Kreu Opinion Xhevair Lleshi: Preza fërgëllon e emocionuar në diell

Xhevair Lleshi: Preza fërgëllon e emocionuar në diell

Një diell i shkëlqyer janari. Ne udhëtojmë drejt Prezës. Hera e parë që shkel aty. E kam parë dhe kam ndier një lloj krenie për lartësitë sesi na sheh, me një lloj mendjemadhësie. Po edhe vendosja aq mbizotëruese gati mbi aeroport është sfiduese. Preza fërgëllon. E di. E ndiej. Duke hyrë nëpër kthesat drejt mendjemadhësisë së saj eksituese, duke kaluar burimet, rrugën e bukur, kalanë që vështron gjithçka në mënyrë sfiduese, takimi me Zotëri Kujtim Xhepaxhia, një mësues i vjetër dhe po ashtu, duke pasur pranë edhe piktorin Buron Kaceli, duhej të dëgjoja se ku do të dilte edhe mësuesi i dikurshëm i këtij vendi, Shefqet Billa (bashkë me të edhe Billa e famshme!), i cili, nuk di pse i ka hipur të mendohet thellë këto ditë… Preza s’e kishte ndier fare ajrin e natës së kaluar dhe shihte me sytë e kalasë së saj, si përpara pasqyrës, ndalet një çast dhe i hedh vetes një vështrim mekanik. Pastaj, si monton instinktivisht një buzëqeshje në fytyrë, bën poshtë herë nga Palaqi dhe herë nga Ahmetaqi. Madje, ky i fundit, atje në këmbë të kodrave ka shpallur pavarësinë…

– Çfarë të ka bërë përshtypje në Prezë në fillim kur erdhe mësues matematike në gjimnaz? – pyes Shefqetin. Ai nuk ma zgjat shumë dhe thotë:

– Tri gjëra: Nuk gjeta asnjë copë letre nëpër rrugë, as sot nuk gjen, jam i sigurt. E dyta nxënësit lexonin shumë libra dhe e treta bënte dhe bën verë të mirë. Enol. Prodhim Preze.

– Po emri?

– Emrin ta shpjegon Kujtimi.

Ndërkaq Nefaili që bënte fotografitë, mbante si përveshur një buzagaz të lehtë ironik.

– Nuk jam kompetent, thotë Kujtimi, por e prera, pres, janë rrënja e tyre.

Një grup vajzash të shkollës veshur bukur, ndonëse thjeshtë, duke sjellë pranverë, aq më tepër nën këtë diell të mahnitshëm, gati për të çelur mimozat e bymyera nga trallisja. Një plakë e imët tek të shtatëdhjetat, me një përzemërsi tepër të këndshme, një ëmbëloshe, që i ruante ende tiparet, na përshëndeti gati të na përqafonte, duke vënë re se Preza rrallë buzëqeshte. Më tej një burrë i pashëm e shtatlartë, i zbrazët dhe serioz, me një lloj ngjashmërie të çuditshme me ish-mësuesin e shkollës, pastaj një grua në moshë, pak e kërrusur, e cila, me një hir të përsosur, mbante një fustan me shall të bardhë, mbushur me pika të kuqe. Kishe dëshirë të endeshe nëpër rrugët e Prezës, sidomos për mua që isha aty, për të hyrë në thelbin e gjërave. Sëmundja e ditës? Dihet: shpopullimi i tmerrshëm. Në gjendjen civile kemi 7200 vetë, thotë Kujtimi. Edhe kur e dëgjojnë pak më tej një grup burrash me pamje serioze, zotërinj pa dekorata, disi fytyrëzbehtë e të heshtur, kurse më tej akoma ishte një grup tjetër, të rinj me mjaft energji, midis të cilëve binin në sy dy vajzat kameriere të lokalit të kalasë. Pastaj aty vinte edhe zëri i hoxhës në xhami, përshëndetja me përkulje të thellë e Nefailit, vilasi me pamjen e ankthshme të një të dashuruari, mu për shkak të diellit, na mbushi me tjetër shpresë…

Shkolla dhe biblioteka e saj me tendencë për të qenë e komunitetit dhe e shkollës, por pa ngarkesën e duhur me libra! Atëherë ky vendim i çastit vjen në kohën e duhur. Do të vijnë librat për pak ditë. Librat i dhurojmë ne, një botues dhe një tregtar i madh, një ish mësues matematike, duke e mbajtur librin dhe matematikën në një peshë të ekuilibruar dhe me një dashamirësi të thekshme.

– Tek Enol, aty do ta mbajmë frymën!

Enol është kantina e verës dhe restoranti. I mbushur me lule dhe diell, me foto të mbretit dhe diku edhe ajo e kryeministrit, me një hije sigurie të vetë bujtinës, ndonëse pa libra.

