Derisa dridhesha nga emocionet që nuk isha në gjendje t’i frenoja, një mendje e marrë më tha: si nuk e kupton që në djep gjendet fëmija yt, të cilin e ke sjellë në jetë para shtatë e ndoshta më shumë ditësh. Fëmija im, më duket sikur kam klithur me zë të lartë, sa shumë po gëzohem që e kam sjellë në jetë fëmijën tim, i cili më shkaktoi dhimbje të tmerrshme, nga të cilat nuk e kuptoj si arrita të shpëtoj pa vdekur. Për të shtatën herë e zgjasja dorën për ta prekur fëmijën në djep, po dora nuk më lëvizte. Sa shumë kisha dëshirë ta largoja faculetën e ta shihja fytyrën e fëmijës, ta shihja nëse ishte djalë apo vajzë. Mundohesha të kujtoja çfarë më kishte thënë mjeku për gjininë e fëmijës, po mbi kujtesën time ishte shtrirë gjerë e gjatë një mjegull e zezë, e cila nuk më lejonte të shihja asgjë. Dëshiroja ta shihja fëmijën nëse më kishte ngjarë mua apo Dritit, i cili gjithnjë kishte bindje sikur fëmija do të ishte djalë, madje do t’i ngjante shumë atij jo vetëm në pamje, po edhe me mendje. Shpeshherë jemi grindur me të. Unë gjithnjë e kundërshtoja duke i thënë se fëmija do të ishte vajzë dhe se do të më ngjante në të gjitha aspektet mua. Në fund i thosha me bindje të plotë: edhe vajza jonë do të bëhet mjeke, madje gjatë kohës sa punon në spital do të njoftohet me një mjek të bukur me të cilin do të martohet.
Pas pak e pashë djepin si përkundej ngadalë, tepër ngadalë. Nuk e kuptoja nëse gjatë asaj kohe isha zgjuar apo fjetur, pasi kufiri në mes reales dhe ireales në mendjen time nuk ekzistonte. E kuptova se ai djep kishte një kohë të gjatë që përkundej, po nga amullia që më kishte kapluar nuk kisha qenë një gjendje ta shihja. Në një çast më ngjau sikur në djep gjendej Miri, vëllai im, i cili lindi dy vjet pas meje e për lindjen e të cilit u pata gëzuar aq shumë sa kisha frikë se nga gëzimi i madh do të çmendesha. Mirëpo një ditë kur u zgjova në mëngjes djepin në të cilin flinte ai ishte i zbrazët. Nga shqetësimi flokët m’u çuan përpjetë. Nuk vonoi e në dhomë hyri babai i cili me zë të mallëngjyer më tha: nëna jote e mori vëllain tënde e u largua nga shtëpia pa më treguar asgjë. Pasi kaluan disa vite e humbëm shpresën se nëna një ditë do të kthehej në shtëpi. Dy vjet pasi babai vendosi të martohej me një grua tjetër, nëna u kthye në shtëpi, po pa vëllain. Dukej tepër e dëshpë-ruar. Rrobat i kishte të leckosura. Flokët e pakrehura. Fytyrën e nxirë. I ngjante një endacakeje të pastrehë, e cila netët i ka kaluar në qiellin e hapur, në shi e në borë. Babai e pyeti për vëllain, po ajo nuk nxori asnjë zë nga goja. Pas pak zuri të dëneste me zë të përvajshëm, i cili i buronte nga zemra e plasur. Shtatë muaj nëna qëndroi në shtëpi e kredhur në vorbullën e një heshtjeje të çuditshme. Pas shtatë muajve tha: djalin ia dhash babait të vet, i cili jeton përtej shtatë bjeshkëve! Ai erdhi një ditë në shtëpi kur isha vetë dhe m’u kërcënua se do të më vriste nëse nuk largohesha bashkë me të dhe fëmijën. Nga frika se do të më vriste mua dhe Mirin u desh të shkojë pas tij. udhëtuam katër ditë e katër net me tren. Një ditë e një natë pastaj udhëtuam me një anije. Tërë kohën as ai, as unë nuk kemi nxjerrë asnjë zë nga goja. Miri herë pas here më pyeste pse ishim larguar nga shtëpia dhe ku ishim duke shkuar. Megjithatë unë ia bëja me shenjë që të mos