Kreu Letërsi Bibliotekë Dhurata Xoxa: Fundviti i studimeve në Beograd dhe afrimi me Jakovin

Dhurata Xoxa: Fundviti i studimeve në Beograd dhe afrimi me Jakovin

Sa herë mbeteshim të dy, sidomos kur shkonim në kursin e jugosllavishtes, Jakovi më nxiste të flisja e të tregoja për veten time. E kishte kuptuar sa e lidhur isha me familjen, e dinte sa shpesh shkoja në postë për të biseduar me ta në telefon dhe më ngacmonte, duke më prekur te malli për ta, te kujtimi i tyre.

Qeshte kur më binin lot nga sytë duke kujtuar vëllezërit e vegjël, por sidomos kur kujtoja mëmën time, të cilën nuk e quaja “Nëna”, siç e quante ai, por “Mama”, sepse kështu i thërrisnim të gjithë. “Mama këtu, Mama atje”. Mamaja ime ishte një nënë shumë e dhembshur dhe një mikpritëse e rrallë, jo vetëm për kushërinjtë e kushërirat, por edhe për komshinjtë apo për “mysafirët” e rastit. Ishte njeri e shpirt njeriu, të cilën, sa herë e kujtoj, më shkojnë lotët.

Atë mëngjes, Beogradi u gdhi i bardhë, me një shtresë të dendur dëbore mbi rrugë.

E soditëm nga dritarja e fjetores atë bukuri të heshtur. U gëzuam dhe vrapuam të hanim mëngjes e të shkonim në fakultet. Kur zbritëm shkallët e konviktit dhe dolëm në rrugë, qëndruam pak aty, të befasuar nga peizazhi aq i bukur i rrugës, i çative, i parvazeve, i makinave, i pemëve etj., të mbuluara krejt me një shtresë të bardhë e të rëndë dëbore.

Papritur ndjeva të ftohtë dhe një top bore që më ra në fytyrë e u shkërmoq mbi flokë. Pastaj rrëshqiti ngadalë në qafë, duke më mërdhirë gushën e më pas gjithë shpinën.

– S’ka të lahesh te Mama sot! Lahu me borë! – thoshte e qeshte Jakovi me gjithë zemër; gajasej, duke më bërë pjesë të lojës me topa bore, që m’i hidhte në sy, në faqe e në flokë, e pastaj ua vërviste edhe të tjerëve aty afër. Edhe unë fillova të qeshja, e kuqe flakë, dhe u përkula të rrëmbeja borë e të bëja me të topa, për t’ia hedhur atij dhe të tjerëve, që ndërkohë ishin futur në lojë.

Qeshëm e luajtëm ashtu për një kohë të gjatë, të gjithë ata që u ndodhën aty ose u bashkuan me ne, të skuqur nga loja dhe bora, në atë skenë gëzimi, ku unë ndoshta isha skuqur më tepër se të gjithë.

Ishte një ndodhi shumë e bukur ajo lojë për mua dhe do të mbetet e tillë derisa të jem gjallë. Bora e hedhur nëpër flokë e në fytyrë, si për të më larë me ujë bore, ishin prekjet dhe afrimet e para me Jakovin, ashtu si edhe ajo skuqje e imja, që fshihej e justifikohej me të ftohtin dhe me efektin që sjell bora. 

Por çdo “prekje” ishte aq gjë e re për mua, aq gjë e bukur, e panjohur dhe e pafajshme, sa e tillë ishte edhe “përskuqja” ime, e cila më dukej sikur vihej re nga të gjithë, e sidomos prej tij. 

Sikur ajo skuqje fliste më tepër se aq…

Gjatë kësaj kohe kishte filluar korrespondenca me familjet tona, si dhe me shoqet e shokët në atdhe. Unë merrja shumë letra. Më shkruanin të gjithë me radhë: prindërit, motra, kunati, vëllezërit, xhaxhai etj., etj., ndonëse, siç u kisha thënë, unë u drejtohesha të gjithëve me një letër të vetme, duke i përmendur me radhë, nga gjyshja e deri te vëllai im i vogël.

Në shtrat, vonë në mbrëmje, rrija me sy mbyllur dhe i shihja në mendje, të gjithë bashkë në darkë, me lugët e çorbës përmetare, gatuar me gjithë lezet, me kërcka dhjami të skuqur, me gjalpë e djathë Përmeti përsipër.

Dhe ashtu, sikur i shihja teksa rrinin e dëgjonin babanë, atë gjigant gati dymetrosh me flokë të bardhë, kur lexonte ngadalë letrën time. Ata rrinin e prisnin në heshtje të përmendeshin në letër…

Këto nuk ishin thjesht ëndrra të mia, por ashtu siç ma tregonin vetë, njëri pas tjetrit, në letrat që më dërgonin.

Ndërsa për babanë do të më duhej ndoshta një roman për ta përshkruar.

Tefi Tako, kështu quhej babai, kishte filluar të bëhej “i famshëm” edhe në Tiranë, por tashmë “fama” e tij kishte marrë tjetër kah. Nga “fama” si ish-mësues në Përmet e në medresenë “Stambolli”, papritur, me një dekret të Mbretit Zog për mësuesit kudo që ndodheshin, kishte dalë në pension të parakohshëm për kushtet e asaj kohe, duke përfituar një shumë ekonomike mjaft të mirë, me të cilën mund të jetonte ose të ngrinte një punë.

Dhe ashtu bëri edhe im atë, ai njeri me energji të pashoqe, që, ndonëse me një dorë, jo vetëm bënte gjithçka me të, por iu fut edhe biznesit. Ai e investoi atë “pasuri” të vogël, duke ndërtuar i pari, historikisht, dy dyqane dhe një magazinë, si edhe më pas dy shtëpi, që janë ende sot te rruga e “Shkollës së Kuqe”, ku banojnë djemtë e tij dhe motra ime.

Ai u bë ndoshta “importuesi” i parë i djathit dhe i verës së famshme përmetare në Tiranë. Aq i suksesshëm u bë ai biznes, sa babai u shndërrua në një nga tregtarët më të njohur të asaj kohe dhe hapi edhe një dyqan-lokal pranë ish-barit “Vollga” (afër Bashkisë së Tiranës së sotme). Sa ishte gjallë, ai arriti të ndërtonte edhe dy shtëpi, njërën prej të cilave shteti ia shtetëzoi pas luftës.

Siç po thosha, të gjitha ato lajme se si i prisnin ata letrat e mia i merrja edhe nga mama, e cila m’i rrëfente më pas gjerë e gjatë, kur kthehesha në shtëpi gjatë pushimeve të verës. Madje më tregonte se si mblidhte herë pas here ish-shoqet e Pedagogjikes, që vinin tek ajo, dhe u fliste për mua, sidomos kur u dërgoja të fala në çdo letër.

Ndërsa Jakovit i shkruante vetëm i ati nga Tirana dhe vëllai nga Parisi, i cili i dërgonte ndonjë kartolinë herë pas here.

Ai bëhej kureshtar-ndoshta ishte delli i tij prej shkrimtari, siç do të dëshmohej më pas-dhe më pyeste vazhdimisht për të gjithë ata që më donin po aq sa i doja unë dhe që më shkruanin aq shpesh.

Dhe unë i tregoja. I tregoja për të gjithë; i tregoja edhe për shoqet e mia. Ai dëgjonte dhe sytë e tij të butë bëheshin edhe më të tillë, duke marrë një hijeshi dhembshurie që mua më mallëngjente, sikur t’i kishte vetë ai ata vëllezër, atë motër, atë baba e atë mëmë.

Sa e sa detaje të tyre, të prindërve, të të afërmve e të ish-shoqeve të mia, i gjeja më pas në personazhet e veprave të tij. Dhe ndieja një kënaqësi të parrëfyeshme t’i tregoja pa u lodhur.

Një ditë, kur po niseshim për në kurs, na shpërndanë postën. Më dhanë edhe mua një letër.

– Nga e ke? – më pyeti Jakovi, kur u nisëm. – Nga shoqet e klasës, – iu përgjigja dhe e futa letrën në xhepin e çantës. 

Ishte nga ato çantat me zinxhir sipër e anash, që mbanin libra e fletore në hapësirën kryesore, ndërsa në xhep shami, lekë, kalema e ç’të kishte njeriu. Rrugës ndieja sikur çanta po më rrëshqiste dhe e rregulloja nën sqetull. Një herë madje e mora në dorë, sepse më ra përtokë. Kur e ngrita, pashë se xhepi i saj ishte hapur. Nuk vura re asgjë që të më tërhiqte vëmendjen. Isha me shoqet. Jakovi nuk e di se ku kishte humbur.

Kur mbaruam mësimin dhe po ktheheshim në konvikt, ai m’u afrua. Sa i gëzuar ishte!mSa i qeshte fytyra, buzët, krahët, duart! Qeshte e qeshte me gjithë shpirt. Unë nuk po e kuptoja ç’kishte ndodhur, kur ai papritur më nxori letrën, të cilën unë ende nuk e kisha lexuar:

– Aaa, tani i mora vesh ato zonat tuaja të preferuara, – qeshte ai. – Edhe atë zonën tënde të preferuar tani e di…

Ia rrëmbeva letrën nga dora dhe u largova me vrap, për t’u futur mes shoqeve.

