Kreu Letërsi Bibliotekë Visar Zhiti: Adonis, poeti sirian në Paris dhe studenti shqiptar me emrin...

Visar Zhiti: Adonis, poeti sirian në Paris dhe studenti shqiptar me emrin Atjon…

NË KONFERENCËN PËR SHTYP

 Poeti me njohje botërore, Adonis, këto ditë në Paris në një konferencë për shtyp, teksa merrte një çmim tjetër letrar, do bënte thirrjen: “Duhet të ndryshojë shoqëria”.

vendin nga ai kishte ikur, në Siri, regjimi diktatorial “Bashar-Assad” u përmbys dhe grupimet e armatosura të opozitës hynë në Damask në agimin e një të diele të vonë.

Adonis tha se gjithmonë kishte qenë kundërshtar i atij regjimi… “Bisha që ishte në krye, u arratis në Moskë dhe vitet e sundimit të tij përfunduan…”.

Disa po e quanin fjalën e Adonisit si “reluksion për të mbështetur revolucionin”, ndërkaq në konferencën për shtyp ai pyeti dhe vetë: “Ata që e zëvendësuan atë (Bashar -Assad), çfarë do të bëjnë? – dhe vazhdoi: – Çështja nuk është ndryshojmë vetëm sistemin, por të ndryshojmë shoqërinë… ndryshe zëvendësimi i një sistemi tjetër është thjesht sipërfaqësor” – theksoi dhe shtoi se është e nevojshme “çlirimi i grave. Shoqëria është themeluar mbi të drejtat dhe liritë, mbi hapjen dhe mbi pavarësinë e brendshme. “, etj, etj.

Poeti 94 vjeçar, Adonis, tregoi se nga shkaku i diktaturës së gjatë ishte larguar nga vendi i tij që në vitin 1956, pra, për më shumë se gjysmë shekulli, “…kështu që nuk e di Sirinë, nëse do të dua të flas në thellësi…” – tha.

Ndërkaq atje po bëhen përpjekje të mëdha që të shmanget kaosi, të qetësohet gjendja, sa komplekse po aq e paqendrueshme dhe që të krijohet siguaria sa më parë është dhe një prani  e forcave të huaja, përfshirë ato amerikane. 

Po Adonis është poeti, atdheun e ka gjithmonë me vete dhe dramat e popullit të tij janë dhe dramat e poezisë së tij. Ai, do të thosha, është vetë thellësia dhe e ardhmja… 

ATJONI, QË SOLLI ADONISIN

– kujtesë në 10 vjetor –

…jo vetëm që ishte takuar me Adonisin, por dhe ishin miqësuar, madje më solli një nga librat e tij me poezi, të përkthyer në gjuhën italiane, “I’illussione dei miei passi”, me një autograf nga autori në gjuhën arabe.

Im bir, Atjoni më mrekulloi. Po më tregonte se Adonis kishte ardhur në Milano në shtëpinë e mikut të vet, poetit Italian Sebastoano Grasso, president i PEN Clubit Italian, mik dhe yni… Atjoni shkonte dhe e vizitonte shpesh, sepse ishte student po në Milano, për filozofi në Universitetin Katolik “Sacro Cuore”, – në atë degë që ishte lauruar dikur, larg, në Damask dhe Adonisi, – kështu më tha.

Shfletoja librin, në italisht e kishte përkthyer profesoresha Hadam Oudghiri, “princesha arabe, pasardhëse e Muhamedit”, e njihja, jetonte në Milano dhe Atjoni ishte miqësuar me vjazën e saj më shumë.

– Ata do të donin që ta përktheje ti në shqip, – m’u drejtua Atjoni serioz dhe buzagaz, – Sebastiano po se po, por dhe vetë Adonisi. Dhe po më tregonte bisedëm me atë. Interesimi i Adonisit për Shqipërinë ishte i ndjeshëm, e kishte pyetur për lirinë në Shqipëri, gjendjen e gruas, gjuhën, fetë, Zoti im është e panjohura, kishte thënë ai, teksa shkonte nëpër gishtrinj tespiet. Si të gjyshit tim, i kishte thënë studenti. Janë tespie erotike, kishte buzëqeshur Adonisi. Habitej si një fëmijë, – e përfundon rrëfimin e tij Atjoni. –

Fillojmë nga puna, – thashë unë. Do më duhej Atjoni, se pas pas ca ditësh do të ikte nga Tirana. Italishten e dinte si shqipen, ai mbante librin në dorë dhe m’i përkthente poezitë, unë shkruaja. Nën mbikqyrjen e tij të rreptë përfundova të gjitha poezitë.

