Khosiyat Rustamova nga Uzbekistani njihet ndërkombëtarisht si poete, por ajo ka vënë në skenë dhe drama, njëherësh dhe botuese e një reviste letrare, ku ka botuar shumë autorë shqiptarë: Kadare, Rudolf Marku, Sadik Bejko, etj. Së fundmi autore e librit “Find me in hearts” (Më gjeni zemrave), shoqëruar me një parathënia nga Gjekë Marinaj, veç poezive ka dhe një Ditar, si rast i pandodhur në librat poetik, i cili të shërben për njohjen e autores. Ndryshe nga matematika, ku nga të njohurat shkohet tek e panjohura, në poezinë e Rustamovës, ndodh ndryshe: nga personazhët e panjohur shkohet tek autorja e njohur. E panjohura për të s`është pengesë, por një kurioziteti. Guxon të futet në territore të panjohura, si një avion, i cili, nuk komunikon me kullën e orientimit, pasi pista për t`u ulur është gjëja e fundit, që i intereson. Kështu ndodh me të gjithë ata, që kanë punë me qiellin.
Në poezinë e Rustamovës mbizotëron errësira, e cila përshkallëzohet deri në kufijtë e depresionit, ku vetja i duket, herë: “Si një plumb që humb tagrin”, sepse: “Djajtë e natës e kanë trembur”. Por kjo nuk është e gjitha. Fuqia përjetuese, si një prush emocional që bëjnë të dridhesh e detyrojnë errësirën të kthehet në një sfond, ndërkohë që: “Kopshtet japin gjithë dashurinë e tyre.”, ndjekur nga pyetje: “Pse nuk ke pushuar së mbledhuri lule?” dhe vjen përgjigjja: sepse “Jeta po shpenzon shumë për mua,/Ndoshta duhet të rritem më shpejt”. Kjo rritje s`është vetëm moshë, por dhe nivel përfaqësimi, arritje, aty ku majat i kanë zënë të tjerët. Vështirë se e kupton: i dashuri ia lehtëson shpirtin apo i shton dhimbjen?! “Dua të bërtas e megjithatë hesht./Po tërhiqem përgjithmonë deri në fund të skenës”. Gjithsesi e jeton dramën në një atmosferë lirizmi. “Jam thjesht një skicë e lodhur e një artisteje”, shkruan ajo por sfidën nuk e ndal. Në dramën e pasioneve ajo s’kërkon fajtor, duke i munguar shpirti hakmarrës, gjë krejt e rrallë aty ku shpirtat egërsohen për hiçgjë. “Ti je i pafajshëm dhe unë nuk kam faj:/Kështu peshon zemërimi i Zotit”. S`besoj se gjendet gjëkundi një amnisti shpirtërore e këtij dimensioni. Duket sikur vizaton portretin e saj në xham, edhe pse era s`e lë avullin të luajë me gishtat e saj. “Era erdhi rastësisht dhe shpejt u largua.” Gjithsesi gjurma mbetet. Edhe qielli është i gërvishtur, si me qenë në botën e rrokaqiejve të Manhatanit. Si për ironi të zbrastësisë në shpirt: “Arra bosh mbushin gjoksin/E vjeshtës që po largohet”. Kudo afron paqtim, edhe në raport me atdheun: “Ti je zemra ime, mëmëdhe, derisa të vdes./Nuk ka armiq mes meje dhe teje”. Një varg i mrekullueshëm, kur bota është plot me armiqësi dhe shpinëkthyesit po i gëzohen deheroizmit.
