Et`hem Haxhiademi, si lindjen dhe vdekjen, i ka në muajin mars, më 8 mars 1902 djepin dhe 17 mars 1965 arkmortin. U lind në robëri dhe vdiq i burgosur. I ngriti përmendore Skënderbeut dhe u trajtun si të ishte një Hamza?! Në qytetin e Ditës së Verës, festa për Dionisin ndërroi vend me korin antik, ngaqë jeta i shkoi nëpër tragjedi. Fillimisht, me tragjeditë e botuara, gjithsej shtatë, të shkruara nga mosha 22-36 vjeçare, krejt në lulen e rinisë, pasuar me tragjedinë e luftës botërore e më tej me vitet e burgut, pse jo dhe me humbjen e dorëshkrimeve, si: romani “Jeta e njeriut” dhe drama “Koha e premtueme”. Shtoni dhe faktin, ende i papromovuar sikurse i ka hije: “Nëse Shqipëria komuniste e dënoi, Shqipëria demokratike, duket se nuk ia hedh sytë. Për 70 vite me radhë, tekstet e tija u “zhdukën”, u strukën, humbën, nuk u lexuan, nuk u shkrua për to, nuk u përmendën… Në Shqipëri, ende sot, duket sikur ka “një urdhër-ndalese a harrese” që i sillet si aureolë e zezë emrit të tij.”-shkruan Robert Elsie. Mjaftohen vetëm duke e përdorur politikisht, duke e ngushëlluar dhe jo duke e çmuar, se u duhet martiri dhe jo shkrimtari. (Si nuk iu nda kjo “aureolë e zezë”, poetit, që i këndoi me “ambëlsi hyjnore” najadave, nimfave të Shkumbinit, të cilat i bjenë kitarës (jo lahutës) dhe hedhin valle. “Ahere vashat ndjenjat kur po shkrijshin/Me kangë e valle në shkëlqim të diellit,/U pan` të trija lakuriq të vijshin/T`bukurat e qiellit”. Thua se sikur po dëfrehet në një plazh nudosh, a prej gjolit dalin zanat?
Muret e kalasë, që shtrihen në qytetin e lindjes, Elbasanin “pagan”, duhet të kenë nxitur adhurimin e tij për letërsinë klasike, tek e cila u ngujua “tragjikisht” në moshë të re, pa i shkuar në mend se po i ndillte vetes fatin e të burgosurit, sikurse i ndodhi nga viti 1948 deri më 1965 nën tamtamet e pathosit të ndërtimit. U mësuan ta shohin tragjikun si një rrënojë. Në qytetin e lindjes mori mësimet e para, përshkruar nga vetë ai, në këto rrethana ku del në pah shpirti patriotik: “Shkolla e parë shqipe asht hapun me inisiativën e disa patriotëve elbasanas në krye të të cilëve ka qenë im atë. Kam edhe origjinalin e telegramit të urimit qi i bante asi kohe nga Londra Faik bej Konica dhe përgjigjen qi i ka dhanë im atë. Si gjithë ata qi merreshin me çashtjen shqiptare dhe im atë përdorte të gjitha librat, revistat e gazetat shqipe qi ishin botue n’atë kohë të rregullueme në nji odë të posaçme ku unë rrija shpesh herë mbasi nxuna shqipen dhe ushqehesha me ato botime të vorfëna, por mjaft të pasuna për atë kohë dhe për moshën time të ngjomë.” Kaq kulturë i dha shqipja me ato “botime të vorfëna” birit të saj, i cili niset drejt asaj bote ku ishte Konica, duke filluar me Leccen e Italisë dhe Insbrukun e Austrisë, ku kreu të mesmen dhe më tej të lartën për drejtësi në Berlin dhe në Vjenë. Kthehet në atdhe i përmbushur me kulturë Perëndimore. Edhe si poet, që udhëhiqej nga drejtësia hyjnore dhe si jurist, i dënuar me dëshmimtarë të rremë, do kthehej në viktimë i vetëgjyqësisë dhe i gjyqeve popullore. (Në moshën 37 vjeçare, pas botimit të tragjedive, do botojë