Bashkë me to hyra në konvikt e më pas në mensë. Ai u ul përballë meje. Fytyra i qeshte ende. Ndonjëherë ulte sytë, sikur lëpinte buzët dhe përpiqej të bëhej serioz. Unë po pëlcisja nga kureshtja se çfarë më kishin shkruar shoqet e klasës.

Pa mbaruar mirë darkën, dola nga mensa, ngjita shkallët dhe hyra në fjetore. U ula, duke e mbështetur shpinën te hekuri në fund të shtratit, dhe fillova të lexoj. Sapo e mbarova, u shtriva dhe fillova të kujtoj.

Ishte fundi i ditëve në shkollën e mesme, që atëherë quhej Shkolla Pedagogjike, ose thjesht Pedagogjikja, aq e njohur ishte bërë.

Para provimeve të maturës, drejtoria vendosi të organizonte një piknik. U caktua edhe vendi. Sa u gëzuam të gjitha, sidomos ne maturantet, që e kishim vitin e fundit në atë shkollë dhe bisedonim dhjetëra herë mes nesh për ndarjen e ardhshme, si dhe për jetën që na priste më pas.

Ishim njëzet e një maturante, shumë të lidhura me njëra-tjetrën. Kishim hyrë të gjitha bashkë që në klasën e parë (sot do t’i korrespondonte klasës së pestë), më shumë se tridhjetë vajza. Vitet kaluan dhe ja, kishim arritur në përfundim të mësimeve në atë shkollë, të cilën e donim shumë dhe me të cilën ishim aq të lidhura. Unë, të paktën, ashtu e përjetoja me dhimbje atë ndarje, dhe mendoj se edhe shumica e vajzave maturante e kanë përjetuar po kështu.

Gjithë ato vite pjesëmarrjeje në mësime e provime, në aktivitete të ndryshme shkollore, ekskursione, madje edhe në demonstrata të ndryshme, përfshirë ato patriotike, me shumë pak përjashtime, na kishin lidhur edhe më shumë me njëra-tjetrën. Dhe ja, tani ishim vetëm njëzet e një, më shoqe se kurrë, që shqetësoheshim për njëra-tjetrën, për ecurinë dhe provimet e fundit, dhe ndihmonim njëra-tjetrën që ta merrnim të gjitha diplomën sa më mirë.

Edhe pedagogët, duke na parë aq të lidhura me njëra-tjetrën, duke dalluar te ne gëzimin e jetës, shpresat për të ardhmen, gjallërinë e moshës nëntëmbëdhjetëvjeçare dhe ëndrrat tona, na çmonin e na respektonin. Nuk kurseheshin të na ndihmonin me konsultime, libra e gjithçka tjetër që mund t’u kërkonim. Dhe ashtu u rritëm e u zhvilluam edhe në saje të asaj shkolle të mbarë, të disiplinuar dhe me mësues shumë të mirë.

Ajo ditë dhe ai piknik i fundit së bashku ishte edhe kulmi i jetës sonë shkollore. Me entuziazmin tonë dhe etjen për të ditur, kishim mbërritur në ditët e fundit të asaj periudhe të bukur.

Nga të gjitha ato vajza, shtatë prej nesh ishim edhe më të lidhura, gati sikur jetonim me njëra-tjetrën. Aq shumë rrinim bashkë, aq shumë studionim, flisnim e gajaseshim për gjërat tona femërore, madje edhe për intimitetet rinore apo çdo ndjenjë e ëndërr që kishte shpërthyer në vajzërinë tonë. Edhe bankat në klasë i kishim pranë e pranë dhe ashtu qëndronim, në shkollë e jashtë saj, përherë së bashku.

E kështu, atë ditë pikniku, luajtëm, u hodhëm sa mundëm, u gëzuam dhe gjetëm edhe çastin për t’u ulur vetëm ne të shtatat. Gjetëm një përrua të vogël aty afër dhe freskuam këmbët e duart, qafën e fytyrën. Brodhëm buzë atij përroi, sa poshtë e përpjetë, dhe arritëm te një kodrinë e mbuluar me bar të blertë e të pashkelur, që sikur na ftonte të shtriheshim mbi të, me sytë drejt qiellit të kaltër.

Aty u ulëm, pranë e pranë njëra-tjetrës. Njëra thërriste:-Shikoni atë kodër, sa e blertë është! -Tjetra:-Ej, shihni pak atë shkëmbin e bardhë mbi përrua!-Një e tretë: –Vështroni, vështroni ç’bukuri ka ajo ara atje përtej dhe si zverdhon gruri në të! Një tjetër: –Po ato delet në atë lëndinë përtej përroit? Po qengjat që rrinë pranë, a nuk janë mrekulli?-

Flisnim gati me një frymë, derisa u lodhëm duke admiruar bukuritë e peizazhit dhe u kthyem në bisedat tona kokë më kokë, në ato çu-çu-çu-të me zë të ulët, duke qeshur e gëzuar në mënyrë të përmbajtur.

Ah, harrova! Recituam vargje nga “Bagëti e bujqësi” dhe “Anës lumenjve”, e në fund u shtrimë në formë rrethi, me kokat pranë njëra-tjetrës, dhe nisëm të bënim lojëra të ndryshme me fjalë.

E kur s’e prisnim, Bali thirri: –O goca, a jeni mendu se çfarë do bajmë, sa t’i marrim diplomat?– Po, mund të fillojmë punë! –ia ktheu Meli. –Po edhe studimet mund t’i vazhdojmë! –ia priti Agimja. –Mua do të më pëlqente shumë kështu, –thashë unë, duke qenë në të njëjtin mendim me Gimjen. –Po si, çfarë kështu? –më ngacmoi Bali. –Po ja, pra, të vazhdojmë studimet! –fola, duke vështruar buzagaz përqeshjen dashamirëse në sytë e saj, sikur përpiqeshin të thonin: –Aha… po, studimet… -Po tjetër, tjetër?- vijoi me zë Gimja. -Po ja, mund edhe të fejohemi! –ia priti Arta, si të mos duronte dot. –Uuuu! –u hodh sikur mezi priste Gimja. –Hajde t’i ndajmë zonat për secilën, e sakën se dikush e shkel!

–Hë, pra, këtu e kisha llafin, –çfoli Bali, –se po na dukej sikur do të bëheshim të gjitha dhaskalica e shkencëtare, tani që mosha po na troket te porta… –Mirë e ka! –ia mbajtën me një zë Drita e Zenia, duke na bërë të gjithave të qeshnim përsëri. -E po, ç’mund të themi, kur akoma s’na ka trokitur kush te porta! –u hodh e ngacmoi përsëri bisedën Gimja. –Ja, unë e di, –tha Safoja, më e hedhura midis nesh. –Gimja me siguri do të martohet me ndonjë doktor! Kjo është zona e saj. –Kurse ti, –ia ktheu Gimja, –do të pleksesh me ndonjë avokat a profesor. –Kushedi, pse jo! S’e ke keq,– ia ktheu Safoja. – S’do të ishte keq, vërtet! Ama Meli sigurisht e ka zonën me ndonjë artist…-

Qeshëm përsëri të gjitha, duke kthyer kokën nga ajo.

– Po Dhurata? –thirri Bali, duke qeshur e duke më ngacmuar me sy. –Në ç’zonë do të na shkojë kjo çupë, si thoni?-

Ajo kishte një të qeshur të këndshme e të çiltër. –Dhurata…– u hodhën njëzëri tri nga ne, –e po Dhurata dihet, me poet, shkrimtar a filozof, me ç’tjetër mund të plekset! –Aaaa, zonën e filozofit lërjani Zenës dhe Dritës! Jepi Dhuratës ndonjë inxhinier a ndonjë nëpunës të lartë e hijerëndë! –e mbylli, midis të qeshurash, Safoja.

E kështu, duke folur e duke përcaktuar secila “zonat” për njëra-tjetrën, përfunduam si përherë në të qeshura, duke mbajtur ijët me dorë. Të gjitha këto m’u kujtuan, kur lexova letrën e Safos e të Balit. Kuptohet, edhe thumbi i tyre…

Prandaj dhe Jakovi qeshte e fliste, fliste e qeshte për zonat e preferuara! Paska pasur të drejtë. Po si vajti e qëlloi pikërisht kjo letër në duart e tij. Oh, sa maraz më erdhi, që kjo letër kishte përfunduar në duart e tij! Ç’të bëja pas kësaj?! Si ta shihja në sy Jakovin? 

Dhe të nesërmen, si dhe ditë të tëra me radhë, bëja çmos që të mos mbetesha vetëm me të. Ai e kuptonte, buzëqeshte e nuk bënte përpjekje për të më shkëputur nga rrethi ku ndodhesha, por sa herë sytë e mi takonin vështrimin e tij, ai vinte buzën në gaz dhe sytë i qeshnin e i dukeshin edhe më të butë, edhe më të ëmbël… më të afërt…

Ndieja sikur po më merrej fryma dhe bëja çmos t’u vidhesha vështrimeve të tij, si dhe ndjenjës sime që po rritej…

Ndonjëherë, kur ai më shihte vetëm në mensë a në korridor, më avitej si fshehtas e më fliste në vesh e më kujtonte atë “zonën” e preferuar, ndërsa unë, pa e ditur ç’të bëja, ikja e largohesha ku të mundja.

