Kreu Letërsi Shënime mbi libra Enver Kushi: “Alipashaida” e Irakli Koçollarit, një libër i rrallë

Enver Kushi: “Alipashaida” e Irakli Koçollarit, një libër i rrallë

Ishte e shtuna e fundit e vitit 2023, ose më saktë mesdita e asaj dite, kur diku pranë kinema “Agimit”, u takova me Prof. Irakli Koçollarin. Portreti i tij i qeshur, veçanërisht vështrimi i butë dhe i zgjuar, që përshfaqin mirësi, por edhe modesti të një personaliteti të diplomacisë, historisë dhe kulturës shqiptare, mbetën pjesë e përhershme e qënies së tij. . . Pasi më dhuroi librin e tij më të fundit “Alipashaida”- kronikë e një lindje të përgjakur, u ndamë duke e falenderuar për dhuratën e çmuar dhe uruar Motmotin e Ri 2024. Duket që nga libri i tij i parë,”Arvanitët”, botuar në vitin 1993, deri te “Alipashaida”, pra trembëdhjetë gjithësej, tetë prej tyre i kushtohen Ali Pashë Teplenës. Dhe kjo nuk është rastësi, sepse sipas

Prof. Dr. Irakli Koçollarit, tepelenasi “Është reformatori i madh dhe kurajoz. Ato u shtrinë jo vetëm në rrafshin ekonomik dhe politik, por edhe atë ushtarak, urban, infrastrukturor, arsimor, kulturor e më gjerë”.

Këtë mendoja, ndërsa ecja në trotuarin e majtë të Unazës, për t’u kthyer në shtëpinë time te “Parku”. Pastaj ngadalsova hapat duke parë librin. Herë-herë qëndroja në këmbë dhe shihja jo vetëm gravurat, por lexoja edhe vargje të “Alipashaidës”, emra vendesh, luftëtarësh nga vise të ndryshme të Shqipërisë, Epirit tim, Labërisë, Gegërisë. . . Ishte një mesditë e shtune, si gjithë të tjerat, me një diell disi të verbër. Me siguri qëndrimet e mia të gjata në trotuar, duke shfletuar librin, u ka bërë përshtypje kalimtarëve të shumtë, që nxitonin disi në ankth, në pritje të natës së Motmotit të Ri. Ndoshta ndonjeri prej tyre më ka quajtur  tuaf, ose të marrë dhe nëse do ndalej për të më pyetur se çfarë lexoja dhe a nuk kisha vend tjetër për të lexuar, do t’i përgjigjesha: “Po lexoj Alipashaidën” e Haxhi Shehretit. Dhe a e di se kush e gjeti dhe  ua solli shqiptarëve këtë zog të mahnitshëm, shqipëruar mrekullisht bukur? Është Irakli Koçollari. Metaforën “Zog i mahnitshëm” e ka thënë Dritëto Agolli shumë vite më parë. Lexojeni këtë libër. Mos u merrni natë e ditë me celularë ose të shihni ca programe të shpëlara në TV shqiptare . . . “ Pastaj me mirësjellje do t’i uroja Motmotin e Ri dhe se të më falni, por kinse jam në Tiranë, por ky libër më ka çuar qindra kilometra në Jugun tim. Poetët janë si magjistarët ose mistikët e mëdhenj që të çojnë në hapësira të tjera gjeografike dhe kohore. Kam kapërcyer nëntë male dhe nëntë lumenj dhe më janë hapur portat e Epirit, Çamërisë time. Tani jam në Janinë përballë sarajeve të Ali Pashë Tepelenës dhe dëgjoj të qeshurën si bubullimat e maleve të Tepelenës dhe në dritare shoh çamen e bukur nga Pleshavica. Është e bukur  si  Helena e Homerit dhe Pashai e donte marrëzisht nusen shumë  të re se ai. Nuk e sheh që jam në shoqërinë e poetit Haxhi Shehretit dhe Irakli Koçollarit?

