Kreu In memoriam Xhevair Lleshi: Hafiz Ali Korça – një metaforë

Xhevair Lleshi: Hafiz Ali Korça – një metaforë

1

Ndërkohë, edhe pas disa ngjarjeve që shënonin kufi të ri në sistem, garat edhe në letërsi vazhdonin. Ndahej çmimi KADARE dhe ne bëheshim gati për të udhëtuar drejt Kavajës, për të njohur pak më tepër jetën e Hafiz Ali Korçës, shkrimtarit, përkthyesit, islamistit, intelektualit dhe pedagogut të njohur dhe të panjohur shqiptar që erdhi në jetë tridhjetë vitet e fundit të shek. XIX (1873) në qytetin e Korçës dhe i mbylli sytë në mes të shek. XX (1956), në qytetin e Kavajës që e ka vajin e jetës gati për ata që atdheu kërkon t’i mbulojë me pluhurin e harresës. Dhe ne do të mësonim plot të reja nga ajo jetë e harruar, që na e bëri të mundur deputeti humanist Flamur Hoxha dhe Shtëpia Botuese «Klubi i Poezisë» e cila drejtohet prej poetit të njohur Rexhep Shahu. Ne do ta shihnim me sytë tanë se vetë Kavaja do ta vinte buzën në gaz, duke pranuar me hare shumë shkrimtarë, artistë dhe intelektualë nga gjithë vendi…

Mirëpo shiu, furtuna e datës 27 qershor, bllokoi trafikun dhe ua prishi humorin shkrimtarëve që do të ishin të pranishëm në Kavajë. Një bllokim total, që s’është dhe aq i rrallë në këtë Shqipërinë tonë, përndryshe do të habisnim edhe Hafiz Ali Korça. Ndërkaq edhe Prof. Dr. Ramiz Zekaj bëhej gati për të ligjëruar… Por shiu, shiu i egër vjeshtor i këtij 27 qershori që diti bukur mirë të bllokonte trafikun dhe dëshirat.

E dini mirë, besoj, që Kavaja, ku kaloi dhjetë vitet e fundit Hafiz Ali Korça, është qyteti më me nerv në Shqipëri. Ndoshta shprehja “më me nerv” është jo aq e plotë… Se, në atë çast, që ai shpërthen, hapi rrugën, ndihet më i gjallëruar, merr pjesë në pritje organizuar në qiell të hapur, madje hahet e pihet kudo. Të duket sikur je në një vitrinë librash të ftohtë, mes një rrëmuje ngjyrash me dritë, që dalin nga duart e të ardhurve në këmbë, që kërcasin me një zhurmë të butë, që e merr era; ku shakatë ndjekin njëra-tjetrën, zhurma e gotave që takohen ose thyhen krijojnë ca nota krisjeje dhe një hare nervoze. I tillë m’u duk edhe sot dhe kjo më pëlqeu.

Ata, pjesëmarrësit në këtë takim, shkrimtarë të moshave të ndryshme, ardhur edhe nga diaspora, po bënin një pushim serioz dhe ku tjetër përveçse në kafene. Në lëndinë, tha dikush, shumë shpejt do të jetë një turmë tjetër si ne, duke qëndruar në këmbë mes gjithë njerëzve që përshëndesnin, duke u munduar të imitonin zërat që dënesin:

– Tani u prish futbolli, zotninj, edhe ai humbjet po i kthen në festa, në fasadë… Tash ejani e lagni i fije gurmazin… Ka i pikë raki….

– Boll, miku im, futbolli do fuqi, gjunjë, del kallaji shpejt.

Takimit tonë i dukej vetja vërtet zbavitës, ndaj po kënaqej pa masë, edhe pse futbolli s’kishte vend mes nesh. Befas pat shkrepur një ide se përse njerëzit dukeshin të mërzitur për vdekje, ngaqë s’po argëtoheshin me asgjë; ata do kishin dashur ndonjë grindje, fjala vjen të mbaheshin ca fjalime në një rrugicë dhe të hidhnin aty-këtu romuze, të cilave u trembeshin shumë. Nervi i qytetit me to fillon. Shiko Shkodrën, a nuk tallet me të gjithë, duke tredhur edhe gastrolet? Atëherë kushdo ka etje dhe kjo i detyron të pinë ca pika verë. Është nxehtë.

– Hafiz Ali Korça prehet në varrezë!… – vazhdonte një nga pjesëmarrësit, me sa duket, ardhur nga pushimet verore.

“Klubi i Poezisë” e ndërpreu duke klithur menjëherë.