U qetësova kur s’kishin as ndyshime me origjinalin arabisht, që botimi italisht e kishte në anë, në çdo faqe. I krahësuan Dr. Ramiz Zekaj dhe Alban Kodra, që kishin kryer  universitetin andej.

                Shtëpia botuese “Uegen” nxori librin, po me atë titull “Ilizioni i hapave të mi”, me kopertinë një kolazh të vetë Adonisit, po emër përkthyesi u vu vetëm njëri, imi, se Atjoni, nismëtari, ishte ende student dhe para autoritetit të Adonisit ashtu do të duhej, menduam gabim…

                Atjoni do merrte një sasi kopjesh të librit për në Milano, ndërsa miku i përbashkët, Sebastiano Grasso, që kishte bërë dhe parathënien, do t’ia postonte për në Paris.

E përcollëm Atjonin në aeroportin “Nënë Tereza” në Tiranë… Ah, ai së shpejti do merrte qiellin përgjithmonë… 

DASHURIA, MESDHEU DHE POEZIA…

Ndërsa pasthënien e librit e kisha shkruar unë. Ndër të tjera thosha se  Adonis ndihet i Mesdheut – aty ku bota përqëndroi bukuri dhe kulturë, poezi dhe mirëkuptim, kështu duket se është.

Mesdheu në epokën pagane, shpjegon jo pa qortim Adonis, ishte më i mirë në krahasim me sot: në epokën e fanikasve, grekërve kishte një shkëmbim kulturor shumë më të madh.

Kurse Jeruzalemin e sheh si një qytet të shenjtë për të gjithë, hebrenj, kristianë, muslimanë.

Ja ç’ka vënë re Adonis, kur ishte në Napoli: varri i Virgjilit pranë atij të Leopardit janë shenjë e një vazhdimësie që është dhe shenjë dialogu nëpërmjet hapësirës dhe kohës…

Adonis beson në rolin e madh që mund të ketë poezia në ndryshimet shoqërore, jo si një rol praktik i saj, në sensin që nuk është poezia që ndryshon botën, por ajo mund ta ndihmojë qënien njerëzore të gjejë rrugën e drejtë.

Poezia për Adonisin është si dashuria. Por ç’bën dashuria? – pyet ai. Dhe përgjigjet: rinovon vazhdimisht ndjenjat e personave, jep energji të reja dhe hap horizonte drejt bukurisë së jetës. Ngjan me një dritë që na ndriçon ecjen drejt së panjohurës. Dashuria është si poezia, është si një hapësirë e hapur, dora dorës duke e zbuluar rritet, piqet, ngazëllehet, provon lumturinë. Kjo ndodh në nivelin vetanak, por nga ana tjetër, përkundrazi, poezia bëhet e domosdoshme kur shkenca o filozofia nuk japin përgjigje për misteret e jetës. Në këtë çast poezia, si dashuria, shndërrohet në mjetin e vetëm, i aftë të të flasë, të dialogojë me shpirtin tënd.

Deri sa të jetë dashuria do të jetë dhe poezia e deri sa të jetë poezia do të jetë dëshira për paqe, mendon Adonis: Të dua sikur jeta/ të ishte shpikje e dashurisë time.

Sipas një përgjigje të atëhershme të Adonisit në “New York Times”, bota arabe nuk ka më aq shumë kulturë të sajën, e ka mbaruar aspektin e vet kulturor duke u bërë pjesë e kulturës perëndimore, por vetëm si konsumatorë, jo si krijues.

