Kreu Letërsi Bibliotekë Xhevair Lleshi: Endem nëpër re me tim bir

Xhevair Lleshi: Endem nëpër re me tim bir

Lajmi kishte marrë dheun por me sa duket vetëm unë s’e dija. Unë, koleksionisti, si dhe i ati, miku im i ngushtë, i cili për pesë vitet e fundit, pasditeve, punonte fort me të birin, duke i dhënë kulturën e tij të gjerë. Për pasionin aq duhet, sa të futet krimbi. Dhe pikërisht asaj dite kisha gjetur të bëja një intervistë me të. Qemë përgatitur prej kohe dhe ai më priste në krye të rrugës, me shallin e hollë të bukur, hedhur nën jakën e xhaketës, që i jepte një hir të veçantë dhe unë mu për këtë e admiroja më tepër. Vishej me shije dhe thuajse çdo rrobë i shkonte me fytyrën që ngjallte ëndje e gëzim dhe trupit pak a shumë të mbushur dhe të fuqishëm. Anash tij dy hije që ai thoshte se i njihte si veten. Gjithnjë priste po aty. Këdo. Edhe veten, edhe kur nisej për rrugë të largët. Me të qeshur më thoshte se hija e tij e brendshme shfaqej jashtë me dritë, ndërsa hija e shkaktuar jashtë prej dritës, errësohej dhe sikur kërkonte vend për t’u fshehur. Dhe e gjithë kjo tollovi më kish gjetur mua, thosha. Jo më kot m’u vetëti të koleksionoj. Kanë gjetur rrugë dhe janë zhdukur ikona, vepra arti, veshje, madje edhe tavane e punë të tjera të rralla. Do gjejmë një lokal dhe unë do të rrëfehem. Për gjithçka. Dua që ta kesh në dorë jetën time. Të falem, mik. E nesërmja do të qe e vonët për mua. Nganjëherë duket se po kërkoj djallin. Ndoshta. Ky ishte një nga ata që po e kërkoja me qiri, por ja që e kisha dhe e kam brenda vetes.

Edhe pse hijet s’dukeshin më, ai e gjeti një mënyrë për t’i zbuluar. Rubi ishte aq interesant sa edhe dita s’të dukej më e gjatë, apo e lodhshme. Se gjithnjë do të gjente një mënyrë ndryshe.

– Kristi, mos u merr aq fort me mua, por, megjithatë, fundja, le t’i kryqëzojmë ca gjëra, pse jo edhe fatet tona, një fije e padukshme na lidh, një fije magjike e marramendur dhe që kurdoherë fishkëllen. Është nga ato të Njëmijenjë netëve ajo! Me nga njëmijenjë i kemi të gjitha gjërat ne! Apo jo? Njëmijenjë ankime, njëmijenjë këshilla, njëmijenjë prekje nëpër trup se mos kushedi kemi marrë ndonjë plagë, sikur të kthehemi nga lufta. Hë, si thua? Bukur?

– Bukur Rub. Kur ti fillon dhe të hipën në kokë kështu si sot, unë dridhem, bëhem si i çmendur… Mjaft më, o njerì!

– Atëherë duhet ta kuptosh që unë këtë dua! Të zbulojmë edhe më shumë njëri-tjetrin. Se botën e kanë zbuluar të tjerët. Ne kemi ngelur speciet e vetme pa u zbuluar. Unë do të zhvishem lakuriq së brendshmi. Është ca e zorshme, por, pa merak, e bëj me qejf. Mund të shndërrohem edhe në një fetar të bindur, ti më njeh mirë. Kështu jam prerë. Ka filluar një botë tjetër për ne, një botë krejt e re. Kapitalizmi, fenomeni që ka ndryshuar botën! Prandaj me që jemi ende në kohë, sapo jemi zgjuar, le të hedhim hapat e duhur. Është e nevojshme, si thua?…

– Jam gati edhe unë të ngarkoj mbi shpinë njëmijenjë ikona!

– Dje kishin vjedhur kishën e Vodicës! S’i kishin lënë gjë pa marrë. Edhe gurin me kryq në oborr, që është, ti e di, aq i madh sa mezi do ta shkulte një traktor.

– E ne na mbetet t’i biem më gjunjë Shën Mërisë së Virgjër…

– Jo ne edhe lutemi, edhe veprojmë. Nuk jemi nga ata…

– Le të zhdukemi, jo vetëm po edhe me hijet tona. Unë, për vete, se ti s’di të lutesh, do t’i përgjërohem me lot në sy Jezu Krishtit!

– E di, or mik, ti, besoj edhe drurëve iu lutesh po njëlloj.

– Edhe atë e bëj! Po të bindem se ata, drurët, kanë shpirtra s’do ta ruaja veten, do ta besoja menjëherë.

– Ç’na bëre! Fillojmë, sa të mbërrijmë te skuta jonë.

Skuta jonë ishte një restorant fushor, si një kasolle fshati, me shumë kthina e labirinte, i bërë enkas për intimitet. Po të ishe aty me njeriun e zemrës s’kishe për ta mbledhur veten as për një javë, gjaku të bëhej ujë dhe mezi do të të mbanin këmbët! Aty ishte foleja jonë, vendi i fshehtë ku mund të rrinim veçuar nga të tjerët dhe e dinim, bota të përmbysej, s’kish për të na gjetur kush! Dhe herë-herë qeshnim: si s’më dëgjove njëherë njëri e, si s’më dëgjove njëherë tjetri!…

– Po, Krist, – më tha, – sikur e ke mendjen tek ikonat e vjedhura e të shitura, te veprat e artit, te çdo gjë me vlerë që të dhimbsej fort.