2

“Alipashaida”- kronikë e një lindje të përgjakur”, është një libër me peshë të rëndë,  jo në kuptimin që ka fjala “peshë” si rëndimi i një trupi në krahasim me të tjerë, që matet me një njesi të caktuar ose sa rëndon një trup a një send. Libri nuk  ka njësi matëse gramin, kilogramin. Ai ka njësi tjetër matëse, që lidhet me vlerat shkencore, estetike, emocionet që përcjell te lexuesi ose mikrobotën dhe botën  shpirtërore, ndjenjën që të mbërthen, teksa shfleton faqet e librit. Borgesi, një nga mëndjet e ndritura të njerëzimit, librin  e quan si zgjatim të kujtesës dhe imagjinatës. Gjithashtu Borgesi, duke cituar Emersonin, shkruan se “ Biblioteka është një lloj kabineti magjik”. Ai shton  se “ duhet të hapim librin  që shpirtrat të rizgjohen”.

Sa më lart, përse libri i Prof. Irakli Koçollarit ka “peshë të rëndë” dhe si vjen në këtë libër kujtesa shqiptare e kohës së Ali Pashë Tepelenës në të? Si e rizgjon poeti i madh i letrave shqipe Haxhi Sheriati nga Delvina, shpirtrat e asaj periudhe?

Jam i bindur që “peshën” këtij libri ja jep autori i tij, Prof.Irakli Koçollari. Ai dhe vetëm ai, falë në radhë të parë kulturës së gjerë, njohjes shumë të mirë të historisë dhe kulturës shqiptare, autorëve të huaj ballkanas, europianë e më gjerë që kanë shkruar për këtë kulturë dhe histori e veçmas për Ali Peshë Tepelenën, Epirin  etj. por mbi të gjitha njohjes së gjuhes greke, shfrytëzimit të botimeve të studiuesve seriozë grekë, kërkimeve këmbëngulëse në arkivat e fqinjit tonë jugor, e bëjnë “Alipashaidën” një nga botimet më shkencore e kulturore. Do të shtoja këtu edhe pasionin dhe dashurin e tij për Shqipërinë, historinë dhe kulturën e saj nga më të bukurat dhe befasueset në Ballkan e më gjerë, si dhe punën, vetëm punën e palodhur të tij. Me të drejtë Dritëro Agolli ka shkruar se “shqipërimi  i vyer i Irakli Koçollarit është edhe një akt patriotik. Në kohën e Bajronit kur shkruhej “Çajld Haroldi”, ishte shkruar edhe “Alipashaida”. Kështu që pylli i poezisë shqipe është pyll i lashtë dhe na bën të mburremi. Dhe këtë mburrje e kemi falë edhe Irakli Koçollarit, këtij burri të talentuar, stoik, të kulturuar me vetitë e një intelektuali të vërtetë dhe me ndjenjën e lartë të patriotizmit”.

Ky botim është më i plotë se ai i vitit 1978, por edhe më cilësor si paraqitje falë kujdesit të Bujar Hudhrit, drejtuesit të Shtëpisë Botuese “Onufri”. Autori, sipas Prof.Dr.Shaban Sinani “duke i shtuar lexuesit informacionin për pjesë të panjohura për pashain e bëmave dhe gjëmave të lavdishme e tronditëse, si dorëshkrimi i vajeve për Ali Tepelenën, me gjasë autor Shehretin, dhe ajo histori anonim  për Sulin dhe Pargën (anonime se ashtu desh vetë autori, jo se dikush ia fshihu emrin ). . . Ky është një libër për studiues e dashamirës të dijes, për historianë e filologë, për poetë e përkthyes”.

Mendoj se pjesa e parë e librit “Arbëria, trashigimia e saj kulturore dhe identiteti nëpër shekujt”, që i paraprinë “WILLIAM LEAK: “Biografia e Ali Pashës”, “Haxhi Shehreti  në fondin e dokumenteve të “Arkivit të Ali Pashës”, “Dy fjalë për poemën “Ali Pashaida”, për të ardhur më pas te poema “Alipashiada”, që siç shkruan Koçollari “Me përmasat e saj të pazakonta, çuditërisht, për gati dy shekuj, e vjetër dhe e heshtur, vazhdon të pulsojë ende pasuri”, si dhe “Rapsodi të tjera të poemës “Ali Pashaida” botuar nga Kostandin Satha”. “Pjesë të tjera të poemës “Ali Pashaida”-në botimin e Spiro Aravantinoit” etj. është nga studimet  serioze për historin e kulturës dhe letërsisë shqipe, në të gjitha hapësirat e botës shqiptare.

