Tregimi “Floçka” i Anton Pashkut përfaqëson një nga tekstet më të fuqishme dhe më të errëta të prozës moderne shqipe, ku rrëfimi alegorik, përvoja historike dhe kërkimi ekzistencial ndërthuren në një strukturë poetike dhe filozofike. I ndërtuar si një udhëtim shtegtari nëpër hapësira të shkatërruara dhe kohë të errëta, tregimi e zhvendos realen drejt simbolikes, duke e shndërruar dhimbjen kolektive në metafizikë të vuajtjes njerëzore. Përmes figurës së Floçkës si ideal estetik dhe shpëtim simbolik, Pashku artikulon një etikë të bukurisë si formë e fundit e rezistencës përballë barbarisë historike, duke e bërë “Floçkën” jo vetëm tregim, por një poezi të errët në prozë dhe një tekst thellësisht ekzistencial.
Pozicioni i tekstit në veprën e Anton Pashkut
Tregimi “Floçka” shfaq atë që mund të quhet estetikë e mbijetesës shpirtërore përmes alegorisë, duke e zhvendosur rrëfimin nga niveli i përshkrimit realist në një hapësirë simbolike dhe metafizike.
“Floçka” ndërthur disa shtresa semantike: realja historike (fshati i djegur, shenjat e dhunës, simbolet e pushtimit), mitikja (figura e shtegtarit, udhëtimi, prova), dhe metafizikja (pyetja për kuptimin e vuajtjes dhe shpëtimit). Këto shtresa nuk bashkëjetojnë thjesht si elemente dekorative, por krijojnë një strukturë të dendur kuptimore, ku çdo imazh funksionon si shenjë e shumëfishtë.
Figura e shtegtarit ekzistencial, që përshkon hapësirën e shkatërruar, është një nga figurat më të qëndrueshme të Pashkut dhe lidhet drejtpërdrejt me traditën e modernizmit evropian (Kafka, Camus), por edhe me një mitologji ballkanike të udhëtimit si sprovë morale. Ky shtegtar nuk kërkon një destinacion konkret, por një arsye për të vazhduar, çka e zhvendos tregimin nga kronika historike në meditacion filozofik mbi qëndrueshmërinë e njeriut përballë së keqes.
Tensioni midis tmerrit historik dhe bukurisë shpëtuese përbën boshtin emocional të tregimit. Imazhe si qentë, korbat apo flamuri me kryq të thyer nuk janë thjesht shenja të dhunës politike, por metafora të një bote të çrregulluar moralisht, ku rendi simbolik është shkatërruar. Përballë tyre, “Floçka” shfaqet si një figurë e brishtë, por thelbësore, që mban brenda vetes mundësinë e një vazhdimësie humane, një shenjë minimale shprese në një realitet të rrënuar.
Floçka ose bukuria si formë e fundit e rezistencës
Ideja e tregimit “Floçka” të Anton Pashkut mund të formulohet kështu: Në një botë të shkatërruar nga dhuna historike dhe errësira morale, njeriu mund të gjejë kuptim dhe qetësi vetëm përmes bukurisë si vlerë absolute dhe shpirtërore, edhe kur shpëtimi fizik është i pamundur.
E thënë mndryshe, ideja e tregimit shtrihet në disa plane:
1. Ideja ekzistenciale “Floçka” artikulon dramën e njeriut të hedhur në një botë absurde, ku ecja nuk është zgjedhje, por domosdoshmëri. Shtegtari nuk kërkon sukses, por kuptim. Ideja këtu është camusiane: njeriu nuk e fiton botën, por e përballon atë me dinjitet, duke mos hequr dorë nga ideali.
2. Ideja historike (e fshehur alegorikisht) Tregimi flet për dhunën kolektive, shkatërrimin e shtëpisë dhe çrrënjosjen, por e bën këtë përmes simbolit dhe “përrallës”, për të shmangur drejtpërdrejtësinë politike. Ideja është se historia, kur bëhet dhunë e verbër, e zhvesh njeriun nga njerëzorja.
3. Ideja estetike. Floçka përfaqëson bukurinë si udhë shpëtimi shpirtëror. Ideja thelbësore estetike e Pashkut është se: kur gjithçka tjetër shembet, bukuria mbetet forma e fundit e rezistencës.
4. Ideja etike. Tregimi nuk jep zgjidhje politike apo morale në kuptimin klasik, por propozon një etikë të brendshme: qëndrimin, besimin dhe mosheqjen dorë nga ideali, edhe kur fati është i paracaktuar.