Ndërkohë që ka nevojë për afërsi, dënohet me distancë. Ndaj: “Kuajt dërgohen të pushojnë…/Por ka një kalë që duket sikur rri në rrugë./Ecën i lodhur;/ Nuk ka dritë në sytë e tij./Refuzon ushqimin dhe ujin duke u dridhur.” Dhe më tej: “Një qen po vinte pas meje…/Kaq shumë qen rreth e rrotull./Kam frikë nga qentë./Por, qentë nuk janë burra.” E friksojnë vetëm demonët e natës. Dhe për t`u shpëtuar s`gjen strehë tjetër më të sigurt nga zemra e njerëzve. Pasioni dhe vuajtja krijojnë gjendjen e diellit me shi, duke shpresuar në daljen e ylberit të radhës. “Një ditë të shkrova një letër dhe të thashë se ende të dua, kur s`kishim folur për gati tre muaj.”-i shkruan djali vajzës. Në të gjithë poezitë apo copëzat poetike të librit ka pak erotikë dhe shumë vuajtje. “Por unë nuk do të dorëzohem para krenarisë suaj! Ju nuk mund të më mposhtni!”-këmbëngul ajo, duke u udhëhequr më shumë nga krenaria se sa nga sedra. (Nëse dashuria mund të krahasohet me fuqinë tërheqëse të tokës, sedra mund të matet me fuqinë shtytëse të karburantit, që e nxjerr anijen kozmike jashtë orbitës.) “Çdo hap i rrugës sime është plot me pyetje në formë njeriu!” apo: “Ndërsa zhvillova dëshirën për të jetuar më gjatë, fillova të jetoj në drejtim të kundërt të akrepave të orës.” S`ka moment më të keq, se sa: kur koha s`punon më për ty dhe ti, duhet të përballesh dhe me ata, që i ke patur në anën tënd. Në këto situata, ndodh që: “Mund t`i humbasësh njerëzit edhe duke i dashur”, ku secili udhëton në një anije tjetër, të plasaritur. Mund të luash me valët e kësaj jete për një kohë të gjatë, mund të luash dhe me vdekjen, pasi s`dihet se cila dallgë ka për të qenë fatale për ty, këshillon autorja. Dhe kjo dallgë një zot e di, se prej nga e merr fuqinë?! Mund të parashikohen tornadot, por jo urrejtja e Medeas.
Kishim dëgjuar për “armiq imagjinarë”, por për “të dashur imagjinar” është rasti i parë që has, pasi edhe platonikët, që i realizojnë dëshirat me imagjinatë, i drejtohen një personi konkret. Edhe më i fantaksuri, Don Kishotit, do i shfaqej në krah një Dylqinjë. Nuk mund të dashurohesh me hijet, qoftë dhe fantazma e babait, sikurse i shfaqet Hamletit. “Përveç ne të dyve, të gjithë ishin të huaj. Ne të dy ishim si salmoni që noton kundër rrymës! Ne po i përgjigjeshim mizorisë së jetës dhe po e duartrokitnim atë me lotët tanë!” Shumë prej atyre, që i lexojnë këto rreshta, mund ta konkretizojnë me veten. Shpesh trishtimi arrin “pikën e vdekjes”, pa u kthyer në zi: “Ndonjëherë dëshiron të vdesësh, por, nuk gjen dot arsye.” Kështu ndodh, kur pasioni ia lë vendin urrejtjes. “Të kam harruar dhe shpresoj që edhe kjo plagë të shërohet së shpejti, duke mos lënë asgjë në vendin e vet.” por: “Dashuria e poezia nuk do të më lërë të qetë. Çdo fjalë është si një dragua gati për të më gëlltitur.” Por, vendi i prehjes është i bekuar, kur: “Vdiqa në fjalët e mia.” Ndihet më e rëndë nga pesha e trupit të saj, se ka me vete dhe peshën e dashurisë, se kujtimet i do më shumë nga ai që ikën. “Unë qava, e doja dhe e pranova dhimbjen e poezisë”, e cila hap plagë, ku vuajtja s`i përket më një personi. “Sepse e humba veten kur të gjeta ty”, një varg i rrallë ky, që s`e gjenë në shumë e shumë poezi erotike. “O zot! Nëse kam mëkatuar duke shkruar poezi, nuk kishte rrugë tjetër për të folur me botën.” Dhe bota në këtë rast, duhet ta pronojë si një heroinë të virtytit. Ja dhe çasti i arratisjes për në botën e madhe: “Në aeroport pagova pak më shumë për valixhen time shtesë dhe bagazhe të tjera. Kujtimet nuk kontrollohen apo skanohen në aeroporte. Nëse do të skanoheshin si ngarkesa, kujtimet e mia do të ishin shumë të rënda për fluturim.”-shruan ajo në Ditarin e saj, duke besuar e bota drejtohet nga dashuria. “Nxitoni, le të largohemi nga toka …Sa kohë duhet për të paketuar gjërat tona dhe për t’u veshur? Të mos harrojmë asgjë! Sidomos librat tanë!” Shfaq dashuri, duke mos ia patur nevojën fjalëve dhe ndjenjave të sëmura. “Ne nuk kemi ardhur në këtë botë vetëm për të ecur nëpër të! Ne kemi synime. Ne kemi ëndrrat që duhet të realizohen.”-është i gjithë mesazhi që del nga Ditari me copëza poetike. Kur pasionet kalojnë përmes zemrës, pavarësisht vuajtjeve, asnjëherë nuk ka për të patur fajtorë.