë për atdhe…

ZËRA TË ASHPËR: Jeni të rrethuar… ndalni!… Kongres i paligjshëm… Dorëzohuni… do ju shpërndajmë me forcë…

(Jehona e kërcënimeve përsëritet në gjuhë të tjera, italisht, greqisht, serbisht: ndalni… të rrethuar…)

MINISTRI I BRENDSHËM SHQIPTAR: Largohuni! Kongresi shqiptar është mbledhur si vullnet i popullit dhe jo në mëshirë të ndokujt, ushtri qoftë a qeveri e huaj. Po ju them që mos u përzieni në punët tona, përndryshe do ju godasim. Ne nuk duam armiq, por bëni mirë të largoheni nga Lushnja… dhe nga Shqipëria. Ndryshe do ju përzëmë dhe me luftë. Unë, bashkë me forcat e mia të armatosura do të marrshojmë drejt Tiranës!

NJË ZË I ASHPËR: Kush jeni ju?

MINISTRI I BRENDSHËM: Ministri i Brendshëm i Qeverisë së vendit tim. Hapnu udhën!

ZËRI: Mos lëvizni.

MINISTRI I BRENDSHËM: Unë nuk njoh tjetër autoritet, përveç Kongresit të Lushnjës. Ju përdorni armët që keni në dorë, në guxofshi. (Të vetëve.) Përpara me mua! Hingëllima kuajsh, trokëllima…

Bie perdja.

XHEVAIR LESHI

Trinia: kongresi, drama autori

1- Pa Kongresin e Lushnjës do të humbte si në shkretëtirë Pavarësia e Shqipërisë, e arritur nëntë vjet para Ngjarjes së Madhe. Pa Kongresin e Lushnjës Pavarësia do të kish mbetur nën rrebeshet e tmerrshme të kohërave që, siç kishin kaluar nëpër Luftën e Parë Botërore, priteshin të binin sërish mbi trupin e Atdheut… Por Kongresi erdhi. E sollën ata, atdhetarët e fisëm e të mëdhenj të Shqipërisë, që, të tillë kanë mbetur për jetë.

Kanë 100 vjet që ata i kemi në bronz dhe ky jubile na i sjell sërisht afër, duke pasur ndjesinë sikur ka ndodhur dje….

Lexoja shënimin e Visar Zhitit bash për këtë ditë të shënuar e për dramën e saj dhe m’u duk se ishim në të njëjtin përdytyrim. «Përfaqësues, të përzgjedhur apo të vetëcaktuar, nga të gjitha trevat e vendit, kush e ndjente dhe mundte, nga ata që kishin bërë emër, kryengritës a nëpunës, që kishin qenë në Vlorë 8 mote më parë në ngritjen e Flamurit të Pavarësisë, që kishin punuar në perandorinë otomane apo kishin studiuar nëpër Evropë, që kishin mërguar deri në Amerikë, nga ata që kishin bërë për vendin dhe kishin sakrifikuar, u nisën për në Lushnjë, me ndonjë makinë, nga ato të pakat që ishin atëherë, e ngadaltë si qerret, me kuaj, në këmbë, kaptonin male, çanin borën dhe baltën e dimrit, rreziqet nëpër shtigjet ku mund të gjendeshe befas mes ushtrive të huaja…»

Çfarë sakrifice dhe vetëdijësimi!…

“Të mblidhemi në Lushnjë!” ishte thirrja. Pa telegraf, por me thirrjen e thjeshtë të zemrës, se vetëm ashtu do të shkruhej ndryshe historia, pa menduar ndonjë tender se ku mund të mblidheshin dhe s’i mund të ndaheshin milonat, sepse ishte rreziku i ndarjes së atdheut.

…Dhjetë ditët e Kongresit të Lushnjës! Në to do të ribëhej shteti shqiptar, do të caktohej kryeqyteti, Tirana (me të sotmen e papërfytyrueshme atëherë!), «do të emërohej kryeministri dhe qeveria e tij për t’i dalë zot vendit, institucionet dhe detyrat.»

…Pushka e gjatë e Sulës Zdravës, me të cilën kishte marrë pjesë në Rrethimin e Shkodrës apo kishte mbrojtur Beratin nga andartët grekë, çante qiellin dhe errësirën, ngrohte shpirtra dhe jepte forcë… fare i vetëm do të bënte epokë…

2- Në moshën 60 vjeçare, dramatugu Hekuran Zhiti përfundon dramën e tij të fundit për një nga dramat më heroike të atdheut, Kongresin e Lushnjës.

