Kreu Intervista Mieko Kawakami mbi “Gjithë dashnorët e natës”: Më duket tërheqës ferri që...

Mieko Kawakami mbi “Gjithë dashnorët e natës”: Më duket tërheqës ferri që kalojnë të rinjtë

Nga Max Liu, për inews.co.uk

Kur romani “Gjinj dhe vezë” u botua në anglisht në 2020, tërhoqi lëvdata për imagjinatën e pazakontë, mprehtësinë psikologjike dhe vetëdijen politike. Një eksplorim i fuqishëm i jetës së gruas së klasës punëtore në Japoninë moderne, u bë bestseller ndërkombëtar – diçka që Kawakami, e cila u rrit e varfër në Osaka, as që e ëndërronte të ndodhte. “Isha fëmijë shumë i ndjeshëm, por nuk e kisha imagjinuar kurrë që do të bëhesha shkrimtare”, thotë ajo.

“U rrita në një shtëpi pa libra. Nuk kishim kohë për to – po punonim aq fort për t’ia dalë mbanë dhe për t’i mbijetuar ditës”, vazhdon autorja, e cila në moshën 14-vjeçare filloi punë në një fabrikë ku ndërtonte ngrohës dhe freskues elektrikë, për të mbështetur familjen e saj.

Më pas filloi punë si mikpritëse në një bar, por karriera e saj letrare filloi gradualisht pasi ajo u bë një blogere e famshme, që shkruante me sinqeritet të guximshëm për seksin dhe familjen. Ajo fitoi gjithashtu çmimin prestigjioz Nakahara Chuya në 2008, për vëllimin e saj të parë poetik.

Pas suksesit të Gjinj dhe vezë, Qiell u shpall finalist për çmimin Booker International në 2021. Romani i saj i fundit, Gjithë dashnorët e natës, mbi një korrektore introverte tridhjetë e ca vjeçare, e forcon reputacionin e Kawakamit si zë i veçantë.

“Jam habitur për suksesin e veprës sime në anglisht”, thotë Kawakami, 45 vjeç, e cila tani jeton në Tokio me bashkëshortin dhe birin e saj. “Ajo që më habit vërtet, ama, është vetë akti i përkthimit. Është aq mbresëlënëse se si përkthimi e transformon një rrëfim në një gjuhë tërësisht tjetër me germa dhe struktura fjalie të tjera, por gjithsesi e përçon zemrën e rrëfimit.

Ndërsa Fujuko ka pasur pak marrëdhënie kuptimplota, preket thellë nga ajo që sheh në botën rreth vetes. Kjo reflektohet në lirikën e mrekullueshme të romanit – “dridhet si të jetë e lagësht, edhe pse s’po bie shi”. Këtu është e dukshme përvoja e Kawakamit në poezi dhe si kantautore – ajo nxori tri albume në të njëzetat e saj para se ta linte për t’u përqendruar te shkrimi.

“Është një histori mbi gjuhën dhe ekzistencën, dhe gjithashtu se si drita, muzika, dhe vetmia, ndërthuren me këto dinamika”, më thotë Kawakami.

“Dua të kap ndryshimet e vogla në dritën, vezullimet dhe shkëndijat e tingullit, momentet që lëvizin për të shënjuar kujtimet tona. Këto janë gjërat që më tronditin – bukuri e pastër”.

Ndërkohë që bota e Fujukos zgjerohet gradualisht, shfaqen kujtime të dhimbshme nga e kaluara e saj – ajo kujton, për shembull, kur e kanë përdhunuar kur ishte adoleshente. Edhe te Qiell rinia shfaqet si një kohë traumash të dhunshme, me nxënësin protagonist që rrihet pa pushim nga shokët e klasës.

“Nuk mendoj se zgjodha me vetëdije të shkruaj për rininë, domosdoshmërisht, por ka diçka tërheqëse te ferri i veçantë që kalojnë të rinjtë”, thotë Kawakami.

A përmirësohet jeta teksa rritemi? “Mendoj se plakja na ndihmon të kuptojmë se sa të pafuqishëm jemi kur vijmë në botë dhe sa të pafuqishëm jemi kur largohemi. Për mua, kjo vetëdije është pjesë e ekzistencës”.

Për të, sidomos si romanciere, është e rëndësishme të përballet me elementet shqetësuese të ekzistencës.

“Duhet të përballesh me përshkrimet grafike e shqetësuese. Kështu i shkund themelet konceptuale të të mirës dhe të keqes dhe trondit vlerat dhe ndjeshmërinë e njerëzve”, thotë ajo.

“Nëse shkrimtarët mund ta bëjnë këtë, mendoj se kanë mundësi më të mirë për t’u hapur dyer të tjerëve që ta shohin botën ndryshe”.

Exit mobile version