Kreu In memoriam Xhahid Bushati: Qemal Draçini, profesori 25 vjeçar

Xhahid Bushati: Qemal Draçini, profesori 25 vjeçar

1.

Pas pesë vite pune, mësuesi dhe studiuesi Nexhmi Bushati boton librin “Qemal Draçini” (njeriu, intelektuali, martiri) – përmbledhje shkrimesh-, Shkodër, 2016. Një libër, siç thotë autori ka: “… si figurë kryesore, Qemal Draçinin, figurë së cilës, herëpashere, i jam kushtuar me artikujt të ndryshëm, botuar në rubrikat letrare apo kulturore të shtypit të përditshëm ose periodikëve shkencorë”.[1]

Qemal Draçini jetoi pak. Pati një jetë intensive me dimensione studimesh për kulturën, artin e letërsinë. Në vitet e mëvonëshme u shqua si kritik, poet, prozator, përkthyes, hartues tekstesh shkollore, kontribues në fushën e teatrit, etj., etj. ; duke mbetur një Martir i mendimit dhe i fjalës së lirë.

2.

Për herë të parë me Profesor Qemal Draçinin jam “takuar” në faqet e revistës “Fryma”. Nga kjo “njohje” u befasova dhe më zgjoi interes kultura dhe dituria e tij që i ngjanin një drite të bukur shkodrane e magjepsëse plot ëndrra shpirti.

Fillimisht mendova për figurën e tij. Nëpër kohëra e vite e njohur dhe e panjohur, e harruar dhe e kujtuar shumë më vonë. Figura e tij duhet të ndriçohet më shumë përmes studimeve më të thelluara letrare.

Qemali lindi më, 06.03.1922 në lagjen “Rus i Vogël”. Shkëlqeu si gjimnazist në Gjimnazin e Shkodrës. Në moshën 16-vjeçare u dënua me 6 muaj burgim politik, 1938 – 1939. Dy vjet më vonë u burgos në Mbreshtan nga regjimi fashist.

Më 25.06.1940, shkruan në ditarin e tij: “At Gjergj Fishta më ka kërkue sekretar të tij privat… nuk kam kurrse-si me përfitue prej kësaj rase veç më duhet me renuncue; asgjamangut, ende s’e kam thanë fjalën e fundit.” E vijon në kryerradhë: “Fishta më ka falë një “Lahuta e Malcis” me kushtim e autograf.”

Ndoqi studimet në Firence për juridik, 1941 – 1943. Më 1945 punoi si mësues i letërsisë, ekonomisë politike dhe drejtësisë në Tiranë, në Institutin “Donika Kastrioti” e më pas në Gjimnazin e Shkodrës. Më vonë punoi në Ministrinë e Arsimit e Kulturës për hartimin e teksteve shkollore me Aleksandër Xhuvanin, Dhimitër Shuteriqin e Sterjo Spassen. U arrestua më 1946. Vdiq në burg nga torturat e tmerrshme, më 10.10.1947.

Nisi krijimtarinë letrare në poezi e prozë. Shquhet në fushën e mendimit letrar në fillim të viteve ’40. Së bashku me Muzafer Pipën themeloi në Tiranë të përmuajshmen kulturoro – letrare “Fryma”, më 1944, ku është redaktor. Studimet analitike e kritike mbi figurat të Naim Frashërit, Gjergj Fishtës, Migjenit, Gaspër Palit, Kolë Mirditës e S. Spasses, si dhe të disa autorëve të huaj, dallohen për origjinalitet, erudicion, mrehtësi të gjykimit dhe analizë, ku kultura dimensionale sfidon moshën reale. Një pjesë e veprës së tij  u dogj e u asgjësua nga diktatura, ndërsa familja e tij mundi të shpëtonte fare pak pjesë të kësaj vepre. Studiuesi Nexhmi Bushati nënvizon faktin se krijimtaria e mbetur në dorëshkrim, së bashku me krejt arkivin e Qemal Draçinit u ruajt për 50 vite në fshehtësi të madhe  në sajë të përkushtimit të të vëllait, Enver Draçinit. Pjesë e arkivit të ruajtur nga famijarët e Qemalit janë edhe “Ditarët”, shtatë fletore. Në këtë sagë shpalosen vlerat e Qemalit si intelektual e si shkrimtar. Libri “Era” i botuar me 1995 përmban një pjesë të krijimtarisë letrare të Qemal Draçinit. Kjo është njohja e parë me lexuesin.