vëllimin poetik “Lyra”, në dukje si një anomali letrare, kur të gjithë e fillojnë me poezinë. Në fakt, duke i shkruar tragjeditë në vargje, dëshmoi njëherësh dhe qenësinë e tij si poet.) Që Et`hem Haxhiademi është poet dhe në asnjë rast zyrtar apo politikan, mjafton të ndjekësh rrugëtimin e tij. Punoi në administradën e mbretit, por, preferoi të shkonte pas Mit`hat Frashërit si republikan. Pjesëmarrës në mbledhjen e Mukjes, aty ku pritej bashkim i shqiptarëve. Nga fundi i luftës largohet nga Balli Kombëtar, kthehet në Elbasan pranë familjes, ndërkohë që Mit`hat Frashëri merr rrugët e botës. Ata që s`ikën ishin të bindur në pafajsinë e tyre, por, harronin se ishin lehtësisht të goditshëm. Merr pjesë në krijimin e Lidhjes së Shkrimtarëve të Shqipërisë dhe zgjidhet kryetar për degën e Elbasanit. Refuzon të kryesojë delegacionin e parë të shkrimtarëve shqiptarë në një vizitë në Jugosllavi. Emërohet profesor në shkollën Normale të Elbasanit. Kujtoi se iu kthye jetës normale, por, në vitin 1948 arrestohet, duke korrigjuar hartimet e nxënësve, me një akuzë të fabrikuar. Një bashkëvuajtës i tij kujton: “Kam përjetuar dhimbje të thellë, kur e shihja tek e nxirrnin për në banjë. Mezi ecte duke u mbajtur pas murit. Një herë u rrëzua dhe meqë nuk ngrihej dot, filloi të ecte këmba doras. Iu afrova dhe ai me përshpërimë, me zë fare të ulët, më tha: “Ti je i ri. Do të jetosh. Mos harro se çfarë po sheh me sytë e tu. Kur të përmbyset diktatura shkruaj një tragjedi për këto tortura barbare.” Shkroi vetë tragjedi, e mbylli jetën në mënyrë tragjike dhe i lë amanet bashkëvuajtësit të përshkruajë tragjedinë reale. Sikurse shihet të gjitha rrugët e çuan drejt fatit tragjik. Që t`i hiqet “aureola e zezë”, rrobat e zisë, s`ka rrugë tjetër, veçse vlerësimi i artit të tij, ku shkëlqen një talent i rrallë. Të tjerat janë për konsum politik.
***
Et`hem Haxhiademi i shkroi tragjeditë sipas modelit antik grek dhe atij shekspirian, përngjashëm me Fishtën, i cili me “Lahutën e Malcisë” synoi të krijonte Iliadën shqiptare, krejt në sinkron të dy me beun matjan, i cili riktheu monarkinë duke pretenduar një fillim të ri të historisë europiane të Shqipërisë, madje: i mbiquajtur dhe Skanderbegu i Ri. Cilido që do shkruante për Skënderbeun, do shoqërohej dhe me kurjozitetin për të parë një lloj krahasimi midis mbretit të vjetër dhe këtij të riut. Sikurse dihet, tragjeditë zhvillohen në oborret mbretërore, si një kopje e keqe e tyre do përngjajë Blloku komunist, ku vetëvritët një kryeministër dhe e veja e diktatorit do thirret: Ledi Makbeth. Naimit i duhej Skënderbeu për të shpëtuar Krujën, po nënprefekti i Lushnjes, si nëpunës i Nalmadhënisë, Haxhiademi, përse do i shërbente kryezoti i Arbërit? Mos në vitin 1935, kur e shkroi dhe e botoi këtë tragjedi, ka parandjerë rrezikun e një robërie allafrenga dhe nxiton t`u kujtojë fqinjëve: mos me atdheun e heroit, që dikur u mbrojti? Ndaj tragjeditë e Haxhiademit duhen analizuar duke iu përmbajtur sa kontekstit historik dhe rrethanave politike, pasi aty fle dhe e keqja e keqtrajtimit të autorit, si një i padëshirueshëm i të gjitha regjimeve.