fliste asnjë fjalë. Të dërrmuar nga rruga e gjatë, e cila m’u duk se nuk do të përfundonte kurrë, arritëm në një fshat malor. Ecëm disa çaste nëpër një rrugë të ngushtë, e cila rrethohej me disa shtëpi të vjetra, disa nga të cilat ishin të lyera me baltë. O zot, sa shumë u frikësova kur hymë në një shtëpi të vjetër, e cila gjendej afër një kodre të lartë, e cila e pengonte diellin të shfaqej gjatë pjesës më të madhe të ditës. Kur hymë brenda në atë shtëpi m’u bë sikur hymë në një varr për së gjalli. Më kot u pendova që shkova pas atij njeriu, me të cilin kisha pasur një lidhje të fshehtë, për të cilën nuk dua të flas asnjë fjalë, sepse më vjen turp. Jeta në atë shtëpi për mua ishte një denim i rëndë, të cilin ia shqiptova vetes për një gabim që e bëra kur nuk duhej ta bëja. Pas katër muajve i thashë vetes: do të gjej një mënyrë që të arratisem nga ky ferr mbi tokë ose do të ngjitem në një kodër të lartë e do të bëj vetvrasje. Një ditë kur mbeta vetëm në shtëpi, ngase Miri dhe babai i tij kishin dal për gjah, i thashë vetes: edhe nëse gjatë rrugës vdes do të nisem të kthehem në shtëpi. Më mirë e vdekur sesa të jetoj në këtë vend të shkëputur nga bota. Gjatë gjithë ditës qëndroja mbyllur në shtëpi. Njeri i gjallë nuk hynte as nuk dilte nga ajo shtëpi e vjetër, në të cilën kam bindje sikur tërë kohën sorollatej një mall-kim i vjetër. Kur arrita te anija pata fat, sepse u takova me një kushëri të largët, i cili më ndihmoi të kthehesha në shtëpi. E di që më urreni pse e kam mbajtur të fshehur për një kohë të gjatë një gjë të këtillë, po nuk kisha çfarë të bëja.
Nuk më kujtohet pas sa kohësh nëna erdhi te shtrati ku qëndroja e shtrirë tash e një kohë të gjatë. Në fytyrën e saj e shihja lumturinë si lodronte pa pra. Sa herë e shihja nënën të gëzuar gëzohesha edhe unë. Edhe kur e shihja të hidhëruar hidhërohesha edhe unë. Gjithnjë kam menduar se unë e nëna jemi një shpirt i ndarë në dy pjesë të barabarta. Disa herë një mendje më thoshte: nëse vdes unë atëherë do të vdes edhe nëna!
– Bija ime, sa shumë po gëzohem që e solle në jetë fëmijën tënd… është vajzë, siç ke pasur ti dëshirë. Driti e ka pagëzuar me emrin Dora. Tha se kështu ke pasur dëshirë ti gjatë kohës sa ke qenë shtatzënë. Edhe mua më pëlqeu ky emër. Eh, sa shumë ke përjetuar vuajtje të tmerrshme derisa e solle në jetë sa kam dyshuar se do të vdesësh. Mjekët tërë kohën kanë qëndruar te koka jote të shqetësuar shumë. Njëri prej tyre më tha: gjasat për të shpëtuar janë shumë të vogla, sepse ka një sëmundje të rëndë. Ke pasur dhimbje të tmerrshme sa nuk ta merr mendja. Dy herë kam lindur, po asnjëherë nuk kam pasur dhimbje të tilla. Kur të kam lindur ty, nuk kam ndier kurrfarë dhimbjeje… sikur të mos e dëgjoja vajin tënd nuk do të kisha besuar se të kam sjellë në jetë. Sa shumë po pikëllohem që nuk je në gjendje të ngrihesh nga shtrati e ta përkundësh vajzën tënde në djep. Mirëpo, shpresoj shumë që një ditë të shërohesh e të ngrihesh nga ky shtrat i mallkuar që ta përqafosh fëmijën tënd, pastaj ta përkundësh e t’i këndosh ninulla, siç të kam kënduar unë ty dikur. Ndoshta nuk ke harruar se në këtë djep dikur të kam përkundur edhe ty… ndoshta gjatë kohës sa ke qëndruar pa ndjeja si në ëndërr e ke dëgjuar zërin tim si i këndon ninulla vajzës tënde, e cila është e bukur si hëna.
