Kreu Letërsi Shënime mbi libra Xheni Shehaj: Mbi romanin “Policia e kujtesës” të Yoko Ogawa-s

Xheni Shehaj: Mbi romanin “Policia e kujtesës” të Yoko Ogawa-s

Diku, atje tej ekziston një ishull, banorët e të cilit nuk kanë emër njësoj si vetë ishulli. Me shumë gjasë, dikur gjithsecili prej tyre ka patur një emër por që kur filluan zhdukjet në ishull, sendet, emërtimet nisën të humbasin si të mos kishin ekzistuar kurrë. Romani “Policia e kujtesës” i shkrimtares japoneze Yoko Ogawa është një distopi që në fokus ka zhdukjen e gjësendeve dhe fshirjen e tyre nga kujtesa. Ishulli sundohet nga Policia e kujtesës, e cila ka në dorë gjithçka. Herë pas here, banorët zgjohen dhe shohin se diçka është zhdukur nga jeta e tyre. Sapo ndodh zhdukja, banorët janë të detyruar që sendin e zhdukur, të cilin e kanë ende në shtëpi ta hedhin, ta djegin a shkatërrojnë në pikat e grumbullimit.

Por në ishull ekzistojnë edhe disa njerëz, të cilat kanë kujtesë tejet të fortë dhe nuk munden të fshijnë nga mendja sendin e zhdukur, siç ka dhe nga ata që mundohen të fshehin sende e objekte të cilat zhduken nga qarkullimi. Ky është subjekti i romanit në vija të përgjithshme. Por le të futemi më në brendësi për të zbërthyer e analizuar këtë distopi sa tërheqëse aq dhe të frikshme.

Në një nga intervistat e dhëna shkrimtarja është shprehur se ka patur shumë ndikim nga “Ditari i Anne Frank”:

“Kur Yoko Ogawa zbuloi “Ditarin e Anne Frank-ut” ishte një adoleshente e vetmuar në Japoni, dhe u pushtua aq shumë prej tij sa filloi të mbante një ditar të vetin, duke i shkruar Anne-s sikur ta kishte mike të afërt. Dekada më vonë, Ogawa shndërroi përfytyrimin e saj të botës së Anne-s te “Policia e Kujtesës”.¹

Është tejet interesant “eksperimenti” që autorja ka kryer gjatë krijimit të romanit.

“Për të sjellë në mendje llojin e robërisë fizike që përjetoi Anne, Ogawa zvarritej, me fletore në dorë, në një sirtar ose nën një tavolinë të mbështjellë me jorgan”.

Yoko Ogawa ka krijuar një roman distopik mbresëlënës ku nuk mungojnë ngjashmëritë me “Ditarin e Anne Frank”. Situata, episode e elemente të përafërta me ditarin e Annes i gjejmë përgjatë gjithë romanit:

– strehimi

Familja e Annes u strehua nga disa miq për t’i shpëtuar përndjekjes së nazistëve. Edhe personazhi kryesor te “Policia e kujtesës”, e cila në mungesë të emrit quhet romancierja, strehon redaktorin e saj, R-në, brenda shtëpisë për ta shpëtuar nga Policia e kujtesës.

regjimi në strehim

Njëlloj si te “Ditari i Anne Frank” edhe te “Policia e kujtesës” personat e ngujuar kanë një tjetër regjim, i cili kushtëzohet nga rrethanat. Ana dhe anëtarët e tjerë që jetonin në një çati ndiqnin me përpikmëri një sërë rregullash si: orari i zgjimit dhe fjetjes, e folura me pëshpërima, orari i ngrënies, detyrat ditore të secilit, shmangia e zhurmave, dita e larjes, etj.

Edhe redaktori i Ogawa-s ndiqte me preçizion një regjim të caktuar.

“Dhjetë ditë kishin kaluar qëkurse R-ja kish nisur strehimin, por dukej qartë që do të na nevojitej kohë të mësoheshim me këtë regjim të çuditshëm jetese”.

– angazhimi me punë

Nevoja për t’u marrë me diçka brenda mureve ku ata jetojnë të izoluar është thelbësore. Sigurisht që nuk mund të flitet për nevoja të barabarta pasi Anne, Margo dhe Peter ishin adoleshentë dhe u duhej të “riktheheshin” tek mësimet e lëna përgjysëm, ndërsa redaktori R kishte nevoja të ndryshme nga ajo e të nxënit.