Adonis vetë është krijues i madh i bashkimit të kulturave. Konkretisht poezia e Adonisit përqafon sa nga tradita perëndimore e lirizmit të lartë dhe filozofik i Hölderlin-it, Baudelaire, Rilke, sa nga ajo orientale e autorëve si Niffari e Abu Nuwas.

Është përkthyer në shumë gjuhë dhe është vlerësuar me shumë çmime nëpër botë, Francë, Itali, Gjermani, në SHBA e Kinë vitin që shkoi, etj, me motivacione nga më të goditurit si: Vargjet e tij me karakter social dhe politik janë të dashur, mbi të gjitha nga të rinjtë…

Që atëhere, jo pasi ra, Adonis i kishte bërë thirrje presidentit sirian Bashar al-Asad të jepte dorëheqjen nga shkaku i diktaturës dhe i luftës civile, kurse opozitës që të shmangë dhunën dhe të hyjë në dialog me regjimin.                                                 Vërtet ishte Siria që shpiku alfabetin arab, – thoshte, – dhe ishte Siria që krijoi fjalën Europë, – ngrinte zërin Adonis, – por lufta nuk ka sens. Duhet t’i jepet hapësirë dialogut. Njeriu duhet të flasë e jo të vrasë.

Një pjesë e çmimeve që ka marrë, mbajnë dhe emra poetësh, të kolegëve në kohë e vende të ndryshme si “Nazim Hikmet”, “Bjornson”, “Gëte”, etj. Pritej dhe Nobeli…

Gjithashtu përballë bregut tonë në Liqenin e Pogradecit, ka ardhur në Strugë dhe ka marrë Kurorën e Artë në festivalin e poezisë. Ishte viti 1997, kur tek ne kishte pllakosur kaosi, ishin rrëmbyer armët dhe e kaluara hakmerrej për të tashmen, ndërsa e tashmja kërcënonte të ardhmen, qielli dukej se u mbush i gjithi, jo me yje, por me vrima plumbash, e megjithatë ne shkruanin poezi.

LAGJJA E SHQIPTARËVE NË ATDHEUN E ADONISIT

Në pasthënien time kisha dhe një pjesë për shqiptarët në Siri. Po në lagjen e shqiptarëve atje, a do ketë vajtur Adonis, – pyesja me vete, – se sigurisht e di…

Që në kohën e shtetit Osman, nga fundi i shekullit XIX e në fillim e shekullit XX në Siri ikën familje nga Shkodra, Peja, Podujeva, Vushtria, etj, dhe shumica sot mbajnë mbiemrin “Arnauti”. Institucionet gjegjëse japin statistika që janë nga 5 deri në 10 mijë shqiptarë. Prej tyre kanë dalë dhe personalitete të letrave në botën arabe. Ndihmesa e arnautëve është e ndjeshme, madje janë nismëtare në lëvrimin e romanit, dramës dhe tregimit. Por janë shquar dhe në poezi.

Romani i parë në Siri është i shqiptarit Maruf Arnauti, i vitit 1929, me tre volume “Sejid Kurejsh” (Zotëria i Kurejshit).

Sigurisht Adonis do ta ketë lexuar. Pritja e mirë që ju bë romanit nga lexuesi, interesi i tyre, bënë që autori të vijonte dhe me romane të tjera epokalë. Po atij i pëlqente teatri, për të cilin dhe studioi. Drama e tij e parë është “Xhemal Pashë Gjakatari”, që u shfaq qysh në kohën e pavarësisë së parë të Sirisë dhe është i pari që futi temën aktuale në dramë, të nxjerrë nga realiteti jashtë skenës. Po u shquan dhe aktorë shqiptarë si Ekrem Huluki, djalë shkrimtari dhe Ajshe Arnauti, që e nisi karierën qysh në moshën 10 vjeçe, e njohur në Damask dhe Bejrut.  

Shquhen dhe poetët Mustafa Huluki (1850-1915), liriku i brengave të mërgimtarit dhe të vetmisë, i cili vdiq i verbër si dhe Thabit Niman Ferizaj (1860-1950), që shkruante shqip me alfabet arab poezi fetare e mistike, por ishte astronom dhe studiues i shkencave të natyrës.