E themi qysh në fillim se tragjedia “Skënderbeu” stonon të jetë. Në kuptimin klasik të fjalës, ajo rrëfehet tragjedia e gruas së Moisi Golemit, e cila në fund vret veten. Gjithashtu, Heroi ynë Kombëtar nuk rezulton të jetë personazh kryesor, sikurse Prometeu, Makbethi, Hamleti, mbreti Lir, por, në të gjitha skenat protagoniste është Zanfina. Ajo që të habit: nuk gjen në të asnjë turk, veçse Skënderbeun triumfator në dy beteja, ku Kruja ndrit nga shandanët dhe gjëmon nga brohorimat e fitores ndaj Moisi Golemit dhe Hamza Kastriotit të mbështetur këta prej jeniçerëve. Pra, një tragjedi: mes vedi. (Kur Donika Kastrioti merr vesh lajmin e vetëvrasjes së gruas së Moisi Golemit, shprehet: “Shkoi dhe Zanfina me dredhitë e veta”.) Me një fuqi ndikuese të habitshme, me një protagonizëm aktiv në të gjitha skenat, Zanfina, mbetet një nga personazhet më të realizuara të letërsisë sonë. Është ajo, që ushqen sedrën e të shoqit, si pasardhës i Komnenëve, të luftojë për fronin e uzurpuar, sikurse shtyn dhe Hamzanë në rrugën e tradhëtisë, fill pas dështimit të të shoqit. Pra, është lufta për pushtet që del në plan të parë kundrejt mbrojtjes së atdheut. Zanfina e ushqen të keqen sheshit, madje dhe në përballje me kryezotin e vendit. Edhe Ledi Makbeth do dukej e zbehtë para saj. Atëherë, e kujt është tragjedia, që formalisht mban mantelin tragjik të teatrit antik mbi shpinën e Heroit tonë Kombëtar? Fjalët e Skënderbeut fill pas tradhëtisë së nipit, Hamzait, mos duhen marrë si paralajmërim i një kobi, që do na ndjek deri në ditët e sotme? “Filluem të mësohemi na me pun` t`këqija/Dhe si po shoh e mjerë do t`jet`Shqipnija.”-janë fjalët e fundit të Skënderbeut me doza profetike. Me ato punë të këqija, me të cilat filluan të merren princat e kontët shqiptarë ndodhi dhe konvertimi i tyre në pashallarë. Kujtoni lutjen e Naimit drejtuar shqiptarëve: “Mos u bëni tradhëtor”, më pas, thirrjen e nipit të tij, Mit`hat Frashërit: “Shqipëria e shqiptarëve. Vdekje-tradhëtarëve!”, që rezultoi një hipokrizi. (Kur Shqipëria paska patur shanse të bëhet e madhe dhe e shqiptarëve nën sundimin italian apo gjerman, pse s`u bë dhe nën sundimin otoman me vezirë e ministra, por, i ati i Mit`hatit, Avdyli shkoi në Prizren për t`i ngritur shqiptarët në kryengritje?) Në tragjedinë e Haxhiademit kemi tradhëtarë të falshëm, si Moisi Golemi dhe të dënueshëm si Hamza Kastrioti, kur shkalla e fajsisë ishte e njëjtë? Mos tek njeri prej këtyre dy personazhëve autori ka projektuar fatin e tij? Pse, Et`hem Haxhiademi, u trajtua si të ishte Hamza Kastrioti, kur ai s`kishte të bënte me asnjërin prej personazhëve të tij, madje e dënon aktin e tyre?
