(mbi tregimin “Eksperiment dashurie” të Aleksandër Kluges)
Në përmbledhjen me tregime gjermane të titulluar “Vdekja e Lohengrinit” vendin e fundit e mban tregimi i Aleksander Kluges, i titulluar “Eksperiment dashurie”, me përkthim të Afrim Koçit. Është një tregim i shkurtër, i ngjeshur. Autori ka zgjedhur si rrëfyes zërin e njërit prej oficerëve, a ushtarakëve nazist. Është zëri i dikujt që i ka parë së afërmi ngjarjet, pra ka qenë i pranishëm. Rrëfyesi, fillimisht jep informacionin se për çfarë do të rrëfejë. Që në hyrje tregohet se në vitin 1943, mjekët e kampeve duke përdorur rrezet rëntgen po tentonin të realizonin kryerjen e shterpëzimeve masive. Dhe fill pas kësaj hyrjeje, ai nxiton të theksojë se: “Zhvilluam pra, për këtë qëllim, një eksperiment me një të burgosur mashkull e një femër.” (“Vdekja e Lohengrinit”, Sh.B “Naim Frashëri”, Tiranë, 1991.)
Jo pa qëllim tregimi mban titullin “Eksperiment dashurie”, titulli është ironik, pasi në kushtet kur liria e ndjenjat e tjera shtypeshin mizorisht nuk kishte vend për dashuri. Është një zgjedhje e goditur e autorit.
Për të testuar efikasitetin e eksperimentit, siç dhe e përmendëm ishte e domosdoshme që një çift njerëzish të bënin dashuri, në mos dashuri, të kryenin marrëdhënie seksuale. Ndaj dhe në mes të të burgosurve u përzgjodh një çift që më parë ishin njohur, kishin patur marrëdhënie, dhe rezultonin të ishin kaviet perfekte. Përzgjedhja, natyrisht u bë duke pasur informacion paraprak për dy të burgosurit.
“Vetë të eksperimentuarit ishin zgjedhur me kujdes. Sipas dokumenteve të dy personat e eksperimentuar duhej të kishin një interes erotik të lartë për njëri – tjetrin. Nga dilte kjo? J-ja, vajzë e një këshilltari qeveritar, e datëlindjes 1915, pra 28 vjeçe, me burrë arian, me arsim të mesëm, studime për histori arti njihej për marrëdhëniet tepër të ngushta me të eksperimentuarin e gjinisë mashkullore, njëfarë P, i datëlindjes 1900, pa profesion.
Për hir të P-së, J-ja braktisi dhe të shoqin arian, shpëtimin e saj. Ajo i vajti pas të dashurit të saj në fillim në Pragë, më vonë në Paris. Në 1938 P-ja u arrestua në territorin e Rajhut. Disa ditë më vonë u duk në këto territore në kërkim të P-së edhe J-ja, që gjithashtu u arrestua. Në burg e më vonë në kamp, të dy u përpoqën disa herë të takoheshin.”
Hapi fillestar, ai i përzgjedhjes së kavieve ishte bërë.
Gjithashtu ishte bërë e mundur që personat e përgjedhur që më parë të ishin të mirëushqyer. Hapi pasardhës, (duhet thënë se ecuria e hapave në tregim nuk është kronologjike, rrëfyesi rrëfen çfarë ka parë, çfarë ai di për rastin në fjalë) ishte krijimi i një ambjenti sa më të rehatshëm e të volitshëm, dhe duhet thënë që ky ishte hap mjaft i rëndësishëm pasi lidhej drejtpërsëdrejti me reagimin e çiftit e për pasojë ardhjen e rezultatit pozitiv të eksperimentit.
“Dhoma e caktuar ishte më e madhe se shumica e qelive të kampit dhe e shtruar me qilima nga të drejtorisë.”
Kontrasti që autori përdor për ambjentin ku është vendosur çifti është drastik. Nga ambjentet e ftohta, të errëta, që qelbeshin erë djerse, urine, erë trupash të palarë, ai i vendos ata në një dhomë të pastër, të madhe, të shtruar. Natyrisht, ky do të ishte një sinjal për burrin dhe gruan e mbyllur aty. Shto këtu dhe ushqyerjen e mirë që kishin marrë prej disa kohësh.
