Kreu Letërsi Shënime mbi libra Ylli Pepo: Legjendat e Butrintit në një vëllim poetik

Ylli Pepo: Legjendat e Butrintit në një vëllim poetik

Libri “Hyj në portë e dal në dritë…”, i Martin Cukallës

Mbaj mend, kur isha një nxenës shkolle, vëllai i nënës time, Ilo Pando, ndër regjisorët e parë të filmit ne Shqiperi, sapo kish mbaruar, së bashku me kineastin bullgar Georgi Arnaudov, një dokumentar me titullin “Kënga e Rozafës”. Në premierën e filmit më mori edhe mua.

Ishte filmi i parë që trajtonte legjendat shqiptare.  Që nga Rozafa në Veri, zbriste drejt Jugut, ndalte në Durrah, kalonte në Apoloni e ndalej gjatë në Buthros, ku kamera gjente një pasuri të rrallë legjendash, që trazonin jo thjesht një vend, por tërë botën antike që nga Kolkida e Medea e deri tek Troja, Hënori e Juda Iskarioti.

Pas shumë e shumë vitesh, i takoj përsëri ata në librin “Dal ne porte e hyj ne drite…” të Martin Cukalles, që vjershërimin nuk e ka profesion, por shumë më tepër: pasion e dashuri të madhe, që nuk i rresht prej 60 e kusur vjetësh.

Nga sa kuptohet, ai do të sjellë poetikisht e filozofikisht një kohë, kur janë shkruar poemat e mëdha “ Iliada”, “Odisea” apo “Eneida”. Libri permban te vjersheruara pese legjenda me titujt: “Vrasja e Luanit”, “Varri i Medeas”,  “Butrinti-Troja e re e Eneut”, “Vdekja e Hyut Pan” dhe e pesta me nje nentitull te cuditshem “ Juda Iskarioti kerkon vendlindjen…( e pamundur te shkruhet prej meje)”

Mund të them me bindje se ky vëllim jo voluminoz (që i shkon kohës sonë të shpejtësive të mëdha) sjell plot lirizem një periudhë nga më të përgjakurat e historisë së njerëzimit.

Raportet e njeriut me “tjetrin”, me natyrën apo mbijetesa, mes intrigash  e udhëtimesh legjendare vinë bukur, plot ngjyra që të ngjallin përfytyrime të gjalla, thua se po shikon një film të nivelit sipëror nga pasuria e madhe e mjeteve shprehës, por edhe nga përshkrimet më të imta të ndenjave e pasioneve apo pasigurive të një kohe që ka mbetur në thellësitë më të errta të pusit të mijëvjeçarëve. E autori ka guximin por edhe zotësinë që ta nxjerrë në dritë, plot shkëlqim e lëng jete.

 Poeti hyn gjithkund në enigmat,  merret me këngët, baladat, legjendat mitike, bisedat erotike, ritet, rrëfenjat, këngët,  betejat, çastet intime në shtrat, mortet e thashethemet, jo të mëhallës, por mes popujve të tërë. siç është rasti i Juda Iskariotit, që nuk dëshiron as ta zbulojë e as ta poetizojë.

Hyn në humnerat e mendimeve e shpjegon parandjenjat e instiktit, imazhet nën tingujt e vështrimit poetik të jetës.

Mbi të gjitha në jetën e popujve barbarë, siç i quanin helenët tërë ata që nuk ishin “të tyret”. Ndër ta, edhe popujt mbi Elladë, ilirët e lashtë e fiset e tyre të shumtë.

Ai pasqyron me art një periudhë pa kohë, në ag të njerëzimit. Ka larë me dritë, kthjellshëm si uji i burimit ngjarje personazhe, pejsazhe, udhëtime, luftra dhe dashuri të ndaluara, të lindura mes perëndeshave dhe qënieve humane.

Ka veshur me një lirizëm të paskaj epizmin heroik e magjik të një kohe të largët, plot luftra të ashpra dhe të egra.

Libri ka një pasuri të rrallë, shpesh edhe të tepëruar, të mjeteve shprehëse, të figurave letrare ku spikasin metaforat e gjetura, krahasimet, hiperbolat e qëlluara, antitezat, pasuritë e rralla frazeologjike e gjuhësore të shqipes letrare por edhe asaj krahinore. Sa për ilustrim, ja një strofë, e zgjedhur jo me kast, nga “Varri i Medeas”, f. 21:

çdo gjë tretet nëpër Dhe

e humbet siç humbet mjegulla;

gurë për gurë nëpër lumë

llum e shkumë bëhet guri;

ujë ndë ujë dhe shkrin bora

nënë valë e nën të kaltër,

në burim është shushurima

tretet edhe ajo në ajër.

ndryshe fjala, rrënjë ze

dhe baret shekull më shekull.

Me këtë pasuri e shkëlqim poetik e filozofik është mbushur i gjithë libri.

Gjetje origjinale e Cukallës është edhe stili i përdorur, krejt i veçantë për një libër të kohës sonë, ku spikat mënyra e vjershërimit të poetit tonë të madh De Rada.

Autori jo pa qëllim ka sjellë vargje e teknika “alla de Rada”, duke e veshur kështu më kollaj epikën e madhe me lirizmin e rralle deradian.

Shpesh nuk mungojnë spjegimet në prozë, në fund të faqeve poetike, për të ndriçuar e sqaruar më mirë, paqartësi e dilema historike, që lidhen me vargjet e poemave në libër.

Ato vinë si dëshmi nga  burime te shumta, që autori i ka kërkuar e qëmtuar, i ka studiuar në thellësi, edhe me dyshimet e dilemat që i ja kërkon profesioni i tij parak, ingjineria e nëntokës, ku bazë janë shkencat ekzakte. Veçanërisht është ndalur tek Luixhi Ugolini, që punoi në Butrint për vite të tëra.  Apo edhe tek studiuesi enciklopedik e shkrimtari filozof Moikom Zeqo që, shumë kohë më pas, shkroi hollësisht për legjendat e Butrintit.

Libri “Hyj në portë e dal në dritë” është një risi e padiskutueshme në mbarë letërsinë tonë. Atë mund ta quash pa frikë “ Butrintiada”, një shembull kokëfortë se çfarë force ka pasioni, dija dhe talenti i vërtetë.

 Martin Cukalla u lind në Progonat të Tepelenës në vitin 1943. Ka diplomuar në inxhinierinë e minierave, ka punuar në minierat Memaliaj, Bulqizë, Spaç si dhe në Ministrinë e Industrisë e të Minierave, Prefekturën Durrës dhe në Institutin e Minierave.  Deri tani ka botuar: Poezi  Paguaj Yjet, 1995; Zgjimi, 2001; Dridhen qerpikët, 2003; Magji marsi akuarel, 2004; Në shtëpinë e detin, 2006; Simfonia e erës,2007;  (Simfonia vantului në gjuhën rumune në vitin 2008, në Bukuresht); Refrene qyteti, 2008; Planeti im, 2009; Pi një kafe me mua gëzimi im, 2011; Po flas për plagë, 2012; Përrenjtë e Prillit, 2015; Hyj në Portë e dal në Dritë, 2023.

Prozë: Kosova konstruksion, 2005; Bjeshka e namun, 2010; Edhe 12 orë Kryeministër, 2012; Thjesht: Jeta, 2013

Skenare filmash dokumentare: Një Princeshë Evropiane, 2025, Medicea dhe sinagoga 2025, Të tjerat janë heshtje, 2026.

Exit mobile version