– Eh! Ja edhe ky na duhet! Ka shprehur dëshirën t’i bëhet barrë Kavajës!

Në të vërtetë, ai shëtit me duart prapa shpinës, me një kapelë të cilën dielli ia kishte ndryshkur dhe me xhaketën verore të gjerë, me tegela të shndritshëm, ende i egër, që e shpërndan mjerimin e vet tek të tjerët, madje edhe tek të pasurit, me forcën e një njeriu që është i gatshëm për të rrëmbyer fatin, ngado që të dalë.

– Oh! Ç’elegancë! – tha Rexhep Shahu, kur një nga ne i zgjati dorën për ta takuar.

Rexhepi fliste me një zë që të këpuste shpirtin. Pastaj u ndal, duke mërmëritur, se, tek e fundit, ishte i lumtur që na takonte, sepse kjo shenjë është jo vetëm ngushëllim, por edhe ilaç për zemrën e tij, vetëm për të bërë këtë takim peng për shkrimtarin, intelektualin, përkthyesin e njohur, klerikun me zemër të madhe, burrin që s’iu drodh qerpiku, njeriun e mirë, Hafiz Ali Korça…

Pak e nga pak, lëndina po mbushej me njerëz. Aty ku zbrazej nervi i qytetit.

2

Ai i hidhte secilit nga një buzëqeshje, nga një shaka. Grupet e dashamirëve ndilleshin, afroheshin, e gjithë fjala e shpërndarë, majtas e djathtas, bëri të grumbullohej një turmë jo e vogël rrotull nesh, plot zhurmë dhe hare, kurse ajo që thuhej për bolshevizmin e Hafiz Ali Korçës mbretëronte përmbi fjalët e thëna që zgjateshin në drejtimin tonë dhe që përhapeshin e hidheshin përpjetë, në ajër, me një fytyrë prej dëbore, te larë me dielli dhe shiu i fortë.

Në kulmin e gjetjes sonë artistike, një hare e vërtetë, si për t’ua plasur shpirtin atyre që s’e përtypnin dot triumfin e qëllimit të këtij pelegrinazhi shkrimtarësh, dikush ngriti gotën me ujë të mbushur plot, për të uruar në atë pozën e dikurshme përherë fitimtare. Si kish mundur, me çfarë intuite i kishte gjetur shkaqet e vërteta të bolshevizmës, përhapjes së saj, frymës që ngjallte, përmbysjes mendje-krisur, farës që mbillte dhe të korrat e tmerrshme, sikur ta dinte se ato do të binin mbi kokën e tij si rrufetë e perëndive pagane.

Mirëpo të gjithë e ndjenë se me siguri Rexhep Shahu e kishte bërë gati për ribotim, pajisur me shënime të veçanta, këtë broshurkë, e barabitur me një jetë në vuajtje dhe përplot kërcënimesh. Dhe kur e rilexon origjinalin e sheh qartë se çfarë shije ka gjuha, teksa e prek të folmen, fjalët e rralla, sintaksën e bukur dhe fondin e lartë të fjalëve, duke ngelur i habitur kur ulesh menjëherë pranë argumenteve të zgjuara tërë aktualitet zemër-dhënës, pasi e kupton se ke ardhur të komunikosh diçka serioze. Hafiz Ali Korça e bën qesharake bolshevizmën me mërinë e saj kundrejt gjithçkaje. Ne ia kuptojmë atij se e gjitha kjo duket një budallallëk me brirë. Siç edhe jeta e nxori.

– Qenka e lezetshme e gjitha kjo… Ah! Bolshevizma! E si, historia e saj të ngre nervat… Kështu që do të qeshim ca.

Ai nuk u ndal, as u frikësua se mos kishte folur më shumë se ç’duhet. Ndërsa bolshevizma, nga ana e saj thoshte me zë të lartë se patjetër që nuk do shkonte të shpëtonte këdo që halli që e kish zënë. Por Hafëz Ali Korça ngulte këmbë, duke u hakmarrë, me një seriozitet, teksa përpiqej të bindte njerëzinë, të vërtetat e padiskutueshme të këtij përbindëshi që kërkonte as më shumë e as më pak ta gllabëronte atë.