“Floçka” shpreh idenë se kuptimi i ekzistencës njerëzore në kushtet e dhunës historike nuk gjendet në mbijetesën fizike, por në besnikërinë ndaj bukurisë si vlerë absolute dhe transcendentalë.
“Thotë përralla”: strategjia narrative dhe dekonstruksioni i përrallës
Një nga strategjitë më të rafinuara narrative në tregimin “Floçka” është përdorimi i formulës së përsëritur “thotë përralla”, e cila në dukje e afron tekstin me regjistrin e rrëfimit popullor, por në thelb shërben si një mekanizëm i sofistikuar dekonstruktiv. Pashku nuk e aktivizon përrallën si zhanër të pafajshëm, por si një formë diskursive që e problematizon vetë aktin e rrëfimit.
Në traditën klasike, përralla presupozon një botë të renditur simbolikisht, ku e keqja identifikohet, sfidohet dhe, në fund, mposhtet. Te “Floçka”, megjithatë, kjo pritje zhbëhet që në momentin kur formula “thotë përralla” vendoset përballë një realiteti të shkatërruar, të mbushur me shenja dhune, terrori dhe humbjeje. Kështu, përralla nuk funksionon më si hapësirë shpëtimi, por si mbulesë e një të vërtete të padurueshme.
Përsëritja e kësaj formule krijon një distancë ironike midis rrëfimit dhe asaj që rrëfehet. Rrëfimtari nuk pretendon autoritet absolut mbi të vërtetën; përkundrazi, ai e relativizon vetë pozicionin e tij, duke e paraqitur historinë si diçka që “thuhet”, jo si diçka që “është”. Ky gjest narrativ shërben për të shmangur çdo formë realizmi dogmatik dhe për të theksuar se e vërteta historike, sidomos në kontekste dhune dhe shtypjeje, nuk mund të artikulohet drejtpërdrejt pa u deformuar.
Në sens derridian, “përralla” funksionon si një mbulesë diskursive, një shenjë që nuk synon të zbulojë, por të fshehë një tjetër shenjë më të rrezikshme: realitetin historik dhe politik të traumës kolektive. Kemi të bëjmë me një lojë të vazhdueshme të shenjave, ku kuptimi nuk është kurrë i pranishëm në mënyrë të plotë, por gjithmonë i shtyrë, i zhvendosur, i përkohshëm (différance). Ajo që quhet “përrallë” është, në fakt, forma e vetme e mundshme për të thënë atë që nuk lejohet të thuhet.
Njëkohësisht, ky dekonstruksion i përrallës shkatërron edhe pritjen morale të lexuesit. Nuk ka fund të lumtur, nuk ka rivendosje të rendit, nuk ka shpërblim. Përralla mbetet e hapur, e cunguar, e mbushur me boshllëqe kuptimore. Kështu, Pashku e shndërron përrallën nga një zhanër konsolues në një hapësirë ankthi dhe kujtese, ku lexuesi detyrohet të përballet me atë që normalisht do të dëshironte ta harronte.
Në këtë mënyrë, formula “thotë përralla” nuk është thjesht një shenjë stilistike, por një akt etik dhe estetik. Ajo dëshmon pamundësinë e rrëfimit të drejtpërdrejtë të traumës dhe njëkohësisht këmbënguljen për ta rrëfyer atë, qoftë edhe përmes një forme të zhvendosur, të maskuar, të copëzuar. Te “Floçka”, përralla nuk gënjen; ajo mbron të vërtetën duke e thënë në mënyrën e vetme që mbetet e mundur.
Figura e shtegtarit: subjekti ekzistencial
Personazhi kryesor në “Floçka” është i paemërtuar, dhe kjo mungesë e emrit nuk është as formale, as rastësore. Emri, si shenjë identifikuese, do ta fuste personazhin në një rend social dhe historik të përcaktuar; duke ia mohuar emrin, Pashku e zhvesh subjektin nga çdo identitet i ngushtë biografik dhe e shndërron atë në një figurë universale të njeriut që përjeton dhunën dhe shkatërrimin. Ky personazh nuk përfaqëson një individ të veçantë, por një gjendje njerëzore.