Ndoshta është ndonjë nga këto ditë ky shënim, hedhur nga ai, por që unë e lexova shumë më vonë, në një ditar të tij: “Dh dhe J janë dy studentë. Që të dy të sjellshëm dhe sentimentalë. Një mbrëmje, në sallën e mësimit, qëlluan të dy përballë. Ishin duke lexuar në gjuhën e huaj, kur Dh-ja vihet në siklet, se nuk kishte fjalor. J-ja kishte dhe që të dy kishin për të përkthyer leksionet në lëndët e tyre. J-ja e vë fjalorin e tij në mes. Dh-ja pret ta përdorë më parë J-ja. Edhe J-ja pret ta përdorë më parë Dh-ja. Të dy qëndrojnë e presin njëri-tjetrin, me gishtërinjtë ngulur në fjalët që s’i kuptojnë. Përkthimi nuk u shkoi mirë që të dyve, ndërsa fjalori rrinte gjithnjë në mes, pa e prekur kush. Asnjëri nuk zgjaste duart. Atëherë J-ja qeshi e tha: –Po shkoj të kërkoj një fjalor tjetër”.

–Ke marrë ndonjë letër tjetër nga shoqet? –më pyeti ai një ditë në mensë, teksa u ul pranë meje.

–E pse pyet? –ia ktheva dhe ndjeva se u skuqa. –Më duket se do të gjesh shkak për të vazhduar të qeshësh, siç bëre ditën që më “vodhe” letrën. –Më çuditi ajo letër, të them të drejtën! –foli butë, pa u ngacmuar e paksa serioz, por me buzëqeshje. –S’më kishte rënë rasti të dëgjoja një intimitet të tillë vajzash. –S’e besoj se jemi ne të parat, që e kemi bërë atë që lexove apo edhe që qeshim në parashikimin e fatit të njëra-tjetrës, –thashë ngadalë. –Sigurisht që jo! –foli ai. –Por më bëri përshtypje kërkesa me këmbëngulje dhe përcaktim, që njeriun e ëndrrës ta lidhni me profesionin e tij.

–Po pse jo, Jakov? Unë mendoj se gjëja më e bukur do të ishte që dashuria të lindte aty ku ëndrrat, për të bërë më të mirën në profesion, të mund të përputheshin. Më mirë, me profesionin… –po flisja si në kllapi dhe papritur më hipi humori t’ia ktheja me të qeshur. –Se kushedi pastaj si do të kishte vajtur, si do të ishe gajasur me ne, sikur të ishim shprehur me emra për njerëz konkretë…

Vështrova atë dhe pashë se ishte si i menduar, por duke buzëqeshur.

–Po pse, –vazhdova me të njëjtin zë, –ty, për shembull, s’të ka rënë rasti të mendosh ndonjëherë për njeriun që do të lidhësh…? –e pyeta duke e vështruar.

Ai vazhdonte të buzëqeshte.

–Se ato të shokëve të tu s’kam ku t’i gjej, nuk di ku ti i fsheh…– fola përsëri.-Por më trego ti vetë, diçka!

Dhe ai më tregoi për një vajzë, si dhe për një tjetër, që nga karakteri ishin më shumë si djem sesa si vajza. Mëë foli gjatë. Foli seriozisht e me sy të menduar e të butë, si përherë kur i bëheshin të menduar.  

Këto vajza i gjeta më pas, në dorëshkrimin, në faqet e në kapitujt e romanit “Lulja e kripës”.

Një ditë po kthehesha në konvikt, me një rrjetë me ca gjëra që sapo kisha blerë.

–Ç’i ke ato? –më pyeti Valentina. –Kam blerë nja dy kilogramë sheqer e dua t’i dërgoj në shtëpi. Janë kallaballëk e s’u del ai që u japin me triska! –iu përgjigja. –Ehu dhe ti, ç’harxhon kohën kot! –ma ktheu ajo. –E po s’ke faj ti, –i thashë, –vetëm prindërit dhe motrën në shkollë ke. Pa mendo mua! Në shtëpinë time, së pari, janë herë dy a herë tri, që s’e shtyjnë dot ditën pa kafe. Pa është gjyshja ime e mrekullueshme, që e dua fort. Pa është një kushërirë e parë e babait, që jeton me ne, se është krejt e vetme. Një vajzë që ka, është martuar e jeton në Amerikë. E ti e di sa mundësi ka ajo, që të takojë të bijën dhe mbesat… Është edhe halla e mamasë, e ajo një e dy ikën nga fshati e vjen e gjen strehë te ne. Pa janë vëllezërit e mi, që po rriten. Pastaj, kush nuk e do sheqerin? –qesha unë në fund. –Kështu që ja, mendova t’i gëzoj, meqë niset nesër për Tiranë një mik i kunatit.

–E po edhe ti, me gjithë ato probleme që ke, të shkon mendja te sheqeri për familjen, –më tha edhe Kthansipi, sa unë u ndjeva keq, sikur të kisha bërë ndonjë gabim e s’fola më, por u ngjita lart në fjetore.

Pas ngrënies, kur po dilnim nga mensa, më ndaloi Jakovi e më pyeti: –A ka mundësi, që ata dy kilogramë sheqer të bëhen tre? –Edhe ti e paske marrë vesh punën e sheqerit? –pyeta me të qeshur. –E dëgjova në mensë. Dikush po të komentonte. Për mirë, sigurisht! –Po ku ta gjejë më pas babai familjen tënde? –e pyeta me vështrim. –Shiko, është shumë e kollajtë,-, ma ktheu Jakovi, -prandaj dhe po ta kërkoj këtë favor. Mu te kisha ortodokse jetojnë disa familje… S’është shumë larg. Atje të pyesë për Nasi Xoxën dhe ia tregojnë menjëherë! –përfundoi. –E po mirë, –ia ktheva. –S’qenka e vështirë. Edhe im atë aty pranë e ka dyqanin.-

Jakovi shkoi në një dyqan afër dhe bleu sheqer. E kështu e nisa pakon me sheqer e hallvasi për Tiranë.

Aty, afër konviktit tonë, përballë, në një qoshe, një shqiptar nga Kosova kishte hapur një dyqan të vogël me karamele, bozë e ëmbëlsira. Ai mbante edhe hallvasi, e herë-herë atje blinim edhe ne studentët. Atij i bëhej shumë qejfi, se na fliste shqip dhe ne ia kthenim.

Pas ca ditësh, babai më dërgoi një lajmërim për një bisedë telefonike. Nuk mund të mos them se sa shumë më mallëngjenin ato biseda telefonike! Shumë!

Kur fola me të, ai më falënderoi për sheqerin dhe më tha se e kishte mbaruar edhe atë porosinë për shokun tim. Mua më erdhi si zor, që në atë bisedë të shkurtër, ai u kujtua më shumë te porosia e përmbushur e Jakovit, sesa tek pyetjet e mia për të shtëpisë.

Më vonë, ai më shkroi në letër gjerë e gjatë, si ua kishte gjetur shtëpinë prindërve të Jakovit dhe si ishte njohur me ta, të cilët, nisur nga mbiemri, i kishin folur babait për atë krushqinë e vjetër të mbesës së tyre me doktorin, kushëririn e tim eti. Atë histori, të cilën Jakovi ma kishte përmendur në traget, kur ishim njohur.

Por çudi për mua ishte se edhe babai i Jakovit i kishte shkruar gjithashtu të birit gjerë e gjatë për njohjen me babanë “e asaj shoqes sate”, e se si tani, madje, kthente rrugën e i shkonte në dyqan, si për ta pyetur për ndonjë letër nga Beogradi apo edhe për të blerë ndonjë shishe verë a raki. 

Kështu, për habinë time të papritur, familja e tij qe afruar me timen. Nga të dyja anët e kishin parë me simpati e mirësjellje njëri-tjetrin. Edhe babai, tashti, kur mbyllte dyqanin për të shkuar diku, kishte filluar të kthehej në shtëpinë e tyre, ku bënin pak muhabet e pinte edhe ndonjë kafe. Dhe që atë ditë, kur bisedonte me mua në telefon, për çudi, më pyeste edhe për Jakovin, si me qëllim që t’i njoftonte edhe prindërit e tij.

-Më vjen keq për ta, –më shkruante në një letër, –se janë me dy djem e jetojnë vetëm. Aq më tepër, që janë edhe të kaluar në moshë!-

Më vinte çudi se si të mitë, por edhe të Jakovit, po i jepnin atë vëmendje miqësisë sime me Jakovin dhe se si një rastësi e çastit (sheqeri!) u bë edhe shkas që baballarët tanë të takoheshin herë pas here, me pretekstin për të marrë e dhënë lajme nga fëmijët e tyre në Beograd.

Dhe me këtë pretekst dukej qartë që dy familjeve po u pëlqente miqësia jonë në Beograd, sa filloi dhe u pëlqeu edhe ajo miqësi midis tyre. Tashmë ata ishin takuar edhe si familje, e jo vetëm babai i tij me babanë tim.

