Kreu Letërsi Bibliotekë Xhevair Lleshi: 400 vjet me gjeniun Zhan-Baptist Molier

Xhevair Lleshi: 400 vjet me gjeniun Zhan-Baptist Molier

Me emrin e tij të vërtetë, Zhan-Baptist Pokëlen, Molieri lindi në Paris më 1622, siç thonë, mes një rrëmuje të pa treguar, ku secili më fort i bënte hije vetmisë së tij. Biri i një tregtari copërash, furnizues i Oborrit, ai u rrit me idenë se do të trashëgonte tregtinë fitimprurëse të të atit. Por duke qenë se i biri tregonte pak interes për atë profesion, i ati e dërgoi për të studiuar që të bëhej nëpunës. Ky ishte një zhgënjim tjetër. Sepse Biri do të divorcohej shpejt me të kaluarën. Ndërkohë, tregtari i respektueshëm u drodh kur mësoi prirjen për teatër të të birit. Në këtë periudhë profesioni i aktorit vlerësohej ndër më të këqijtë. Do të kalonin edhe pak kohë deri kur Luigji XIV nxori urdhëresën me të cilën ndalonte që profesioni i aktorit të konsiderohej poshtërues. Duket se u thyen të gjitha pasqyrat e shoqërisë!

Fillimet e karrierës i sollën djaloshit Zhan-Baptist, vetëm shqetësime, megjithatë ai ishte plot dëshirë e pasion. Madje pasioni i tij dukej hapur dhe në mënyrë madhështore, nuk e hovte përbrenda siç ndodh me shumicën e të pasionuarve dhe pastaj të tretej. Jo. Mirëpo teatri parisian ku bëri hapat e para dhe ai ia lëshoi zemrën kthetrave të një artisteje të re, falimentoi. Në këto kushte Molieri u angazhua me një trupë shëtitëse, ku i duhej të konkurronte drejt e nëpër panaire e grumbullime të mëdha, me prestigjitatorë, akrobatë, sharlatanë e ‘rregullues dhëmbësh’, të mëdhenj e të vegjël, gjithçka që ka njohur njerëzimi i lëshuar në prehrin e së vërtetës… Ato njëmbëdhjetë vjet jetë endacake e çliruan Zhan-Baptistin nga të gjitha kufizimet e jetës borgjeze. Vetëm atëherë ai arriti t’i shohë njerëzit dhe jetën pa paragjykime, në mënyrë të përkryer e të përkorë, ku ndihej zhdërvjelltësia mjeshtërore e jashtëzakonshme e një gjeniu, që do të mbetej për jetë aktual, i freskët, i madh.

Atëherë u bë shkrimtar. Molieri filloi të shkruajë pjesë humoristike për publikun e gjerë, kur të turrej për të dhënë një mësim të vështirë arti dhe kushdo mbetej si një gjë krejt e natyrshme. Rolet kryesore të atyre pjesëve i luante vetë, ku binte në sy veçanërisht ajo bluja e ndritshme e tij me shumë diell. Shumë shpejt ato u bënë komedi të plota në kompozimin e të cilave ai shfaqi talentin e tij të veçantë. Në to Molieri pikturon me saktësi e spikamë popullin francez të atyre kohëve, që jepej thjesht si për t’ia davaritur kujtdo edhe vetminë edhe atë shoqërizimin e tij të veshur me akull. Zotëria i madh, funksionari, borgjezi dhe fshatari, të gjithë kanë rolin e tyre në ato pjesë e komedi. Por kurrë nuk e la pa hedhur shuplakën që e brente, gjithnjë sikur bluante një kockë, por çuditërisht pa shkaktuar dhimbje, sepse aty shprehte lëngatën e vetmisë. Më 1658, Molieri, që ishte bërë drejtues i një trupe shëtitëse, kthehet në kryeqytet. Sukseset aktoreske të tij ishin bërë tashmë mjaft të njohura aq sa vetë Luigji XIV denjoi të shohë një nga pjesët e tij dhe pati mirësinë të qeshë me kënaqësi. Ai i dha trupës një teatër. Disa vite më vonë, një pension vjetor që iu akordua tregoi për vlerësimin e lartë që i bënte froni poetit. Këtë e ndjeu me shpërfillje si çdo gjeni, sepse thjesht nuk u përqendrua kurrë në vlerat materiale të shoqërisë dhe sepse ai rronte në atë sferë që s’ka të bëjë me të përditshmen e shtruar në tryezë, po me dritën e Apolonit.

