Skulptori italo-shqiptar që po hap botën me art
E themeluar në vitin 1895, “La Biennale di Venezia” në edicionin e saj të 61-të mbetet një nga platformat më të rëndësishme ndërkombëtare për artin pamor bashkëkohor. Përmes Ekspozitës Ndërkombëtare të Artit, ajo ka ndikuar drejtpërdrejt në formësimin e tendencave artistike dhe në legjitimimin e praktikave të reja kuratoriale. E strukturuar mbi sistemin e pavjoneve kombëtare dhe ekspozitën qendrore të kuruar, Bienalja funksionon si një hapësirë ku ndërthuren kërkimi artistik, diskursi kritik dhe përfaqësimi kulturor. Në këtë kontekst, arti pamor nuk paraqitet vetëm si formë estetike, por si një mjet reflektimi mbi realitetet politike, sociale dhe identitare të kohës. Sot, Bienalja operon si një laborator i artit bashkëkohor, ku prodhohen narrativa dhe përcaktohen drejtimet e zhvillimit të tij në shkallë globale. Në këtë edicion të “La Biennale di Venezia”, Shqipëria përfaqësohet në pavijonin e saj zyrtar nga artisti Genti Korini me veprën “A Place in the Sun”, një instalacion me imazh lëvizës, kuruar nga kritikja dhe kuratorja polake Małgorzata Ludwisiak. Projekti vendos në qendër një qasje ndërdisiplinore, ku narrativa vizuale ndërtohet përmes një gjuhe hibride mes teatrit, animacionit dhe strukturës filmike. Në të njëjtën kohë, në këtë ngjarje madhore të artit pamor ndërkombëtar merr pjesë edhe artisti italo-shqiptar Alfred Mirashi – MILOT, i cili prezantohet me instalacionin “Mjaft me çelësa”. Vepra, e konceptuar si një reflektim i gjatë personal, artikulon një diskurs mbi kufijtë, kontrollin dhe lirinë, duke u zhvilluar ndër vite deri në formën e saj aktuale. Siç shprehet vetë artisti, projekti ka qenë menduar që në fillesë për t’u prezantuar pikërisht në kontekstin e Bienales, si një hapësirë ideale për ndarjen e një përvoje artistike intime dhe universale njëkohësisht. Instalacioni do të ekspozohet në Pallatin “Donna delle Rose” në Venecia, në kuadër të pavijonit zyrtar të Republikës së Guinesë Ekuatoriale, ku Alfred Mirashi Milot është i ftuar nga kuratori spanjoll Joan Abelló. Kjo pjesëmarrje e pozicionon artistin në një dialog ndërkulturor, duke e zgjeruar praninë shqiptare përtej përfaqësimit kombëtar dhe duke e vendosur atë në një kontekst më të gjerë global.
“Ne duam një botë më të mirë, të hapur për të gjithë, pa çelësa.”
MILOT
Po kush është artisti Alfred Mirashi – MILOT dhe si arriti ai të hyjë me sukses në artin bashkëohor – cila është “gjuha monumentale e veçantë” e suksesit të MILOT”?
Në peizazhin e skulpturës bashkëkohore europiane, figura e Alfred Mirashi Milot shquhet për një gjuhë artistike të qartë dhe universale. I lindur në Laç, Shqipëri (1969) dhe i formuar në Itali, ai mishëron një identitet italo-shqiptar që tejkalon biografinë, duke u shndërruar në substancë konceptuale të veprës së tij. Me bazë në Firence, ku tradita dhe bashkëkohorja bashkëjetojnë në mënyrë organike, Milot ka ndërtuar një praktikë që lëviz mes skulpturës monumentale, instalacionit dhe artit publik. I diplomuar në “Accademia di Belle Arti”, në Milano, ai e vendos veprën në një dialog të drejtpërdrejtë me hapësirën dhe publikun.