Por koha ime, sigurisht, ishte më e kufizuar, se më duhej të studioja statikën, të plotësoja boshllëqet e fizikës për të arritur të tjerët apo të humbisja në ushtrime për të zgjidhur integrale e derivate, që deri atëherë s’ua kisha dëgjuar ndonjëherë emrat e më duhej të isha përherë vetëm, ose të kërkoja ndihmë te një shoqëri që s’kishin të bënin fare me të. Por, në fakt, problemi im ishte vizatimi. Ushtrimet në vizatim as më vjen t’i kujtoj, aq shumë përpiqesha dhe po aq shumë ndieja se s’do t’ia dilja dot kurrë. Dhe kështu shqetësohesha shumë, kur e shihja veten se sa të pamundur e kisha atë lëndë. Dhe ky shqetësim thellohej çdo ditë, kur vija re se, as me vizatimet e lira e as me ato që i bëja me ndihmën e shoqeve (siç na i kërkonin çdo javë), kuptoja se vërtet nuk ia thosha dhe as isha e prerë për të bërë me sukses ato detyra që kishin të bënin me atë lëndë. E të mendosh se shpesh, me gjithë faktin se “vinin dorë” shokë apo shoqe, prapëseprapë në to jo vetëm që nuk kishte “art” (vizatimi i lirë është i tillë), por as si vizatime teknike, që ishin materialet kryesore në atë lëndë, ato nuk shkonin siç duhej.

–E di si dukesh ti, Dhurata? –më thoshin shoqet jugosllave. –Si ato vajzat që i fejojnë me djem që s’i njohin, sikur u japin burrë me zor, e zënë ndonjë qoshe e qajnë ditë e natë! –Po, ashtu ndihem vërtet! – ua ktheja. –S’e kam dashur kurrë këtë dreq vizatimi!-

Ndërsa vizatimi teknik, ku përdornim tri vizore të zakonshme si dhe një format të madh në formën e T-së së madhe, nuk më dukej dhe aq i pamundur.

Një mbrëmje hëngra darkë shpejt dhe u futa në vendin e studimit me njëfarë ankthi, ku më duhej të kryeja një detyrë vizatimi jo të thjeshtë për të nesërmen. Papritur dëgjova zërat e shoqeve të mia:

Despina: -Më duket se Dhuratën e ka zënë qymyri. Si shumë po rri me Jakovin. Kthansipi: -Jam e bindur, por jo vetëm Dhuratën! Mua më duket se simpatia e tyre është reciproke. Shpresa: –Po, vajza, edhe mua kështu më duket! Jakovi shkon nga shkon, veç kur e gjen afër saj. Despina: –S’e di! Ia hodha fjalën Jakovit, por ai nuk ma zgjati. Iku pa folur, disi i bezdisur prej fjalëve. Por, në fakt, është djalë vërtet simpatik. Kthansipi: –Ikim, se u bë natë, e të mos mbajmë shoqet në gojë. Të mirën ua duam të dyve! Despina seç po thoshte me zë më të ulët, kur Shpresa ia ktheu: –E po ngandonjëherë, vajza, kështu nisin gjërat. –Shpejtoni të ikim! –ua preu Valentina me zë më të largët dhe zërat e tyre pas pak u shuan…

I shihja me mendje, se si Kthansipi shkonte në shtëpinë e saj, ndërsa të tjerat, duke çuçuritur, futeshin nëpër fjetoret e katit të dytë dhe të tretë.

Mbeta vetëm. Me mua mbetën vizatimet, ankthi im për to, si dhe jehona e fjalëve që dëgjova më parë.

-Edhe këto më duhen! –pëshpërita me vete e fillova të përlotem. –E paskemi dreqosur këtë punë, siç duket, duke ndenjur bashkë. Por ne shoqëri kemi, e ç’të keqe ka këtu?-po mundohesha të qetësoja veten, por edhe ta justifikoja. Por duke e ndier se, në fakt, kishte “diçka” që po përpiqesha t’ia fshihja vetes e nuk po mundja, diçka që më fliste të ktheja vëmendjen në atë që po fillonte të ndieja kur mendoja për të.

Por, aty për aty, më vinte ngrohtë në zemër, që tashmë, edhe në sytë e të tjerëve, nuk ishte “iniciativë” vetëm e imja të rrija me të, por edhe e tij. Dhe se të tjerët kishin filluar ta shihnin këtë jo vetëm si një shoqëri të thjeshtë.

-Por ai është vërtet simpatik…– filluan të më vinin në mend fjalët e Despinës. Po, kështu kishte thënë për të: -Është shumë simpatik,-kurse për mua asnjë fjalë.

Nuk mundja më të vazhdoja punën: “disi i bezdisur, shumë simpatik, e ka zënë qymyri…” – më oshtinin veshët. I mblodha fletët e vizatimit, vizoret, lapsat, i vura nën sqetull dhe u ngjita lart në fjetore. Në dhomë gjeta Behijen. Vesha këmishën e natës dhe u shtriva. Përpiqesha të mbaja sytë mbyllur, të numëroja, të sillja në mend njerëzit e shtëpisë, ndonjë ngjarje të gëzuar, por nuk ia arrija dot.

-E ka zënë qymyri… është shumë simpatik… disi i bezdisur…– më vinin vazhdimisht në mendje, duke kërkuar t’i prapësoja këto fjalë në kujtesën time.

-Mos ia shto vetes problemet, mjaft kam hallet e studimit, – vazhdoja pastaj. – Nga nxënëse në tabelë nderi, tani studente me probleme…”.

Pastaj përsëri m’u kujtuan fjalët e Despinës. U përpoqa të zemërohesha me të, pastaj me Jakovin dhe ia arrita disi qëllimit, e kështu, më në fund, më mundi gjumi.

Të nesërmen, në orët e vizatimit teknik nuk punova mirë. Ndieja një si të dridhur, që nga krahët e deri te gishtat e dorës. Më dridheshin në duar edhe vizoret, që nuk i nxirrnin figurat siç duheshin. 

– Po ç’ke kështu ti sot? –më foli Valentina. –Vizatimit teknik ti ia ke dalë mbanë! –S’e ndiej veten mirë, –fola unë, –jam në një gjendje ankthi e lodhjeje, sa s’qëndroj dot në këmbë. S’kam fjetur mirë mbrëmë.

– Dhurata, kam kaq ditë që po të shoh kështu, kaq të tensionuar, të shqetësuar… E ke marrë me shumë frikë këtë fakultet. Do sëmuresh kështu! –vazhdoi ajo.

Po i afroheshim konviktit. Pa e vënë re, vizorja në formën e T-së më kishte rrëshqitur dhe po e tërhiqja zvarrë. Pashë se edhe Jakovi me Teodorin ishin aty. 

Jakovi u shkëput nga grupi e na doli përpara.

– Kaq shumë të rëndon kjo vizore, sa po e heq zvarrë?! –foli duke qeshur e duke u përkulur ta merrte për të më ndihmuar. Mua m’u sulën në kokë fjalët e Despinës dhe ndjeva se po skuqesha. Po më përvëlonin faqet. 

Megjithatë, fola duke e ngritur vetë vizoren: –S’e kisha vënë re… Faleminderit!

– S’u mësove që s’u mësove me vizatimin! Por është degë e bukur arkitektura! – tha, duke menduar se gjendja ime e tensionuar lidhej me problemin që tashmë e dinim të gjithë. 

-Pikërisht se është e bukur mërzitem! Se s’e pranoj dot për veten time. Për Valentinën, për shembull, është e bukur. 

-Por edhe mua te letërsia më rri mendja…-ma preu ai.

Ngrita supet pa i dhënë përgjigje dhe bëra disa hapa përpara, për të ecur vetëm. Pastaj pa vetëdije, iu ktheva: -E di ç’ke ti, shoku simpatik! Shiko… –por s’e mbarova dot mendimin. 

E kuptova që po flisja më kot dhe nxitova hapat për të hyrë në konvikt.

–Ç’pati kjo? –pyeti Jakovi Valentinën. –S’i thashë ndonjë gjë të keqe!

–S’i eci mirë puna sot, –tha Valentina, e sikur filloi të dyshonte se mos kisha dëgjuar fjalët e tyre pak ditë më parë.

Atë ditë s’më hahej as bukë! U futa në qoshen time të studimit, por me gjithë përpjekjet, nuk arrija të përqendrohesha. E ndieja ende dridhjen e brendshme në krahë, në duar e gjer te gishtat. Megjithëse i futa në ujë të ftohtë, bëja lëvizje me ta, por e dridhura qetësohej për pak e rifillonte përsëri. Ashtu shkova në fjetore, e për çudi të shoqeve të dhomës, sidomos atyre jugosllave, rashë në shtrat e përgatitur për të fjetur.

Gjumi s’më vinte. Numërova qindra e qindra dele e qengja. U përpëlita e u përpëlita, por s’qe e mundur. Në të gdhirë shkova në infermierinë e konviktit. Infermierja, sapo më dalloi rrathët rreth syve, kuptoi se s’kisha fjetur dhe isha e lodhur, e tensionuar dhe në akth. Pa folur, më dha një qetësues dhe nuk ndjeva gjë, kur humba në gjumë aty në një shtrat.

Kur më doli gjumi, shoqet kishin ngrënë drekë dhe kishin ardhur të shihnin se ç’kishte ndodhur. Infermierja u këshillua me mjekun e studentëve, i cili erdhi e më vizitoi, duke pasur frikë se mos po kaloja ezaurim nervor dhe më këshilloi qetësi me dhjetë ditë pushim. 