Vrojtimi i lëvizjeve të çiftit bëhej i mundur nëpërmjet një vrime të fshehtë, e hapur posaçërisht për vëzhgim. Një shpurë e tërë mjekësh, oficerësh, të ftuarish “speciale” prisnin çiftimin e dy njerëzve. Kishte shumë gjasa që dy të burgosurit ta ndjenin se po vëzhgoheshin, e kjo ndjesi i bënte ata të mos reagonin ndaj njëri – tjetrit.

Mosreagimi i burrit dhe i gruas ishte zhgënjyes. Mbetej të bëheshin disa përçapje, të cilat rezultuan negativisht. Gjithsesi mendojmë se ia vlen t’i përmendim, për të shuar disi kuriozitetin e lexuesit por edhe për të mos e ndërprerë në këtë formë pasi mund të shtoheshin dyshimet për paaftësi të personelit mjekësor e më gjerë. Ata nuk është se nuk u munduan, i provuan të gjitha, siç e thekson edhe vetë rrëfyesi “Mund t’ju garantoj se u provua gjithçka. Kishim në mes tonë një obersharfyhrer që diç merrte vesh nga këto punë. Dhe një nga një ai provoi gjithçka që zakonisht vepronte dorë me një.”
Fillimisht të burgosurve iu kërkua të zhvisheshin. Ashtu u bë. Por sërish ata nuk u afruan të kërkonin trupat e njëri – tjetrit. I vunë muzikë, e cila i shkundi paksa, ua tërhoqi vëmendjen por aq. Asnjë reagim më tej. P- ja dhe J-ja vijonin të qëndronin të topitur. U dhanë për të pirë të bardhë veze, i lagën me ujë në mënyrë që të afroheshin për t’u ngrohur, i dhanë mish, shampanjë, verë, i fërkuan me alkool, ndryshuan ndriçimin e dhomës. Asgjë. Burri dhe gruaja vijonin të qëndronin në heshtje, pa folur, pa u prekur. Asgjë nuk i ngacmonte ata. E pra, eksperimenti në këtë rast dështoi, megjithëse do të provohej edhe herë të tjera me të tjerë të burgosur. Fati i të dyve ishte i pashmangshëm. Ata i priste pushkatimi.
Natyrshëm lind pyetja: Përse burri dhe gruaja nuk u afruan, në mos për të bërë dashuri, të paktën t’i jepnin të njohur njëri – tjetrit, të kishin një komunikim qoftë edhe të thatë. Reagimi i çiftit sjell një mori pyetjesh të cilat i shtron si lexuesi ashtu dhe rrëfyesi:
Kishin dijeni ata për shterpëzimin e bërë?
U turpëruan nga njëri – tjetri të eksperimentuarit?
Mos u mungonte të eksperimentuarve gatishmëria?
A ishin ushqyer mirë të burgosurit?
Mos kishin frikë se mos i quanin të shthurur?
Mos pandehnin se ky ishte një provim për të provuar moralin e tyre?
Mos hija e rëndë e kampit ngrihej mes tyre si një mur i lartë?
A e dinin ata vallë se në rast mbarsjeje të dy trupat do të hapeshin për t’u studiuar?
Rrëfyesi nuk nguron t’i përgjigjet secilës pyetje. Dhe sdo mend që ai do besuar pasi ka qenë atje dhe di çfarë flet. Në këtë mënyrë rrëfyesi shfajëson personelin e të pranishmit. Madje ai pasi thotë se janë ezauruar të gjitha mënyrat mbetet vetëm një e tillë, të cilën po ai e vetë e përjashton kategorikisht: “Mbeti veç të shkonim vetë për ta provuar fatin, por kjo s’mund të bëhej, sepse ishte turp racor.”
Tregimi mbyllet me një pyetje e cila tenton ta drejtojë lexuesin në një përgjigje që do të fikte shpresat për ekzistencën e dashurisë.
“Mos do të thotë kjo se në një pikë të caktuar të vuajtjes dashuria nuk mund të ekzistojë?
Në vend të kësaj tentative “dashakeqe” ne mund t’i përgjigjemi ndryshe pyetjes. Burri dhe gruaja, pikërisht se dikur kishin patur ndjenja për njëri – tjetrin, për hir të njohjes, dashurisë së dikurshme, nuk reaguan pasi mund të kenë menduar se mos i bënin dëm tjetrit. E kanë parë situatën si provokim, dhe për të mos rrezikuar as veten, as sho – shoqin zgjodhën heshtjen. Ata nuk e dinin se çfarë i priste, ndaj dhe e logjikuan heshtjen si të vetmen rrugë, që mund t’i shpëtonte.