– Po pse edhe libra do të kemi në bujtina?…

– E vendosëm, – i thashë Shefqetit të Billës, Qetit, si një çështje pune për të nesërmen, duke ecur rëndë-rëndë, me duart pas shpine, të bezdisur fort nga veshjet e rënduara të cilat po na i hiqte dielli.

Në janar nuk ka si dielli. Ka një dritë të çuditshme. Si nuk pamë një panel diellor, të cilët në vendet tona përplot diell janë bërë modë.

– Po ne pse s’kemi?

– As kemi dhe as kemi për të pasur, derisa edhe diellin duan ta monopolizojnë dy-tre vetë. Dihet, është e thjeshtë: diellin na e ka falur Zoti, le ta shfrytëzojmë këtë pasuri të jashtëzakonshme, me potencën tonë, me ndihmën e shtetit, të bankave dhe të njerëzve të iniciativës private për të qenë në krye të progresit.

– Po, dielli është  pasuria jonë dhe zhvillimi ynë!

– E? Po paret a nuk do t’i nxjerrim nga dielli?

Mikpritësit tanë dhe të diellit po ashtu, në këmbë pranë derës, ia kishin dalë të përshëndesnin çdo të porsaardhur, ndërkohë që mbanin gjallë bisedën me grupin e personave me pamje serioze, me atë afshin dhe të folurën e vet me gjallëri prej banori të Prezës. Ai u shtrëngonte dorën, u drejtonte fjalë dashamirëse e të ëmbla. Astrit Subashi. E veçantë ishte buzëqeshja e tij, me një fytyrë të vogël, me një pamje tërheqëse, ulej e përkulej tërë nderim, por, në krejt personin e tij hollak, dinak e bardhosh, ajo çka dallohej më mirë, ishte njolla e hijshme e shallit kamerieror në brez e që të binte fort në sy.

Sapo miqtë vunë këmbë brenda, menjëherë u ndje të ngrihej një mërmërimë admirimi dhe mahnitjeje. Sikur hyri e gjithë Preza të qe dyndur, ashtu siç është, vërtet hyjnore. Mbi pjesën e poshtme të Palaqit, zbukuruar nga një tunikë dielli të shndërruar në të gjelbër të çelët dhe rrethuar me një garniturë e madhe vjollcash, ku disa buqeta, lidhur me varg dredhkash fiksojnë një cohë të çuditshme. E tillë ishte luginëza me brezare dhe vreshti përballë diellit.

Me krahët e zbuluar te shpatullat, Preza e re dukej sikur kishte dalë krejt lakuriq nga këllëfi i saj prej tyli nën rrezet e diellit, si një nga ato nimfat që dalin prej përrenjve të shenjtë; me qafën e bardhë, liqenet e krijuar si ai i i Shargës, së arratisur në Vorë, me trupin e zhdërvjellët, teksa dukej se është aq e lumtur prej gjysmë lirisë së vet, saqë vështrimi pret gjithmonë që të shohë pak e nga pak ashtu siç është dashuruar marrisht me trupin e saj. Edhe Preza kështu ndihet. Krehja e flokëve të saj të bukur e të verdhë, të mbledhur në formë kaske, në të cilën zgjatet një degë dredhke, mbajtur nga një nyje vjollcash, bën të rritet edhe më shumë lakuriqësia ndaj rrezeve të mahnitshme të diellit, duke zbuluar qafën e bardhë të hijezuar lehtazi nga fije floku të cilat ngjanin si fije ari. Në çdo rrugë, në çdo mur, në çdo dritare. Qafa e Prezës stoliset me një gjerdan përplot kthjelltësi të mrekullueshme, kurse në ballë i bien ca fije argjendi stërpikur me diamante. Dhe ec të mos e duash Prezën…

Të ftuarit e sotëm në Prezë kishin nxituar për të zbritur aty, ndaj dhe gulçonin pak.

Sytë e saj, të cilët dimri tenton t’i mbushë me hije, picërrohen përpara atij fluksi të beftë drite, duke i dhënë disa fytyrave mëdyshëse e të pasigurta si prej miopie, e cila ia shton edhe më shumë hirin e saj rrëzëllor. 

Me ta vënë re, mikesha Enol ngrihet menjëherë, vrapon drejt Prezës dhe ia shtrëngon fort të dyja duart dhe, duke e përpirë me sy nga koka te këmbët, mërmërit me një zë të butë:

«Preza e ka kombinatin e prodhimit të energjisë diellore dhe eolike, nga më të mëdhatë në vendin tonë. Shiko sa faqe kodrash vriten nga dielli dhe era i rrëmben kokën. Këtu janë dy perëndi, njëra dielli dhe tjetra era që na puth në ballë. E si të mos ndihemi aq të pasur? Ne jemi kanakarët e diellit dhe të erës…

Pastaj dreka. Po çfarë dreke se! Vera një mrekulli, gatimi prej fisnikësh…

– Ne të Enolit e kemi kuzhinierin me trashëgimi Dajti, jo të malit por të hotelit aristokratik!