Ky shtegtar që ecën përpjetëzës vendoset qartë në traditën e shtegtarit ekzistencial, siç e gjejmë te Camus dhe Kafka. Ashtu si te Sisifi i Camus-it, ecja nuk ka premtim shpërblimi; ajo është një akt i vazhdueshëm përballjeje me absurditetin. Po ashtu, si te personazhet kafkiane, subjekti gjendet brenda një rendi të pashpjegueshëm, ku forcat që e kanë shkatërruar botën nuk identifikohen qartë, por janë gjithmonë të pranishme si kërcënim anonim.
Udhëtimi i këtij personazhi nuk është aventurë, as kërkim romantik i vetes. Ai nuk niset nga dëshira, por nga domosdoshmëria. Ecja është forma e vetme e mbijetesës, jo zgjedhje etike apo ekzistenciale. Në këtë pikë, tregimi përmbys logjikën klasike të udhëtimit narrativ: nuk ka nisje triumfale, nuk ka qëllim të artikuluar, dhe asnjë premtim kthimi. Ecja përpjetëzës është thjesht vazhdim i jetës në kushte shkatërrimi.
Përpjetëza, si figurë qendrore simbolike, përfaqëson njëkohësisht jetën, historinë, fatin dhe barrën. Ajo nuk është thjesht terren fizik, por një metaforë e ngjitjes së pafundme përmes dhimbjes dhe kujtesës. Çdo hap përpjetë është një akt rezistence minimale, një mënyrë për të mos u dorëzuar, edhe kur kuptimi i ecjes mbetet i paqartë. Në këtë sens, përpjetëza bëhet hapësirë e një etike të heshtur: vazhdimi si formë dinjiteti.
Në këtë logjikë, “Floçka” mund të lexohet si një odise moderne pa kthim. Ndryshe nga Odiseu homerik, ky shtegtar nuk ka Itakë, nuk ka shtëpi për t’u rikthyer dhe as identitet për ta rifituar. Djegia e fshatit ka shkatërruar jo vetëm hapësirën fizike, por edhe mundësinë e rikthimit simbolik. Udhëtimi nuk synon kthimin, por vetëm moszhdukjen.
Kështu, figura e shtegtarit në “Floçka” nuk është hero, as viktimë pasive, por subjekt ekzistencial i mbijetimit, i cili ecën jo sepse beson në shpëtim, por sepse ndalimi do të thoshte zhdukje. Në këtë mënyrë, Pashku e ngre tregimin nga një rrëfim për dhunën historike në një meditim të thellë mbi kushtin njerëzor, ku ecja përpjetë bëhet forma më e thjeshtë dhe më e rëndë e qëndrimit njerëzor në botë.
Terri, nata dhe errësira: metafizika e kohës historike
Errësira në tregimin “Floçka” nuk funksionon si një element përshkrimi të natës fizike, por si një kategori themelore semantike, përmes së cilës strukturohet përvoja e kohës, historisë dhe qenies. Nata nuk vjen për të pushuar ditën; ajo mbetet, ngjitet, trashëgohet, duke u shndërruar në gjendje permanente të botës. Në këtë kuptim, errësira është një metaforë gjithëpërfshirëse, që tejkalon dimensionin natyror dhe hyn në fushën morale, historike dhe ontologjike.
Së pari, errësira është morale. Bota e përshkruar nga Pashku është një botë ku kufijtë midis së drejtës dhe së gabuarës janë fshirë, ku dhuna nuk ka më nevojë për justifikim dhe ku jeta njerëzore është reduktuar në mbijetesë biologjike. Në këtë errësirë morale, subjekti nuk përballet vetëm me rrezikun fizik, por me pamundësinë për të gjetur një pikë referimi etike. Orientimi moral, ashtu si orientimi hapësinor, bëhet i pamundur.
Së dyti, errësira është historike. Ajo përfaqëson një kohë të ndërprerë, një histori që nuk ecën përpara, por rrotullohet rreth traumës. Djegia e fshatit, shenjat e pushtimit dhe dhunës nuk i përkasin vetëm një momenti të shkuar, por vazhdojnë të ndikojnë çdo hap të shtegtarit. Historia, në këtë tregim, nuk është narrativë progresi, por peshë që errëson të tashmen. Errësira historike nuk largohet me kalimin e kohës; ajo trashëgohet si gjendje.