Qëndrova aty, pa lëvizur nga shtrati. Në infermieri më mbajtën gjithë ato ditë, ku treguan shumë kujdes. Më jepnin qetësues dhe ankthi sikur u largua. Koka po më qetësohej, mendimet dalëngadalë po më kthjelloheshin. Në ditët e fundit, Valentina vinte dy orë pasditeve dhe punonim, për të mos mbetur pas në mësime, kurse shoqet e tjera vinin menjëherë sa hanin drekën. Kthansipi vinte çdo ditë e më përgatiste ndonjë gjë të lehtë në dhomën e saj. Ishte e shqetësuar e më pyeste si mund të më ndihmonte. 

Një pasdreke erdhi edhe Jakovi. Qëllova vetëm, shtrirë në shtrat. Sa e pashë, u kapa te hekuri i kokës së shtratit dhe u ngrita ndenjur, mbështetur në jastëk. Mbaj mend që foli vetëm ai, gjë që s’e kishte zakon. Në fillim për gjëra të ndryshme. Pastaj më tregoi për letrën që kishte marrë nga i ati, si dhe për takimet e tij me babanë tim. Më foli për studimin që bënin bashkërisht i gjithë grupi i juridikut, për motin që po ndryshonte, për dimri në largim etj.

Fliste e lëvizte vazhdimisht dhe unazën që kishte në gisht, e hiqte dhe e vinte prapë, pastaj e rrotullonte dhe vetëm fliste.

Ajo lëvizje e vazhdueshme e ndihmonte, siç dukej, që tëmshmangte kushedi se çfarë! Ndoshta ndrojtjen që ndodheshim vetëm? Më në fund u largua duke më uruar shërim të shpejtë.

–E ndiejmë mungesën tënde, mos vono të vish! –tha në çastin kur mbylli derën.

Pas pak erdhi Kthansipi. 

U ul po aty, ku pak më parë ishte ulur Jakovi, e po fliste si e kalonin atë pak kohë të lirë me Skënderin. Unë po haja petullat e pas kaq kohe, diçka sikur po më shijonte.

Papritur Kthansipi thirri: –Po kjo, ç’do këtu? –pyeti, duke rrotulluar në gishta një unazë me një gur të madh të rrafshët e të kuq. 

-S’e di! –thashë edhe unë e habitur. 

-Po kjo është e Jakovit, unë e njoh! –foli përsëri ajo. 

–Ndoshta! –ia ktheva. –Ishte këtu para teje dhe e pashë që po luante me unazën.

–Hëmmm! –qeshi ajo. 

–Seç ka këtu… –e më vështronte buzagaz. 

–Po asgjë, të betohem! –i thashë dhe u skuqa. 

–Do t’i ketë rënë nga dora, kur e rrotullonte në gisht. 

–Mirë, po i them të vijë ta marrë, –vazhdoi ajo duke qeshur. –Harresë e zakonshme? 

–Me siguri! –ia ktheva. –Merre me vete dhe jepja pasdite, kur të mblidheni për studim. 

–E di si t’ia jap, –tha ajo dhe e futi në një kuletë, që hapej e mbyllej me një zinxhir.

Si mbeta përsëri vetëm, u ngrita dhe qëndrova te dritarja, që shikonte nga ana e prapme e konviktit. Dukeshin çati, tarraca dhe ndërtesat e mëdha, rrugët dhe rrugicat që i ndanin e i bashkonin. Prapa murit të konviktit ishte një vilë e bukur dykatëshe. Ndërsa fëmijë të gëzuar bridhnin nëpër oborr.

Vështrova kumbullat që kishin çelur. 

M’u kujtua shtëpia, oborri, ne duke luajtur, mamaja duke u kujdesur për lulet. Ajo ishte puna që bënte me aq dashuri në atë oborrin e madh e të gjatë nga porta hyrjes e deri tek ato pak shkallë, kur hyje në shtëpinë dykatëshe të Takove nga Përmeti. Ajo shtëpi i përmblidhte të gjithë. Babai, mëma, xhaxhai, një kushëri në papafingo të katit të tretë, dhe katër vëllezërit e mi… Ngjitur asaj shtëpie, në shtëpinë e dytë që kishte ndërtuar babai, rrinte motra ime e madhe, Nora…

“Atje do të kenë çelur lule-kumbullat, –thashë me vete. –Kajsitë, akoma jo!”

Sa do të desha të isha atje! 

Shpërtheva në lot. Ajo e qarë malli m’u kthye në dënesë sapo vura kokën në jastëk. 

Ashtu më zuri gjumi. Kur u zgjova, ishte errësirë. S’e merrja dot me mend sa ishte ora, por aty kuptova se shenjat e shqetësimit që më çuan në infermieri nuk i kisha më.

Të nesërmen në mëngjes, ende pa u ngritur njeri, zbrita në fjetore. 

Shoqet e dhomës sapo ishin zgjuar dhe, sapo më panë, erdhën e më përqafuan me gëzim. U ngritën ashtu si ishin, ca me këmishë nate, ndonjë me pizhame, një tjetër gjysmë e zhveshur e më rrethuan te shtrati im. 

Edhe shoqet jugosllave erdhën e treguan të njëjtën dashuri. Më qerasën me ëmbëlsira, që u kishin ardhur nga shtëpia.

Vajzat ndërkohë ishin bërë gati për në mensë. E më pas, të gjitha së bashku, për në fakultet. Ndieja njëfarë shqetësimi, duke menduar shoqet e shokët shqiptarë që, patjetër, do të më flisnin mbi sëmundjen. 

Por unë s’do doja as të flisja për të e as të ma kujtonin. “Veç disa minuta do të zgjasë ky takim, – thashë me vete, – e do ta kalojë”. Këto po mendoja, kur po zbrisja shkallët e konviktit.

Dhe ashtu ndodhi. Në fakt e kalova me emocion e me ndrojtje, por e kalova.

Nga larg më zuri syri Jakovin, duke diskutuar me zjarr mes një grumbulli shokësh, e padashur vështrimi shkoi te gishtat e tij. Te njëri gisht më saktë. Aty, te gishti i unazës, pashë të shkëlqente ajo unaza me atë gurin e madh të kuq. Sikur ta ndiente vështrimin tim, ai ktheu kokën e më pa. Kryqëzuam sytë, buzëqeshi me atë shprehjen aq të njohur për mua dhe ngriti dorën për të më përshëndetur…

Fillova të shkoj rregullisht në fakultet, e si përherë me Valentinën. 

Në përvetësimin e gjuhës kishin filluar të ndiheshin ndryshime te të gjithë. Tani kishim arritur të flisnim e t’u përgjigjeshim studentëve jugosllavë jo vetëm në përshëndetje e fjalë të zakonshme, por mund të bisedonim edhe mbi tekstet. Një ditë, në përfundim të leksionit, profesoresha e jugosllavishtes na tha se kjo ishte java e fundit që do punonim bashkë dhe se tani e tutje do duhej të ishim në gjendje t’i përballonim vetë problemet e gjuhës.

Kur dolëm nga klasa prej asaj ore e po ecnim përgjatë korridorit, m’u afrua Jakovi e më foli zëulët:

–Thuaj si të duash, por mua po më vjen shumë keq që përfundoi kursi!-

Unë e pashë në mënyrë pyetëse, kurse ai vazhdoi:

–Se s’do kem rast të marr ndonjë letër tjetër nga çanta jote! –tha dhe qeshi. –S’e paske harruar akoma atë të shkretë letër?! –ia ktheva si e zemëruar dhe u largova.

Në të ngrysur, shkova në postë që të bisedoja me të familjes. 

I qetësova, kur u fola për shëndetin. Nuk ua dramatizova, sigurisht, por u thashë që kalova një rëndesë nga mësimet, por që tashmë më kishte kaluar. 

Kur dola jashtë, te porta, pashë Jakovin. Po më priste.

–Dhuratë, kam dy bileta për kinemanë këtu afër, –më tha, duke më treguar me dorë. –Është një film shumë i bukur!-

Unë e pashë disi e çuditur që po më kërkonte një gjë të tillë. Ishte hera e parë që do të gjendesha vetëm për vetëm me të në kinema.

–Mos ki merak! –më qetësoi, duke e vënë re habinë time. –Është edhe Teodori me ne, e me siguri do të ketë edhe të tjerë nga tanët…!-

Pranova me sy. I shkova nga pas e bindur. 

Te porta e kinemasë po reklamohej filmi “Doni i qetë”.  Kur hymë brenda, kuptova që Teodori s’ishte.

–Do të ketë zënë tjetër vend, –tha ai, duke vënë re se po kërkoja me sy në korridorin e kinemasë.

Hymë në sallë. Vende të lira te radha jonë ishin vetëm dy. 

Por s’kishte as Teodor, as studentë të tjerë shqiptarë.

U shqetësova pak, por s’e dhashë veten dhe as pyeta për Teodorin a për të tjerët.

Te doreza e përbashkët e karrigeve ndjeva se na takoheshin bërrylat shkak e pa shkak, por kur puqeshin ama, i largonim menjëherë të dy, sikur të na digjeshin nga zjarri.

Kur dolëm jashtë, Jakovi filloi të fliste mbi filmin, duke e lidhur me romanin. Aty kuptova se sa e vlerësonte ai atë roman dhe autorin e madh rus.

–Film i mirë, –filloi të fl iste, –por romani është gjë tjetër. Një botë tjetër për nga shtrirja, nga pesha e dialogut, nga ngjyrat e gjuhës, për nga madhështia e natyrës ruse dhe njeriut të punës, gjithë halle e probleme të mëdha ekzistenciale…

Unë nuk po e dëgjoja, se e kisha mendjen te tjetër gjë, e pa dashur thashë: –Për mua është hera e parë që shkoj në kinema me një djalë!