E di. I kam gjetur adresat dhe mësuesi im, mentori më mirë, Tod Mbuhuri, me përfytyrimin e allasojtë për të nesërmen, që ia përshkonte mendimin një refleks i hollë, e pat këshilluar që kur të mbetej vetëm në dhomë, ndoshta edhe me qirinjtë e ndezur për aromë, llambën e abazhurit te koka ose aty pranë, stilografin duke e shtrënguar fort në dorë, blloqet e shënimeve deng, shishen e bojës edhe si relikte po mbi tryezë, stilolapsat dhe lapsat sëritur afër letrave të pa shkruara që prisnin me beft, të dukej si sundues dhe kjo le ta zhgënjente ca, ta hidhëronte, se, fundja ai veç sundues i atyre sendeve ishte, po edhe i mendimit, nuk them, veç për kurrgjë tjetër… Qeshte (kishte një të qeshur të veçantë, i bëhej gropë faqja!) dhe unë nuk ngopesha me të qeshurën e tij. Tod Mbuhurin e kishim mik të dy. Epo, e di, miqësia ashtu pjek e ngjan…

E gjetëm skutën tonë. Vura në punë magnetofonin e gjetur, që unë e quaja të shenjtë dhe, për të pasur atë të gatshëm për të bërë njëmijenjë gjëra, madje të thyeja edhe ikonat, në qoftë se nuk arrija gjë për atë që kisha vendosur. Për mua mbret ishte dokumenti historik, artefakti, për to respektoja si i krisur çdo lloj mendimi, edhe më të varfrin e tyre. Ato më sillnin në kujtesë mënyrën si vija në takim, si tallesha (në fakt ajo nuk qe tallje) me ndonjë mik timin që tani kish zgjidhur nga zakonet dhe qe bërë me mjekër e që mua kjo më çmendte, pasi nuk arrija dot t’ia gjeja shkakun. Atëherë, bashkë me Rubin nuk linim dy gurë bashkë, harroheshim pas verës dhe mendimeve që na rridhnin lumë. Nuk ndjenim lodhje fare, s’kishim gjumë, frymëzimi ishte aty pranë nesh, secili në vetvete kishte një bust Apoloni dhe kuptohet që na përfshinin me laçkë e plaçkë muzat, që natyrshëm flakërinin në reflekset e zjarrit tonë shpirtëror. Pikërisht kjo qe bërë nyje lidhëse për ne. E padukshmja muzë! E bukur dhe e mahnitshme, që nuk bënte dot ndryshe pa i futur hundët tek ne. Në faqet kashtore të kasolles-restorant, me ajrin plot afshe që kryqëzonte vështrimet me efektet lozonjare të dritës në një dalldi rrëmbyese, na mblodhi të dyve sa një grusht, para fjalëve të koleksionistit dhe gazetarit (por që të dy ishim edhe koleksionistë, edhe gazetarë, si dy komplementarë të zgjedhur nga dora e fatit…). Mendimi i tij sikur nxori flatra dhe u ngrit si zë, si dritë mugu apo muzgu, si dhimbje që s’ka për t’u shëruar kurrë, si refleks i drithëruar nga tmerri i asaj që kish ndodhur dje dhe po ndodhte sot, gjithashtu edhe si dorë që shkruante e shkruante pa mbarim, duke dëshmuar për nesër, brenda këtij çasti të pambarimtë. E kish patur dhe ai një dashuri dikur, një dashuri fluturake, brenda në një shtëpi të huaj, sepse ai s’kish punë me të tjerat, vetëm me atë ndjesi drithëruese, ku vuante dhe qe gati të ngarkohej si murg, nën sundimin e sprijave të tij, që e mbytnin me hijet e tyre lozonjare e përplot sqimë, gjithnjë me një temperaturë të lartë.

Vinin dhe shkonin miq tek unë, të afërt e të largët, e një natë erdhi dhe ajo… ah… mëkati i tij! Ai kurdoherë priste një shenjë edhe prej një zogu në dritare, madje edhe prej diellit kur i hidhej sa në fytyrë, tek faqet me kashtë të kasolles. Zëri i kthjellët. Top fare. Tregonte se si një profesor i arteve kishte rënë prè e duarve të gjata, kishte çuar lloj-lloj vepre arti të kishave ose të muzeumeve dhe jetonte në llagëmet e kryeqyteteve të Evropës, i cili pasi kish studiuar jetën e Pjetrit të Madh, që donte ta imitonte sidomos ato kohë kur orgjitë e tij kishin gjetur pasqyrim edhe në familje. Ishte koha kur Leforti pat njohur dhe futur Pjetrin në familjen e gjermanit Monso, ku jetonin dy motra, Ana që Pjetrit i pëlqeu shumë: një koketë mendjehollë dhe me sjellje të çlirtë, që gjithçka e bënte dhe që atë e tërhiqte pa masë, vesk si të sajin nuk gjeje dot askund. Madje iu zvordh e shoqja, iu largua vatrës familjare, por që sidoqoftë u detyrua të tregohej i vetëpërmbajtur në të gjallë të së ëmës. Ishte koha kur punët përziheshin me shkrehjen plot zdërhallje: në verën e vitit 1689 Pjetri e braktisi kantierin detar të Perejasllavlit, ndonëse mjeshtër Karshten Brandti me urdhër të carit e vazhdoi punën e nisur për ndërtimin e anijeve, madje arriti të lëshonte në det dy fregata dhe dy jahte… Ja atij donte t’i ngjante edhe heroi im. I qe tiposur dhe nuk ia shqisje dot nga mendja. Do ta ndiqte pikë për pikë dhe një ditë, mendonte, do të bëhej, pa le t’i ngjante hënës që aq shpesh e bënte krejt blu, si hije. Se drita nuk ndizet kot në shpirt… 

Exit mobile version