Së treti, errësira merr një dimension ontologjik. Ajo prek vetë mënyrën se si subjekti është në botë. Në shprehje si “nata e zezë si pendla e korbit” apo “ecën si nëpër blozë”, nuk kemi vetëm intensifikim poetik, por ndërtim të një bote ku perceptimi është i dëmtuar, ku shikimi, ecja dhe orientimi janë vazhdimisht të rrezikuara. Bloza, si mbetje e djegies, bëhet substancë e ekzistencës: njeriu nuk ecën mbi tokë, por mbi mbetjet e shkatërrimit.
Këto figura krijojnë ndjesinë e një hapësire ku kuptimi është zhdukur, ose, më saktë, është bërë i paarritshëm. Errësira nuk fsheh kuptimin; ajo dëshmon mungesën e tij. Subjekti ecën, por nuk di ku shkon; sheh, por nuk dallon; jeton, por pa një horizont të artikuluar të së ardhmes. Kjo gjendje e përhershme mjegullimi e shndërron kohën në përvojë ankthi, jo në vazhdimësi..
Hapësira: mali, pylli, fshati i djegur
Në tregimin“Floçka”, hapësira nuk funksionon si kornizë neutrale e veprimit, por si strukturë aktive kuptimore që ndërton përvojën e subjektit dhe artikulon marrëdhënien e tij me historinë dhe dhunën. Mali, pylli dhe fshati i djegur formojnë një topografi ekzistenciale, ku secila hapësirë mbart një funksion simbolik të veçantë dhe kontribuon në ndërtimin e metafizikës së tregimit.
Mali shfaqet si hapësirë sprove, por i zhveshur nga çdo dimension heroik apo iniciatik. Ngjitja nuk është triumf, por rraskapitje; ajo nuk çon drejt lartësimit shpirtëror, por drejt zbrazëtisë. Mali te Pashku nuk shpërblen përpjekjen, por e lodh subjektin, duke u shndërruar në metaforë të jetës dhe historisë si proces i vazhdueshëm mundimi pa garanci kuptimi. Në këtë sens, ai i afrohet logjikës ekzistenciale të absurdit: përpjekja vazhdon, edhe pse kuptimi mungon.
Në kundërvënie me malin, pylli përfaqëson hapësirën e kaosit dhe regresionit instinktiv. Në frymën e Gaston Bachelard-it, ai shfaqet si territor i errët dhe i padepërtueshëm, ku orientimi racional humbet dhe ekzistenca reduktohet në mbijetesë. Prania e errësirës, zhurmës, qenve dhe korbave e shndërron pyllin në një botë ku sundon ligji i dhunës. Pylli është një anti-hapësirë kulturore: aty nuk ka rend, ligj apo kujtesë, por vetëm ndjekje, frikë dhe copëtim. Në këtë kuptim, ai përfaqëson një botë që ka rënë në një gjendje parakulturore, ku dhuna nuk justifikohet, por thjesht ushtrohet.
Fshati i djegur përbën pikën kulmore politike dhe etike të tregimit. Këtu alegoria bëhet e drejtpërdrejtë dhe e dhimbshme. Fshati i shkrumbuar, flamuri i zi me kryq të thyer, qentë që copëtojnë prenë dhe, mbi të gjitha, dera që krratë, artikulojnë shkatërrimin total të rendit njerëzor. Djegia nuk është vetëm fizike, por ontologjike: shtëpia nuk ekziston më si strehë, por si mbetje.
Figura e derës që krratë është një nga simbolet më të fuqishme të tregimit. Si kufi midis brendësisë dhe jashtësisë, ajo shndërrohet në zërin e fundit të shtëpisë së shkatërruar. Krratja e saj nuk është thjesht tingull, por ankesë dhe kujtesë, dëshmi se shkatërrimi nuk mund ta zhdukë plotësisht gjurmën e njerëzores. Qentë, tashmë të shndërruar në instrumente dhune, e vulosin fshatin si anti-shtëpi, si hapësirë ku jeta nuk mund të rifillojë.
Në tërësi, mali, pylli dhe fshati i djegur ndërtojnë një hartë simbolike të shkatërrimit, ku subjekti shtegton përmes sprovës, kaosit dhe rrënimit total. Hapësira në “Floçka” nuk i ofron strehë njeriut, por e vë atë përballë zhdukjes së kuptimit. Pikërisht në këtë topografi të errët lind nevoja për një shenjë minimale shpëtimi – për Floçkën.