U pa një lëvizje e madhe ku të gjithë të ftuarit shkonin për t’u përshëndetur me bukuroshen e dielltë, siç e kishin bërë zakon ta thërrisnin mes tyre. Dielli i bukur i janarit ua shtrëngon dorën pothuajse të gjithëve, pastaj përqafon, duke ndenjur në këmbë, i buzëqeshur, duke dhënë përshëndetje majtas e djathtas, duke ngritur lehtë krahët e bukur, përpara rrethit të atyre mbushur plot kureshti, ndërsa ia ngulnin sytë gurëve të çmuar që iluziononte dielli dhe erashka e erës me bizhutë në ballë dhe që ua trazon qetësinë dhe përmbajtjen e mirësjellë, kujtdo mysafiri në mënyrën më të të zakonshme, duke mos i rezistuar dot tundimit, që herë afrohet, pa ia shqitur sytë diellit dhe herë largohet duke ndier një nuancë xhelozie.

– Kjo qenka Preza, gjerdan qytetarie, me rrugët pa një fill letre, me ujin më të mirë e të shëndetshëm, me erën që i mban sytë sa nga mali edhe nga deti. Apo jo?

Buron Kaceli bën një shenjë pohuese. Atëherë miqtë nuk i kursejnë komplimentet për portretin e Shefqet Billës dhe i derdhin lumë lavdërimet. Preza u mbush me libra, u bë magjepsëse, hyjnore; më pas u lëshuan për të folur, me një admirim plot zili, për shijen që lë pas libri në bibliotekë dhe nëpër rafte shtëpie, por edhe duke u shprehur të pakënaqura që këto vajza të bukura prezake, që hiqnin prej vetes gjërat më të bukura, e që së shpejti nuk do të kishte më diamante as për bukuritë e vërteta. Duket i kishte rrëmbyer dielli dhe era (edhe energjia diellore dhe ajo eolike!) që të ndienin nëpër lëkurën e tyre të ethshme e të famshme, që ndoshta do t›u pëshpëritnin në vesh skandalet e tyre fisnike.

Mirëpo, grimasat në fytyrën e Prezës e tradhtonin, duke zbuluar një lloj kënaqësie të thellë, të fshehtë. Dhe zinte të vështronte me bisht të syrit dy sipërmarrësit e bujtur në fshat, të cilët qëndronin disa hapa më tej, këndshëm mbështetur pa teklif te supet e diellit, duke i folur me zë të ulët, sikur të qe shok i tij, duke vënë buzën në gaz, gjithnjë të përmbajtur. Ndërkohë bisedat fituan gjallërinë e tyre, përplot ëndje që gjatë momenteve të qetësisë, ndiheshin, prapa mureve, zhurmat e lehta që madhërisht e dalëngadalë, të krijojnë gjendje artistike prej të ftuarish, përpara të cilëve të gjithë bëhen urë me një përulësi të madhe. Pas tyre vijnë të ftuarit e vërtetë, njëri pas tjetrit, dhe, në fund fare, Shefqeti, Buroni dhe Kujtimi, po edhe unë me Nefailin, duke tundur krahët dhe gëzimin e tyre të brishtë. Ndoshta fajin e kishte vera…

Dhe, në atë orë, në fakt, në mes të diellit të mahnitshëm të janarit, me një tonalitet disi të errët (dhuratë përvëluese!), i cili mbyt zhurmën e hapave, tryeza jonë, e rrethuar rreth e rrotull prej karrigeve me shpinëza të zeza, ngjanin si një altar, ku, përmbi bardhësinë e shndritshme të mbulesës, lodrojnë xixëllimet shkëlqimtare të kristaleve diellore prej Preze dhe janari. Domosdo, sytë nuk kishin si të mos ktheheshin nga dielli dhe vetë Palaqi që shkëlqente dhe s’kishin si të mos mbushej me atë magji mahnitjeje. Një diell i pashfrytëzuar, që po të na dëgjonte do të varte buzët prej mërzisë, por ama një diell i bukur ndrinte në faqet e tij të gdhendura dhe zinte belin, duke u bërë një grup qeniesh mitologjike që rrëmbejnë disa nimfa, kurse sipër grupit tonë, si mysafirë të Prezës, kësaj natyre të paimagjinueshme e me plot kulturë mjedisore dhe prej librash natyrisht, duke dalë nga një bri i gjerë, një buqetë e madhe me lule natyrore, ja tek na varet përsipër. Në të dy skajet, ndodhen edhe vazo me lule, që lidhen me grupin qendror dhe që secili është bërë plotësishtnjë qenie mitologjike që vrapon, duke mbajtur në njërin nga krahët e tij një rreze dielli, kurse në tjetrën erën me shumë degëzime, duke shtuar ndriçimin e rrezatimit të fuqishëm…