Sa kisha dëshirë ta dëgjoja edhe më tutje zërin e ëmbël të nënës, po nuk isha në gjendje ta dëgjoja. Një mendje më thoshte sikur prej lindjes kisha jetuar në botën e heshtjes relative, të asaj heshtjeje të vdekur që më miklonte ditë e natë me duart të gjymta e pastaj sikur mundohej të më ngushëllonte për fatkeqësinë që më kishte pllakosur. Nuk je vetëm e shurdhër, po je edhe memece, më tha një zë me tinguj të vrazhdë. Nuk ke lindur as e shurdhër, as memece, po gjatë procesit të lindjes së fëmijës ndodhën disa komplikime të rënda gjatë së cilës e humbe dëgjimin dhe të folurit. Sa keq që nuk je në gjendje t’i flasësh as nënës, as fëmijës tënd, i cili sa herë e rrëmben në përqafim të fletë me zë të këndshëm, po ti gjithnjë e vështron e habitur dhe nga trishtimi që nuk je në gjenjde t’i flasësh asgjë, lotët të shkojnë rrëke nëpër fytyrë e pastaj e mallkon fëmijën tënd që të shkaktoi fatkeqësi të madhe. Fëmija yt në vend që të të sillte kënaqësi të solli fatkeqësi. Disa nëna fatkeqësisht janë të denuara për të lindur fëmijën e tyre duhet të vdesin vetë. Kjo është e tmerrshme, po kështu funksionojnë ligjet e natyrës së vrazhdë. Ka njerëz që prej lindjes e deri në vdekje nuk përjetojnë asnjë çast lumturie dhe ky është një mister i madh të cilin nuk është në gjendje ta zbërthejë askush. Të pakët janë njerëzit që nuk e shijojnë helmin e dhimbjes kryeneçe. Njerëzit janë të denuar gjatë gjithë jetës së tyre të kërkojnë lumturinë, megjithatë askush prej tyre nuk është në gjendje ta gjejë burimin e saj. Kam filluar të dyshoj sikur lumturia nuk ekziston fare, madje sikur atë e kanë trilluar njerëzit për ta ngushëlluar shpirtin e vrarë. Lumturia është vetëm iluzion që shfaqet në një skaj të mendjes e pastaj zhduket sa çel e mbyll sytë. Ne kot vrapojmë tërë jetën pas saj, kurse ajo ikën prej neve si e marrë. Edhe shumë gjëra të tjera në botë ekzistojnë, po njerëzit nuk janë në gjendje t’i gjejnë. Eh, kjo botë është e mbushur me gjëra të mistershme…
Do të kisha notuar si një peshk i ngordhur nëpër detin e mendimeve që më rëndonin si një gur i varrit sikur në një çast të mos e shihja nënën si e largoi shikimin nga djepi në të cilin vajza ime bënte një gjumë të ëmbël. Shikimin e rënduar me copat e kujtimeve e orientoi drejt meje. O zot, kur shikimet tona u ndeshën në mes veti, më duket sikur po tretesha si vesa e mëngjesit, sikur po zhdukesha nga kjo botë pa lënë gjurmë. Nuk jam në gjendje të kuptoj çfarë magjie të madhe kishte shikimi i nënës. Megjithatë e vetmja gjë që mund të them është se shikimi i saj nuk ishte i zakonshëm. Ishte diçka përtej së zakonshmes, përtej kohës e përtej çdo gjë magjepëse. Sa shumë kisha dëshirë të gëzohesha, po kisha frikë sikur pas çdo gëzimi të madh do të më ndodhte një pikëllim i madh. Edhe ditën kur kuptova që mbeta shtatzënë më kaploi një gëzim i madh, po në atë çast i thashë vetes: nuk duhet të gëzohem, sepse gëzimi i madh sjell një pikëllim të madh. Kurrë nuk e kam kuptuar pse ndodh një gjë e këtillë. Çfarë misteri fshihet brenda kësaj?! Shikimi i nënës ka arritur të depërtojë thellë në skajet më të errëta të shpirtit e pastaj të më sjell një ngrohtësi të çuditshme, të cilën nuk e kisha ndier kurrë në jetën time, madje as atëherë kur për herë të parë më kishte marrë në duar e më kishte përqafuar…