Ky studim i thellë, mbështetur në botime, autorë vendas e të huaj, na sjell botën shqiptare dhe Pashallëkun e Janinës në shekujt XVIII-XIX, vetëdijen Kombëtare dhe trashëgiminë kulturore tek shqiptarët, sfidat e Ali Pashait drejt progresit dhe investimet e tij në dije, kulturë, arsim, erën e iluminizmit në Pashallëk. Prof.Irakli Koçollari jo pa qëllim ndalet gjatë në krijimtarinë letrare në Pashallëkun e Janinës. Ai nënvizon faktin se “ trashëgimia kulturore në tërësi dhe ajo folklorike e popullsisë shqiptare, veçmas në periudhën e sundimit të Ali Pashës, mori përmasa të reja, ndoshta të papara me dekadat apo shekujt e mëparshëm. Edhe sot, është mjaft i dukshëm fondi i madh dhe larmija e krijimtarisë popullore e asaj epoke”. Pikërisht në këtë atmosferë dhe në atë hapërisë gjeografike që nga Delvina, Çamëria dhe Janina, lindi “Alipashaida” dhe autori i saj Haxhi Shehreti që ishte këshilltar politik dhe konfident i Ali Pashës, ministri më i besuar i tij dhe një nga njerzit më të ditur e të kulturuar të kohës. Në studimin e tij për krijimtarinë letrare të Pashallëkut të Janinës, Koçollari shtron disa pyetje: Kush është ky krijues? Cila qe bota e tij dhe kush e yshti apo frymëzoi drejt një krijimi të tillë? Kush qe formimi i tij, të njohurit dhe të afërmit? Cilat ishin raportet e tij me Pashain tepelenas? Cila ishte karriera e tij krijuese? Dhe këtyre pyetjeve, ai u përgjigjet me argumente  bindëse dhe shkencore, mbështetur, siç nënvizuam  më lart në dokumente arkivore, autorë të huaj veçanërisht atyre grekë, etj. për Haxhi Shehretin, poemën e tij prej 10.000 vargjesh.

Mendoj se është me interes të ndalem edhe në një tezë të studimit të Irakli Koçollarit: Folklori shqiptar dhe folklori grek i epokës së Ali Pashës, ku me të drejtë analizon vlerën e  mijëra krijimeve poetike popullore shqiptare që rrokin hapësirat epika të trojeve tona, veçanërisht në Epir, por edhe në hapësira të tjera arbënore, si dhe krijimtarinë folklorike dhe këngët popullore greke të kësaj kohe që i dedikohen Ali Pashës, komitëve shqiptarë dhe grekë, suljotëve, ngjarjeve dhe konflikteve që përfshinë pashallëkun nën vezirin zulmëmadh, flasin për Beratin, Kardhiqin, Gjirokastrën, Janinën, Pargën, Sulin, Prevezën etj. Këto ditë ndërsa lexoja poemën “Alipashaida” ose i rikthehesha për të satën herë asaj, ju riktheva një botimi të rrallë “Mbledhës të hershëm të folklorit”(1635-1912), përgatitur nga Instituti i Folklorit, Tiranë 1961. Është një libër shumë i vyer, ku përfshihet “Bleta shqiptare”, mbledhur e botuar nga Thimi Mitko, “Dorëshkrim i Pragës”, me tekste që janë gjetur në Pragë, në arkivin e filologut çek, profesor Jan Urban Jasnikut. Mitkua i pat përgatitur këto për t’i botuar  në një vëllim të veçantë. Në tekstin sqarues të botimit të këtij dorëshkrimi, shkruhet se Mitkua i pat përgatitur këto për t’i botuar në një vëllim të veçantë. Editori vienez Veckenstedt, të cilit i qe drejtuar Mitkua, ja përcolli një pjesë të dorëshkrimit Jarnikut që njihej atëhere si një nga specialistët më të mirë të gjuhës shqipe… Vdekja e  bënë të pamundur  botimin e këtyre teksteve, që mbetën s’prej asaj kohe në bibliotekën e Jarnikut. I lexova këto tekste, e veçanërisht këngët e vajit dhe ato historike, që sjellin  deri në ditët tona kohërat dhe atmosferën ose shtratin ku lëvizin figurat historike të poemës “Alipashaida”. Ju riktheva edhe eposit të Çamërisë, kujtesës çame, asaj që Kadareja ynë i madh në parathënien  e vëllimit “Këngë popullorre nga Çamëria”(1983), përgatitur nga Fatos Mero Rrapaj, shkruan: “Në këtë vepër përpara lexuesit tonë vizatohet e plotë fuqia kolektive e një popullsie heroike, të talentuar, jashtëzakonisht vitale, të zgjuar, aktive, plot kolorit”.