Të mundurit e tragjedisë nuk janë sulltanët, por, gjeneral Moisiu dhe nipi i Skënderbeut, sikurse dhe frymëzuesja e paepur e të dyve: Zanfina. (Pushteti i gruas, në periudhën para osmane, shfaqur dhe tek mbretëresha Teuta, me pushtimin e vendit do venitej. Ato më së shumti do shfaqeshin duke u hedhur nga shkëmbi. A mund të ndikonte Vasiliqia tek Ali pashë Tepelena, sikurse Zanfina tek Moisi Golemi.) Nga dy viktimat e Zanfinës: Moisi Golemi e fiton nderin e humbur, por, shpirti i së shoqes sterros, përkundër Krujës, që ndriçohet nga shandanët dhe gjëmon nga brohorimat e fitores. Një atmosferë krejt e pangjashme kjo me mortin e tragjedive antike apo klasike, ku kori antik ul siparin e tragjedisë. Zanfina e vrerosur ankohet: “se vuajtjet nuk dëgjohen në ditë gëzimi”, sikurse u shpërfillën vuajtjet e Et`hem Haxhiademit në pathosin e inagurimeve. Por, cili e ka vuajtjen më të madhe: Skënderbeu që vë në dyshim fatin e atdheut prej “punëve të liga” (tradhëtive) apo Zanfina, që dështon në ambicjen për pushtet? “Nëse urimi s`jepet me dëshirë/Të mos shfaqet fare do jetë më mirë.”-i thotë Skënderbeu Zanfinës, e cila nuk e fsheh pakënaqësinë edhe para tij, përkundër mikut të Naltmadhënisë, i cili shkruan: “Unë Çatin Saraçi të akuzoj ty Ahmet Zogu si tradhëtar të vendit tënd, si vrasës e hajdut.” A është dhe Haxhiademi i kësaj fryme, sikurse shfaqet dhe Ali Asllani tek “Hakërrima”? Toleranca e Skënderbeut mos bie ndesh me frymën komanduese të një tirani, diktatori apo të një autokrati?
Në parathënie të tragjedisë e shkruam më 1 maj 1935, duke iu referuar historisë, autori vë në dukje se me pushtimin e Ballkanit turqit ishin një kërcënim për Europën dhe se shpresa e saj mbetej Shqipëria, krahu i Skënderbeut. Referuar dokumentave si shkak të tradhëtisë autori nxjerr: zilinë e gjeneral Moisiut ndaj Skënderbeut që po fitonte famë, duke u bërë mbret i Shqipërisë. Drejt pabesisë e shtyn e shoqja, e cila e urrente Skënderbeun, ngaqë ky e kishte ndarë nga burri i parë, Karl Topia, i cili realisht u vra në Berat, për t`i dhënë për grua motrën e tij, Mamicën. Tragjedia rrëzon çdo paralele të mundëshme midis Naltmadhënisë dhe kryezotit të Arbërisë, kështu që autori, edhe pse nënprefekt i Lushnjës, nuk mund ta pretendonte simpatinë e mbretit, i cili, i ballafaquar me figurën e Skënderbeut, pa asnjë ngjashmëri me të, duhet të jetë ndjerë i sfiduar. Edhe Enver Hoxha, për të cilin thuhet se e la përgjysmë shfaqjen e Mbreti Lir të Shekspirit në Teatrin Popullor, ngaqë iu duke sikur po shihte veten në skenë, do ndjehej keq po të shikonte tragjedinë e Haxhiademit, sidomos skenën e faljes së Moisiut, kur diktatori kundërshtrët i çonte para dogës së pushkatimit.