Jakovi e ndërpreu atë që po thoshte, e vijoi: –Në çdo gjë e ngjarje ka gjithmonë një herë të parë! –tha me zë të qetë.

Nuk po qeshte, siç kishte bërë me letrën. Përkundrazi ishte serioz.

–Edhe unë, për herë të parë në jetën time, harrova në dhomën e një shoqeje unazën! –vazhdoi me ton serioz, e filloi të luante përsëri me unazën. Ecëm pak pa folur e më pas ai shtoi, duke ndërruar bisedë:

–E di ti, që ky gur këtu është shumë i moçëm, i kohës antike? Është nga Apolonia. Dhe sa shumë e shumë të tjerë si ky janë gjetur! Shumë njerëz atje i kanë gjetur në rrugët për në Apoloni, nxjerrë nga ujërat gërryese të shiut, dhe i marrin brazdave pas shiut e i kthejnë në stoli. Shiko pak, sa interesante

është! – tha dhe hoqi unazën nga gishti e ma zgjati. 

Unë e mora dhe po e shikoja më me kujdes, se atëherë kur e pashë në duart e Kthansipit.

Guri kishte një e kuqe të bukur, të vrarë në ngjyrë e jo e shkëlqyer. Vetëm rrethi, i cili kishte zgjatim dy si gonxhe floriri e që mbanin gurin nga të dyja anët, kish njëfarë shkëlqimi. 

Në gur ishte gdhendur diçka mu në mes të tij. Ishte një figurë e dukshme, që shëmbëllente me dragua.

–Interesante vërtet, e bukur! –thashë unë dhe e pyeta. –Ke qenë në Apoloni?

–Shumë e shumë herë. Është vend i mrekullueshëm. Dalëngadalë dhe heshtur, ai qytet antik ngrihet në një madhështi edhe më të heshtur, por që të rrëmben e të godet sikur të ishte një dallgë gjigande. Poshtë kodrës së Apolonisë shtrihet fshati Pojan. Ajo kodër, Dhuratë, fsheh ende në gjumë një kohë të lashtë, një histori që bashkon grekët e vjetër me ilirët. Në atë kodër janë zbuluar shumë kolona madhështore, monumente, statuja mermeri të plota e të gjymtuara, objekte të kohës së lashtë. Herë-herë shkojnë grupe me arkeologë, që nxjerrin të tjera gjurmë. Uroj të të vijë rasti t’i shohësh! – mbaroi frymën Jakovi, por nuk zgjati veç një çast, e kur filloi sërish e s’ndalej më.

Binte menjëherë në sy një afërsi, një dashuri shumë e thellë e tij për atë vend. E sa më tepër që e njihja atë, aq më e thellë bëhej ajo dashuri, e sa më tepër i hyra gjatë tërë jetës në thellësi asaj dashurie, aq më tepër zbuloja se ajo që njihja ishte vetëm një pjesë e vogël. 

Ishte si t’i ngjiteshe një mali gur pas guri, e diku gjeje një vend të shenjtë; pastaj ngjiteshe e ngjiteshe përsëri, e gjeje një tjetër, e një tjetër si ai e kështu pambarim.

–Në majën e asaj kodre, –vazhdonte ai, –gjen një vend si më të sheshtë, ku ngrihet Kisha e Shën Mërisë, një kishë e vjetër brenda oborrit të manastirit. Që aty njeriu shikon rreth e qark peizazhin e mrekullueshëm, që nuk e harron dot kurrë e që shtrihet deri aty, ku toka shkon e futet në pyll dhe pylli lag detin. Kjo kodër vijon më pas me një tjetër pak më të lartë, në majën e së cilës është ngritur vila e Leon Reit. Që aty, pamja bëhet edhe më madhështore…

–Kush është ky? –s’e lashë ta përfundonte atë ligjërim, por e entuziazmuar nga tregimi i tij. 

–Ah, po! Leon Rei është një arkeolog i famshëm francez. Ai ka bërë zbulimet e para të Apolonisë, e në atë kodër që ngrihet mbi manastir është një si vilë njëkatëshe, ku ai ka ndenjur, jetuar e studiuar. Dhe vazhdon akoma. Është kaq bukur atje në Apoloni! –shtoi me sytë nga unë, e me pyetje me to nëse e kishte tepruar. 

–Zakonisht atje familja ime dhe disa të tjera nga Fieri,-vazhdoi ai,-i bënin piknikët dhe 1 Majin, dhe ishte një kënaqësi e parrëfyeshme. Ne e kishim shtëpinë në Sop, që është më në jug të Pojanit dhe ndonjë njëqind a dyqind metra larg fillimit të kodrës! –përfundoi ai.

–Lum si ti! –i thashë. –Mua s’më ka rënë rasti të shoh ndonjë vend të tillë! Vende e fshatra të bukur po, kam parë plot. Të tillë kemi rreth e qark Përmetit, qytetit tim nga vij, apo Bënjës ku linda, të cilat janë fshatrat e gjyshërve dhe i babait tim. Apo plot të tjerë. Në Novoselë është një kishë e vjetër, e cila me kalimin e kohës e dalëngadalë po hyn thellë nën tokë. Ka shumë historira për fshatra të braktisura, që po zhduken gradualisht…!

–Mirë! –tha me një si premtim të heshtur. –Ndonjë ditë ti do të shohësh Apoloninë dhe unë Bënjën tënde! Jetën e kemi përpara… –dhe e mbylli bisedën.

Ndërkohë ishim fare afër konviktit. 

U futëm në mensë të hanim darkë. Kur dolëm nga mensa e unë po nisja të ngjitesha nëpër shkallë, Jakovi më tha: -Më lejo të të them diçka, por mos u zemëro, se e ke një çikë zakon të zemërohesh e të marrësh zjarr!

Unë ngrita kokën dhe po e shikoja. Ai vazhdoi: –Ky kostumi blu të shkon shumë! –tha thjesht dhe në sytë e tij pashë një si shkëndijë. 

–Faleminderit! Por edhe kostumi yt është shumë elegant…! –ia ktheva pa mbaruar fjalën, kompliment për kompliment. Ai qeshi.

Dhe në këtë lloj bisede tëmafërt, u ndamë: ai mori për nga porta për të shkuar në konvikt, kurse unë ngjita shkallët me vrap dhe hyra në fjetore. 

Të nesërmen më solli të lexoja disa vjersha, që i kishte shkruar për Apoloninë.

Fillova të lexoj:

Agimi apolon

Një kohë e bukur përmbi dhe’

në fron, mermeri rri dhe flet e flet 

si për mijëra gojë.

Flet si e gjallë, për djem atletë plot bukuri

vajza peri e gjithë dashuri.

Me mijëra gojë tregon.

E ç’nuk ka parë Ajo!

Dikur… 

E moçmja Apoloni,

çdo agim, 

çdo perëndim.

———————-

Apoloni, gusht 1942

Ditët merrnin rrjedhën e zakonshme, të lodhshme, monotone. Kalonin për ne ngadalë nga konvikti në fakultet e nga fakulteti në konvikt.

Pranvera kishte ardhur. Moti ishte ngrohur.  

Kaloriferët nuk ndizeshin më, e pasi pastrohej mensa, futeshim aty e studionim. Ndonjëherë shkonim në konviktin “Gajret”, se atje kishte sallë studimi e mjaft nga ne, që s’kishin nevojë të shkruanin, të vizatonin etj., hapnin librat e studionin edhe në shtrat.

Grupi i studentëve të fakultetit juridik ishte shembull.

Ata ecnin më shpejt me përgatitjen e provimit të parë. Jakovi fliste me emocion, por edhe i kënaqur për provimin që po afronte. Ndërsa unë po përgatitesha pa kaluar as minutën kot. Ankthin e vizatimit e kisha të përhershëm. Sa herë e kujtoja, sikur më shtrëngonte diçka në grykë. Por nuk flisja si më parë me zë të lartë. E pse t’i shqetësoja të tjerët me problemin tim! U kisha folur, kisha qarë para tyre sa e sa herë… E tani e kaloja atë bisedë pa u zgjatur, sa të tjerët mendonin se unë kisha ndryshuar mendim; sikur ajo lëndë nuk ishte më diçka që s’bëhej dot.Nxërkohë filloi puna student-pedagog; studentë të dobët-studentë të fortë; zhvilloheshin konsultime në lëndët më të vështira e, krahas tyre, nisën të bëheshin ushtrimet e parakalimit për 1 Majin. Në ato ushtrime merrnin pjesë vetëm studentë jugosllavë dhe ata me trupat më të mirë. Të tjerët, bashkë me ne studentët shqiptarë, përgatiteshim për parakalim të gjithë bashkë. 

Po afronte festa. Edhe kryeqyteti po përgatitej ta priste. Kudo po viheshin pankarta, banderola, pllakate e zbukurime të ndryshme festive. Kurse në qendër po ngrihej tribuna, ku do qëndronte Presidenti Tito dhe udhëheqësit e tjerë.

Dhe 1 Maji erdhi.

Ai 1 Maj qëlloi të ishte ditë e bukur dhe e ngrohtë. 

As xhaketat nuk mbaheshin dot. Të gjithë ishim shpërndarë nëpër fakultetet tona, ku do të bëheshim grupe-grupe dhe prisnim të na vinte radha e të parakalonim, së bashku me studentët jugosllavë. 