Floçka: Bukuria si shpëtues absolut
Figura e Floçkës përbën kulmin simbolik dhe filozofik të tregimit. Ajo nuk është thjesht një personazh femëror në kuptimin narrativ tradicional, por një kategori metafizike, një figurë që e tejkalon trupëzimin konkret dhe funksionon si shenjë e një rendi tjetër të qenies. Floçka është njëkohësisht bukuri, dashuri, ideal dhe absolut, duke u shndërruar në kundërpolin e botës së errët dhe të shkatërruar që përshkon tregimin.
Në një univers të dominuar nga dhuna, errësira dhe rrënimi, Floçka shfaqet si e vetmja formë e mundshme e shpëtimit – jo shpëtim fizik apo historik, por shpëtim ontologjik. Ajo nuk vjen për të ndryshuar botën, por për ta bërë të përballueshme ekzistencën brenda saj. Në këtë kuptim, Floçka nuk vepron; ajo ndriçon.
Mënyra e shfaqjes së saj është thelbësore për funksionin që ajo ka në tekst. Floçka nuk është gjithmonë e pranishme si trup; ajo shfaqet në ëndërr, në zë, në dritë. Këto forma të shfaqjes e zhvendosin atë nga realja empirike në një dimension tjetër përjetimi, ku perceptimi nuk është racional, por intuitiv dhe shpirtëror. Floçka nuk preket, nuk zotërohet, nuk përvetësohet; ajo përjetohet si rrezatim.
Kjo e bën Floçkën një figurë thellësisht platonike. Ashtu si ideja e së bukurës te Platoni, ajo nuk është objekt i drejtpërdrejtë i shqisave, por parim orientues. Subjekti nuk ecën drejt saj për ta arritur, por sepse ajo i jep kuptim ecjes. Floçka nuk është qëllim i udhëtimit; ajo është arsyeja pse udhëtimi vazhdon. Në këtë sens, ajo funksionon si ide që nuk kapet kurrë plotësisht, por që udhëzon dhe ndriçon rrugën.
Floçka është gjithashtu figurë e kujtesës së pastër, e asaj që nuk është kontaminuar nga dhuna. Në një botë ku shtëpia është djegur, ku dera krratë dhe ku errësira sundon, Floçka përfaqëson atë që nuk mund të digjet: bukurinë si përvojë e brendshme. Ajo është mbetje e njerëzores në një botë të çnjerëzuar.
Në këtë kuptim, Floçka nuk është personazh në kuptimin klasik, por parim estetik dhe etik. Ajo nuk flet shumë, nuk vepron, nuk argumenton. Prania e saj është e heshtur, por vendimtare. Ajo i kundërvihet botës jo me forcë, por me dritë; jo me histori, por me përjetësi. Dhe pikërisht për këtë arsye, Floçka mbetet e paarritshme: sepse po të bëhej plotësisht e pranishme, do të humbte funksionin e saj si absolut.
Në përfundim, Floçka është figura që e mban të hapur mundësinë e kuptimit në një botë ku gjithçka tjetër e mbyll atë. Ajo është dëshmi se edhe në errësirën më të thellë historike, ekziston një dimension i përjetshëm që nuk mund të shkatërrohet. Floçka nuk e shpëton botën, por e shpëton njeriun nga zhdukja shpirtërore. Dhe pikërisht në këtë funksion, ajo shndërrohet në qendrën metafizike të tregimit.
Numri shtatë: struktura mitike
Prania e përsëritur e numrit shtatë në tregimin “Floçka” (shtatë ditë, shtatë net, shtatë bjeshkë) përbën një strukturë mitike të qëllimshme, përmes së cilës organizohet udhëtimi i shtegtarit. Në traditat mitologjike dhe biblike, shtata shenjon plotësi dhe përmbushje; Pashku e aktivizon këtë simbolikë vetëm për ta përmbysur.
Shtatë ditë dhe shtatë net krijojnë një cikël sprove, ndërsa shtatë bjeshkët artikulojnë një rit kalimi në kuptimin antropologjik (Van Gennep). Megjithatë, ndryshe nga modelet klasike të mitit, ky iniciacion nuk përfundon me triumf apo rikthim. Subjekti kalon përmes sprovës, por nuk arrin në përmbushje tokësore; udhëtimi mbyllet me zhdukje fizike.
Kjo përmbysje e strukturës mitike shndërron shtatën në shenjë të një miti të thyer: iniciacioni nuk është hyrje në jetë, por kalim drejt transcendencës përmes vdekjes. Kuptimi nuk fitohet përmes mbijetesës, por përmes sakrificës. Në këtë dështim të mitit tradicional, Floçka mbetet e vetmja formë e transcendencës që nuk shuhet.