 Unë, pasardhës i fisit tim me rrënjë nga Suli dhe vendosur më pas në Spatar pranë Filatit, ndoshta ndryshe nga shumë lexues të tjerë të “ Alipashaidës”, forca magjike dhe artistike e vargjeve të saj, më ka lënë pa gjumë, duke më risjell, si asnjë libër tjetër për Epirin dhe Çamërinë, viset këtej dhe përtej lumenjve Kalama dhe Akeron, Janinën, qytetin aq shumë të pranishëm në epikën dhe lirikën çame dhe rrëfimet e të parëve të mi. Janina, epiqendra ku zhvillohen ngjarjet e poemës së Haxhi Shehretit, kryeqendra e  Shqipërisë së Poshtme, lidhet pazgjithmërisht me historinë e Çamërisë dhe kapedanëve të saj trima. Dhe jo vetëm me të, por edhe me viset e tjera të Shqipërisë që nga ato të Jugut e deri në skajet më veriore. Dhe jo vetëm me Shqipërinë, por edhe me Greqinë fqinje, historinë dhe kulturën e saj.

Poema “Alipashaiada” dhe libri i mrekullueshëm i Irakli Koçollarit, zgjoi shpirtrat e të parëve të mi levendë dhe krenarë, rizgjoi krenarinë time dhe mallin për ato vise, ku vazhdojnë të jenë rrënjët e mia, rrënjët e traditave, kulturës dhe një trashëgimie që nuk do të shuhet kurrë. Do mjaftonte t’u sillja në kujtesë lexuesve të “Alipashaiadës” titujt e disa pjesëve të kësaj poeme, si “Me të marrë urdhrin perandorak, Aliu niset drejt Ohrit kundër Mahmut Pashës”, “Beteja e Ohrit”, “Fitore e shkëlqyer e Ali Pashës dhe disfata e Mahmut Pashës së Shkodrës”, ku morën pjesë, nën komandën  e Pashait telepenas, dymijë çamë me Brahim Demin  dhe Mahmut Dajlanin e Konispolit, për të cilën Haxhi Sheriati shkruan:

Brahim Demit çoi shëndet lajm edhe Mahmhut Dajlanit

Dymijë vetë menjëherë në Trikallë të mbrij’ karvani

Se një trim nga Çamëria është vërtet trim sa pë dy

Në Trikallë i pret Aliu do bëhet batërdi.

. . . . . . . . . .

Edhe çamët që nuk mbahen ngjajnë të gjithë si luanë

Ku nuk shkuan si petrita, sytë mbi ta vajzat lanë.

 Ose kapituj të tjerë: “Vijnë çamët”,”çamët përgjigjen , “Ali Pasha u përgjigjet çamëve”, “Çamët e rrezikuar bllokuan limanët dhe njoftuan  Ali Pashën në Vidin”. “Gjenerali Roze i dërgon letër çamëve”,”Përgjigje e çamëve për gjeneralin Roze”, “ Përgjigje prevezarëve dhënë Ali Pashës”, “Përgjigje e Hasan Çaparit dhënë suljotëve”, etj. etj.