Zanfina bëhet edhe më agresive në mbrojtje të të shoqit: “Ne që quhemi fisnikë/Prej popullit të vogël të kemi frikë?” Ata që shajnë Moision për tradhëtar nuk i përkasin derës së madhe, as oxhakut të lartë, duke nxjerr në pah dallimet klasore. Mos me “popullin e vogël” duhet patur parasysh vulgu i sotëm? Në sjelljet e Zanfinës alternohet: përçmimi me kurajon. Sipas saj: ishte Skënderbeu që e harroi atdheun, duke ndërruar dhe fe, ndërsa i shoqi, Moisi Golemi, qendroi në trojet e të parëve, duke ruajtur identitetin. “Në Shqipni e prunë të tjera shkaqe, sikurse frika se mos e helmonte sulltani, sikurse ndodhi me vëllezërit e tij dhe vjen gjoja të shpëtojë vendin, duke zaptuar pasuritë e të tjerëve.”,-vazhdon të akuzojë ajo, duke u tregua më dinjitoze nga këta të sotmit, që duan ta çmitizojnë Skënderbeun.
Zanfina-“Tradhëtori mund të poshtnohet nga të gjithë,/por jo prej gruas qi fatin e ka lidh./Që unë të shaj burrin,/as ju si mbret s`duhet ta pranoni…/Gabim i tij nuk mund të rëndoj mbi mue./Ai s`është burri që unë gjeta vetë.” (A mund t`ia thoshnin këta fjalë Enver Hoxhës gratë e byroistëve, që ai i çoi para togës së pushkatimit? Një arsye e mjaftueshme që autori i tragjedisë të jetë i padëshirueshëm.)
Skënderbeu: “Nëse urimi s`lidhet me dëshirë/Të mos shfaqet fare do jetë më mirë.” (U vë fre elozheve, aq të shpeshta kur fetishizohet njëshi, kulti i individit.)
Frymë atërore e Skënderbeut shfaqet më së shumti, kur i drejtohet Moisiut me një kristianizëm, që zor se e gjen dhe tek një i krishter sot: “Ngrehu, trim i Dibrës, ngrehu mos rri në gjunj,/Se m`ka shërbyer më tepër krah` i juaj,/Se më ka dëmtue, pra çohu tash përpjetë./Gabimin nuk e bëre kundër meje dhe atdheut, por kundër vetes./Vrulli yt i jepte zjarr ushtarit dhe shpresë./Për një mëkat nuk duhet të dënohesh përgjithmonë.
Moisiu-Këto fjalë dhe më tepër më turpërojnë.”
Gjithë kjo fisnikëri, kjo sjellje aristokratike, nuk pritet mirë nga e shoqja, e cila në prani të fitimtarit, e poshtëron edhe më shumë të shoqin: “Dhe n`asht se në luftë e humbe ti fuqinë/Nashti s`at shoqeje do t`ja rrfejsh trimnin?” Dhe më poshtë bëhet edhe më fyese: “Paske ardhur t`i bjesh në gjunj fituesit./Si re në nivelin e atij, që rron për një copë bukë?!
Skënderbeu-Atëherë kur gjithkush të qortonte, vetëm kjo të mbronte, ndërsa tani”, që të gjithë e mburrnin e shoqja e shan.
Zanfina-Anmikun shan gjithmon një burrë me vlerë,/Se kundërshtarin e don të mjerë./Për mua është skllav si gjithë skllevërit e tjerë.”
Sikurse shihet dialogjet dallohen për fuqi shpehëse. Dhe ajo që i mban pezull ngjarjet, është Zanfina. Veç gjunjëzimit para kryezotit të vendit, Moisiu, humbet dhe integritet, kur shprehet para së shoqes: “-Ti më shtyve drejt tadhëtisë që të siguroja fronin e Shqipërisë./E për të mirën time s`e pate,/Por për të shfryrë urrejtjen tate.” Skënderbeu-“Më tepër sot e quaj veten fatbardhë/Që Moisiu në vend të vetë ka ardh.”, pavarësisht së Zanfina nuk e shijon gëzimin e kthimit të burrit humbës. “Me ligj të krishtërimit nuk pajtohet/E meta e tjetrit dendun të kujtohet.”-shfaqet dhe më tej altruizmi i Skënderbeut. Mjafton kjo skenë të lexohej nga trupi gjykues, ku avokati më i mirë i autorit do ishte vepra e tij letrare. Sa dëndur kujtohej “njolla në biografi”, “kleçka” në diktaturë!