Vdekja si qetësi dhe përmbushje
Finalja e tregimit “Floçka” është thellësisht moderne, antiklasike dhe tragjike. Ajo e përmbys pritjen tradicionale të lexuesit për shpëtim, zgjidhje apo drejtësi historike. Shtegtari nuk shpëton fizikisht, nuk mbërrin në një hapësirë sigurie dhe nuk e rikthen rendin e humbur. Megjithatë, paradoksalisht, ai arrin diçka shumë më thelbësore: qetësinë shpirtërore.
Vdekja në këtë tregim nuk paraqitet si katastrofë e fundit, por si çlirim nga pesha e historisë. Pas një udhëtimi të gjatë përmes errësirës, dhunës, lodhjes dhe humbjes, trupi nuk mund të vazhdojë më. Por ndërkohë që trupi dorëzohet, shpirti arrin një formë pajtimi me fatin. Kjo ndarje midis trupit dhe kuptimit është tipike për mendimin ekzistencialist modern.
Buzëqeshja e shtegtarit në fund është një nga gjestet më të fuqishme semantike të tregimit. Ajo nuk është shenjë naive gëzimi, por shenjë e pranimit të vetëdijshëm. Është buzëqeshje e atij që e ka parë gjithë errësirën dhe, megjithatë, ka zgjedhur të besojë. Kjo buzëqeshje përmbledh tri dimensione themelore:
• pajtim me të pashmangshmen,
• çlirim nga frika dhe rezistenca e kotë,
• pranim i një rendi që nuk mund të ndryshohet, por mund të përballohet me dinjitet
Në këtë kuptim, vdekja shndërrohet në momentin e vetëm ku subjekti nuk është më i kërcënuar, i ndjekur apo i poshtëruar. Ajo është hapësira e parë e qetësisë së plotë në njëtregim të mbushur me ankth dhe dhunë.
Drita e liqenit: triumfi simbolik i Bukurisë
Në kulmin e tregimit, shfaqet drita e liqenit, një element që përfaqëson bukurinë absolute dhe shpëtimin simbolik. Ajo nuk është një fenomen fizik i rastësishëm; është një manifestim i transcendencës, një shenjë se, edhe në mes të shkatërrimit, ekziston diçka që nuk mund të thyhet.
Drita ka fuqi simbolike dhe morale: djeg korbat – figura të së keqes, të rrezikshme dhe predatore, që simbolizojnë dhunën dhe shkatërrimin, shkatërron qentë – metaforë e instinkteve të egra, të pakontrolluara, që mbajnë rendin e natyrës njerëzore në kaos, pastron hapësirën – ajo nuk rikthen rendin fizik të fshatit të djegur, por krijon hapësirë ku shpërthen kuptimi simbolik dhe estetika shpëtuese.
Ky triumf nuk është fitore historike, nuk rikthen jetën e humbur apo rendin e shkatërruar nga konflikti, por është fitore në planin metafizik dhe simbolik. Bukuria, e mishëruar në Floçkë dhe në dritën e liqenit, nuk ndryshon ngjarjet e kaluara, por provon se shpëtimi është i mundshëm, të paktën për shpirtrat që besojnë në të.
Në këtë kuptim, drita e liqenit është instrumenti i transcendencës: ajo e shndërron dhunën në përjetim estetik dhe dhimbjen në njohuri morale. Pashku përdor këtë imazh për të treguar se bukuria nuk e fshin barbarinë, por është prova se ekziston një udhë shpëtimi përmes artit, dashurisë dhe idealit.
Muzikaliteti dhe ritmi në tregimin “Floçka”
Një nga tiparet më të dallueshme të stilit të Anton Pashkut është muzikaliteti i gjuhës, i cili i jep tregimit një ritëm të veçantë dhe një lloj simfonie narrative. Muzikaliteti nuk shërben vetëm për të zbukuruar tekstin, por edhe për të theksuar përjetimin emocional dhe filozofik të lexuesi:
a.Ritmi i fjalisë dhe përsëritjet
Përmes fjalive të gjata dhe ritmike, Pashku krijon një ndjesi lëvizjeje të pandërprerë, që imiton ecjen e shtegtarit nëpër male, pyje dhe fshatra të shkatërruar. Fjalia rrjedh si përpjetëza e përjetësuar, ku secili element i natyrës ose i dhimbjes merr kohën e vet për t’u ndjerë.