Më në fund Molieri kishte triumfuar por, ashtu si Shekpiri, jo pa mundim. Ai lidhi miqësi me Bualon, Rasinin, La Fontenin dhe arriti suksesin e parë parisian me Qesharaket e shtirura. Aty bëhej fjalë për snobizmin intelektual, për formën që kishte marrë ai, kundër barokut të përdredhur, duke u bërë modë në romanet dhe shumë sallone letrare. E kishte gjetur me kohë ku fshihej e vërteta, zbulim që e ruajti gjithnjë me nostalgji dhe krejt për vete, por gjithnjë duke lënë përshtypjen se ai kurdoherë do të ishte në kërkim të saj. Ndërkohë ai i jepte dritë dhe lëvizje edhe sendeve të pajeta…

Një grup zonjash “të mësuara” caktojnë si objektiv të ngrenë jetën sociale në nivele më të larta, të pastrojnë ndjesitë morale dhe ndjenjën e së bukurës. Në romane kjo tendencë shprehej tek e vrullshmja Madam dë Skuderi, e cila e pranoi me kënaqësi nofkën Safo. Nëpër sallone arti i të biseduarit u bë më delikat e i stërholluar, por në të njëjtën kohë aq i shtirur sa nuk mund të thoshe dot asgjë pa përdorur mënyra të tërthorta. Perifrazimi u bë nevojë absolute. Përsosmëria e tij varej nga jetëgjatësia. Frëngjishtja u bë gjuha më e komplikuar në botë. Kultura e salloneve nuk mund të vuante nga që dikush donte të thoshte “ujë” e jo “elementi i lëngshëm”. Në gjuhën e të mësuarve, “një gllënjkë ujë” bëhej “një banjë e brendshme”. Veshët ishin “portat e posë”, pasqyra ishte bërë “këshilluesi i bukurisë” kurse krevati “mbretëria e Morfeut”.

Zhan-Baptist Pokëlen u shpalli luftë gjithë këtyre artifisave, duke u bërë në këtë mënyrë shok arme i Bualos. Në skenë ai tallet me gjuhën e të shtirurve. Kështu në vend që të thotë: “Unë do të mendoj”  thotë “do të peshkoj në pellgun e mendjes me perin e mendimeve të mia!”

Personazhet kryesore te Qesharaket e shtirura janë dy zonja të reja, që ashtu si Don Kishoti, për shkak të romaneve të lexuar, e kanë kokën plot me ide të çuditshme e të ngatërruara. Dhe krevatin e kanë si një pështjellim që nuk e ka aleat gjumin. Sipas mendimit të tyre, realiteti i përditshëm duhet të imitojë realitetin që përkrahet në romane, ku kalorësit e përvëluar nga dashuria, e kalojnë jetën me deklarata të gjata, jetë – të cilën shpesh herë e humbasin në duele për sytë e bukur të së vluarës. Të dyja torollaket kanë vetëm një qëllim në jetë: Të hyjnë në rrethet letrare dhe të njerëzve me kulturë. Ato budallaqe të vogla e delikate i nënvlerësojnë dy djemtë që u vinë rrotull, sepse gjuha e tyre nuk është e “përpunuar”. Dhe kjo jepet përplot vezullim, me një prirje elegante gati të pabesueshme por aq të pahitur. Të dy të dashuruarit vendosin të hakmerren duke u veshur tebdil si dy Njëri si markez, ndërsa tjetri si kont dhe mësojnë gjuhën e salloneve. Qëllimi u realizua pa mundim. Të dyja të shtirurat ranë në dashuri menjëherë me shërbëtorët tebdilë. Më në fund, dredhia u zbulua. Mbetën pas vetëm sytë e ëmbël ose më saktë ëmbëlcakë, ngaqë dukej sikur buronin me tepri mirësi, sy që herë-herë dukeshin të errët. Gjatë premierës, një zë thërret nga plateja: “Forca Molier! Ja komedia e mirë!”