E shkruante për Lushnjën, për mundësitë e saj të pakta atëhere, në një fletore të zakonshme, me atë shkrimin e bukur, pak të pjerrët e të shpejtë si rilandasit, duke besuar, sado pak se do të mund të vihej në skenën e tetatrit pranë sarajeve ku mbajt vetë kongresi apo aty te shkallët.

Është një dramë popullore, me atë gjuhë e me personazhë të tillë, jo nga ata që bëjnë historinë, por nga ata që e pësojnë atë, siç na thotë Visari dhe atë po vazhdoj të citoj, – ku ndihen shqetësimet, intrigat e kohës, vuajtja, lufta, përpjekjet ekzistenciale të njeriut dhe vendit dhe befas akti final, i treti, Kongresi shpëtimtar, ai që realizoi pavarësinë e dytë të Shqipërisë.

Hekuran Zhiti na duket se e shkruante këtë dramë si një testament të atyre burrave që i dolën zot vendin në një kohë tejet të vështirë dhe pastaj ikën një nga një e u futën në histori.

Hekuran Zhiti po i thërriste. Ndoshta ky ishte dhe testamenti i tij. Që do ta përfundonte i biri, Visar Zhiti, që na e solli të plotë dramën. Dhe ky është libri i tretë i autorit tonë…

3- «Hekurani, pasi mbaron shkollën fillore në Berat, shkon për studime në “Normalen” e famshme të Elbasanit, ku spikat për vjershat e tij satirike dhe interpretimet në skenë, i vlerësuar nga pedagogët e tij si Simon Shuteriqi, babai i shkrimtarit dhe studiuesit Dhimitër Shuteriqit, dhe Karl Ljarja, babai i aktorit Rikard Ljarja etj., por edhe nga shokët e klasës si shkrimtari i ardhshëm Sterjo Spasse etj. Ëndrra e tij u bë teatri. Luante në pjesët teatrore që përkthenin pedagogët dhe nisi të shkruajë edhe vetë.»

Revista Normalisti (botuar në Tiranë, shtypshkronja Shkodra, 1933) ka edhe këtë kujtim të bashkëstudentit të tij, Vasil Vaska: «…Gjith natën e kaluem tue bamë gas, tue këndue e tue çfaqun nji komedi të trillueme prej H. Zhitit…» Kurse miku tjetër i klasës, Haki Ballshi, në një kumtesë do të thoshte:                   «E qeshura, sipas Hygoit të madh, është dielli që përzë dimrin nga fytyrat e njerëzve. Dhe neve na e hiqte dimrin nga fytyrat e qeshura që na jepte një diell-njeri, një humorist i rrallë, shoku ynë i klasës H. Zhiti. Ai ishte Omar Khajami ynë… Portretin e tij nëpër reklama e shëtisnin hamejtë e skenës rrugëve të qyteteve, duke u bërë kështu humoristi më i mirë i Jugut…»                                          «Ne e kishim idhull H. Zhitin», – do të thoshte në Uashington, në «Zërin e Amerikës» gazetari i mërguar Ilia Therecka, ish-i burgosur politik…»

«Normalistët bëjnë një turne në të gjitha qytetet kryesore të Shqipërisë, se kur e njeh vendin, e do edhe më shumë. Në Shkodër i priti patriarku i letrave shqipe, Atë Gjergj Fishta, që e vlerësoi Hekuranin sipas dëshmive gojore…»

 …Krijimtaria e Hekuran Zhitit ka tërhequr vëmendjen e lexuesit dhe të kritikës, e cila ka bërë ta rikujtojnë jo vetëm në dheun amë, dhe në Kosovë e Maqedoni, por dhe më gjerë, tek arbëreshët në Itali, në diasporë e deri në SHBA.                      

Së pari, doli postume përmbledhja me poezi «Kryengritje shqiptare në parajsë», ku qëmtohet kryesisht krijimtaria e Hekuran Zhitit e shkruar gjatë Luftës së Dytë Botërore, para dhe pas saj, si dhe një pjesë nga satirat, ku në mënyrë parodike përmblidhet se kërkon të këndojë «trimëritë e një Ak(c)ili».

Më pas dolën njëherësh «Shtatë komedi». Po i rendisim titujt: Nusja në thes, Palla e nderit, Shakaxhinj dhe batakçinj, Magjistari i rremë, Gratë e atij fshati, Rruga e Skraparit, Të përmbysurit

          Në ballinat e librave janë dy vizatime të nipit të autorit, Atjonit fëmijë, që i bëri posaçërisht për veprën e gjyshit.

«Hekuran Zhiti – shpirti krijues që priti kaq gjatë», do të shkruante prof. dr. Josif Papagjoni (“Mehr licht”, Tiranë, 2007. Dhe më pas e përmbledhur në enciklopedinë Teatri & Kinematografia Shqiptare, Tiranë, 2009).»