Unë rrija me Valentinën në krah, si dhe me studentë të tjerë, e po prisnim të niseshim në parakalim. 

Por edhe aty, teksa ishim të gjithë bashkë, herë flisnim për provimet e herë për periudhën që vinte më pas: pushimet. Sidomos djemtë tregonin gjëra të gëzuara e interesante nga jeta studentore. Por nuk e shmangia dot vështrimin, që më hidhej për “ndonjë” nga ata të fakultetit juridik. Sigurisht te Jakovi! Ku do të ishte? Ç’kishte veshur atë ditë feste? 

Por nuk e pashë gjëkundi.

Pas parakalimit, të lodhur nga orë pa fund qëndrimi në këmbë, nga vapa e djersa, u ulëm në mensë dhe hëngrëm shpejt e shpejt dhe u shpërndamë nëpër fjetore a konvikte, si ta kishim bërë me fjalë.

Pasdite dola me Valentinën e me një shok të inxhinierisë të shëtisnim nëpër Beograd, veshur si për festë. Edhe në mbrëmje, me t’u kthyer, preferuam të pushonim në shtrat dhe aty, të hapnim librat për të përsëritur mundësisht diçka.

Jakovin nuk ma zuri syri përsëri as në mensë, as në korridor e as te porta e konviktit. 

As Kthansipin dhe Skënderin nuk m’i zuri syri, megjithëse i kërkova t’u uroja festën. Atë vit 1 Maji qëlloi ditë e shtunë. Të nesërmen ishte dita e Pashkës së Madhe, Dita e Ringjalljes së Krishtit. Shumica e studenteve jugosllave kishin vajtur pranë familjeve të tyre, për ta kaluar së bashku atë të ditë të kremte fetare. Fjetoret thuajse ishin bosh.

Korridoret dhe mensa “ishin pushtuar” nga ne, studentët shqiptarë, por edhe ushqimi ishte më i mirë e më i bollshëm si asnjëherë.

Atë mëngjes Pashke zbrita më vonë se çdo ditë tjetër. 

Jakovin përsëri s’e pashë. Por në drekë u takuam papritur te korridori para mensës dhe pa më përshëndetur, pyeti: –Po qysh s’të gjeta dot dje! Ai fakulteti juaj nga ishte futur? Ku s’ju kam kërkuar!

–Po qysh, po qysh…? Ti thuaj njëherë “gëzuar”, e pastaj pyet! –dhe shtova menjëherë, se m’u duk se ngeli keq: –Po ku do të ishim! Aty ku qenë grumbulluar të gjithë studentët. Por në atë mizëri që ishte atje, e gjeje dot gjilpërën?-

Ajo shprehja “po qysh” ishte tipike myzeqare, edhe pse Jakovi e përdorte rrallë, e përdorte sidomos kur kishte shpoti e gëzim, fshehur bashkë në atë fjalë.

–Ke të drejtë! Ashtu ishte dje! Por gëzuar, dy herë gëzuar, një për dje dhe një për sot! –qeshi ai.

–Gjithashtu! –ia ktheva. –Gëzuar e për shumë vjet!-

Hymë në mensë veç e veç. Si hëngrëm bukë e po shkoja drejt shkallëve, më thirri: 

–Dhuratë, qëndro pakëz!Ndalova. Jakovi m’u afrua e kur u mat të më fliste, ndryshoi në fytyrë.

– Të kërkova dje, në fakt… se desha të të them diçka! A takohemi sot pasdite? Bëjmë një shëtitje pranë Danubit. Si thua? A të vij të të marr?! –e po më shikonte në sy.

Unë ula sytë nga forca e vështrimit të tij dhe si pa kontroll më doli ngadalë: –Mirë…

– Po vij në orën katër! –foli i gëzuar e pastaj shtoi: –Vish atë kostumin blu me bluzën e bardhë! –dhe iku me të shpejtë.

Zot, sa u emocionova! 

Mendja më rrinte në një vend: “Ç’do të më thotë vallë?! Vetëm po ta ketë seriozisht! Ai është shumë simpatik… dhe i talentuar. Ç’do të më thotë? Mos erdhi çasti…?”

Në orën katër, e veshur siç më kishte porositur dhe rregulluar më së miri, zbrita poshtë në korridor. Kisha mbathur këpucë të reja. Ishin në ngjyrë shumë të bukur, midis të kuqes e të verdhës. 

Modeli ishte i veçantë. Jakovi i vuri re menjëherë dhe tha: –Ti gëzosh! Qenkan si vezët e Pashkës këto këpucë! I gëzofsh edhe një herë!

Ecëm në ca rrugë e rrugica, ku s’kisha kaluar deri atëherë dhe as i kalova më, më pas.

Më tregoi një letër: –Është nga babai im… – tha. –Do të çuditesh kur ta shikosh ç’ka shkruar!

– Po, lexoje! –i thashë. –Pse më mban në kureshtje?

–Prit, prit edhe pak! –ma ktheu dhe vazhduam të ecnim në ato rrugë të ngushta të Beogradit, që vazhdimisht zbritnin e zbritnin.

Pastaj, për një moment, ato rrugë papritur filluan të ngjiteshin e të ngjiteshin. Përballë nesh ishte një malore mjaft e thiktë, e cila mbaronte me një majë shumë të lartë dhe të kreshtë.

–Sot do të shkojmë atje! –foli ai, duke marrë frymë një hop. –Kur të ngjitemi lart, do të shohësh një pamje që zor se mund ta shohësh përsëri. Një panoramë, që do të ngelet në mendje për gjithë jetën. Atje lart do të shohësh malin ku vishet me gjelbërimin e pyllit, ndërsa poshtë do të shohësh bashkimin e madhërishëm të dy lumenjve: Danubi madhështor dhe Sava gjithë ngjyra! Nga aty do të shohësh si pleksen dhe bëhen njësh të gjitha llojet e ngjyrave e të lartësive të ndryshme-, përfundoi ai me pasion.

Nuk mbaj mend ç’pashë në të vërtetë, aq shumë u mahnita nga ajo bukuri e vendit. 

Poshtë nën këmbët tona vështrova lumin Danub, që diku sikur gjarpëronte në një lugine me gjelbërim, ku vinte qetë-qetë lumi Sava, i cili rridhte e shndrinte nën rrezet e diellit në mijra e mijra përngjyrime grimcash ajri e uji përzier bashkë, derisa arrinte te vendi ku bashkoheshin! Sa madhështore!  Sa e mrekullueshme!

–As po të vjen më në mend letra! –buzëqeshi Jakovi. 

Ktheva sytë nga po vinte zëri.  Jakovi kishte ndaluar e po hiqte ngadalë petalet e një luledeleje: –Po, jo, po, jo, po…-filloi me një zë gati fëmije.

Ia mora lulen nga duart e qesha: –Po luan si fëmijët?

–Aspak! –ma ktheu. –Nuk po luaja, po parashikoja…!

–Ma trego atë letrën, lëre lulen e deles!

–Por, a do ta kesh mendjen te letra, se sikur u hutove fare!

M’u duk se nuk e kish mbroth ta hapte atë letër.

–Epo s’kisha parë deri më sot një vend të tillë! Këtu si në taracë dhe poshtë shtrihet ajo luginë e bleruar dhe madhështore! Kemi pesë muaj në Beograd dhe s’kemi ardhur kurrë deri këtu. As me korin, nuk kemi ardhur ndonjëherë…!

–Ky është “Kalimekdani”, parku më i madh e më i bukur i Beogradit!

– Mirë…!- e ndërpreva, -Tani na e lexo tani se ç’të thotë babai.

Dhe ai fi lloi të lexojë, e unë dëgjoja përherë e më e habitur: “Mua dhe nënës na vjen mirë që shoqërohesh me vajzën e Takove. Na gëzuan edhe fjalët që na shkruaje për të. Ne themi ta

mbarosh… S’ka gjë se je më i vogël se Lekoja. Ti e di, që dhe unë ashtu u fejova me Marien, përpara Uanit…” 

(Tani që po shkruaj këto radhë, nuk mund të mos buzëqesh, se m’u kujtua se edhe më pas, nga dy djemtë e mi, Arbeni e Agroni, Agroni u fejua dhe u martua përpara Benit. Dhe kur u fejua Agroni, Jakovi më tha me atë të qeshurën e tij: 

–Edhe brezi ynë i ri e “respektoi” traditën e familjes Xoxa. Prej katër brezash te ne, i vogli martohet përpara të madhit.)

Vazhdonim të ecnim në heshtje. Unë rrija si e ngrirë, sikur kisha harruar të flisja, sikur nuk po më bënin përshtypje ato bukuri që shfaqte “Kalimekdani”, sa më shumë hapsirë kërkonim të rroknim me sy. 

–Po ti, Dhuratë, ç’mendon? –foli ai më në fund, duke më kthyer në vete.

–Më erdhi kështu papritur… Jam e emocionuar… e habitur, e papërgatitur e, njëkohësisht, jam edhe e lumtur…, e gëzuar…! –fola, duke kthyer sytë e përlotur nga ai.

Edhe Jakovi ishte shumë i mallëngjyer. 

Më mori për dore. Gishtat tanë, për herë të parë, u lidhën me njëri-tjetrin. 