Ne, sigurisht, e dimë se ç’ndodhi me jetën e Hafëz Ali Korçës. Kishte hyrë, pas njëzet vjetësh prej publikimit të “Bolshevizmës”, vetë ajo si një përbindësh që do të gllabëronte gjithçka, duke shkatërruar së pari njeriun, i cili në ato gjurmë vijon edhe sot e kësaj dite. Ndoshta, po të jetonte tani do ta rishkruante sërish Bolshevizmën e tij dhe ndoshta e kishte radhën që të heshtte. Ndërkaq, nuk ishte e nevojshme që të mendonte me zë të lartë. Më në fund, gjendje e ditëve tona lë përshtypjen se po hyn tek mendimet e popullit, që ta heqë qafe atë (popullin) dhe, meqë ai i këshillonte nënshtrim ndaj autoritarizmit, për shembull, në formën e një vizite të shkurtër në fushën e tenderëve, përpara të gjithëve, do t’iu përgjigjej se do ta shikonte këtë variant, do ta mendonte njëherë. Dhe arrin në përfundimin se e djeshmja vijon në forma e rrugë të tjera. Është e njëjta gjë…

3

Nëpër këtë kohë unë u enda në jetën e tij, shkruan Prof. Dr. Ramiz Zekaj, një studiues me emër, drejtor i IETT (Institutit të Edukimit, Trashëgimisë dhe Turizmit) dhe i Kolegjit Universitar Kanadez të Teknologjisë, duke i lënë pa përmendur disa nga ofiqet e tjera. Hafëz Ali Korça pak qëndroi në shtëpi se ishte i larguar. Stamboll. Student. Atje zuri brumët e një malli të ngrysur, e udhëve vetmitare në kalldrëmet e plasaritura, i vinte veshin kallëzimeve, si shqiptoheshin, ç’lezet u kish akcila fjalë, se edhe fjala kishte shpirt dhe shpirti i saj duhej kuptuar, po  me vuajtje e durim, veç ngaherë me dëshirë e punë që të pajtohej kallëpi i shpirtit me fjalën e rrugës, sokakut. Dhe lexoi pa fund. U bë njësh me leximet e tij, me klasikët aq të njohur arabë, persë e turq: Ibn Ruzhdiu – sociolog, Ibn Sina – filozof e mjek, Ibn Rumì poet e filozof, Omer Khajami poet e mjek, Sheh Sadiu – poet. Këtë bëri dhe fare s’u ndje gjer në mbyllje të qepallës. Kështu shkollimi universitar i Hafiz Aliut në Stamboll ishte me rëndësi historike, për arsye se qysh student ai u aktivizua në Lëvizjen Kombëtare. Mirëpo në një ditë të vitit 1946 u klasifikua: “Hafiz Ali Korça, klerik reaksionar, gjatë gjithë jetës luftoi kundër ideve përparimtare…” Kaq do të mjaftonte për t’u bërë armik i popullit! Mirëpo jeta dhe vepra e tij shkëlqen si dielli. Sikur asgjë të mos kish shkruar, asgjë të mos kish bërë – do të mjaftonin Shtat’ Ëndrat për Shqipërinë! Ai i shikon e u thotë ta përsëritin atë fjalë që shqiptuan, me një zë të ëmbël e miklues. Flasin e flasin të gjitha veprat e tij për të dhe ende s’e kuptojnë si ai djalë aq i pashëm e i urtë, u vë veshin çdo fjale për fenë dhe Shqipërinë, sesi i shkëlqejnë sytë e flet fjalën e kulluar në Shqip. Se ai s’kërkonte atë që të tjerët pandehnin, jo si peng i mbetur hidhur prej motmotit, po luste fjalën e tyre, atë rrëfimin popullor, thurur me penj të artë. Fjalëve u jepte një guaskë që e mbante në pëllëmbë të dorës dhe kur ato mbaronin ai mbyllte kapakët e asaj guaske vezulluese e shkonte, ikte më tej nëpër Shqipërinë e vuajtur. Po s’qe si të tjerët, jo, qe ndryshe, kudo vilte fjalën, atë që vlente aq shumë. Se populli zemrën e paskësh pasur te fjala. Ai kish ndërtuar shtëpitë me fjalë dhe të gjitha ato me sokakët ku dilnin nënat veshur me të zeza. Dhe këtë e tha fort. S’kish si të mos e thoshte. E pse të mos e thoshte kur ia kaloi gjithkujt. Se ai e pati atë, Shqipërinë, kryefjalë! Asaj do t’i qeshte me gaz e s’do të pushonte së qeshuri, se s’do t’i besohej të harronte se qe më e madhja gjë që zotëronin, se aty ke brenda jetën e tjetrit treguar nga një tjetër, se aty ke sokakët dhe baltën në ndajnatë ndanë maleve, liqeneve, deteve, lumenjve, se aty bënte këmbë nga goja e mëmave, e çupkave të bardha borë, të plota, me naze e zjarr të ndezur, krejt të pa vëna dorë, si ato kukullat e mbyllura në kuti. Në kuti mbyllur edhe Shqipëria! Art i pa situr, krunde plot, guriçka e barishte, po ama miell, miell nga ai lloj që bëhen ato bukët me zemër brenda e që me siguri i jepeshin gjithkujt…

