Poezia e Martin Camajt “Gjarpri e Grueja” është një tekst hermetik dhe i mbushur me simbole që lidhen me mitologjinë, erotikën dhe ekzistencën. Camaj njihet për stilin e tij, ku çdo fjalë peshon shumë dhe ku kuptimi fshihet pas imazheve që duken si piktura surrealiste. Ja një përpjekje për dekodifikim të elementeve kryesore të kësaj poezie: Metamorfoza e gruas, nga grua në pikturë:
Ajo mbramë harroi trupin e vet / Zbuluet / E në mëngjes e gjeti pikturë të varun
Në vargjet e para, gruaja përjeton një lloj tjetërsimi. Harresa e trupit sugjeron një gjendje ekstaze ose braktisjeje të vetes gjatë natës. Ndoshta një akt erotik ose një transformim shpirtëror ka realizuar metamorfozën. Kur vjen mëngjesi, trupi i saj nuk është më mish e kockë, por është kthyer në një objekt arti, në pikturë.
Ky është një kalim nga realiteti i prekshëm në atë ideal ose simbolik. Ajo e vëren këtë trup të huaj dhe zhduket, duke pranuar humbjen e identitetit të saj të vjetër. Më tej kemi pranvënien e petkave të gruas dhe këmishës së gjarprit:
Petkat e saj teren buzë detit / Me këmishën e Gjarprit mbi gurë.
Këtu kemi dy lloj lëkurash, petkat e gruas që janë simbol i civilizimit, veshjes së jashtme, ndërsa këmisha e gjarprit shfaqet si simbol i ripërtëritjes, por edhe i mitit. Në traditën shqiptare, gjarpri është roja i shtëpisë, gjarpri i vatrës, por këtu ai përfaqëson diçka më zanafillore, instinktin.
Të dy, si gruaja ashtu edhe gjarpri, kalojnë nëpër një proces zhveshjeje. Gruaja harron trupin, zbulon veten dhe në fund zhduket duke u kthyer në art, pikturë. Petkat e saj lihen buzë detit si dëshmi e një gjendjeje që ajo e ka tejkaluar. Gjarpri ka lënë këmishën e tij mbi gur. Procesi i ndërrimit të lëkurës te gjarpri është simboli universal i rilindjes dhe transformimit.
Në këtë pikë, gruaja dhe gjarpri janë pasqyra të njëri-tjetrit, të dy kanë dalë nga lëkura e tyre e vjetër për të kërkuar diçka tjetër.
Fakti që petkat e saj dhe këmisha e gjarprit qëndrojnë pranë njëra-tjetrës sugjeron një shkëmbim natyrash. Gruaja ka zhveshur njerëzoren për të hyrë në një gjendje tjetër.
Mbasdite vonë, Gjarpri i rrejtun / Doli prej nëngurit / E iu zgërdhesh vetmisë ndërsy
Ky është momenti më melankolik i poezisë. Gjarpri del nga nënguri, ndërdija ose bota e fshehtë dhe kupton se nuk ka ndodhur bashkimi i plotë që priste. Ai është i rrejtun, i mashtruar sepse gruaja nuk u bë pjesë e botës së tij, por thjesht u zhduk apo u kthye në art, në pikturë.
Zgërdheshja ndaj vetmisë tregon dëshpërimin e një krijese që mbetet sërish vetëm. Në fund, ai vesh këmishën e vjetër, kthehet në gjendjen e tij fillestare, pa asnjë ndryshim, dhe shkon të flejë. Cikli mbyllet me një ndjenjë dështimi ose pamundësie për të komunikuar mes dy botëve njerëzores dhe instinktives, mitikes.
Poezia mund të interpretohet edhe si dualitet shpirt-trup: Gruaja, shpirti- arti çlirohet nga trupi, ndërsa gjarpri instinkti-mishi mbetet i burgosur në ciklin e tij të vetmisë. Gjithashtu mund ta shohim si erotikë të pamundur. Një takim mes të egrës, gjarprit, dhe njerëzores, gruas, që përfundon me largimin e njërës dhe zhgënjimin e tjetrit. Më tej shfaqet përmasa e vetmisë ekzistenciale. Në fund secili kthehet në lëkurën e vet, ndonëse për një hark kohor pati një zbulesë, ajo që mbeti qe zgërdheshja ndaj vetmisë.
Camaj përdor një gjuhë shumë të pastër, gegnishten letrare, për të ndërtuar një realitet artistik që i ngjan një pikture serealiste. Në krahasimin e Camajt, gjarpri mbetet më tokësor dhe më tragjik se gruaja:
Gruaja si ideal arrin të transformohet në diçka sublime, në një pikturë në mur. Ajo i shpëton kockës dhe mishit, ndërsa gjarpri si instinkt mbetet i lidhur me nëngurin, tokën, errësirën. Ai pret një bashkim me gruan, por dështon. Në fund, ai detyrohet të veshë përsëri këmishën e vjetër, që do të thotë se ai nuk ndryshoi dot vërtet. Ai mbeti rob i natyrës së tij.
