Kreu Letërsi Shënime mbi libra Philippe Preux: Era e detit zgjon kujtesën

Philippe Preux: Era e detit zgjon kujtesën

Poezia e Aleksandër Cipës është ajo e mprehtësisë filozofike dhe e melankolisë fine. Autori pikturon tablonë e një ekzistence që nuk përcaktohet nga ajo çka fiton, por nga ajo çka humbet.

Tema e tij qendrore është mungesa, e cila, larg të qenit një boshllëk i thjeshtë, shndërrohet në një qenie të prekshme që strukturon vetë ekzistencën. Në një nga poezitë e tij, ai flet për “mungesën brenda meje si një gur”, e cila është një barrë e rëndë që individi duhet ta mbart, një peshë metafizike. Mungesa është një hapësirë dhe një kohësi ku identiteti zbulohet përmes përpjekjes, sepse bota perceptohet si një forcë gërryese. Deti, përroi dhe ujërat janë metafora të rrjedhës së jetës që ikën pafundësisht në të gjitha drejtimet, duke bartur me vete zgjyrat e ekzistencës. Në e shohim simbolikisht jetën, sipas Aleksandrit ajo e përbëhet nga variacione, përsëriten pareshtur me gjeste dhe fjalë, me pasazhe që kap syri njerëzor  por duke lënë gjithmonë diçka të papërfunduar.

“Se një rrjedhë ujërash / Nuk rrit pemë, por shton zhavorr”. Përvoja e jetës që Cipa përfaqëson përmes rrjedhës së përroit, nuk shihet si një forcë krijuese, por si një forcë erozioni që ndryshon peizazhin. Dherat që ikin për tu rivendosur, për të ndryshuar pamjen e tokës përreth fshatit, qytetit krahinës. Përvoja këtu shihet si një humbje e energjisë jetësore dhe si një peshë që të rëndon, për tu kthyer në një lloj tjetër energjie. Mirëpo, ky vizion që në dukje pesimist, ka brenda vetes një forcë e fuqishme tejkalimi boshtit të kohës dhe shndërrimi të qenies dhe natyrës përreth qenies. Ta zëmë në humbjen e njerëzve të dashur, ndodh një lloj përtëritjeje, një transformim: i larguari shndërrohet dhe mbijeton poetikisht në elementet jetësore si drita, uji, orteku, ylberi apo një qiri që ndriçon dhe sjell një të vërtetë të brendshme. Kjo është poezia e pastër filozofike.

Jeta është një lëkundje midis të dukshmes dhe të padukshmes, midis dhimbjes së rëndë si guri dhe dritës që buron nga përpjekja për vetë-tejkalim. Kjo kërkesë e thellë është filli udhëheqës i veprës së Cipës. Jeta këtu nuk trajtohet si një kremtim lirik, por si një gjendje ekzistenciale dhe tragjike, e rrënjosur fort në kohë dhe në përvojën e humbjes. Nuk bëhet fjalë për një meditim mbi natyrën apo një kremtim të jetës brenda saj—as për një qenie gazmore apo kozmike të llojit të Walt Whitman-it—por për një shpërfaqje të brishtësisë, mungesës dhe dhimbjes përballë ligjeve universale të ndarjes, fundshmërisë dhe humbjes.

Humbja e transcendencës çon në një boshllëk shpirtëror ku përsëritja e riteve, e gjesteve mekanike dhe e fjalëve të kota tjetërson shpirtin. “Nuk ka këngë dhe pa besim te Zoti”, sepse “në frutin e hedhur dhe të kalbur  pa Zot grumbullohet myku”. Cipa e përpunon lirizmin në favor të një zgjuarsie stoike që i jep kuptim ekzistencës. Universaliteti i jetës qëndron te brishtësia e saj e përbashkët dhe te ballafaqimi—me guxim dhe kthjelltësi—me gjëmën  dhe pafuqinë përballë tragjedive, siç mund të jetë një vdekje apo një pandemi. Jeta është një proces mësimi për të pranuar peshën e saj dhe për ta shpërfytyruar përmes vullnetit, si një Sizif modern i shtypur nga kujtesa, por që përtërin vazhdimisht atë që duket si fati i tij. Nocioni i erozionit, si një formë ikje  është pra kudo i pranishëm në veprën e tij; koha gërryen qeniet dhe gjërat.

Sidoqoftë, te Cipa, jeta është një paradoks i “erozionit krijues”. Ajo i detyron individët të përballen me brishtësinë, dhimbjen, dështimin e sistemeve politike, sociale e fetare, me depresionin dhe humbjen e kuptimit. Këtë boshllëk ekzistencial, poeti duhet ta pranojë dhe të gjejë në të një formë të vërtete dhe dinjiteti stoik. Ai duhet të këmbëngulë në kërkimin e tij për kuptim dhe të tejkalojë dhimbjet e mungesës. Cipa arrin të na bëjë t’i ndiejmë në mënyrë konkrete dhe të prekshme ndjenjat e tij personale falë aftësisë për të përdorur figura stili si metafora, paradoksi, personifikimet e natyrës dhe oksimoroni, i cili zbulon tensionet dhe kontradiktat në mënyrë që t’i ndiejmë ato fizikisht.