“Kemi filluar të mësojmë përsëri: çdo ditë mirrem me pesë folje të parregullta dhe, në përgjithësi, punoj shumë për frengjishten. Kam zgjidhur një detyrë matematike veçanërisht të vështirë e kam mësuar tri faqe frengjisht”.²

Edhe redaktori i kërkon romancieres që ti gjejë ndonjë punë a diçka që të angazhohet pasi “Do të më pëlqente të kontribuoja si të mundem, dhe, mbi të gjitha, do të më ndihmojë të kaloj kohën. Çdolloj pune, edhe sikur çikërrimë, është mirë”, shprehet ai.

– higjiena

Duke jetuar në kushte izolimi higjiena është tepër e vështirë për t’u mbajtur.

“Pasi nuk kemi banjë, lahemi në një govat”. Kështu shkruan Anne Frank në ditarin e saj. Edhe redaktori R nuk vuante më pak kur i duhej të lahej:

“Si fillim, ai shtronte qesen plastikeqë dyshemeja të mos lagej. Pastaj zhvishej dhe ulej këmbë kryq. Me lëvizje të shpejta, para se uji të ftohej, ai lagte peshqirin, e shtrydhte dhe lante me kujdes qafën, shpinën, shpatullat e veta, krahët”.³

Kuptohet se larja në kushte të tilla kishte lidhje me kujdesin që duhej të tregonin të izoluarit. Prania e zhurmave mund t’i zbulonte në çdo moment.

– zhurmat

Të izoluarit e kishin të ndaluar të bënin çfarëdolloj zhurme. Zhurma nënkuptonte zbulim dhe zbulimi sillte policinë në derë. Ndaj ishte shumë e rëndësishme që personat e fshehur të qëndronin në heshtje, pa bërë asnjë zhurmë. Anne rrëfen se kur i kapte kolla pinin hape në mënyrë që mos të kolliteshin, ose mbulonin kokën me jorgan që kollitja të dilte sa më e mbytur. Edhe redaktori mundohej të mos bënte asnjë zhurmë, të mos shkarkonte ujin, të mos lëvizte nëpër dhomë.

festat në strehim

Ditët e shënuara (festat fetare, krishtlindjet, datëlindjet) të strehuarit i festonin si të mundnin. Ogawa përdor të njëjtën situatë si tek “Ditari i Anne Frank”, atë të festimit të datëlindjes. Romancierja ia del të organizojë një festë të vogël për datëlindjen e plakut, bashkëpunëtorit të saj, i cili e ka ndihmuar të strehojë redaktorin.

“Datëlindjen e plakut ne vendosëm ta festonim në dhomën e fshehtë”.

Autorja përmes një episodi të huazuar nga “Ditari i Anne Frank” krijon një situatë terrori.

“Për fat të keq, radioja ishte vënë në stacionin e Londrës dhe karriget ishin lënë rreth e rreth radios në një pozicion të tillë që secili mund të shihte se n’atë dhomë pak përpara kishin qenë njerëz”.

Kështu e përshkruan Anne një nga episodet e frikshme që kaloi në strehim e që mund të ishin zbuluar.

Të njëjtën situatë e përdor shkrimtarja japoneze por duke vënë në vend të karrigeve, pjatat. Pas festimit të datëlindjes së plakut në shtëpinë e romancieres ia beh Policia e Kujtesës dhe redaktori e mirëbërësit e tij ndodhen një hap larg zbulimit.

“Lavamani është plot me enë. Ai kish parë malin me tenxhere të palara, tiganë, tasa dhe lugë e pirunë që kisha përdorur për gatimet e festës – qartas, rrëmujë më e madhe nga ajo që do të bënte një grua, e cila jetonte vetëm”.

