1
Dita e parë e panairit ishte dita e parë e vjeshtës së vërtetë. Deri asaj dite ishte pragvjeshte, me një diell të shkëlqyer. Thuajse bënte ngrohtë shoqëruar me dritë të pjerrët, me trëndafilat që po fishkeshin, me një lloj arome tërheqëse, bashkë me aromat festive të librit. Ne, por të gjithëve, na është mbushur mendja top, se ende ka një hapësirë të vogël për t’u marrë vesh me njëri-tjetrin, të festojmë me libra, në një panair si ky. Televizionet u çanë për librat e orientuar që njerëzia duhet me patjetër të shohin e të blejnë. Vlera të rekomanduara. Të tjerët le të shohin, të dëgjojnë, të ngrenë perden dhe le të ngehen me diellin. Ne jemi një vend me pasuri të jashtëzakonshme dielli. Të paktën t’i gëzohemi atij.
Askush nuk është gati të thotë ndonjë budallallëk, për shkak të mallëngjimit që i ka pushtuar delirantët e panaireve dhe ne që e presim si ujët e pakët, por as kështu nuk ndodh. Në panair duhet të takohemi për librin, të bisedojmë për të, të japim e të marrim, të takojmë kolegë, lexues, njerëz të interesuar për mbarëvajtjen e tij, menaxherë të mjeruar dhe pazarlinj që ndrit faqja dhe buzëqeshja. Mirëpo ja që nuk arrijmë dot ta çojmë deri në fund fjalinë.
Libra gjithandej. Lëvizje e ngutur, shfletime, vendosje e dekorit në secilën stendë. Qindra punonjës të librit, punojnë me intensitet. Afishe, plane të mëdhenj, volume të ndryshme arkitektonike, vendosje të librave që tërheqin vëmendje, tryeza, karrige. Ka edhe padurim midis lexuesve që duan të marrin librat e parë. Ndërkaq, dëgjoj një rënkim të çuditshëm. Rënkonin librat…
2
- Unë kam shkruar disa libra më parë dhe sot një tjetër, – dëgjoj një mesoburrë, që anonte më tepër të dukej i ri. Robert Thomanikaj. U kujtova që isha takuar me të në ‘Dinastia’ për punën e rrëfenjave të vjetra të Herodotit, me një madhështi ndryshe, pasi të tjerat na duket se i kemi ngjëruar.
Respekt, Robert! Një shkrim i bukur, kontrovers, një margaritar që shkëlqen. Por… ai është fatkeq. Thirrjet e tij askush nuk i beson. Mirëpo ka botues që e shohin çuditshëm dhe duke ngritur supet. S’kanë ç’bëjnë për të as ata të ashtuquajtur botues, ato pak mundësi që kanë asnjëherë nuk mjaftojnë. E shoh që del te porta e jashtme e Pallatit të Kongreseve, në stenda lëvizëse duke i renditur librat e tij. Ndalem para disa tiujve «Trajtime historike – Nën këndvështrimin dialektik», si një tjetër këndvështrim ky nga historiografia zyrtare dhe ajo patriotike, ose «Vetingu u kry, bacë!» me nëntitullin orientues «shfaqje teatrale me llogje Kavaje», duke sjellë ironi origjinale dhe qëndrime befasuese. Ja edhe një titull tjetër: «Lufta e Trojës – mit apo e vërtetë». Dhe…, libri i tij i parë: «Pa titull – vargje 1985-2005». Urime Robert! Ai nënqesh hidhur, pret në këmbë, duke i mbajtur veshët të mprehur për të marrë vesh se kush mund të jetë i/e interesuar për botimet e tij. Në njëzet vjet, njëzet libra. Nuk është pak. Dhe asnjë fjalë për këta libra që nuk janë shkarrashkruar. Janë edhe sot jashtë panairit. «Unë bëj timen, – thotë, – ju bëni tuajën.»