Përsëritjet, si formulat “thotë përralla”, “rri aty”, ose “ecën si…”, nuk janë thjesht stilistikë. Ato krijojnë ritëm meditativ, pothuaj liturgjik, duke theksuar natyrën e ritualizuar të udhëtimit ekzistencial. Ritmi këtu funksionon si puls i historisë dhe i dhimbjes, duke bërë që lexuesi të ndjejë jo vetëm ngjarjet, por edhe peshën e tyre morale.
b.Aliteracioni dhe asonanca
Pashku përdor shpesh aliteracionin dhe asonancën për të ndërtuar atmosferën: zhurma e pyllit, era e djegur e fshatit, dridhja e shtegtarit. Për shembull:
“nata e zezë si pendla e korbit” – aliteracioni i ‘z’ dhe i ‘p’ ngre tensionin dhe dramatizmin;
“ecën si nëpër blozë” – ritmi i ngadaltë imiton ecjen e vështirë, duke dhënë një përjetim të gjallë sensorik.
Këto elemente e bëjnë gjuhën muzikore, ku tingujt dhe ritmi bashkëveprojnë me kuptimin.
c.Ritmi si reflektim i kohës historike dhe emocionale
Ritmi nuk është vetëm bukuri stilistike; ai është strukturë e përjetimit historik dhe shpirtëror. Fjalitë e ngarkuara, shpërndarja e ritmit dhe pauzat e ndërmjetme reflektojnë tensionin e kohës historike, errësirën morale dhe shpirtërore, por edhe shpresën e fshehuqë sjell Floçka dhe drita e liqenit.
Në këtë kuptim, ritmi i Pashkut është muzika e vuajtjes dhe e shpëtimit, një element që e bën tregimin jo vetëm të lexueshëm, por të ndjeshëm, ku lexuesi jo vetëm e kupton, por e përjeton tektonikën e historisë dhe metafizikës.
Përfundim
“Floçka” nuk është thjesht një tregim, por një simfoni e përjetimeve njerëzore, një strukturë alegorike që ndërthur histori, filozofi dhe poezi. Në të bashkohen elementë që e bëjnë këtë tekst një nga kulmet e letërsisë moderne shqiptare:
1. Tregim alegorik – Çdo ngjarje, çdo objekt dhe çdo figurë ka kuptim dytësor, metafizik. Mali, pylli, fshati i djegur, korbat dhe qentë nuk janë vetëm peizazhe; ata janë manifestime të dhimbjes historike dhe morale.
2. Tekst ekzistencial – Shtegtari i paemërtuar përfaqëson njeriun që kërkon kuptim në një botë absurde. Udhëtimi i tij është një rit i kalimit nga vuajtja te transcendenca, nga realja te ideali, ku lumturia nuk gjendet në triumf fizik, por në qetësi shpirtërore dhe pranim të fatit.
3. Poezi e errët në prozë – Pashku përdor një gjuhë të dendur, ritmike dhe muzikore, që i jep tregimit tonalitetin e një poezie lirike, ku tingujt, aliteracioni dhe ritmi pasqyrojnë peshën e kohës historike dhe dhimbjen morale.
4. Metaforë e qëndresës shpirtërore – Floçka dhe drita e liqenit nuk shpëtojnë botën në kuptimin material, por dëshmojnë triumfin e bukurisë mbi barbarinë, duke u bërë simbol i shpresës, i udhës morale dhe i mundësisë për transcendencë.
Anton Pashku, pra, nuk ofron zgjidhje politike, nuk flet në mënyrë didaktike, por jep një etikë estetike: kur gjithçka shkatërrohet, kur historia dhe dhuna duket se e kanë mbuluar gjithçka, Bukuria mbetet forma e fundit e rezistencës. Ajo është dritë në errësirë, udhë që e çon shtegtarin drejt qetësisë, duke e bërë përvojën njerëzore të kuptueshme nëpërmjet simbolikës dhe metaforës.
Në këtë kuptim, “Floçka” është një tregim universal, një odise moderne, ku historia, metafizika dhe estetika bashkohen për të krijuar një përjetim të fuqishëm emocional dhe intelektual, duke e ngritur Anton Pashkun në mesin e autorëve më të rëndësishëm të letërsisë shqipe moderne.