Që nga fillimi i viteve 2000, prania e tij ndërkombëtare konsolidohet përmes ekspozitave në institucione të rëndësishme italiane. Momente kyçe si “The Venuses of Milot” në Maschio Angioino dhe “Believe” në Firence dëshmojnë një pjekuri të hershme konceptuale dhe një profil të artikuluar kuratorial. Në qendër të praktikës së tij qëndron një simbol i vetëm: “ÇELESI”-“KEY”, i transformuar nga objekt funksional në formë monumentale, ai bëhet metaforë e hapjes, unitetit dhe mundësisë. Vepra si “Key of Cervinara” (Itali, 2017), një strukturë madhështore në çelik Corten – me lartësi 20 metra, apo “Key of Montevergine” – 50 metra, instalacion monumental i porositur në Avellino, shndërrohen në shenja urbane dhe filozofike- akte që sfidojnë ndarjen dhe propozojnë një etikë të hapjes.
Ky motiv zhvillohet në instalime të tjera si “Key of Unity” në Napoli, “Albanian Key” në Shkodër, Shqipëri (2024), dhe “Key of Wuhan”, R.P.Kinës (2024), duke konfirmuar një shtrirje të gjerë gjeografike dhe simbolike. Në Kinë, ku ai ushtron veprimtarinë si pedagog dhe drejtues artistik, Milot ndërton një urë të qëndrueshme mes Lindjes dhe Perëndimit, duke u pozicionuar si një ndërmjetës kulturor i kohës sonë. Ky angazhim kulmon me pjesëmarrjen e tij në “Chengdu Biennale-2026”, ku do të prezantojë një vepër të re monumentale në formë diptiku – një vijim i kërkimit të tij mbi simbolin dhe hapësirën. Arti i Milotit artikulohet si një qëndrim etik po aq sa estetik. “Çelësat” e tij nuk mbyllin, por hapin: jo hapësira fizike, por horizonte mendimi. Në një botë të fragmentuar, ato propozojnë dialogun si formë rezistence dhe hapjen si mundësi.
Gjatë karrierës së tij, MILOT është vlerësuar me çmime dhe nderime të rëndësishme ndërkombëtare. Ndër më prestigjiozet janë Medalja e Artë në Pikturë në Barbican Centre Museum, Olympic Fine Art London (2012), Çmimi Ndërkombëtar i Pikturës në Water Cube Museum në Pekin (2012), si dhe çmimi për arritje jetësore “Artis Suavitas Civitas 2022” në Pallatin Mbretëror të Napolit. Kontributi i tij në kulturën publike është vlerësuar edhe me titullin Qytetar Nderi i Cervinarës, për dhurimin e skulpturës së tij monumentale. Vepra e tij është mbështetur dhe analizuar nga kritikë të njohur, drejtorë muzeumesh, historianë arti dhe institucione kulturore në Itali, Shqipëri dhe Kinë, përfshirë Wu Weishan (Drejtor i Muzeut Kombëtar të Kinës), Francesco Poli, Eduardo Cicelyn dhe shumë kuratorë e studiues të rëndësishëm. Arti i MILOTIT qëndron si një gjuhë bashkëkohore e identitetit dhe hapjes, ku forma, simbolika dhe monumentaliteti ndërthuren për të krijuar vepra që lidhin histori, popuj dhe kombe- përmes një vizioni që eksploron vazhdimisht dialogun mes kulturave, kujtesës dhe së ardhmes.
Në vijim, për një lexim më të thelluar të veprës së Alfred Mirashi Milot në Bienale, paraqesim intervistën me artistin.
Y.D – Me cilën vepër merrni pjesë në këtë edicion të Bienales së Venecias dhe si lindi ideja e saj?
Alfred Mirashi – MILOTI: Puna me të cilën po marr pjesë në këtë edicion të Bienales së Venecias titullohet “Mjaft me çelësa”. Është një ide që e kam pasur me vete për shumë vite: ajo rrjedh nga një reflektim që u pjek me kalimin e kohës dhe u zhvillua ngadalë derisa gjeti formën e tij përfundimtare. Gjithmonë kam dashur ta paraqes atë pikërisht në këtë kontekst, sepse besoj se Bienalja është vendi ideal për të ndarë një vepër kaq personale dhe kuptimplote.