Kujtesa çame, eposi i Çamërisë, çuditërisht ka fiksuar shumë bëma nga periudha e Ali Pashë Tepelenës, duke filluar që nga fëminia e tij:

Hanko Pashë, Hanko nure,

lumthi ti ç’fëmijë zure

Hanko kur bëre Alinë,

Vallë ti moj, ja dhe gjinë?

Apo mos ta kanë rritë

Tij ato zërat e malit . . .

Në të gjejmë Hasan Çaparin, një nga krerët më të njohur të Çamërisë nga Luarati i Margëlliçit, që me urdhër të Ali Pashë Tepelenës, në krye të një fuqie vullnetarësh, mori pjesë në luftën për çlirimin e Prevezës, në vitin 1807, Elmas Pronjon nga Paramithia, Ali Farmakun, Marko Boçarin, ose Marko Çamin, Foto Xhavellen, Ferim Çamin  besnikun e palëkundur deri në vdekje të Ali Pashë Tepelenës, Vasiliqinë e bukur, Fuat Pronjon, Dalanejtë e famshëm të Konispolit etj. si dhe  mbi të gjitha Janinën, që kënga çame e quan “Janinë çerek Stambolli”, Mesolongjin, Sulin, Pargën, Prevezën, Paramithinë, Filatin, Zallongun  dhe “Vallen e Zallongut” etj.

Si përfundim, ka të drejtë  Prof,Irakli Koçollari, që folklori shqiptar dhe ai grek, kanë rrokur hapësirat epike shqiptare dhe  janë një thesar për kulturën e dy popujve tanë fqinj. Haxhi Shehreti ka lëvizur në këto hapësira kulturalisht të pasura dhe “Alipashiada” nuk ka lindur në vakum.

3

 Ndoshta nuk ishte rastësi që teksa meresha me leximin ose këndimin e “Alipashaidës”, siç e përdorte këtë fjalë në vend të fjalës lexim,  Prof.Dhimitër Shuteriqi, ju riktheva poemës “Iliada” të Homerit, këtij kryelibri të gjitha kohërave. Ajo nis me vargun emblematik:

 Këndo, hyjneshë, mërinë e Akil Pelidit.

Kështu hapet sipari ose më saktë porta e një prej dramave më të mëdha të  njerëzimit, që ka ndikuar aq shumë në psiqikën e popujve, si dhe në kulturën, artin, letërsinë e mëpasme greke, ballkanase dhe asaj botërore.  Vargu i mësipërm vjen nga shek.XII para Krishtit. Zemërimi i Akilit, siç kanë venë në dukje homerologët, përbën  episodin e asaj lufte dhe  jo dhjetë vitet e Luftës së Trojës. Jemi në vitin  e fundit të kësaj lufte dhe ajo zhvillohet vetëm 51 ditë. “Iliada” përshkrohet nga një frymë heroike: Klithma luftëtarësh, hingëllima kuajsh, beteja të përgjakshme, kufoma, vaje tronditëse . . . Studiuesit nënvizojnë “ monumentalitetin në përshkrimin e ngjarjeve”. Te “Iliada” elementi luftarak është pëlhura mbi tëcilën u kompozua një  kuadër kaq i pasur e madhështor i jetës. Tablot e luftës vijnë njera pas tjetrës me skena prekse nën  muret e Trojes të rrethuar (Spiro  Çomora, parathënie e botimit të dytë i ripunuar i “Iliadës”, Tiranë 1979) .Ajo  mbyllet me kujën e Andromarkës dhe më pas të Hekubes: “Hektor, o biri i nënës!” dhe vargjet:

       Kështu fund morën gjithë salikimet.