Camaj i krahason dy simbolet për të treguar dy rrugë të ndryshme të qenies: rrugën e artit, gruaja që bëhet pikturë dhe fiton përjetësinë duke u zhdukur nga realiteti dhe rrugën e natyrës, instinktit, gjarpri që tenton të dalë nga vetja, por përfundon duke u kthyer në rutinën e tij biologjike.
Gruaja në këtë poezi nuk është thjesht një qenie njerëzore, por përfaqëson shpirtin që kërkon liri nga kufizimet e mishit.
Gjarpri mbetet “i rrejtun” sepse njerëzorja, gruaja, ka aftësinë të bëhet frymë, art, ndërsa ai mbetet i dënuar me ciklin e tij të përjetshëm nën gur. Harresa e trupit është akti i zhveshjes nga materia. Për t’u bërë pikturë, ajo duhet të braktisë realitetin e prekshëm, ndërsa piktura në mur simbolizon përjetësinë përmes artit. Gruaja nuk vdes, por transformohet në diçka që vëzhgohet dhe sjell kënaqësi estetike. Zhdukja e saj tregon se sapo njeriu arrin vetëdijen e lartë ose artin e pastër, nuk mund të kthehet më në përditshmërinë banale.
Gjarpri është vetë natyra, i mbuluar me një lëkurë që e ndërron me dhimbje e nevojë. Ai është realiteti i ashpër. Kur ai sheh gruan që shndërrohet në pikturë, ai kupton kufizimin e tij. Ai ka teksturë, ka helm, ka lëvizje, por nuk ka shije estetike. Zhgënjimi i tij është dëshpërimi i diçkaje që është e vërtetë, përballë diçkaje që është e bukur. E bukura, arti, është gjithmonë më lart se e vërteta, realiteti.
Në këtë “pikturë” të Camajt, drita që bie mbi lëkurën e zhveshur dhe hijet që krijon mjedisi rrethues, uji, gurët, gjarpri, funksionojnë si një proces post-produksioni natyror. Gruaja nuk po kërkon të jetë reale; ajo po kërkon të jetë imazh. Dhe imazhi është gjithmonë më joshës se objekti, sepse imazhi nuk plaket, nuk vuan dhe nuk jep llogari morale.
Flakja e petkave është gjesti i parë i zhveshjes nga morali. Morali është “petku” më i rëndë që mban njeriu. Kur arti e flak atë, ai bëhet i rrezikshëm për realitetin.
Gjarpri tërhiqet sepse e kupton që përpara asaj pikture, ai është i tepërt. Ai nuk mund ta kafshojë një imazh. Ai nuk mund të komunikojë me një formë që ka vendosur të jetë thjesht, bukuri.
Në këtë kuptim, a mund të themi se gruaja fitoi mbi gjarprin jo përmes forcës, por përmes distancës estetike? Ajo e mposhti duke u bërë aq e bukur sa ai nuk guxon më t’i afrohet.
Nëse instinkti është prirja jonë për të reaguar ndaj botës në mënyrë biologjike si frikë, uri, dëshirë, mbijetesë, arti është i vetmi mjet që e ngrin këtë vrull dhe e kthen në soditje.
Sipas psikanalizës, arti është forma më e lartë e sublimimit. Ne marrim energjinë e papërpunuar të instinktit, atë që përfaqëson gjarpri dhe, në vend që ta lejojmë të na udhëheqë verbërisht, e kthejmë në formë, në ngjyrë, në varg. Gruaja që shndërrohet në pikturë nuk është më pre e instinktit të saj për t’u fshehur apo e instinktit të tjetrit për ta poseduar. Ajo është e lirë sepse ka kaluar në një rrafsh ku këto instinkte nuk kanë më pushtet.
Duke flakur petkat dhe duke u bërë pikturë, gruaja e Camajt thyen ligjin e natyrës. Ajo nuk është më thjesht një hallkë në zinxhirin biologjik. Ajo bëhet një ide. Dhe idetë janë të vetmet që nuk i nënshtrohen dot instinkteve.
Në këtë skenë, tragjedia e vërtetë i mbetet gjarprit. Ai mbetet rob i instinktit të tij. Ai nuk mund ta kuptojë transformimin e gruas në art.. Zhgënjimi i tij vjen nga fakti se ai po kërkon diçka organike, ndërsa gruaja i ofron diçka transshendente
Arti është mbrojtja jonë më e mirë kundër egërsisë sonë. Ai na lejon të jemi lakuriq pa qenë të zhveshur, të jemi të rrezikshëm pa bërë keq.
Për të dekodifikuar poezinë e Martin Camajt, duhet të kuptojmë se ai nuk përdor fjalë dekorative, çdo element është një shenjë që mbart një peshë shekullore, mitike ose psikologjike.
Martin Camaj
Gjarpri e Grueja
Ajo mbramë harroi trupin e vet
Zbuluet
E në mëngjes e gjeti pikturë të varun
Në murin e gjanë dhetë pashë:
E kqyri dhe e kqyri e u zhduk.
Petkat e saj teren buzë detit
Me këmishën e Gjarprit mbi gurë.
Shtërpia tha se vjen prap, ajo, po
Deri mbasdite.
Mbasdite vonë, Gjarpri i rrejtun
Doli prej nëngurit
E iu zgërdhesh vetmisë ndërsy,
Veshi këmishën e vjetër e shkoi
Me fjetë