Pastaj mori hov poezia shqiptare në Siri me Shevket Gavoçin, i lindur në Shkodër, i ndikuar nga Rilindja shqiptare, sidomos nga Filip Shiroka. Edhe nxënësi i tij, Abdulatif Arnautin, e nisi me pseudonimin letrar “Ibn Kosova”, që do të thotë “I biri i Kosovës”. Më pas botoi romanin “Al-Hatabun” (Druvarët), ku tregon për shpërnguljen e shqiptarëve dhe jetën në mërgim. Ai ka përkthyer në arabisht dhe dy romane të Kadaresë. Pastaj nisi të shkruajë shqip dhe të botojë në Shqipëri e Kosovë. Është anëtar i Lidhjes së shkrimtarëve në Damask dhe duhet të jenë njohur me Adonisin. Kurse vëllai i tij Abdylkader Arnauti është piktor i njohur.

Janë të njohura dhe poezitë e Hatixhe Arnautit. Ajo botoi përmbledhjen e saj të parë “Rebiu Kalben” (Pranvera e një zemre) në vitin 1954, kur Adonisi përfundoi studimet universitare.

Një vit më vonë, në 1955, Adonisin e burgosin “për ide politike subversive” dhe nga që “aderoi në një parti politike nacionaliste”… “Gjithë kohën e kalova në një qeli të vogël mes të marrëve, trafikantëve dhe hajdutëve”, tregon Adonis.

Në këtë kohë në Damask shkëlqeu poetja Aisha Arnauti, studioi për gjuhë dhe letërsi frënge. 11 vjeçe botoi poezinë e parë, 14 vjeçe ishte në qendër të shtypit arab, e quajtën Saganin e Sirisë. U botua në Angli e SHBA duke e shpallur si “Mrekullia e vitit”. Mbase Adonis e ka lexuar në burg.        

Edhe inxhinieri i hekurudhave Barakat Arnauti nga Kosova, që shkoi të punonte në Gjermani, shkruante poezi dhe është konsideruar si fenomen në letërsinë siriane.

Tregimi në Siri është lëvruar vonë. Përsëri nismëtarë shqiptarët, nga ata që e nisén me poezinë. Mustafa Haluki e filloi në vitin 1880 me “Vezaif el-Inath” (Detyrat e fëmijëve), etj, etj.

Adonis patjetër duhet ta ketë njohur këtë botë shqiptare  aty, në mes të botës arabe.

SI NJË KTHIM PAS 1001 NETËVE

علي أحمد سعيد إسب :Ali Ahmad Said Esber është emri i tij i vërtetë. Ka lindur më 1 janar 1930 në Al Qassabin, Latakia, në pjesën veriore të Sirisë, në një familje fshatarësh.

Në vendet arabe poezia ende mban lidhje të forta me shoqërinë dhe popullin. Aliu qysh fëmijë kishte punuar në fushë, por i ati i kishte mësuar përmendësh mjaft poezi dhe ai nisi të shkruajë dhe vetë.  

Kur Aliu i vogël ishte 12 vjeç, ikën nga fshati në qytetin më të afërt se kishte marrë vesh që do të vinte Presidenti i parë i Sirisë, Shukri al-Kuwatli. Sipas zakonit, gjatë ceremonisë së pritjes, poetët vendas do të lexonin poezi në nderim të vizitorit më të lartë. Pikërisht për këtë kishte ikur nga shtëpia pa leje Aliu i vogël, donte të merrte pjesë, ashtu i zbathur, me rrobat gjithë pluhur nga rruga. Mbajtësit e rendit nuk e lejuan të kalonte, por ai ngulte këmbë dhe ata e shtynë tej. Por thërret e çirret dhe presidenti kthehet nga ai. Dhe lejohet të recitojë poezinë e vet duke i mahnitur të gjithë. Si shpërblim e regjistruan në Liceun francez në Tartus.

17 vjeç boton poezitë e para…

Adonis del nga burgu më 1956 dhe dy vjet më vonë vendoset në Bejrut, në Liban dhe bëhet bashkëthemelues në revista të njohura letrare, ku botohen poezi eksperimentale, etj.

