Mbi gjithë çfarë është thënë deri më sot për romanin Gega i Motit të Ernest Markut, mendoj se ia vlen të shtohet edhe një vështrim në rrafshin semiotik, pra një analizë e mënyrës se si ndërtohet dhe funksionon narrativa përmes sistemit të shenjave.
Semiotika pohon se çdo strukturë narrative qëndron në themel të shumë formave të ligjërimit dhe jo vetëm të atij letrar.
Narracioni është i pranishëm edhe në diskursin politik, sociologjik, juridik e kulturor. Madje, mund të thuhet se ai qëndron edhe në bazën e konceptit tonë për të vërtetën. Studimet bashkëkohore mbi diskursin juridik kanë treguar se dëshmitë që ndërtohen sipas modeleve arketipore të rrëfimit perceptohen si më bindëse dhe kanë më shumë gjasa të besohen.
Një tjetër parim themelor i semiotikës është ai i niveleve të kuptimit. Niveli i thellë abstrakt prodhon strukturat sipërfaqësore të tekstit. Për këtë arsye, një vepër letrare duhet të lexohet jo vetëm në planin e dukshëm të rrëfimit, por edhe në shtresat e saj të fshehta ku ndërtohen kuptimet simbolike dhe kulturore. Në këtë drejtim, analiza semiotike mbështetet në modele interpretimi që ndihmojnë në dekodimin e mekanizmave të prodhimit të kuptimit.
Që në titull, romani hap një horizont të gjerë interpretimi. Togfjalëshi Gega i Motit ngërthen dy shenja me ngarkesë të madhe kulturore. Emri “Gegë” e orienton lexuesin drejt identitetit historik dhe kulturor të Gegnisë, ndërsa “Moti” nuk nënkupton vetëm kohën kronologjike, por historinë, mitologjinë, folklorin dhe kujtesën etnokulturore.
Në këtë kuptim, romani shfaqet si një trupëzim artistik i një bote që bart vazhdimësinë e traditës shqiptare. Vetë “moti” na kujton se libri i parë në gjuhën shqipe u shkrua në dialektin gegë, pa përmendur këtu veprën e Budit, Bogdanit dhe autorëve të tjerë të letërsisë së vjetër shqipe.
Që në fillimet e krijimtarisë së tij, Ernest Marku është dalluar për përpjekjen për të ndërtuar një letërsi që largohet nga modelet kanonike të narrativës tradicionale.
Librat e tij të parë u botuan me siglën “Letërsi spartane”, të cilën autori e shpjegon si një mënyrë të shkruari të përmbledhur, me dendësi mendimi, nëntekstesh dhe kontekstesh.
Edhe gjuha përbën një shenjë të rëndësishme identitare në krijimtarinë e Markut.
Ai parapëlqen të shkruajë në gegnisht dhe përpjekjen për të njohur e sistemuar shtresimet leksikore të saj e ka materializuar jo vetëm në prozë, por edhe në fjalorin Fjalë të turitme të gegnishtes letrare. Në parathënien e këtij botimi autori shkruan:
“Kjo vepër duket surreale qysh në titull, pasi gegnishtja letrare, në kuptimin e një standardi, nuk ekziston. Sot është thjesht ëndrra për një gjë të tillë, ëndrra e Fishtës, Camajt, Koliqit, Mjedës, Zarishit, Migjenit, Shkrelit, Gjeçovit, A. Pashkut, Prenushit, Jak Zekajt, Mekulit, Donat Kurtit, Bernardin Palajt e shumë të tjerëve.”
Në romanin Gega i Motit autori mban një qëndrim më të moderuar ndaj standardit, duke përdorur një regjistër të ndërmjetëm ku gegnishtja shfaqet jo vetëm si zgjedhje stilistike, por edhe si bartëse e kujtesës kulturore. Në këtë mënyrë, shtresa dialektore nuk kufizohet në funksion estetik, por kontribuon edhe në pasurimin e shprehësisë së gjuhës shqipe.
Edhe hapësira ku zhvillohen ngjarjet është shenjë me funksion semiotik. Relievi verior nuk është thjesht sfond gjeografik, por pjesë organike e identitetit të personazheve. Gjuha që ata përdorin, sidomos në pjesën e parë të romanit, është ajo e folësve të këtij areali.
Dialogët ndërtohen me një dramaticitet të përmbajtur dhe me nëntekste që kërkojnë një lexim të kujdesshëm. Ata rikrijojnë atmosferën e odave, të kuvendeve dhe të pleqnimeve tradicionale, ku fjala fiton autoritet simbolik.
Raporti i autorit me të drejtën dokesore është përgjithësisht vlerësues, ndonëse jo gjithmonë i njëtrajtshëm.
Kjo lidhet edhe me debatet dhe keqkuptimet që kanë shoqëruar ndër vite këtë trashëgimi të rëndësishme juridike dhe etnokulturore shqiptare.
Nga pikëpamja kompozicionale, ndarja e romanit në një introduktë dhe dy pjesë krijon një kontrast të qartë ndërmjet dy realiteteve psikosociale të shoqërisë shqiptare, duke i dhënë strukturës së veprës një ekuilibër të menduar artistik.
Në pjesën e dytë vërehen disa tipare karakteristike të prozës bashkëkohore. Autori ndërhyn në rrëfim, komunikon me personazhet dhe ndërton skena që paraprijnë zhvillimet e ardhshme, duke përdorur atë që mund të quhet proknozë narrative. Edhe në letërsinë shqipe kjo teknikë është përdorur, ndër të tjera, nga Ben Blushi në romanin Komploti.
Një element me interes semiotik paraqet edhe mënyra e komunikimit ndërmjet personazheve. Marrëdhëniet intime dhe flirtet, që dikur ndërtoheshin përmes shenjave të heshtura, vështrimeve, gjesteve apo letërkëmbimit, tashmë zhvillohen edhe përmes teknologjisë digjitale. Zemra, ikonat dhe figurat grafike përbëjnë shenja të reja të komunikimit, të cilat kanë zgjeruar sistemin semiotik bashkëkohor dhe kanë ndryshuar mënyrën e ndërtimit të mesazhit.
Në këtë kuptim, përdorimi i shenjave nuk e pasuron vetëm komunikimin, por ndihmon edhe në organizimin e strukturës narrative. Kuadrati semiotik nuk paraqet vetëm marrëdhëniet e kundërshtimit ndërmjet kategorive kuptimore, por ndriçon edhe mënyrën se si këto marrëdhënie projektohen në sintaksën narrative dhe në organizimin e kuptimeve të veprës.
Vetë termi semiotikë rrjedh nga fjala greke semeion, që do të thotë “shenjë”. Në shekullin XVII, filozofi John Locke e përkufizoi semiotikën si “doktrinën e shenjave”, pra disiplinën që studion natyrën dhe funksionimin e tyre në procesin e të menduarit dhe të komunikimit.
Në këtë prizëm interpretues, Gega i Motit shfaqet si një roman ku sistemi i shenjave artistike ndërton një univers të pasur kuptimor. Përmes mjeteve stilistike, simbolikës kulturore dhe shtresëzimit të gjuhës, autori i përcjell lexuesit dije, emocione, imazhe dhe mesazhe që ndërthurin traditën me bashkëkohësinë. Për këtë arsye, romani përfaqëson një arritje të rëndësishme në krijimtarinë e Ernest Markut dhe një kontribut me vlerë në prozën shqipe të ditëve tona.