Qemal Draçini, ende, edhe sot është pa varr. U shpall “Martir i Demokracisë” në vitin 1992. Ndërsa, më 2008, Këshilli Bashkiak i Shkodrës e vlerëson me titullin “Qytetar Nderi”.

3.

Në rrugëtimin e problemeve të zhvillimit të letërsisë shqipe të para si në rrafshin teorik apo krahasues, analizat e mirëfilltë të veprave artistike, më tej, gjykimet mbi artin e vështirë të përkthimit apo në kolanat e recensioneve të librave, etj.,; emri i Profesor Draçinit është gdhendur në revistën “Fryma” e më gjerë. Atëhere Qemali ishte një djalosh që nuk ishte më shumë se 24 vjeç.

Në mes shumë shkrimeve (studimeve) të Profesor Draçinit shkëlqejnë edhe “Vepra poetike e Migjenit” (botuar në dy numrat 3, 4 të revistës “Fryma”, 1944), “Romani i një mësueseje” (botuar në numrin 6, të revistës “Fryma”). Teksa i lexon, nuk është e vështirë të kuptosh dimensionin e kulturës së autorit e kulturën e gjerë e të larmishme të të shkruarit, njohjen dhe vlerësimin estetik të problemit, forcën argumentuese, shpirtin e hollë e delikat prej artisti, etj.

Në studimin për Veprën e Migjenit, lë shenja e kode, që edhe sot duhen të merren si pika referimi. Më pas, kalojnë vitet, dhe shumë autorë bëjnë shkrime për Migjenin e Madh. Kam patur rastin disa syresh t’i lexoj. Nuk e di pse, përmes atyre rreshtave më shfaqej herë pas here figura e Draçinit që zbërthente aq lakmueshëm, për sa i përket thellësisë së problemit dhe nivelit artistik, veprën e bashkëqytetarit të tij.

Përkatësi të hijshme përmban dhe rrezaton kolana e paraqitjes së librave (recensionalë). Vetëm një njeri me një gamë të gjerë kulture si Profesor Draçini, ndriçonte prej së vërteti vlerat e këtyre librave, ndonëse disa prej tyre u përkisnin edhe fushave të tjera joletrare. Pra, paraqitjen e tij edhe si bibliograf, askush, edhe sot, nuk e zë me gojë.

Për të përcaktuar edhe një rrafsh tjetër të Profesor Draçinit, po përmend edhe shkrimet, si: “Për një sistem të përkthimeve” e “Pëlhurtarët” (G. Hauptman), -botuar respektivisht në numrat 2 dhe 5 të revistës “Fryma”, 1944-. Për shkrimin e parë shenjojmë disa karakteristika dalluese, si: – njohja e mirë e me kompetencë e problemit në fjalë, – argumenti shkencor, – detajimet në funksion të idesë që përçon udhësia e problemit, etj. Kurse në shkrimin e dytë, shënjojmë si karakteristikë: – zbërthimin e dramës (një njohje e thellë e zhvillimit të ngjarjeve që zhvillohen në atë vepër).

Kontributi i vyer tek revista “Fryma” e bëjnë profesor Draçinin të pranishëm (figurë e personalitet) që duhet të studiohet në disa plane. Është interesante sesi ai i konceptoi figurat e Naim Frashërit, Gjergj Fishtës, Migjenit, Gaspër Palit, Kolë Mirditës dhe Sterjo Spasses, etj., në dritën e marrëdhënieve krijues dhe kohë që e jetuan. I pasqyroi përmes lëndës së tekstit filozofinë e tyre duke ruajtur individualitetin artistik të shkrimtarisë, etj.

Qemal Draçini ishte djaloshi flokëgështenjë në bjond, që në bisedë ishte i qeshur, që fliste ngadalë e me zë të ulët. Mbetet një figurë që koha e nderon!…

Shkodër, 10.09.2022


[1]  Bushati, Nexhmi: Qemal Draçini (njeriu, intelektuali, martiri) –përmbledhje shkrimesh-, Rozafa; Shkodër, 2016; shkrimi: Pak fjalë, f. 10.

Exit mobile version