Dalja e poetëve arabë nëpër botë ka patur ndikim dhe në poezinë botërore, në Europë dhe Amerikë veçanërisht. Poeti libanez Kahlil Gibran përbën një përfaqësim të shkëlqyer të letërsisë arabe në egzil. I ndikuar prej tij, po kështu dhe Adonis, metaforat e të cilit sollën një lloj surrealizmi, me më pak intelektualitet, por me më shumë vizion dhe imagjinacion. Poetët arabë, ashtu si dhe poeti i madh Indian Rabintrabth Tagora, sollën në poezinë bashkëkohore profecinë, vegimin, ëndrrën, magjinë, mrekullinë, pafundësinë.

Tashmë poezia moderne arabe është padrone e vetvetes, e gjuhës së saj.

Në vititet ’60 Adonis  studion në Paris. Shkon në Nju Jork në vitin 1971 dhe boton poemën uitmaniane “Varr për Nju-Jorkun”…

Në vitin 1984 emërohet “Oficer i Arteve dhe i Letërsisë” nga Ministria e Kulturës Franceze dhe një vit më vonë vendoset përfundimisht në Francën ku kish mërguar dhe fillon punë si profesor i arabishtes në Universitetin e Sorbonës në Paris. Është zgjedhur dhe anëtar i Akademisë “Stephen Mallarmé” atje. Adonis është vetë poezia moderne arabe, ndërkohë dhe rebeli i saj.

TAKIMI IM…

Adonisin unë e takova po në Strugë pas vitit më tragjik të jetës time, të para 10 vjetëve. Nuk doja të dilja nga shtëpia, por poeti Italian Sebastiano Grasso, me të cilin më mik u bë Atjoni im, ngulmoi të shkoja me të, se do të vinte dhe Adonisi, që befas u miqësua aq shumë me Atjonin në Milano. Unë ashtu e përfytyroj poetin, më kishte thënë im bir. Dhe Eda ime më tha: shko, duket se është dëshirë e Atjonit.

Në mbrëmje isha vetëm me Adonisin në njërën nga tryezat në taracën e hotelit. Më ftoi të ishim vetëm dhe pak mënjanë, më shikonte me shumë dhembshuri. Po ashtu e shikoja dhe unë, ai kishte parë tim bir, e kishte në kujtesë, mund të më thoshte diçka, vetëm me njerëz të tillë mund të rrija tani.

Dy gotat e mëdha të verës mbi tryezë më dukeshin si dy habira. Adonis ishte mbështjellë me një shall të kuq. Zërin e kishte të ngrohtë si kadife. Fliste ngadalë, shkak s’ishte gjuha e huaj për të dy, besoj, por s’donte t’më lëndonte me asgjë. Kur i tregova në celular foton, ku ai kishte dalë me Atjonin tim, më tha se vetë kishte më shumë foto. Buzëqeshi paksa…  

 Ndezi një puro të madhe. Më dha dhe një mua. Janë kubane, prodhoheshin për Fidel Kastron, – po më tregonte, – por kur ai, diktatori, u sëmur a s’kishte nevojë të tymoste më, ja, i nxorën për të tjerë… kontrabandë? Përfitojnë dhe poetët? Fola apo desha të flisja? Janë shumë të shtrenjta, 60 $ njëra a 80 $, më kishte thënë Sebastiano, s’kishte rëndësi për mua dhe s’doja t’ja merrja puron. Adonis u prek, merre, më tha. E kuptova pse ma jepte. 

   “Atjonin, – po më thoshte Adonis, sikur vazhdonte një bisedë të dikurshme a që do të vazhdonte në të ardhmen, – e njoha në shtëpinë e Sebastianos… Atjoni shkëlqente prej poezisë. Dhe vetë është një poezi e magjishme.”

Dhe atë që tha, e shkruajti arabisht mbi një copëz flete që e ruaj ende. Puron e Adonisit e mbarova në Tiranë. Tymi ribënte arabeska të kaltra.