Pastaj i kthen sytë mënjanë. Ndihet i bezdisur, duke u bërë sërish i ftohtë, njeri katror dhe solid, me flokët e tij të rënë paksa, që drejton me një lëvizje stereotipe shpatullat e dobëta, mbi të cilat bie një kurorë e lehtë drite. Ndalojnë shumë vizitorë aty jashtë. Brenda të merrej fryma. Njerëz pa virozë, natyrisht, por gjithnjë duke rendur drejt librave e propagandës televizive (katër-pesë tituj dhe emra ‘të rëndësishëm’), tituj që janë bezdisës për veshët e atyre që nuk pajtohen me klimën e ashpër politike, po edhe gjendjen mjerane të librit. Kurse brenda bien tamtamet, vargje artificialë për të blerë libra, përveç atij që do ta përmend më vonë. Ndërsa unë po promovoja novelën e shkrimtares Eleni Mingu-Birçaj në stendë. Promovimi i saj ishte paksa delikat: për librin ende nuk kish folur kush, një poster ende i vogël, rrethuar nga zëra të mekur. Lexuesit e saj, që e pëlqejnë, do ta kenë librin në ‘libraritë’ e vendit, të cilat çuditërisht po nxitojnë të mbyllen…Njerëzit brenda shtyhen tek porta, lënë mënjanë stendën e Mrizit të Zanave dhe Pemën, kur papritur bien pre e hutimit. Pas shpatullave të mia Robert Thomanikaj qesh lehtë. Dielli, i vetmi që e përkëdhel, i pëshpërit edhe urimet për librat e tij…
3
Romani trilogji «Krishti personal» dhe Haiku të Roland Gjozës zënë vendin kryesor në stendën e Qendrës Traditë-Art-Libra. Ashtu edhe mjaft autorë të tjerë shqiptarë. I prekin, i peshojnë, i fërkojnë paksa, heshtin, tkurren dhe u vijnë anës titujve. Një lexues i ri: Rinad Jaupi, djali i bashkëmoshatarit tim Nazmi Jaupi, që tashmë nuk jeton, madje prej shumë vitesh. Nuk e njoha, por më dha ai të njohur. I pa një për një titujt. Do t’i ble gjithë librat e tu, më tha. Ti ke qenë shok me babin. Kjo më shtyn më tepër të marr librat. Dua ta njoh mirë kohën tuaj. Ia dhashë dhe ai nuk u largua pa paguar, sigurisht me zbritje. Një fërgëllimë e çuditshme më shtynte të bëja një veprim të dukshëm. I dhurova «Krishtin personal» të Rolandit. Atë ditë lexova në fb esenë e Rolandit për panairin e librit (me një shikim origjinal dhe me gjuhë të zgjedhur si ajo e tij), që ma lajmëroi autorja e romanit ‘Vajza e braktisur’ Margarita Stoja.
Erdhi për të parë librat e tij Bujar Balliu, pastaj Jashar Arrëza i shkollës nr.1 në Shqipëri që mban emrin e piktorit shqiptar (edhe ai njësh!) Ibrahim Kodra, koleksionisti i famshëm ing. Kozma Dashi, një njohës vërtet i shkathët, i cili i përcjell librat me një drithërim të bukur e që bie në sy. Erdhi për së dyti me ish-deputetin Astrit Velia, i cili ka tërhequr më herët vëmendjen time me promovimet e botimeve ‘Uegen’ dhe librat e mi. Ishte vërtet e gëzuar dhe nuk pushonte së qeshuri.
Pastaj vërshime fëmijësh të kopshteve. Ata duhet të qenë spektatorët më të zgjedhur. Le ta quajmë se jemi në stadium. E meritojnë të jenë spektatorë! Ne, të rriturit nuk kishim më ndonjë arsye tjetër për të ndenjur më gjatë me ta, ndaj u përshëndetën dhe ata morën të gjitha korridoret. Ndiheshin të gëzuar që gjetën një hapësirë të gjerë dhe krejt të ndryshme nga e përditshmja e zakonshme. U dhanë diku ca libra dhe ata i morën në duar. Pas nesh një buzëqeshje e zbehtë. Ishin librat që mbetën të mbytur në mërzi, ndoshta ngaqë nuk qenë në duart e fëmijëve. Të rriturve që i kishin fëmijët përdore, u ra një hije që i bënte edhe më seriozë. Pastaj heshtje dhe fëshfërima e lehtë e librave.
Në kënd të stendës së shtëpisë botuese ALSAR, që boton vlera të vërteta kombëtare një djalë e një vajzë po putheshin. Duartrokita i pari dhe pas meje të gjithë vizitorët para stendave në kërkim të librave. Puthja duhej nderuar ashtu siç e meriton. Dhe dy të rinjtë na respektuan. Ata vijuan të puthen pa vramendje edhe disa sekonda si për t’i dhënë kohë asaj që po bënin, si një kryevepër arti, për të gjetur artistikisht kurorën e asaj që zotëronin, dashurisë… Më tej u derdhën një tufë vajzash si lule shumëngjyrëshe. Atyre u pëlqente që të shiheshin si të ardhur në shtëpinë e tyre, se vendi i librave është shtëpia e të rinjve, që bëhen gati të rrëmbejnë stafetën në duart e tyre. Vetëm se këtë herë shtëpia e tyre ishte plot e përplot. Njëra prej tyre, mori frymë e lehtësuar. Më në fund, i zuri syri se salla ishte zbrazët. Ndaheshin çmimet e librave më të mirë. Të rinjtë kishin dyndur në sallë. M’u bë se ato vajza e djem na mbështollën me të qeshurën dhe me vështrimin e tyre të pastër.