Ngjashmëritë mes “Ditari i Anne Frank” dhe “Policia e kujtesës” nuk mbarojnë me kaq. Yoko Ogawa e zgjeron spektrin e situatave të ngjashme me Ditarin e Anne-s dhe fut në roman episode të tilla si:

– humbja e oreksit tek njerëzit që rrinë në izolim

Ndodhte jo rrallë herë që njerëzit e izoluar të kishin mungesë oreksi për shkak të ankthit, mungesës së ushtrimeve, ajrit të pastër, etj. Anne e humbi oreksin pas sulmit ajror dhe ushtimave të sirenave. Redaktori nisi të mos kishte më oreks për shkak të mungesës së lëvizjes. Në dhomën e vogël për trupin e tij të gjatë ishte e vështirë të lëvizje lirshëm.

– prania e një kafshe shtëpiake

Macja Mushi tek Anne Frank; qeni Don tek Policia e kujtesës.

– prerja e flokëve

Anne qeth të atin ndërsa redaktori qethet nga plaku.

– nevoja për kontakt fizik

Anne, adoleshente, e izoluar dhe e privuar nga një jetesë normale, e ka tejet të nevojshme kontaktin fizik me Peterin. Edhe redaktori R, në kushtet e një izolimi total krijon një raport intim me romancieren edhe pse ai është i martuar dhe sapo është bërë baba.

Siç dhe vihet re ndikimi i Yoko Ogawa-s nga “Ditari i Anne Frank” është i dukshëm dhe i përhapur gjerësisht në roman. Por kjo nuk e ka penguar shkrimtaren që të ndërtojë një stil të sajin. Një gjetje e goditur është Policia e kujtesës, e cila personifikon diktaturën. Po aq i veçantë është dhe subjekti i trajtuar, zhdukja e sendeve që çon në humbjen e kujtimeve e kjo e fundit sjell harresën.

Policia e kujtesës është rendi diktatorial i ishullit. Përmes kontrolleve, frikës, burgosjeve ajo arrin të mbajë nën zotërim ishullin. Policët zbarkojnë me kamiona ditën e natën. Të armatosur, të heshtur, të përpiktë në punën e tyre ata bastisin shtëpi, zyra, rrugë. Marrin njerëz tek të cilët dyshojnë se kanë kujtesë të fortë, njerëz që kanë fshehur sende të zhdukura më parë vetëm për të mos i harruar. Ndodhte që Policia e kujtesës binte në gjurmë të të pabindurit/ve kur dikush spiunonte ose kur strehuesi padiste padashje veten dhe njeriun që strehonte.

“Metodat e përdorura nga Policia e kujtesës po bëheshin gjithnjë e më brutale. Nuk kishte më paralajmërime të mëhershme. Gjithçka ndodhte befas. Ata bastisnin shtëpi në kërkim të çdo hapësire ku ndokush mund të fshihej – depo, nën shtretër, prapa dollapëve. Ata tërhiqnin zvarrë jashtë çdokënd që gjenin, bashkë me këdo që i kishte fshehur, dhe i ngarkonin krejt në kamionët e mbuluar”.

Por një nga metodat më të sofistikuara ishte analizimi i geneve.

“Ata mund ta marrin filxhanin dhe të izolojnë materialin tënd gjenetik prej pështymës sate. Pa e ditur fare ne, ata do të kenë testuar çdokënd në ishull dhe të gjithë informacionin do ta kenë të regjistruar në bazën e tyre të të dhënave”.

Për të mundësuar identifikimin e njerëzve me kujtesë të fortë, Policia e kujtesës kish nisur të bënte kërkime dhe të punësonte njerëz të fushës mjekësore për të arritur rezultate. Këtë e rrëfen mjeku Inui, të cilit i ka ardhur fletëthirrja nga Policia e kujtesës për të filluar punë në Qendrën e kërkimeve të tyre.

Si çdo diktaturë, edhe Policia e kujtesës përshkruhet në roman me elementet e saj tipike që e identifikojnë. Uniformat e policëve, figurat gjeometrike dhe simbolet e tjera që mbajnë mbi supe, armatimi, kamionët, makinat e përdorura, letrat e zarfet që dërgojnë tek njerëzit kanë një cilësi, ngjyrë e madhësi të caktuar.

Ndërtesa ku ndodhet Qendra e Policisë së kujtesës noton në luks (kolltukë elegantë lëkure, sixhade të qëndisura në mure, shandane kristali, perde të rënda) e po ashtu dhe anëtarët që bëjnë pjesë në radhët e kësaj policie.