Dhe do të kishim një telefonatë nga Adonis, na uronte nga Parisi një vit të ri. Dhe u përgjigjej mesazheve tona. Në njërin na shkruante: “Shpresoj të jeni shume mirë dhe vazhdoni të shkruani poezi për të dhënë një domethënie për botën tonë… Në një tjetër: Ju kam në mendje dhe në zemër. Me dashuri…

Para ca ditësh i shkruaja dhe për paqe, liri dhe prosperitet të popullit sirian dhe më përgjigjej duke falendereruar, me shprese që gjithçka të jetë e mrekullueshme për ne, dhe përfundonte: Ju lutem pranoni urimet dhe ndjenjat e mia më të mira . Adonis.

FUNDI I PASTHËNIES

A ia tregoi Atjoni këtë:

“Një herë, kur pashë që isha fare vetëm, unë dhe deti, nxora nga xhepi librin me poezi të Adonist… dhe vendosa t’u lexoj dallgëve me zë të lartë.

Shkonin mirë, u pranuan, ishin në harmoni.

Teksa lexoja, stërkala të njelmëta hovnin brenda poezive dhe m’u bë sikur dallgë të tjera po dilnin nga poezitë, bashkoheshin me ato të detit për të kënduar së bashku përjetësinë e tyre, të detit dhe poezisë së jetës.”

Adonis u gëzua dhe i pëlqeu shumë ky lloj leximi. 10 vjet më parë, kur im bir… kaq! Tani desha të thosha që na bëri të njohim një poet. Dhuratë e tij.


10 POEZI NGA ADONIS

SHKRUAJ

Shkruaj, jam i tmerruar
e çmëndem e më trëmben
dhe boja me fletët
dhe pyes veten: po shkruaj vërtet a digjem?


UDHËTIMI

Njoh udhëtimin e hidhët, këtë velë
të shqyer në humnerë,
këtë palmë
me degët e copërluara
që vdesin të përungjuara mbi trungun e tyre.
Njoh shtëpinë, zjarrin e ekstazës së saj
dhe ngohtësinë e qosheve të saj.
Por ç’kuptim ka një qëndrim i gjatë,
një bujtje që shpërfill nisjen?


MEDINA-GRUA

Po si të të lexoj, qytet, si të dal
nga pellgorja jote e blertë grafulluese murtajash
me shijen e kundërhelmit dhe me pafajsinë e jaseminit?
Është e vërtetë! Ti je kërthiza dhe mbyll amën e botës.
Si të të lexoj, o Medinë-grua?
Me hijeshi, ther trupin tim venë për venë
aq sa s’më ngelet çfarë të jap
veçse pak ngazëllim e trishtim shumë.
Por dhuroji bijve të tu fuqinë time, tërbimin tim të gjithë
ngaqë i mësoj jetës time një rrugë: trupin
dhe i them gjuhës time
të përmblidhet në një fjalë: liri.


ZANAFILLA E FJALËS

Ai fëmija që isha mbërriti tek mua
një ditë, fytyrë e huaj.
Nuk thoshte asgjë. Ecnim
dhe vëzhgoheshim në heshtje.
Hapat tanë
ishin një lumë që vraponte humbues.
Rrënjët na ribashkuan
si gjethnajë lëvizëse në erë
dhe, si një pyll i shkruar nga toka
dhe i rrëfyer nga stinët, u ndamë.
O fëmijë që isha, përpara!
Ç’gjë na bashkon tani? Ç’do të themi?


PYET ORIENTIN

Gjërat flakin emrat e tyre. Prandaj nuk i emëroj.
Pyetni Orientin: a nuk do të jetë lodhur
së përzieri me hapat e tij aq gjak
të fëmijëve të vet,
nga të fjeturit mbi mbetjet e tyre
dhe pothuaj pa u trallisur?
Shtati i historisë është palosur mes duarve të mia:
është njeriu i therur që dergjet mbi zemrën e një profeti.
Lexoj rërën, bëhem aleat i erës
që ngrihet dhe largohet
dhe them: ëndrra është dritë dhe farë,
mbi ëndrrat kam ndërtuar
ekzistencën time.
O realitet, kush të ka emëruar? Nga vini?
Për brezat e plagëve të pastajme
që s’duan t’ja dinë
nëse duhet të qajnë a të qeshin
gjaku im është bir pyetjeje.

Exit mobile version