4
«Ai u përkul lehtas, i turbulluar, megjithëse kishte përvojë të madhe shoqërore, ndiente se e kish humbur disi ekuilibrin. Ai kishte nevojë për ajër ngaqë ndihej i shtypur nga një ndjesi marramendëse në atë stendë të madhe me libra, ku një aromë lulesh dhe femre sikur e mbyste. Kurse, pas tij, i sigurt se nuk e kishte parë kush, guxoi t’i shkelte syrin një vajze, me atë fytyrën të prishur papritmas dhe me gjuhën në anë të buzëve…» NANA, Emil Zola, shqipëroi Asllan Saraçi. Vepra ishte pjesë e ndarjes së çmimeve, por mbeti jashtë vëmendjes. Mos vallë çmimet do të ishin të vërteta? Asllani, miku im i mirë, poeti, shkrimtari dhe përkthyesi i rrallë nga frëngjishtja në shqip që po sjell veprat e mëdha e të pabotuara në gjuhën tonë, prej Emil Zola dhe disa autorëve të tjerë të mëdhenj.
S’ka pse të mërzitet kush, thotë një shkrimtar i ri, Aldion Çela nga Elbasani, çmimin e parë e fitoi një shkrimtare e madhe, Mira Meksi, me romanin e saj të ri «Parisi vret». Mirë që qëlluan njëherë në shenjë. Kurdoherë e kemi ditur kush fiton çmime. Epo, më të mirët do fitojnë, thotë shkrimtari dhe regjisori Astrit Hykaj! Ndërkaq nuk u përmendën fare çmimet e tjera, të dyta, të gjinive të veçanta, pas fitores nga Luljeta Lleshanaku si «Poetesha Laureate 2023-2025». Sidoqoftë, ata ishin duke parë titujt, sukseset dhe humori u prish fare. Për trofetë, s’kishte ndonjë interes; ato vinin nga disa zotërinj e zonja që, pasi e kishin duartrokitur në rrethe të ngushta më parë, tani u dërgonin deklarata urimi me celular dhe në njëmijë forma të tjera. Për sa u takon vizitorëve, ata as që kishin mendjen fare tek fituesit që çirrnin faqet prej gëzimit të llahtarshëm.
Vizitorët zunë radhën në hapësirën e Onufrit për të blerë me dedikim veprën e plotë me shtatë vëllime të shkrimtarit tonë të madh Ismail Kadare. Të çmendur pas radhës! Të dashuruar me Kadarenë! Një mrekulli! Librin e strapacuar sot dhe të lënë në dorën e fatit, e ka përfshirë ekstaza. Por edhe kjo mbaron shpejt dhe çdo gjë i kthehet gjendjes apatike. Takime nën zë midis shkrimtarësh. E ndiej se sapo promovova romanin e ri të Margarita Stojës. Sigurisht do të doja të prezantohej në salla, po për ta bërë këtë do të duhej të flisnin nja një javë rresht televizionet për këtë autore që punon e jeton në Itali, apo të jepnin vend gazetat e revistat. Mirëpo kjo nuk ndodh. Nuk ndodh jo për faj të librit apo të autores, po thjesht për atë që e lë pas pa kujdesin e duhur media në përzgjedhjet e saj. Kështu prezantimi ynë ishte shumë i përshtatshëm, pasi libri u lihej në dorë vizitorëve, duke e shoqëruar me subjektin, personazhet, konstruktin dhe gjuhën e shkrimtares.
Vizitorët kalojnë në sallon. Edhe vetë hija e librit sikur i shqetëson. Sidoqoftë ky panair përbën lajm, që është një gëzim i madh për të gjithë lexuesit.