Y.D. – Çfarë përfaqëson kjo vepër në thelb dhe cilat janë shtresat konceptuale që mbart?
MILOTI: – Në këtë kuptim, “No More Keys” nuk është thjesht një vepër, por një thirrje: është koha të ndalojmë së jetuari “të mbyllur” dhe të fillojmë të imagjinojmë një botë pa barriera, ku të gjithë mund ta shprehin plotësisht fatin e tyre.

Y.D. – Cilat materiale dhe teknika keni përdorur në realizimin e saj dhe pse i zgjodhët pikërisht ato?
MILOTI: – Përdora materiale dhe teknika të ndryshme për të rritur kuptimin e veprës.Pjatat janë bërë nga terrakota, një material tradicional i përdorur për shekuj me radhë. E zgjodha për lidhjen e saj me historinë dhe artizanatin, por edhe për aftësinë e saj për të përcjellë ngrohtësi dhe autenticitet. Telekomandat, nga ana tjetër, u projektuan dhe u krijuan në 3D: çdo telekomandat është unik, i shtypur në rrëshirë dhe më pas i pikturuar me dorë. Zgjodha këtë teknikë për të krijuar forma të sakta dhe të personalizuara. Së fundmi, i dekorova telekomandat me elementë të frymëzuar nga lulet e pyllit dhe detajet e maskave. Kjo zgjedhje rrjedh nga dëshira për të kombinuar natyrën dhe simbolikën, duke shtuar një shtresë ekspresive dhe narrative në vepër.
Y.D. – Në cilin pavijon apo hapësirë ekspozuese do të prezantohet vepra juaj?
MILOTI: Instalacioni im do të prezantohet në Pallatin “Donna delle Rose” në Venecia, në pavijonin zyrtar të Republikës së Guinesë Ekuatoriale. Ne eficionin 61-të Bienales së Venecias. Kjo hapësirë, e vendosur në një nga qendrat më të rëndësishme të artit bashkëkohor, krijon një dialog të hapur mes kulturave, identiteteve dhe gjuhëve artistike të ndryshme. Brenda këtij konteksti ndërkombëtar, vepra ime synon të ndërthurë traditën me teknologjinë, duke ofruar një përvojë vizuale dhe simbolike që fton vizitorin në reflektim dhe interpretim personal.
Y.D. – Pjesëmarrja juaj në Bienale vjen si artist i ftuar, përmes një përzgjedhjeje kuratoriale apo përfaqësoni një institucion/shtet?
MILOTI: – Pjesëmarrja ime në Bienale vjen si artist i ftuar nga kuratori spanjoll Joan Abelló, i cili është zgjedhur të prezantojë pavijonin e Republikës së Guinesë Ekuatoriale. Kjo ftesë përfaqëson një mundësi të rëndësishme për mua për të ndarë punën time në një kontekst ndërkombëtar dhe për të qenë pjesë e një dialogu artistik mes kulturave të ndryshme.
Y.D. – Si e përjetoni pjesëmarrjen në një nga ngjarjet më të rëndësishme të artit bashkëkohor në botë?
MILOTI: – Pjesëmarrja në një nga ngjarjet më të rëndësishme të artit bashkëkohor në botë është një përjetim i vështirë për t’u përkufizuar me një fjalë të vetme. Është një ndjesi që ndërthur emocionin, krenarinë dhe një lloj përmbushjeje të brendshme që vjen pas një rrugëtimi të gjatë.Pas shumë vitesh pune, përkushtimi dhe sakrificash, të arrish në një pikë të tillë është si të prekësh një ëndërr që shumica e artistëve e mbajnë brenda vetes. Është një moment që jo vetëm vlerëson punën tënde, por edhe të bën të reflektosh mbi gjithë rrugën që ke kaluar për të arritur deri aty. Në të njëjtën kohë, kjo përvojë nuk është vetëm një kulm, por edhe një fillim i ri- një hapje drejt mundësive të tjera, bashkëpunimeve dhe sfidave të reja në botën e artit bashkëkohor.