Nëna e ka zgjatur dorën e majtë drejt meje. Sa shumë dëshiroja ta zgjasja dorën time e ta shtërngoja si në kohën e fëmijërisë atë dorë të dashur, po dora ime ishte e paralizuar. Diçka më thoshte sikur edhe shpirti më ishte paralizuar. A është e mundur çdo gjë të jetë para-lizuar në këtë botë, e pyeta veten derisa orvatesha ta mbysja dëshpërimin që po më robëronte. Po, po, edhe koha është paralizuar, edhe toka është paralizuar, edhe njerëzit janë paralizuar. Diçka më thoshte sikur unë dhe nëna kishte disa vjet që qëndronim të shtangura si statuja antike duke e mbajtur dorën e zgjatur drejt njëra–tjetrës, edhe pse e dinim se kurrë nuk do të mund t’i shtërngonim. Ndoshta një gjë e këtillë mund të ndodhte vetëm pas vdekjes sonë, e cila më dukej sikur tërë kohën na vështronte nga një skaj i dhomës së mbushur me aromë të athët ilaçesh. A është e mundur unë e ajo të jemi pjesë e një legjende për të cilën nuk jam e sigurt kur e kam lexuar. Dihet se në të gjitha legjendat ka shumëçka të vërteta. Ato janë pjesë e jetës së njerëzve që kanë jetuar para shumë kohësh.
U mundova të nxjerr një zë nga goja e shkrumbuar, po nuk isha në gjendje të nxirrja asnjë tingull. Në atë mënyrë dëshiroj t’i tregoja nënës se isha e lumtur që po e shihja sërish duke qëndruar afër meje. O zot, i thashë vetes, a ke gjë më të tmerrshme sesa të mos mund t’i thyesh muret e heshtjes…
– Bija ime e dashur, jam frikësuar se kur të kthehesh në shtëpinë e lindjes trupin tim do ta gjesh nën dhe… kisha frikë se dhimbja për ty do të më mbyste… zemra më dilte nga kraharori kur të shihja të shtrirë në shtrat me sy të mbyllur, tamam si të ishe një kufromë që ka mbetur pa u varrosur. Disa herë dyshoja se nuk merrje frymë. Shpeshherlë dyshsoja sikur ti nuk ishe e vërtetë, sikur mendja ime nga mallëngjimi i madh trillonte gjëra që nuk ekzistonin në botën reale. Sa shumë njerëz të dashur kanë vdekur e janë varrosur, kurse ti nuk ke qenë në varrimin e tyre… Babai im, i cili është dergjur dy vjet në shtrat e te i cili shumë rralë kam mundur të shkoj për shkak tëndin, vdiq para dy javësh… Eh, vdiq me mall për të të parë ty në këmbët e tua! Fjalët e fundit që i nxori nga goja ishtin: po vdes me mall për ta parë mbe-sën time të dashur, e cila po dergjet në shtratin e vdekjes! Edhe pasi e mbuluam me dhè nga varri dëgjoja zërin e tij si thoshte: nëse ndonjëherë mbesa ime arrin ta mposht vdekjen, thuaji le të vjen te varri im të vendos lule të freskëta, sepse vetëm atëherë do të jem në gjendje të gjej prehje në amshim… Edhe vëllai im Loni, i cili të ka dashur tepër shumë, dy vjet pasi ti u martove shkoi me disa shokë për të luftuar kundër armikut e prej asaj dite më nuk kam dëgjuar asnjë lajm për të. Kam frikë sikur ai ka kohë që ka vdekur nga plagët e marra në luftë, kurse trupi i tij ka mbetur mbi dhè ngase nuk ka pasur kush ta varrosë. Kam frikë se trupin e tij e kanë ngrënë korbat. Sa shumë më dhemb në shpirt që as varr nuk ka për të qarë! Megjithatë unë edhe më tutje për çdo mëngjes dal të dera duke shpresuar se ai do të kthehet nga lufta bashkë me shokët e vet. Një ditë një fqinje më tha se lufta ka përfunduar para gjashtë muajve, një tjetër më tha: mos e humb shpresën se biri vëllai yt nuk është në mesin e shumë të vrarëve. E gjora unë mbeta vetëm në shtëpi duke pritur vdekjen të më merrë me vete, po ajo si për inat nuk më merr.
Fragment nga romani, BUZUKU, 2026