5
E shoh vizatimin e lëvizjes në panair nga lart. Ka elegancë dhe arkitekturë që duket e pasqyruar në lëvizjet që përplasen nga hapësira në hapësirë të shtëpive botuese me një shprehje kënaqësie. Herë të tjera vinte kryeministri, presidenti, ministra, deputetë. Edhe kur i fton miqësisht ata nuk denjojnë të jenë te libri. Përveç ndonjë rasti të veçantë. I tillë ishte Fadil Nasufi në stendën tonë. Duke dëgjuar ankesat për librin, befas ndien një psherëtimë. Jo, nuk është psherëtimë lehtësimi, por dhimbjeje, sikur ta kishin liruar nga ndonjë torturë. Mendja i shkon menjëherë tek fati i keq i gjuhës shqipe dhe i librit shqip. Ndërkaq ballë përballë arbëreshëve dhe mërgatës shqiptare, fliten fjalët më të bukura të mundshme për gjuhën e mrekullueshme shqipe, sidomos nga folësit brilantë, po kur vjen puna për t’u hedhur në flakët e shqipes, për ta dimensionuar ndryshe, për t’i dhënë tonet e duhur, mbetemi prapa, hezitohet, nuk pranohet, pasi vendi nuk ka biblioteka, s’ka librari që edhe ato të mëdhatë po mbyllen njëra pas tjetrës në Tiranë. Librat duan vëmendje, duan fonde, duan biblioteka kudo. Dhe nuk e kemi fjalën për biblioteka bujtinash, po për bibliotekat e bashkive. Kushdo e di që nga gjashtëdhjetenjë bashki dhe dymbëdhjetë njësi bashkiake në Tiranë, (pale që edhe vetë Tirana si bashki nuk ka bibliotekë të qytetit!) nuk kanë biblioteka, përveç ndonjë qyteti që kanë ndërtesat, shoqëruar me emra shkrimtarësh, apo dijetarësh, por ama librat janë me kët…
Edhe vetë Panairi ul sytë i turpëruar. Ta gëzoni panairin! Ju rruaçin librat, teksa të mjerat rrinë dhe flenë nëpër magazina. Dhe, ndërkohë, bërtasim për shqipen e bukur. Po kujt ia shesim këto që themi, ndërsa bibliotekat e të ashtuquajturave rrethe nuk marrin botimet e reja. Në inventarin e tyre përqindjen më të madhe e kanë librat e realizmit socialist… Shqipëria i ka apo nuk i ka dymbëdhjetë biblioteka. E para pa të është Tirana, kryeqyteti shqiptar, i vetmi në botë, që nuk ka bibliotekë. Dhe nuk i vjen turp askujt për këtë mungesë ‘gjeniale’. ‘Mrekulli fare!’, thonë me vete ndjekësit e nivelit të lartë partiakë…
Dhe mos harroni: Tirana duhet të ketë mbi dymijë biblioteka. Po. Mos bëni gaztore. Lëreni me kaq. Mos tregoni të vërtetat para qeverisë, se ka rrezik t’i lëmë pa gjumë!… Edhe kaq, a nuk është e tmerrshme? Atëherë, ç’të bëjmë? Pasi diskutojmë, mbetemi në mëdyshje. Është një gjendje shumë e lodhur. Të flesh një natë të tërë, do të ishte vërtet gjë e mirë! Ideja e kësaj kënaqësie të madhe mund të dalë fitimtare. Epo njëherë, kushdo, mund t’ia premtonte vetes këtë gjë… Po për librat si, a nuk do të qe mirë që të bëjmë shumë e shumë më tepër? Ajo që nuk mund t’ia lejojë askush vetes është që të mos bëjë vërejtje apo të japë këshilla kaq hapur, qoftë edhe për librat! Ndërkaq secili, siç thuhet, duhet të përpiqet, me sa të mundet, që të përfitojë prej përvojës së vendeve të ngjashëm me ne, që janë ku e ku para nesh për biblioteka e punë librash. Por e gjitha kjo më duket e tepërt, jo se nuk i bihet murit me kokë, porse edhe kaq është idiotësi, duket sikur lufton me mullinjtë e erës…
Më në fund panairi i librit dukej vërtet tepër i hutuar. Ai vështron në sy padronët e panairit, pushtuar nga një admirim i papritur, pastaj shkon dhe nxjerr përjashta lexuesit e lodhur, pa më të voglin hezitim. Megjithatë, askush nuk mund ta merrte dot me mend një sulm të tillë. Zgjat kokën për të parë se mos ka ende njeri në sallon, por ai është i zbrazët. Dhe pret të ngjashmin e vet, vitin tjetër, që gjithashtu do të jetë i zbrazët, dhe po kaq i lodhur si ky që u mbyll. Lutemi të jetë ndryshe, lutemi të ketë filluar një ndryshim që mund të jetë biblioteka e re e Tiranës, me një propozim të ri për të qenë në të dy anët e librave të Urës së Librave të Tiranës… fotot e projektit tonë ia paraqesim lexuesit në një rast të afërt…
Tiranë, më 28 nëntor 2023