Y.D. – A ka një vazhdimësi mes kësaj vepre dhe ciklit tuaj të njohur të “Çelësave”?
MILOT: – Po, ka një vazhdimësi të natyrshme me ciklin e “Çelësave”. Kjo vepër duket më e përpunuar dhe e rafinuar, duke ruajtur idetë bazë por me një shprehje dhe harmoni më të përforcuar.
Y.D. – Si ndikon përvoja juaj ndërkulturore mes Shqipërisë, Italisë dhe Kinës në këtë projekt të ri?
MILOT: – Përvoja ime ndërkulturore ka qenë vendimtare për këtë projekt. Pas shumë vitesh duke jetuar dhe punuar në Shqipëri, Itali dhe Kinë, kam marrë një gamë të gjerë ndikimesh vizuale dhe kulturore. Kjo udhëtim dhe ekspozim i vazhdueshëm ndaj kulturave të ndryshme më ka frymëzuar thellësisht dhe ka pasuruar gjuhën time artistike, duke sjellë nuanca dhe perspektiva të reja në këtë vepër.
Y.D. – Çfarë dialogu shpresoni të krijojë vepra juaj me publikun ndërkombëtar të Bienales?
MILOT: – Shpresoj që vepra të krijojë një dialog të hapur dhe reflektues me publikun ndërkombëtar. Ky është momenti më i duhur, jo vetëm për mua, por për çdo artist që merr pjesë në Bienale – një mundësi për të ndarë eksperienca, emocione dhe vizione, dhe për të lidhur kulturat përmes artit bashkëkohor.
Y.D. – Në një kohë kur arti shpesh përballet me sfida globale, cili është roli i artistit sot sipas jush?
MILOT: – Artistët sot janë si një “gjimnastikë shpirtërore”: praktikojnë çdo ditë, reflektojnë kohën, shprehin emocione dhe sfidojnë perceptimet, ndërsa ndikimi i tyre shpesh duket vetëm me kalimin e kohës.
Y.D. – Duke parë rrugëtimin tuaj artistik, cili moment ka qenë më përcaktues në karrierën tuaj?
MILOT: – Çdo ditë është një pjesë e bagazhit tim artistik; studimet në Brera dhe Angli, jeta në Firence dhe eksperienca në Kinë bashkëformojnë rrugëtimin tim dhe krijojnë diçka më të madhe se secili moment “veç e veç.”

Y.D. – Si ka evoluar simbolika e “çelësit” në veprën tuaj ndër vite?
MILOTI: Simbolika e “çelësit” në veprën time ka evoluar ndjeshëm gjatë viteve. Fillimisht ishte një lojë artistike, një eksperiment formash dhe ideje, por me kalimin e kohës mori përmasa më të mëdha, duke u shndërruar në skulptura monumentale të vendosura në sheshe dhe hapësira publike në mbarë botën. Çelësi nuk është thjesht një objekt; ai është simbol i mundësive të pakufishme, i hyrjeve në botëra të reja dhe i lidhjes mes njerëzve dhe kulturave. Ky hap shpesh ka kërkuar guxim – një guxim i ushqyer nga besimi në mesazhin tim bashkëkohor dhe dëshira për të krijuar një dialog të hapur me publikun, duke i dhënë secilit mundësinë të zgjidhë “çelësin” e tij dhe të hapë derën e interpretimit dhe imagjinatës.
Y.D. – Çfarë ju frymëzon sot, pas një karriere tashmë të konsoliduar ndërkombëtarisht?
MILOT: – Sot, pas një karriere tashmë të konsoliduar ndërkombëtarisht, ajo që më frymëzon më shumë është të ëndërroj më tej. Nuk kënaqem me pak; ëndërroj të mbush disa qytete dhe muze me skulpturat dhe pikturat e Milotit, duke krijuar hapësira ku arti bëhet pjesë e përditshmërisë dhe dialogut mes njerëzve. Çelësi, i cili ka shoqëruar rrugëtimin tim artistik, mbetet simbol i mundësive të pakufishme – një ftesë për çdo shikues që të hapë derën e imagjinatës dhe të lidhet me veprën në mënyrën e tij. Ëndrrat e mia sot janë një thirrje për hapje: hapje hapësirash, mendjesh dhe zemrash për të ndjerë, interpretuar dhe bashkëjetuar me artin në çdo kënd të botës.