Më 1662, Molieri nënshkroi: Shkolla e femrave!E para e kryeveprave të tij. Kjo pjesë duhet të ketë pasur në karrierën e tij atë rëndësi që pati për Kornejin Sidi. Heroi i komedisë është një beqar i vjetër në moshë, nga ai brumë që kishte të bënte me të ikurit e mëdhenj. Ky, Arnolfi, paguan edukimin e një vajze të bukur fshatare, i bindur se një ditë ajo do të bëhet një zonjë shtëpie ideale dhe e përkushtuar ndaj burrit me një besnikëri të paprekshme. Për këtë qëllim ai e mban larg botës së përditshme dhe veseve të saj të cilat ai vet i ka provuar gjatë gjithë rinisë së buhishme. Kjo rridhte nga fakti se Molieri dinte të krijonte ekuilibrin me zgjuarsinë dhe fuqinë e tij prej krijuesi. Por ja që një ditë djaloshi bie në dashuri me Anjezën të cilën edhe Anjeza ia kthen. Pasioni e bën vajzën tjetër njeri, ashtu si nuk mund ta njihte egoisti – Arnolf. Ajo nuk mund të jetë më një mobilie por do të bëhet një femër e këndshme, e bukur. Arnolfin, që mendonte të ishte mbrojtësi i saj, i një shërbëtoreje skllave, ngjarjet e lënë pas dhe ndërkaq bëhen shenjat e vërteta ngushëlluese për ta shtyrë njëfarësoj këtë jetë sizifiane dhe shpesh pa kuptim. Duke humbur Anjezën, ai kupton dashurinë që kishte për të. I ngrirë, Arnolfi i bie te këmbët dhe i premton ç’të donte ajo në qoftë se pranonte të bëhej e tij. Bukuroshja, tashmë zotëruese e situatës, e shtyn me përbuzje. Gjithë vullneti i Arnolfit kthehet mbi atë vetë. Dashuria dhe natyra triumfojnë.

Komedia më e njohur e Molierit është Tartufi, ku trajton hipokrizinë në jetë. Ironia aty është aq e mprehtë sa, Tartufi në gjuhën frënge u bë sinonim i “hipokritit”. Nën maskën e një devocioni të yndyrshëm, Tartufi, një skllav i mishit dhe kënaqësive, jeton tek Orgoni, një borgjez i pasur dhe i padjallëzuar. Dhe kurdo paraqitet në shoqëri si një i ftuar në një darkë të shquar. Orgoni e fton të jetojë në shtëpinë e tij duke i premtuar t’i japë vajzën për grua, me gjithë urrejtjen që kishte zonjusha për lajkatarin mashtrues. Përfundimisht, hipokriti u lëshon kapistrën instinkteve të tij dhe kërkon të shtjerë në dorë gruan e bukur të Orgonit. Tartufi që, prej rëndësisë që i jepte vetes, bënte sikur po shkonte kudo që të ishte, edhe me pak vonesë, i deklaron asaj me seriozitet se për një grua të martuar më mirë do të ishte të pranonte dashurinë e një kleriku me moral sesa t’i nënshtrohej ndonjë maskarai. Ai i premtoi të merrte përsipër gjithë peshën e shkeljes së kurorës. Duke vazhduar ligjëratën, ai e trajton Orgonin si të trashë që mund ta heqësh për hunde. Pikërisht në këtë çast, burri që rrinte i fshehur nën tryezë, del dhe e vë me shpatulla për muri fetarin. Ai do të bëhej bohemi i shkëputur prej kohësh nga morali i bekuar familjar. Fetarët e pritën Tartufin me stuhi protestash dhe kundër tij ranë vetëtimat. Diskutimet më të poshtra nuk munguan për të dhe shumë njerëz do ta kishin çuar me dëshirë në turrën e druve. Dhe ç’është më e keqja, Molieri debatonte atëherë midis vështirësive të mëdha vetjake. E shoqja, aktore me famë po edhe koketë e njohur i jepte shpeshherë arsye që ta ndjente mbi shpinë atë xhelozi që ai e fshikullonte në skenë. Por duhet thënë se Molieri nuk jepte shembullin e besnikërisë bashkëshortore. Ai, sidoqoftë, shtynte kohën, mënyrën e jetesës, veset, ritualet njerëzore drejt atyre caqeve që kishin perënduar, për t’u përshtatur me sjelljet grandioze e të dëshpëruara që e rrethonin ngado.