Për nder të madhit Hektor kuajshaluesit Poema “Alipashaida” ose “Kronika e një lindje të përgjakur” nis me këto vargje:

      Unë, Haxhi Shehreti, tërë këto vargje radhë,

      Nëpër xhepa ende mbaj qindra, mijëra që s’janë parë

Është vetë poeti që qetësisht, pa mëri, hap portën dhe lexuesi më pas do të zhytet  në një botë, ku shpalosen kronika sa heroike, aq të përgjakura, të mbushura me lavdi, luftra, ultimatum, e  rrafshime fshatrash, koka të prera, vaje. Me të drejtë Irakli Koçollari shkruan: “Hapësirat e kozmosit gjeografik të Alipashaidës” janë të pafund, gati të pamata, ato shtrihen dhe kapërcejnë horizonte të mjegulluara, përtej, në kontinente, Afrikë, Azi, Europë e më gjerë, drejt vendeve të njohura dhe të panjohura, në gryka, shtigje, qytete ku jehonin  zërat dhe britmat e luftës, apo në sallonet ku gatuhej politika dhe diplomacia europiane, ku vendoseshin fate popujsh, ndertoheshin aleanca apo nënshkruheshin  aktet  kapitullimit të fuqive të mëdha ushtarake. Nëpër vargjet e saj vrapojnë, ndeshen, flirtohen, rrëzohen dhe përgjaken personazhe të nacionaliteteve të ndryshëm. . . Hapësirat e saj  bote kishin në qendër të tyre një burrë, që thirrej Ali Pashë, që po ndryshonte shumë çka  nga një traditë shekullore mesjetare, që po rrezonte kufij dhe mite . . . “

Poema e Haxhi Shehretit ka një frymë të spikatur munumentaliteti, e denjë për t’u radhitur në krahë të disa kryeveprave të letërsisë botërore që nga “Iliada” e këtej. Ajo nuk mbyllet me kujën e Adromarken apo të Hekubës, por me kujën e Vasiliqisë të bukur si ill, siç thuhet në të folurën e Çamërisë dhe me polifoni kujesh të Labërisë e më tutje, më tutje më në Veri të trojeve shqiptare, me gjamën e marësorëve dhe më në Jug të Jugut, në Epir, me të klarat, himnet e çamëve dhe meloditë në klarino të grekëve.

Dhe ndërsa mbyll faqen e fundit të këtij libri të rrallë, shkruar nga Irakli Koçollari “ky arkeolog real i kulturës shqiptare” (Teodor Keko), nuk e di pse më vinë si jehonë e largët e dy shekujve më pare, vargjet e fundit të Haxhi Shehretit:

Kurrë, askush nuk e pandehte se do t’mbërrinte në kët’ditë

Kokë e prerë larg të çohej në Stamboll tek osmanllitë.

Është një dhimbje përtej dhimbjes e poetit, që përjetëson me vargjet e tij luanin e Janinës. Është edhe një brengë e poetit që nuk arriti t’i bënte nderimet e fundit njeriut që i shërbeu me besnikëri dhe përkushtim të skajshëm.

Ka kaluar mesnata, kur përfundova këtë shkrim. Në Tiranë bije shi ndërsa në Veri borë e madhe. Librin “Ali Pashaida” e vendos në një nga raftet e bibliotekës, për ta rihapur nesër dhe ditët në vazhdim. Ndoshta nuk është rastësi që e vendos në krahë të “Iliadës”. Ndoshta jo, them  me vete, ndërsa vështroj edhe libra të tjerë. Biblioteka është një lloj kabineti magjik . . . Duhet të hapim librin që shpirtrat të rizgjohen. Nesër metereologët kanë thënë se do jetë kohë me diell. Më mirë të ishte me shi, them me vete, kur të rihap faqet e “Alipashaidës”. Në shi shpirtrat rizgjohen menjëherë, thonë mistikët. Nesër do të rizgjohen shpirtrat e “Alipashaidës”. Nesër shpirti i poetit Haxhi Shehreti do të zbresë në viset e mia të Epirit. Dhe bashkë me ne të gjallët, Irakli Koçollarin dhe mua, do na çojë në Janinë. Po në Janinë bije shi? Eh! Prap m’u kujtua Borgesi i madh dhe dy vargjet e tij:

Në ç’të djeshme, në çoborrë Kartagjenës, bie ky shi?

Hap perden e dritares dhe vështroj shiun e Tiranës. Dhe si në jerm them vargjet:

 Në ç djeshme, në çoborre të Janinës, bie ky shi?

Janinë-Tiranë, mesjanar i motit 2024

Exit mobile version