Fillimisht Hamzai do e dënojë aktin e Moisi Golemit: “Urdhno, princeshë e prekun prej idhnisë/Se tash vjen dhe mbretëresha e Shqipnisë.” Në rangun e princeshave mbreti Zog kishte vetëm motrat dhe rolin e mbretëreshës e luante e ëma. Enver Hoxha njerën motër e veshi me të zeza, duke i vrarë të shoqin. Ndërsa e veja do i etiketohej si Ledi Makbeth. Atëherë, kush mbetet të jetë princesha e prekur prej idhnimit? Zanfina i kthehet Hamzait: “O ti shkëndi e vetme dhe me vlerë./N`fytyrën tënde shoh të Moisiut./Dhe se helmin tim me shok të luftës e largoj”, se “kanë perëndu lumninitë”. (Kur dëgjon fjalë të tilla: “Dhe deri sa e t`fortit është e drejta./Për atdheun kujdeset kush e gzon”. Të drejtën nga pozita e të fortit e ushtroi si Zogu I dhe Sekretari i Parë. Është Zanfina që e sheh Skënderbeun si tiran, sikurse Çatin Saraçi Naltmadhëninë dhe Musine Kokolari, apo Sabiha Kasimatin Sekretarin e Parë.) Ngaqë do të manipulojë sedrën e Hamzait, Zanfina guxon t`i thotë: “E ti do të vdesish për atdheun/Qi t`rrij Donika në fron me Skënderbeun?” Pra, beteja për atdheun, s`ka frymëzim patriotik, por interesa pushteti. Më tej: “Me ç`shoh ty vetëm emni princ të mbeti/Mbasi krahinën tande t`a muar mbreti.” Akuza për përvetësim të pasurive u djeg të gjithë pushtetarëve. Hamzai vazhdon t`i rezistojë presionit të Zanfinës, madje duke e këshilluar që të mos i dal në mbrojtje të shoqit tradhëtar, ndërsa ajo i kthehet: “Për dit` para shtëpisë/M`thrrasin: “posht tradhëtori i Shqipnis.” Një skenë aq e ndodhur në kohën e diktaturës, që autorit do i kthehej në bumerang.
Hamzai: “Më mirë t`i bindemi një shqiptari në faj apo një barbari?” (“Shqiptari në faj” i bie të jetë tirani Zogu I apo diktatori Sekretari i Parë me barbarin: Musolini, Hitleri apo Hrushovi?)
Zanfina: “Turku dhe kur e pushtoi vendin të drejtat e fisnikëve i pranoi. Aq tepër lavdinë princave nuk ia rrëmbeu si Skënderbeu.” Nuk e fsheh pakënaqësinë as para mbretëreshës, e cila i drejtohet urtësisht: “Kur flet ti me kaq dëshpërim, po populli që s`ka të hajë?” Kuptohet sa keq do jenë ndjerë Zogu I dhe Sekretari i Parë para mjerimit të popullit, që u dukej i lumturuar. Nëse Donika dënon aktin e Moisi Golemit, Zanfina i kthehet: “Mbretëreshë, nuk quhet bujari mbretënore/që një fatkeqeje t`i lëndoni plagët…/Fisniku nuk thjeshtohet si banorët e tjerë”, madje e qorton për mungesë takti: “Në vend të shëroj nji plagë të vjetër/Fillon të çilet pastaj nji plagë tjetër.”
Donika-Yt shoq i ngutshëm u fut të prenin e armikut. (Ra në prehërin e armikut, akuza që e dëgjuam për gjithë jetën.)
Zafina-Nëse një fisniku i merr fuqinë, ai e humbet dhe besnikërinë.
Nuk mund të mos bëjë përshtypje ky dialog të barabartësh, të një sëre, ku Skënderbeu zhvishet nga akuza e të fortit që bën ligjin, të cilat i ka me hak, nëse i thuhen Ali pashë Tepelenës.