4

Atë nuk e lanë as të përkthente thanë me zë të lartë, se “le të ruante besimin e tij fetar dhe urdhri i pashpallur për të mos shkruar e botuar libra origjinalë”! Proza e tij shkëlqente në sënduk, shkruan më tej Prof. Dr. Ramiz Zekaj në fjalën e tij për Hafëz Ali Korça, ai ishte i vetëdijshëm se prej librave që kishte botuar para çlirimit po ushqehej një aradhe e tërë shkrimtarësh. Heshtja për këtej nga vetja, pak zhurmë andej e këtej, si për t’iu thënë njerëzve se kush qe i vërteti se aty ishte pikërisht ai. Filloi të vihej në jetë akti i fundit i tragjedisë. I vdiqën njëri pas tjetrit dy djemtë në moshë ende të papjekur. Gjysma reale e sëndukut u mbyll me kyç dhe kyçi humbi diku. A do të hapej ndonjë ditë? Ndoshta do të hapej dhe me kujdes, shumë gjëra ndoshta nuk janë thënë mirë, kanë nevojë për… Unë e di si po iki pa i parë vetë… po jam i sëmurë… dhe… Këtë të fundit nuk ia tha. Po veç miqve me një gjysmë zëri. Ai ishte vërtet shumë i sëmurë, më tepër prej heshtjes e harrimit. I përkorë dhe skrupuloz si për vete dhe në përkthim; e shumë e shumë të tjerë për të siguruar bukën e gojës në një vetmi e izolim prej murgu. Nuk duhej as të shfaqej. Në një kohë kur asgjë s’po ecte në familjen e tij, po vetëm pengesa e kufizime pafund, ai e kuptoi me intuitën e shkrimtarit të hollë, që ia kish paraparë Shtatë Ëndrrat Shqipërisë se qenia e tij ende e gjallë, ishte pengesë e pakapërcyeshme për më tej. Merreni me mend çfarë tragjedie; një njeri kaq i ditur, një shkrimtar si ai, një poet i hollë, një shpirt i ndjeshëm dhe i vuajtur njeriu, i detyruar të jetojë në harrim dhe i pëshpëritur të ikte e të humbte në harrim të harrimit, pra, i përfolur kaq shumë për ekzistencën e tij fizike, merrte sinjale e mbushej me parandjenja se në këmbim të familjes, të një dritëze për ta, duhej të sakrifikohej përfundimisht. A mund të besohet? Kurrsesi. Po sigurisht që besohet. Ky antagonizëm i përçudshëm ishte vetë koha. Dhe që ai sënduk me veprat e Hafiz Ali Korçës të mos hupte rrugëve të harresës IETT që drejtoj e bleu dhe e ruan në arkivin e tij këtë amanet… Amanet ndaj Atdheut. Them se kjo është gjë e bukur.

Hafiz Ali Korça është shkrimtari, patrioti, përkthyesi që më vjen më pranë, e ndjej më shumë, them me bindje të plotë se ai më tepër se kudo ndjehet dhe shijohet plot e përplot kudo e në të gjitha moshat. Nuk di si ta shpjegoj, ndoshta kjo ndodh nga malli, se ai është shkrimtari i përjetshëm që di të përshkruajë mrekullisht Shqipërinë e përjetshme, për të cilën ne nganjëherë na zë frika se mos e harrojmë.

*

Shiu e kishim lënë në Tiranë, por edhe atje do të kish vendosur qetësinë dielli. Tanimë kishte ardhur momenti i Çmimit Hafëz Ali Korça, i cili bënte që njerëzit të kridheshin në një lloj mënyre tek e vërteta intelektuale, në mënyrë që turma të mos lëkundej ashtu si e trullosur, me dëshirën që minutat e mbetura të zhdukeshin sa më parë. Këtë Çmim e propozon IETT (Instituti i Edukimit, Trashëgimisë dhe Turizmit) dhe Kolegji Universitar Kanadez i Teknologjisë, në bashkëpunim me AIITC (Instituti Shqiptar i Mendimit dhe i Qytetërimit Islam) Tiranë, si dhe me entet kulturore shtetërore e private të interesuara për jetën dhe veprën e këtij njeriu të madh për kombin tonë…

Exit mobile version