“Gjuetia e kujtimeve u bë aktivitet i përditshëm në mes të stuhisë. Policia e kujtesës patrullonte qytetin, veshur me pallto dhe çizme. Palltot ishin të bëra me material që dukej i butë dhe i ngrohtë dhe jakët e mëngët qenë veshur me gëzof, i cili ishte lyer në ngjyrë të gjelbër të errët”.

Ogawa përshkruan një diktaturë tipike, po ky përshkrim edhe pse nuk ka shenja dhune, vrasje makabre, ndjehet më i frikshëm se diktaturat e tjera. Ndoshta arsyeja është se ngjarjet zhvillohen në një ishull, pa emër, të izoluar, thuajse të shkëputur nga bota. Ndoshta edhe për faktin se Policia e kujtesës operon ndryshe. Ajo zhduk sendet, bimët, shpendët për ta mbyllur me njeriun. Zhdukja e banorëve të ishullit në mënyrë të avashtë është një zgjatim dhimbjeje e frike që të çon medoemos të mendosh fundin e pashmangshëm.

Policia e kujtesës fillon duke zhdukur sende të përditshmërisë, disa prej të cilave në dukje janë të parëndësishme. Kur sendet zhdukeshin, njerëzit në të shumtën e rasteve e kishin të pamundur ti sillnin në kujtesë.

“Me t’u zhdukur, është e pamundur të sjellësh në mendje çfarë kemi humbur në ishull”.

Zhdukjet ndodhnin kryesisht në mëngjes si për ta bërë më të lehtë “pranimin” e sendit të zhdukur. Ishte rregull që pasi Policia e kujtesës zhdukte sendin e radhës, njerëzit që posedonin sende të njëjta nëpër shtëpi mblidheshin dhe i digjnin, prishnin, shkatërronin në mënyrë që mos të mbetej asnjë kujtim për to. Një zhdukje e re ndihej në ajër nga banorët. Ata ishin mësuar me shenjën e një zhdukjeje.

“Porsa hapa sytë, mund të ndieja diçka të çuditshme, gati të vrazhdë, në përbërjen e ajrit. Shenja e një zhdukjeje”.

Pas disa zhdukjeve të njëpasnjëshme, befas ia behu një dëborë e madhe që dukej se nuk kish ndërmend të largohej shpejt. Dëbora në roman i shërben harresës, ajo me bardhësinë, dendësinë e saj duket se kërkon të ngrijë e mbulojë gjësendet e zhdukura.

Zhdukja e fotografive nënkupton ngrirjen e emocioneve, mbjelljen e harresës. Duke mos patur më fotografi të njerëzve të dashur, ishullorët do të harronin sakaq fytyrat, çastin dhe vendet ku kishin kaluar kohë.

Edhe zhdukja e kalendarëve ishte gjithaq e rëndë dhe synonte shkëputjen e njerëzve nga koha. Duke zhbërë kalendarët nuk do të kishte më ditë të shënuara, festa e datëlindje. Policia e kujtesës po i mëshonte fort anës emocionale të banorëve. Duke zhdukur shpirtëroren ishte më e lehtë të hiqej qafe fizikja.

Dhe sigurisht që fundi i rrugëtimit të banorëve të ishullit do të ishte zhdukja e tyre. Fillimisht këmba e majtë, më pas dora e kështu me radhë. Të zhdukura në eter, qeniet ekzistonin tashmë vetëm përmes zërit të tyre. I fundit që u shua ishte zëri.

“Duart që kishin shkruar historinë, sytë e mi të mbushur me lot, faqet që i kishin mbartur- të gjitha u zhdukën me radhë dhe në fund mbeti veç një zë. Banorët e ishullit kishin humbur gjithçka kishte një formë dhe zërat tanë të vetmuar silleshin andej-këndej pa ndonjë qëllim. Piklat e fundit të zërit tim ishin të brishta dhe të ngjirura. Mbyllur në dhomën e fshehtë, unë nisa të zhdukesha”.

Shkrimtarja i ka paraqitur shumicën e personazheve të dorëzuar. Pas çdo humbjeje njerëzit mblidheshin dhe flisnin me njëri-tjetrin. Më së shumti dëgjoheshin fjali dorëzimi

“Do të mësohemi. Në fillim mund të jetë pak e vështirë, por njëlloj ka qenë edhe për krejt zhdukjet e tjera”.