Donika-“Lirija shumë e madhe nuk pëlqehet, se prej të voglit grushti të dëftehet.” Ndërkohë ndërhyn Urani, një personazh episodik: “Nuk duhet tepër me e rrit shqiptarin,/Se bashkë me famën i shton dhe nakarin.”, sikurse do i thotë dhe Hamzait: “S`ke mundim zemre, por mundim lakmije.” Dhe ai nuk ia përton: “Ti i more të gjitha, po vlerën time me çfarë e mate?”, duke vënë në dyshim vlerësimin sipas meritokracisë. (Zanfilla arrin ta manipulojë Hamzan, i cili do ndërrojë kahje, duke iu drejtuar Moisiut-“Sikurse humbe luftën, humbe dhe guximin. Ike nga shërbim i sulltanit dhe erdhe prapë në dorë të tiranit.” Duke e krahasuar veten me Skënderbeun, si do ndjehej mbreti Zog, para akuzes: tiran? Sikurse shihet Skënderbeu më shumë se sa i kundërvihet sulltanit, krijon kontrast me të vetët.)
Donika e vë në dijeni të shoqin për pakënaqësitë e Zanfinës dhe ai i përgjigjet, se s`beson veç me dyshime të pakta, se duhen hetime të sakta, se nuk mund të bëj marrina, për ndonjë fjalë që mund t`i thotë Zanfina dhe pse tradhëtoi Moisiu duhet dyshuar dhe për të tjerë. Si do t`i përjetonte këto fjalë një paranojak si Enver Hoxha apo Ahmet Zogu? Autori i tragjedisë indirekt u thotë: ku Skënderbeu e ku ju, o të mjerë?!
Donika-Kur tradhëtoi Moisiu me gjithë gjak shqiptari e jo më nipi me gjysmë gjak barbari? (Nëna e Hamzait ishte turke.)
Skënderbeu-Mos i përdrith, Hamza, fjalët e mija,/Se un të fola vetëm nga dashnia.
Hamzai-Fatkeqin kur e cyt në fatkeqësi,/Mbretneshë, e gjen më trim nga ç`do njeri.
Një nga personazhet interesante të tragjedisë “Skënderbeu” të Et`hem Haxhiademit është dhe Donika Kastrioti, e cila, duke vënë në dukje bujarinë dhe tolerancën e të shoqit, Skënderbeut, shprehet: “kush i fisshëm sillet e pëson”. Ndërsa kur mëson vetëvrasjen e gruas së Moisi Golemit, Zanfinës, s`ngurron të thotë: “Shkoi dhe Zanfina me dredhitë e veta”. Vetvetiu të shoqëron pyetja: pasqyrohet fati tragjik i një të fismi apo fundi tragjik i një intriganteje?
***
Kur makina që sillte bukë për të burgosurit prishej, komanda e burgut nxirrte të burgosur me dënim më të ultë të merrnin bukën, duke e sjellë në krah. Ndër ta ishte dhe Et`hem Haxhiademi. Me thesin në kurriz ecte në mes të qytetit krenar, shkruan një bashkëvuajtës i shkrimtarit. Ai ka vite e vite që ecën me një thes në kurriz, ku mban veprat e tij, që pak kush i shfleton, i cili, konkurohet nga ata që i shesin librat me trasta, apo nga ca të tjerë që mburren me numrin e librave të botuara, duke i zënë shtigjet nga duhet të kalojë arti i madh. Mos vallë fjalët e vënë në gojën e Donika Kastriotit në tragjedinë “Skënderbeut”, ia drejtonte vetes: “Kush sillet si i fisëm e pëson”? Dhe ai që u soll si i fisëm ndaj Moisi Golemit, ia shtoi dhe më shumë zeherin Zanfinës dhe ajo si agrepi, kur sheh se s`ka shpëtim, ia ngul thumbin e helmtë vetes…
Portreti nga Bujar Kapllani