Këto nuk janë efekte dekorative apo mjete artificiale, por materializime të asaj që ndien autori: mungesa është e rëndë, minerale, e gurëzuar; koha është një hapësirë e mbyllur, shtypëse, një zgavër e errët; fytyra e jetës duket e ndryshkur si një metal i gërryer që pëson një dekompozim të ngadaltë dhe të pashmangshëm; kujtesa është një hapësirë e lëngshme, e turbullt, që pasqyron dhe tjetërson njëkohësisht si sipërfaqja e një pellgu të trazuar nga era; paqja është “grindavece”, trishtimi ndriçues. Ati  si figurë e kudogjendur, shndërrohet në dritë, ylber, engjëll, i fragmentuar dhe i shpërndarë në elementet panteiste. Gjithashtu ai është i  pranishëm si një vend prehjeje, ai që ka “një brengë të madhe për qiejt”. Si në legjendat dhe mitet e lashtësisë, në ato vende ku fryn guximi i Akilit dhe dhelpëria e Odisesë që nga koha homerike. Po, po  ati mbetet i dukshëm “nën lëkurën e lodhur, të fytyrës së tij kalimtarëve”.

Te Cipa ekzistojnë korrespondenca mes fenomeneve të natyrës dhe emocioneve të poetit! Madje kjo duket  si imazhet e mbetura në memorien e një  të verbuari,  që jeton mes kujtimeve të vendit të humbur dhe qeshjet e njerëzve të dashur. Retë, shiu, mjegulla, dëbora, drita,  madje dhe deti që ndonjëherë është “i qetë si një foshnjë në gjumë” përpara se “valët dhe stuhitë të zgjohen nga thellësitë” shfaqen si pjesë e përjetimeve sublime. Të gjitha këto elemente, ashtu si e shkuara dhe e tashmja, zbulojnë dhe lartësojnë dashurinë, praninë e saj, dëshirën për ti bërë të padukshme të dukshme. Drita shpërthen nga çdo anë, madje edhe nga një qiri i thjeshtë. Kjo dritë është shpresë, madje edhe trishtimi dhe nostalgjia ndriçon aq bukur. Dimri, krifa e ngrirë, i ftohti fshehin të padukshmen… Pemët flenë nën akull… drita e diellit ngroh dhe djeg njëkohësisht. Ndonjëherë ekzistenca duket e pamundur në teprimet e saj! E vërteta shpesh fshihet në kujtimet e hidhura përballë “dominimit të injorancës dhe ligësisë që shpalos e keqja”. Në një vend Poeti Çipa  na thotë se “nostalgjia është si një brengë ferri” në rrugën e vetmisë dhe në dhimbjen e mërgimit.

Aleksandër Cipa nuk shikon në mënyrë filozofike  vetëm nga e kaluara dhe nostalgjinë – që vjen nga ajo; Ai lëvron poezinë e kohës dhe tokës amtare. Ai nuk ushqen asnjë iluzion për epokën tonë, për pasivitetin dhe mungesën tonë të empatisë: “në detin Mesdhe, na nevojitet një arkivol për ndjeshmërinë tonë. . “Popujt e ngjashëm, por tashmë të pabarabartë shkërmoqen nën bomba në  kohën e dronëve . Mjerisht, vetëm hëna na mbetet paqësore”.

Në një stil të zhveshur, herë-herë të ashpër, Aleksandër Cipa shkon te thelbësorja me pak fjalë; ai na rrëfen atë që ndien, ankthin e tij ekzistencial dhe përpjekjet për ta zbutur e eleminuar atë. Drita zë vendin e errësirës, rrjedha e jetës dëbon amullinë, degradimin dhe konsumimin që gërryen shpirtin. Cipa është gjithashtu një njeri i miqësisë dhe i besnikërisë: homazhet e tij për regjisorin Dhimitër Anagnosti dhe këngëtarin Hyso Xhaferaj dëshmojnë për këtë. Ai na thotë: “Nuk jam gjahtar i dobësisë”, dhe e di se “njeriu është triumfues”. Ai na këshillon të mos vajtojmë kohën e humbur, sepse fati na tërheq pas vetes. “Është tepër herët që ti të bëhesh kujtim”. Ndonjëherë mjafton të presësh, sepse uji e lan tokën dhe dashuria është e padukshme, për sa kohë që “pema nuk i ka shteruar rrathët e saj” brenda trungut të jetës..

Exit mobile version