Ecëm pak kohë pa folur, me kokën ulur, si të kishim bërë ndonjë mëkat apo nga pesha e mendimit. Herë pas here shikonim njëri-tjetrin dhe buzëqeshnim. Pastaj erdhi aq natyrshëm. Ai ndaloi një çast… Po e prisja… U kthye nga unë dhe ma mori kokën me të dyja duart dhe ma afroi drejt vetes… 

Më përqafoi, pa kërkuar të më puthte… Dhe ashtu do të rrijë tek unë ai moment, derisa të iki…!

–T’u them gjë njerëzve të mi, kur të flas në telefon? –pyeta, ndërsa zemra më rrihte fort.

–Shpresoj që edhe ata ta presin po ashtu si prindërit e mi! Do të shkojmë të flasim bashkë me ta–tha dhe më shtrëngoi dorën fort.

Nga aty u kthyem në një restorant të vogël, ku hëngrëm darkën vetëm ne të dy. 

E para darkë bashkë, jashtë sallave dhe mensës së konviktit.

Ai porositi gjeldeti me pilaf. Por gjuha dhe fjalët ama, sikur fsheheshin nga ne. Jakovi, si për ta thyer, zuri të fliste për pulat e detit të Myzeqesë së tij. Unë dëgjoja dhe qeshja. Gjella ishte shumë e

shijshme, por as që e kishim më mendjen aty, as unë, as ai.

U ngritëm, ndonëse pjatat ishin ende plot. Ajo mbrëmje ishte dhe e para, që po kthehesha në konvikt

aq vonë.

Te një lulishte e vogël, pranë një ndërtese të bukur zyrtare, ai ndaloi. Ndalova dhe unë dhe u ktheva me fytyrë nga ai.

–Shëtitja e sotme sikur kërkon ende të plotësohet me një diçka të veçantë… –foli ngadalë, e m’u afrua e më përqafoi përsëri: –Puthjen e parë i riu as di ta japë, as di ta marrë, as di ta fshehë…! –tha duke më puthur. 

Ishte puthja e parë. Puthja e tij e parë dhe puthja ime e parë. Ishte dita 2 maj.

(Këto fjalë, më pas, ai i shkroi te romani “Lumi i vdekur” për Vitën dhe Adilin, por të dy e dimë, se ato ishin kushtim i takimit tonë të parë).U ndamë te shkallët e konviktit tim. Unë s’fola me njeri se çfarë kishte ndodhur atë pasdite. Por të nesërmen në mëngjes, sa zbrita shkallët dhe u nisa për në mensë, ata të “Gajretit” më dolën përpara e më përqafuan, duke më uruar. Vetëm Teodori qëndroi disi ftohtë. Po kështu bënë, por më pak, edhe ata të konviktit tim. 

Ndjeja sikur babait s’do t’ia thosha dot, sidomos tani, që s’ishte më një e fshehtë që na përkiste vetëm ne të dyve. Kështu, si fillim kërkova në telefon të flisja me vëllanë e madh, Llukën, i cili punonte shef administrate në Teatrin Popullor. Ai e kishte ndier simpatinë tonë nga ç’i tregonte babai për njohjen

e takimit me prindërit e Jakovit dhe kishte pyetur drejtorin e vet, K. J-në, nëse e njihte dhe ç’përshtypje kishte për Jakovin.

Drejtori i kishte folur shumë mirë. Dhe ai jo vetëm u gëzua kur i thashë që i kishim dhënë fjalën njëri-tjetrit, por më uroi shumë i emocionuar.

Në mbledhjen e parë që bëmë me studentët shqiptarë të Beogradit, blemë karamele dhe qerasëm të gjithë. Ne, të gëzuar e shend e verë, pritëm urimet e tyre. Por “përgjegjësit” tonë sikur s’i erdhi dhe aq mirë, e mezi na dha dorën. Kishte frikë mos ua varnim mësimeve apo mos edhe të tjerë fillonin e lidheshin me njëri-tjetrin. 

Nga ana jonë na dukej se kishim vepruar drejt, aq më tepër që edhe prindërit tanë ishin aq të gëzuar! Nuk e kuptuam atë sjellje të tij, kur ne e dinim që ai dashuronte një studente dhe takohej me të, madje e dinin të gjithë se takoheshin në një dhomë, diku, por ai kurrë s’kish marrë guximin ta shpallte hapur.* * *

Studimin e vazhduam si më parë. Ai me grupin e juridikut si në fi llim, kurse unë o me Valentinën, o me vizatimet e mia të mjera. Por pasdarke, nuk rrinim me të tjerët, por bënim nga një shëtitje të vogël.

Erdhën provimet. Fundi i majit, fillimi i qershorit. 

Të parët do të hynin në provim ata të juridikut. Iu luta Valentinës dhe shkuam bashkë te fakulteti, ku do të jepnin provim. E gjetëm edhe sallën e provimit dhe po rrinim te dera, duke pritur të hapej e duke u hedhur përpara, sa herë hapej porta dhe dilte ndonjë student.

Një herë të vetme, më pas, e pashë Jakovin në një auditor provimi, dhe s’e harroj. Ishte aq i përqendruar te marrëdhënia profesor-student, sa s’e kishte mendjen tek asgjë tjetër. Shikonte jashtë asaj salle. Aty vura re sidomos sytë e tij. Atë ditë, si rrallëherë tjetër, sytë e tij ngjyrë gështenjë më janë dukur aq të mëdhenj, të butë, të ëmbël, të dhimbsur dhe sikur i shkëlqenin nga diçka brenda tyre.

Kur u takuam, ia shpreha këtë dhe ai më tregoi: –Edhe një vajze tjetër, disa vjet më parë, i pëlqenin shumë sytë e mi! Edhe unë e pëlqeja shumë… për bukurinë. Ishte vërtet e bukur, në fytyrë e në trup. Ishte vajza e tregtarit, në dyqanin e të cilit unë isha çirak. Dhe gëzohesha, kur tregtari më dërgonte me ndonjë porosi në shtëpinë e tij. Sepse do të shikoja atë. Dhe ajo dilte, më hapte portën, më pyeste për diçka e skuqej. Më jepte edhe ndonjë frutë.

–Çfarë të jepte, mollë? –e ndërpreva duke qeshur.

–Ç’të kishte! –ma ktheu po me të qeshur, e duke e marrë kuptimin e mollës sipas stinës.–Po pastaj, ç’ndodhi? –pyeta unë duke qeshur.

–Ajo ishte më e madhe se unë. S’bashkoheshim dot.-, ma ktheu butë.-Atë e fejuan prindërit, kur unë punoja ende çirak dhe s’kisha mbaruar as shkollën. Ohuuu, sa rrugë kisha unë përpara, sa të arrija atje ku ishte ajo! Por dukej që e pëlqenim shumë njëri-tjetrin, aq sa aty nga fundi e kuptoi edhe i ati dhe s’më dërgonte më në shtëpinë e tij me porosi… 

-Po E-ja u martua me atë që i njohën prindërit, apo si?-fola ashtu si kot. 

–Sigurisht!-ma kfheu, -Përpara dasmës më dërgoi fotografinë time, që ma kishte kërkuar dhe ia kisha dhënë si kujtim. E merr me mend se çfarë i kishte bërë fotografisë?- përfundoi, me zërin gjysëm hokatar gjysëm serioz.

–E kishte njomur, prishur me lot?

–Joooo, –tha ngadalë, –i kishte shpuar të dy sytë me gjilpërë dhe dukesha si qorr.

–Pra, e paskam pasur diçka të përbashkët me E-në? –i thashë. 

–Të përbashkët?! Hë, po, sytë… –foli ai. 

–Po, sytë e tu! –ia ktheva. 

–Edhe E-ja i pëlqente me sa duket shumë sytë e tu. 

–Shiko, se mos bën si ajo, –tha hokatar. –Ajo m’i nxori sytë në fotografi , se vetëm aty i kishte. Se mos të shkon mendja dhe bën si ajo, se ti më ke të gjallë! –qeshi me gaz.

–Kushedi?! Kjo varet nga ti! –iu përvesha. 

–Po qysh?! –tha ai pyetjen e përbashkët. –Po qysh?! –ia ktheva unë.

Kur u ndamë te porta e konviktit, më zgjati një letër të palosur e më tha:

–Lexoje, e kam shkruar për ty! Ishte një vjershë…

Qershia

Si një nuse plot kurora, lulëzonte një qershi

dhe dhëndurët fletë-fl etë, vinin e puthnin ca stoli,

ca stoli mbi gush’e faqe, çelur-çelur, për çudi!

Edhe bari me të mbirë rriti-rriti bukurinë,

puthi rrënjët, puthi gjethet, po s’arriti gjer në gji.

Dhe zogjtë e bletët fletë-fletë vinin e ndillnin dashuri.

Priti, priti bar i shkretë të ikë dielli, të ikin retë

e ta ketë qershinë vetë.

Po stolitë zunë të rrallohen, zogj e bletë po largohen.

Qeshi, qeshi bar’i shkretë me stolit’ në gji të vet.

Dhe qershia shtathedhur, nuk u mburr me ca stoli!

Qe një frym’e shkuan e vanë,

po ç’frut i lanë pas, në gji!…

——————————————-

(Bukuria e jetës dhe qëllimi i saj ndrijnë jo te lulet, por te frutet)

Beograd, 20 maj 1948

Exit mobile version