Gjithë këto halle e probleme e dëshpëronin shumë Molierin. Ai ngado shikonte vetëm dredhi e intriga. Ky lloj përçmimi ndaj njerëzve shprehet tek Mizantropi. Personazhi kryesor Alsesti, është personifikimi i vetë Molierit. Me një lëmsh në grykë, autori fshikullon dobësitë e tij. Alsesti di të ankohet por nuk e di sesa qesharak është bërë! Ai s’mund të bëjë asgjë. Alsesti përbuz jetën shoqërore, gjithë gënjeshtrat e saj, rregullat, tërë shfaqjet e gënjeshtërta të miqësisë. Nuk është padrejtësia e botës që e kthen mizantropin fatkeq – ai mund të ngushëllohet vazhdimisht me aureolën e tij të martirit – por dashuria për të bukurën Sèlimen, një koketë e gatshme të gënjehet nga të gjitha rregullat mondane. Alsesti nuk verbohet përpara dashurisë. Ai e gjykon Sèlimenën nga gjithë çfarë do ajo, duke e ditur se çapkënia e gënjen e tallet me të. Por ai s’mund të çlirohet prej zinxhirëve të saj. Në gjendje të dëshpëruar e pa shpresë, ai vendos të tërhiqet nga bota në një kënd të vetmuar “ku mund të jetë një njeri i ndershëm”. Pas të qeshurës, Mizantropi fsheh një hidhërim të thellë, që i jep komedisë një ton të vërtetë tragjik. Të krijohet përshtypja se Molieri e ka shkruar veprën me gjakun e tij. Humori i Alsestit, që në të vërtetë është i fuqishëm, duket se është një humor i hidhur.

Kopraci, i frymëzuar nga Auluraria e Plutit vendoset po ashtu në planin e tragjikomedisë. Po t’i thoshe satir ai do të qeshte se nuk e mbante dot veten. Madje do të tallej me të se nuk përmbahej dot. Personazhi kryesor, Harpagoni, përpara se ta shpenzojë, kthen nëpër duar çdo qindarkë dhe kujton se të gjithë duan t’i vjedhin florinjtë. Kushdo do të tallej sërish e papritur me këtë, ndoshta të tjerat do të qenë mbushje kohe ose plasje shpirti. Ai jeton në një ankth të vazhdueshëm, me mendimin se mund të humbasë thesarin. Harpagoni pra është një njeri tjetër fatkeq. Dhe gjithnjë bënte sikur s’e kishte mendjen, aq skrupuloz hiqej.  Kopracia e shtyn të sakrifikojë edhe lumturinë e vajzës, se ajo vërtet ishte aq e bukur, duke e martuar me një plakush të pasur, ndërkohë që pranë saj lulet qenë me kaq shumë aromë! Por me gjithë masat që kishte marrë, Harpagoni përfundimisht gënjehet dhe autori e kursen po aq pak sa edhe Tartufin, duke zbuluar mrekullinë e gjërave të vogla që kushdo i harron, sepse ia vlente tek e fundit të jetoje.