Edhe kur njerëzve filluan t’u zhdukeshin gjymtyrët reagimi i tyre ishte i njëjtë. Pak habi në fillim pasi nuk e kishin imagjinuar se zhdukjet do të preknin trupat e tyre, por pastaj “dalëngadalë ne u mësuam të jetonim pa këmbë”. Kështu vijoi edhe me pjesët e tjera të trupit, njerëzia u mësua.

Megjithëse shumica e personazheve është përshkruar si një turmë që mësohet me gjithçka, në roman spikasin disa personazhe, të cilët në mënyrën e tyre mundohen të rezistojnë. Redaktori R, mamaja e romaniceres, romancierja, plaku, familja Inui janë personazhe që nuk hezitojnë të reagojnë kundër Policisë së kujtesës, secili sipas mënyrës së tij.

Redaktori R pranon të fshihet që të mos bjerë në duart e Policisë pasi ka kujtesë të fortë; mamaja e romancieres kishte fshehur në skulpturat e saj sende të zhdukura; romancierja shkruante romanin e saj dhe fshihte objekte të zhdukura; plaku ndihmoi në strehimin e redaktorit dhe fshehjen e sendeve; familja Inui u arratis pasi u erdhi fletëthirrja për të punuar në Qendrën e kërkimeve vetëm që mos t’i shërbente Policisë së kujtesës.

Romancieres, si rrëfimtare të historisë, shkrimtarja i ka dhënë edhe dhuntinë e parashikimit. Në romanin që ajo po shkruan, parathotë përmes simbolikave rrjedhën e ngjarjeve. Humbja e zërit (memecëria) të daktilografistes, në romanin e romancieres nënkupton mungesën e komunikimit, pafuqinë për të ngritur zërin kundër diktaturës, padrejtësive. Romancierja parashikon zhbërjen e njeriut, e këtë e bën nëpërmjet personazhit të saj të krijuar. Pra, kemi një rrëfim brenda rrëfimit, ku dy histori ndërthuren me fije të holla dhe çojnë në të njëjtin përfundim: zhdukjen e individit.

“Në ditët e fundit kam nisur të ndiej trupin të largohet gjithnjë e më shumë nga shpirti im. Dhe kjo ka ardhur ngase kam humbur zërin. Kur zëri që lidh trupin me shpirtin zhduket, nuk ka mënyrë për të fjalëzuar ndjenjat apo vullnetin e dikujt. Unë jam zhbërë sakaq në pjesë”.

Dhe fundi i banorëve të ishullit nuk vonoi për të ardhur. Megjithë shpresën e dëshirën e tyre ata u zhdukën si të mos kishin ekzistuar kurrë.

“Pavarësisht se sa pritëm, pranvera nuk erdhi kurrë dhe ne mbetëm të varrosur nën borë tok me hirin e kalendarëve”.

Fundi i trishtë i pjesës më të madhe të personazheve nuk e pengon shkrimtaren ti japë një mundësi personazheve që përgjatë gjithë historisë kishin qëndruar të fshehur. Redaktori dhe sivëllezërit e tij pasi gjithçka përfundoi (pra, pasi shumica e banorëve u zhdukën) dhe Policia e kujtesës nuk paraqiste më rrezikshmëri, dolën nga vendstrehimet për të vijuar jetën.

“E di se do të arrish të shkrish botën e ngrirë pak nga pak, dhe jam e sigurt se edhe të tjerë, që kanë qenë fshehur, do të dalin e do të bashkohen me ty.

Për një kohë të gjatë ai ndenji të vështronte boshësinë në pëllëmbët e veta. Pastaj ngjiti shkallën, nga një shkallinë për çdo herë, ngriti kapanxhën dhe doli jashtë në botë”.

__________________

¹ Gazeta ExLibris, 28 qershor 2023.

² “Ditari i Ana Frankut”, Ndërmarrja Shtetërore e Botimeve “Naim Frashëri”, Tiranë, 1961.

³ “Policia e kujtesës”, Yoko Ogawa, Shtëpia botuese “Onufri”, Tiranë, 2023. (Përkthyer nga Eni Myrtollari)

Exit mobile version