Y.D. – A ka ende “dyer” që kërkoni t’i hapni përmes artit tuaj?
MILOT: – Ahahah, ndoshta ende ka “dyer” për t’u hapur, por unë nuk i mendoj shumë. Burokracia është kudo, por idetë dhe vizioni janë çelësi ynë për t’i sfiduar ato. Shpresoj që një ditë të mos ketë më dyer të mbyllura, dhe çdo hapësirë – qytet, muze apo shesh – të jetë mundësi për art, dialog dhe kreativitet. Çelësi nuk është thjesht simbol; ai është ftesa për të hapur mendjet dhe zemrat e njerëzve, për të bërë artin të prekë jetën në çdo formë dhe vend.

Y.D. – Çfarë këshille do t’u jepnit artistëve të rinj shqiptarë që ëndërrojnë një karrierë ndërkombëtare?
MILOT: – Mos u ndaloni nga këshillat e të tjerëve; shumë prej tyre shpesh bazohen në paragjykime ose frikë. Qëndroni kuriozë ndaj botës dhe kulturave të reja. Çdo udhëtim, çdo përvojë e re është një burim frymëzimi. Keni guximin të provoni, të udhëtoni dhe të shprehni veten lirshëm – pa frikë nga dështimi. Punoni vazhdimisht në artin tuaj, por mos harroni të mësoni nga njerëzit dhe vendet që takoni gjatë rrugës. Pra, suksesi ndërkombëtar nuk vjen vetëm nga teknikë apo talent, por nga guximi për të eksploruar dhe hapësira për të mësuar nga bota.
Y.D. – Sa e rëndësishme është këmbëngulja përballë refuzimit dhe vështirësive në art?
MILOT: – Çdo refuzim është një hap drejt botës që pret të njohë artin tënd – mos u ndal, vazhdo të krijosh.”Vështirësitë dhe refuzimet janë pjesë e natyrshme e rrugës artistike. Ato shpesh janë provat që na forcojnë dhe na mësojnë të përmirësohemi. Por ajo që i bën artistët të dallohen është këmbëngulja – të mos dorëzohesh për idetë dhe ëndrrat e tua, pavarësisht sfidave. Çdo projekt, çdo vizion që realizohet me durim dhe përkushtim, mund të hapë rrugë të reja dhe mundësi që në fillim duken të paarritshme.
Y.D. – Si mund të ndërtohet një identitet artistik autentik në një botë gjithnjë e më globale?
MILOT: – Ndërtimi i një identiteti artistik autentik në një botë globale:
Në një botë ku kultura dhe stilet artistike bashkohen dhe përzihen, sfida më e madhe për çdo artist është të ruajë individualitetin e tij. Identiteti autentik nuk është vetëm mënyra se si duket apo tingëllon arti yt, por si pasqyron historinë, emocionet dhe perspektivën unike të artistit. Çdo fushë e artit kërkon që të gjesh zërin tënd, stilin tënd dhe mënyrën tënde të shprehjes, në mënyrë që të dallohesh dhe të bëhesh i njohur.

Y.D. – Çfarë duhet të ruajë një artist i ri me çdo kusht në rrugëtimin e tij?
MILOT: – Një artist i ri ka nevojë të ruajë disa gjëra thelbësore në rrugëtimin e tij, veçanërisht në mënyrë që të qëndrojë i përulur dhe të mos ndalet nga sfidat. Përulësia – Të kujtojë gjithmonë që ka gjithmonë diçka për të mësuar, pavarësisht sukseseve që arrin. Përulësia e mban të hapur ndaj kritikës dhe eksperiencës së të tjerëve. Në thelb, një artist i suksesshëm është ai që kombinon përulësinë me durimin dhe pasionin, duke ecur përpara pavarësisht pengesave.