Farsa e Zhorzh Dandit  ngjan me Mizantropin. Në këtë pjesë ka një lloj refreni: “Por ti e ke dashur, Zhorzh Dandin, e ke dashur!” A do t’ia vlente për mjeranët, që e shpërdorojnë pafund shpresën, e kthyer kurdoherë në zhele? Zoti Pursonjak një komedi-balet e ndërtuar për oborrin që ndodhej në Shambord, ka shumë ngjashmëri me Zhorzh Dandin. Ec të gjeje një grua aq të shkurtër ndër aktoret, po aq të hajthme, pothuaj të vetmuar, por nuk qe nevoja të kërkoje qoftë edhe një mendim më tej. Sepse kudo gjeje rishtar të panjohur. Pikën kulmore të komikes vepra e arrin nëpërmjet satirës gjatë konsultimeve të dy mjekëve, një temë e dashur për Molierin. Dhe e përshkon vërtet turbullimi e keqkuptimi, se fillimisht mendon keq e me njëfarë mllefi, që aq shpesh i kaplon edhe pa ndonjë arsye të fortë.

Sak me temën e mjekësisë sharlatane, është krijuar edhe I sëmuri për mend, një tjetër komedi-balet, që në të vërtetë u shkrua me kërkesën e Mbretit Diell. Heroi i veprës, zoti Argan, nuk pushon së gëlltituri ilaçe dhe të tregohet i kujdesshëm në vjetët e një vetmie të madhe dhe vuajtjeve të pafundme, me atë ëmbëlsinë e tij të zakonshme, duke qenë kurdoherë një i lëvizshëm, që i merr lehtë gjërat, po të bën shumë për të qeshur. Ai nuk mund të flasë për gjë tjetër, veç për sëmundjet e tij. I sëmuri madje kërkon të martojë edhe vajzën me një mjek, për ta pasur Fakultetin në shtëpi. Vërtet të bën shumë për të qeshur, një të qeshur që edhe sytë t’i mbushë me lot. Sapo ngrihet perdja, duket i sëmuri imagjinar, plot shëndet e i fortë si lis, ulur në kolltuk, midis shisheve të farmacistit. Fati e kish sjellë si me dorë në atë gjendje, ku bëhet fjalë për gjumëndjellës, për forcues zemre, për lehtësues jashtëqitjeje, për klizmë si dhe një shënim për të freskuar ndërresat e zotërisë. Krejt kjo gjendje bëhet si një përvojë e paharruar, se kishe të bëje me njerëz të shquar që kalojnë shumë vite që duken fare të natyrshëm. Të gjitha këto kushtojnë shumë shtrenjtë por ia vlen për të pasur një shëndet të mirë. Sak këtë mendon zoti Argan, që habitet se nuk ka marrë, gjatë muajit të mëparshëm, dozën e zakonshme për klizmë dhe për pastrimin e gjakut. Ndërkaq mllefi nëpër fjalë, krejt i pakontrolluar, duke u kthyer në pjesë të së qeshurës, madje duke harruar që bëhet një lloj renegati, pa qenë kurrë i tillë, po që, njëfarësoj, do apo s’do, shkrihet e bëhet një me të. I zemëruar, thërret shërbëtoren, Tuanetën duke i rënë ziles, e cila bëhet shumë serioze kur vendos t’i përgjigjet, se nuk paragjykonte asgjë, ndërsa hynte e dilte si rastësisht dhe krejt mëndjelehtësisht. Tuaneta i përgjigjet pikë për pikë sepse ajo e dinte që ishte e domosdoshme për zotninë hipokondriak. Ajo duhej të kujdesej për njëmijë “sëmundjet” e zotërisë, por në thellësi të zemrës, nuk ndjente aspak mëshirë për Arganin që siç besonte ajo, ishte mjaft mirë me shëndet, edhe pse ishte bërë për ta varrosur. Asaj s’i bënte përshtypje asgjë në atë kohë, e merrte çdo gjë lehtë dhe kurrë nuk shquhej për ndonjë gjë të veçantë.