Midis tyre, të sapo të ftuarit, që u buzëqeshin miqve në krah të tyre, futen brenda, mezi arrijnë të përmbajnë një lloj lumturie të ëmbël. Lulet hedhin një lloj freskie në atë ajër paksa të ngrohur, ndërkohë ndihen sesi kundërmimet e ëndshme enden të përziera me aromat e luleve të freskëta. Por është edhe aroma e athët e agrumeve, mu në kohën kur mysafirët gjejnë shëndetet, librat, emrat e shkruar në anën e prapme të kartëvizitës, ndjen një zhurmë të lehtë që vjen si pëshpërimë nga lart, si dhe ngjeshur brenda shpirtit me bardhësinë e tyre qumështore, duke shtuar më tej edhe vegimin e tryezës së shtruar me rreze dielli të janartë dhe me klithma të buta ere që vijnë nga deti deri mbi Ishëm…

Dhe dreka merr udhë mes buzëqeshjesh të ëmbla, që s’shterojnë, majtas e djathtas, të shkëmbyera me njëra-tjetrën, në një gjysmë heshtjeje, që thyhet vetëm nga tingëllimi i butë i zërit të autorit të këtyre radhëve prej romanit të tij «Tërbimi», mbushur edhe me shurdhërinë e vërtitjes së hareshme të pirunëve.

Enoli i Qemal Alushit, pronarit të kantinës dhe të bujtinës, na bëri t’i kryejmë detyrat e qëndrimet më serioze prej miqsh, përveç aktivizimit dashamirës të gjithçkaje tjetër, përgatitur mbi tryezën e shërbimit, ku bënin ngadalë xhiron prapa të ftuarve të ulur në tryezë, duke mbajtur një pjatë plot diell në njërën dorë dhe duke u dhënë me një shqiptim me gjysmëzëri titullin e librit më të ri. Të tjerët hedhin verën Enol, kujdesen edhe për kanat e verës, për ndërrimin e pjatave që bëhej kujdesshëm e ngadalë, në mënyrë që të qeshurat të mos arrinin të bëheshin më të mprehta, përndryshe dielli i Prezës do të mërzitej keq. Dhe s’ka më keq se zemërimi i diellit…

Dhe ja, dielli, ulur në mes të tryezës, në të djathtën tonë, ndërsa në të majtë zonjat erë dhe amë, tani në pension, paksa i dobët, por me rëndësi, të cilin Shefqeti, Buroni, Nefaili dhe Kujtimi, ulur përballë, i drejtohej me një zë ledhatar, rrëfimit të legjendës së diellit dhe të erës mbi Ishëm, në grykën e Vajes, zënë vend mes personazheve më të shquar të kësaj dreke. 

Atëherë besimi duhet të dalë fitimtar.

– E sa banorë ka sot Preza? – s’u mor vesh se kush pyeti. 

– Epo, do ta themi me hamendje, sepse edhe ‘Istati’ nuk na ka dhënë asnjë shifër. Po, ja aty tek tremijëshi të themi…

– Mos! Më pak se gjysma…

– Ehu! Po ikin njerëzit babale!

– Babale?

– Lëre mo, gaztrole!

Në të dy ekstremet e tryezës, mund të shikoje drejt Prezës dhe kalasë së saj, ku lodron dielli, ngatërruar me zërin e hoxhës, të cilin e ndihmon të shumëfishohet fuqia e elektricitetit, hedhin ca vështrime si të dëshpëruara në të djathtë, të cilën, me sa dukej, nuk po e përballonim dot. Pak e nga pak, zunë të shpërthejnë në të qeshura me zë të lartë. Që nga ky moment nisin edhe zhurmat e gëzueshme të një hareje që absolutisht s’përmbahej dot më tej. Gëzonim ne, me siguri që gëzonte edhe Preza. 

Sidoqoftë, Buron Kaceli me mirësjellje u ngrit e tha:

– Do ta kemi kënaqësinë ta shohim edhe herë tjetër diellin e Prezës! Në përfundim do ta kem gati peizazhin e këtij vendi të mahnitshëm e magjik!

U larguam nga Preza, nën hijen e fërgëllimës së saj për diellin e janarit.

Tiranë, më 23 janar 2024

Exit mobile version