Papagjoni thekson: «…jo shpesh ngjet që të zbulohet krejt një autor i panjohur më parë nga lexuesi i gjerë; një autor i ngujuar diku në pjesën e territ të kohës a të fatit… Një zbulim… çka është një ringjallje e shpirtit të një autori që lipset të zërë vendin e vet të merituar në banesën e hirshme të dramës e të teatrit, një ringjallje… ky autor elegant, aq shpotitës, modelimi i një moleriani shqiptar, a Kalderoni, a Goldoni, plot shije e nur?…»

«…nuk mund të rrimë pa shfaqur habinë dhe admirimin tonë të sinqertë. Në çast më vijnë në mendje autorë të tillë, si Kristo Floqi me komeditë e tij të shkurtra apo Et’hem Haxhiademi me tragjeditë e tij. Janë bashkëkohës në letërsi, dy të parët tashmë të mirënjohur dhe me vendin e tyre të nderit në historinë e dramaturgjisë shqipe, kurse Hekuran Zhiti krejt i panjohur, pa një vend meritor dhe detyrimisht me nxitimin për t’i dhënë kurorën e mohuar që i takon…»

Kritiku tjetër Mexhit Prençi thekson: «Vizioni i qartë i autorit e ka orientuar që ta kërkojë të qeshurën komike, jo te hunda e shtrembët, as te gunga e kurrizos, as duke u tallur me dialektet e gjuhës shqipe, apo përqeshur personalitetet e ndritura historike të kombit (siç ndodh sot në më shumë se një ekran televiziv), por te morali i deformuar i njeriut dhe shpirti i shëmtuar i tij.» …

Sot një rrugë në qytetin e Lushnjës mban emrin “Hekuran Zhiti” dhe ai është shpallur dhe “Qyetar Nderi”.

VISAR ZHITI

Në ndjekje të porosisë

…si e pa përfunduar, e mbetur në dorëshkrim që nga mesi i shekullit të kaluar, – kisha thënë, – por me gjakimin, që, nëse do t’ia kërkonin ndonjëherë të vihej në skenë, autori do ta rimerrte dhe do ta përshtaste me kohën, domethënë me rrethanat, jo veç ato të skenës, të vegimit regjisorial dhe lojës së aktorëve etj, ngaqë Kongresi i Lushnjës, i quajtur dhe si Pavarësia e Dytë e Shqipërisë, është një ngjarje kulmore në histori, e patundshshme, që kërkon përtëritje në riparje, në shëmbëlltyrën e lartë që dha, të përbashkimit dhe të mënçurisë, të veprimeve të guximshme në shpëtimin e vendit.

Nuk e di a kishte menduar autori rënien e perandorisë komuniste dhe të diktaturave të saj. Ai besonte e jetonte dhe me Shqipërinë e vjetër, atë të përjetshmen. Kështu e pa dhe Kongresin e Lushnjës, një dramë me tre akte, nga e zakonshmja tek ato që ikin me përditshmërinë, nga antropologjia në rreziqet ekzistenciale e deri tek derdhja si në bronz e një altoreliefi të ngjarjes së madhe.

Në ndjekje të asaj porosie të heshtur, tani me rastin e 100 vjetorit të Kongresit të Lushnjës, botuesi UEGEN ndjeu detyrën e ribotimit të dramës, ashtu të plotësuar dhe të përfunduar, me atë dëshirë siç e nxori në dritë për herë të parë në vitin 2011, në 100 vjetorin e lindjes së autorit dhe në prag të 100 vjetorit të Pavarësisë së vendit, por tani dhe me pasionin e historianit dhe të shkrimtarit, kështu që z. Xhevair Leshi vendosi t’i shtonte botimit të ri pak histori për Kongresin dhe autorin, për t’u kuptuar, më saktë për t’u ndjerë më mirë drama e Kongresit dhe e autorit, që edhe pse ngjajnë të largëta midis tyre dhe nesh, kanë lidhje dhe kanë prodhuar njëra-tjetrën ndërsjelltas.

Gjithmonë ka një prag jete dhe vdekjeje. Pragu i vdekjes është dhe në jetë, ndërkohë që dhe pragu i jetës është edhe në vdekje. Ka dhe ringjallje…

 Kongresi që u mbajt në Lushnjë, sërisht i duhet vendit, jo vetëm si kujtesë kolektive, aq më tepër tani që ka dy shtete shqiptare në Ballkan dhe zjen ankthi i bashkimit, me rreziqet e zhbërjes ndryshe, me modernitetin globalizues. Se duhet t’i bashkohemi së tërës (BE) me identitetin tonë, që kohërat e deshën të jetë sakrificë e heroizëm, por dhe një mrekulli.

Exit mobile version