Përfundimisht, do të jetë kjo femër që do ta shërojë nga të gjitha sëmundjet duke u veshur si mjek e duke provuar, me terma mjekësorë, se përshkrimet e “kolegëve” të tij, nuk ishin të sakta. Ajo, ndërkohë, u mësonte që nga ajo pikë krejt vetjake ta shikonte jetën! Vajza e Arganit mund t’i thotë lamtumirë mjekut sharlatan, me të cilin donte ta martonte i ati, për t’u martuar më në fund me atë që donte.

Domethënia e pjesës është satira ndaj sharlatanëve me mantelin e gjatë të mjekut, me kapuç katror, paruke dhe syze prej briri. Ata shfaqen tek shfrytëzojnë hipokondriakun e paditur, duke ia lënë në gojë kundërshtitë, pasi e mbysnin me ligjërata pompoze, me terma greke e latine të pakuptueshme. Ata i përshkruajnë me detaje sëmundjet e ndryshme që e kanë goditur, njëra më e rrallë se tjetra. Argani vazhdon të imagjinojë e akoma më keq në çdo “simptomë’ të re, ndjen të rritet brenda tij ndjenja e rëndësisë që ka.

Në një tjetër pjesë me këtë temë, Megjithatë është mjek,  një baba i shqetësuar, që pyet një sharlatan, përse vajza e tij është memece, merr këtë përgjigje gjeniale:

Sganareli: nuk ka gjë më të thjeshtë. Kjo vjen ngaqë ajo ka humbur fjalën.

Geronti: Shumë mirë. Por shkaku, në qoftë se ju pëlqen, si e ka humbur fjalën?

Sganareli: Gjithë autorët tanë më mirë do t’ju thonë se shkak është pamundësia për të lëvizur gjuhën.

 Zoti Argan është i varur nga Harpagoni, sepse ai është po aq i shqetësuar për shëndetin sa ç’është Harpagoni për florinjtë. Frika se mos vdes i shkakton të njëjtat vuajtje që i shkakton kopracit frika e grabitjes. Të dy janë egoistë të tmerrshëm, siç është edhe Arnolfi tek Shkolla e grave.

I sëmuri për mend ishte vepra e fundit e Molierit. Kur e mbaroi ai vetë ishte vënë në shenjë nga vdekja. Por e duronte vuajtjen me gjakftohtësi të admirueshme. Duke lexuar I sëmuri për mend nuk mund të mos besosh se autori është plot shëndet dhe tallet me të sëmurët dhe me mjekët!

Gjatë shfaqjes së parë Molieri e interpretoi vetë rolin kryesor. Pak më vonë pati një hemorragji të brendshme që i shkaktoi vdekjen për pak orë. Ishte pesëdhjetë e një vjeç.

Duke u përkthyer në të gjitha gjuhët e botës, duke përfshirë këtu gjuhët evropiane, shqipen, arabishten, turqishten, armenishten, persishten, madje edhe në gjuhët e tjera të mëdha të Lindjes e të botës mbarë, vepra e Molierit gëzon admirim të përbotshëm.

Arsyet janë të shumta, por më e thellë është ajo që thekson Pierr-Eme Tushar: “Pak autorë kanë mbetur të ndjeshëm nga jeta, sa ky burrë, të cilit i janë ruajtur pak dorëshkrime, aq pranë të fshehtës sa ky njeri, i cili është shprehur vetëm nëpërmjet maskës së personazheve të tij. Na duket sikur ndjeshmëria e këtij “hokatari”, që na bën për të qeshur aq shumë, është gjithmonë e pranishme, e gjallë, që zgjatet drejt vuajtjeve të reja, e që kërkon mbrojtjen tonë, tek njeriu burrëror dhe i guximshëm, kaq i shquar dhe i vetëdijshëm, sa ne zbulojmë një kënd të fëmijërisë së brishtë e ëndërrimtare, aq lakmuese për dhembshuri”.

———————————

* Ky material është nxjerrë nga libri “LETËRSIA E MADHE, NGA HOMO SAPIENS TEK HOMO DEUS”  (NJË HISTORI E LETËRSISË – QË MUND TË LEXOHET SI NJË ROMAN) në tre vëllime, me autor Xhevair Lleshi, bërë gati për shtyp…

Exit mobile version