Kreu In memoriam Viktor Gjikolaj: Dy mirditas, miq të shkrimtarit Petro Marko

Viktor Gjikolaj: Dy mirditas, miq të shkrimtarit Petro Marko

Ata janë të ndryshëm me shoshojnë. Frrok Gjet Kola,  një burrë me emër në brezin e tij. Perlatas, por i njohur gjerë në shumë krahina të Shqipërisë e sidomos në Veri. Mirditasi tjetër është poeti i njohur  Gjokë Beci. I pari  u njoh me shkrimtarin e madh, në burgun e Tiranës, gjatë luftës së dytë botnore. I dyti, Gjoka, camardhoku – burrë i maleve të nalta, siç e pat quajtur mesuesi-shkrimtar nxënësin e tij jetim që vinte nga Selita, në  shkollën pedagogjike…

***

Të due fort, or Pjetër se je tosk i mire!

Në dy veprat e tij, shkrimtari Petro Marko, shkruan  për burrin e Kthellës, Frrok Gjet Kola. Në romanin, Nata e Ustikës dhe   librin me autointervista, Retë e Gurët.

Jeta i ka përplasur  të dy në burgun e Tiranës. Petro Marko i arrestuar si ilegal me dy-tre shokë të luftës, ndërsa Frrok Gjeta i burgosur për një incident më një oficer të Kuesturës. E zënka kishte ndodhur se oficeri i kishte kërkuar, cili i kishte dhënë duhan. Frrok Gjeta kishte heshtur e ai i qe kërcnuar: Trego se  në hale do ti hedh mustaqet. I kishte prekur edhe majën e  mustakut. Atëherë  plaku e kishte qëlluar e koka e  oficerit qe përplasur në mur. Në faqet e romanit, burri i Kthellës,  na vjen  me  gjithë  dimensionin e  një malësori që e don dheun e vet, traditën e burrninë.

Gjokë Beci

I pashkollë, por i hollë në kuvendime. Dialogu që sjell autori  lidhur me zhvillimet  politike të kohës është sa realist aq edhe interesant.

Shokët e  Andrea Borës (Petro Markos)  e  ngucin duke i folur ligsht për Gjomarkajt, Bazin e Canes. Reagimi i Frrok Gjetës  është  i matur, por i prerë.

Paj, ata i kam miq, nuk janë tradhtarë si po thoni Ju.

Mes birit të bregut të ashpër e Frrok Gjetës u krijue një miqësi e besim i ndërsjelltë. Mjaft interesant na vjen episodi,kur  Frrok Gjet Kola pasi u lirue, vjen  në  burg me takue Pjetrin (kështu i thirrte  në trajtën e të folmes në Mirditë). Pasi u përfalën e ndezën nga një duhan, Frroku i drejtohet shkrimtarit:

Kam ardh me të marrë. Kam tetë djem me vete. Në Kthellë as dreqi nuk të gjen.Të due fort or Pjetërse je Tosk i mirë!

Shokët u çuditën  me idenë e malësorit. Ajo që kishte mendue Frroku nuk ndodhi se ilegalët kishin projekte te tjera. U ndanë duke i i thanë:

Të ruajt Zoti or Ndre (Andrea) Bora.

Te kryevepra e vet “Retë e Gurët”, Petro Marko e risjell porofilin e burrit të Kthellës më açik. Pasi i len mbi tavolinë duhanin dhe një  torbë me ushqime e plani me e nxjerr nga burgu nuk realizohet, ai i drejtohet:

Të ruajt Zoti or Pjetër! Kur të kesh nevojë ,veç më thirr.

Shumë prekës e domethëns është episodi tjetër, pas çlirimit. Në Berat, kur ishim te Shtabi, Tuk Jakova i tha Hysni Kapos: Thuaja, thuaja Petros atë çështjen e Frrok Gjetës. ‘’Dëgjova nga ata  se Frroku, kishte thënë në  Kthellë:   Fshatarët  të mos qëllonin mbi partizanët se i kam dhanë  besën Pjetrit( Petros), kur ai kishte miqësi  me krerët  e Mirditës ,Matit e  Dibrës.

Me emocion autori sjellë në libër edhe komunikimin e fundit,më 1947, kur drejtori i të përditëshmes, “Bashkimi” arrestohet.

Eh, miku i tij, pasi i vrasin djalin me dy nipat ndër malet e Mirditës, i jep fund jetës në internim në Shtyllas, Fier. Njeriu që në kullën e tij kishte pritur e percjellur krerë të maleve, krerë të Luftës Nacionalçlirimtare, udhëtarë e njerëz të zakonshëm, përcillet në banesën e fundi si “armik”!

E shoh të arsyeshme, pa dalë nga argumenti i këtij shkrimi, të themi se drama e Frrok Gjetë Kolës, është drama e shumë familjeve   të mëdha në Mirditë. Ata ia hapën  derën kujdo që i bani za, o i zoti i shpisë! Me shekuj, në ato vise të thella të Arbërit, është thënë: ‘’Shpia asht e Zotit dhe e Mikut’’. Por, diktatura shkeli mbi këto tradita dhe bukën e dhanë mikut a njerëzve të panjohur e quajti si  bashkepunim me ‘’armiqtë’’. Në këtë vështrim Frroku i shkrimtarit të madh, është  personazh  tipik i asaj stine.Miku i shkrimtarit nga Kthella nuk ishte pjesë e parisë tradicionale të Mirditës, por një familje e kamur e mirëdrejtuar në ato kushte ekonomike që kishin ato vise. Dhe kishte disa nga këto familje tradicionale tipike. Kështu ishte Lufi e Gjolleshi në Selitë e shembuj ka në çdo zonë. Këto familje bahen shënjestër e diktaturës, ani se gjatë Luftës kishin dhënë kontribute të mëdha. Frrok Gjet Kola ishte në shtabin e focave që sulmuan garnizonin Italian dhe e nxorën nga  Burreli, bashkë me Sul Kurtin, Ndrec Lufin etj.

Shkoje zemëruar

si cigare e shuar!

Është lajtmotivi i një poezie të poetit të njohur mirditas Gjokë Beci, dedikuar mësuesit të tij në shkollën pedagogjike, shkrimtarit Petro Marko. Përkujdesja e tij prindërore për camardhokun jetim të ardhur nga Mirdita e ka emocionuar pa cak poetin e ardhshëm të këngës shqipe. Mësuesit të tij, idealist i pashoq e zemërbardhë si bora e kreshtave tona, i ishte mirënjohës pa kufi. I dhembte në zemër jetimi i varfër e i etur për dije, me ëndrrën për t’i ngjarë sado pak mësuesit poet. E shkrimtari, shkonte zemëruar si cigare e shuar. Pa niste t’iu thoshte nxënësve episode nga  brigjet e Ebros, copra kujtimesh me Heminguejn, për shokët luftëtarë, në Spanjë…E vinte duke qeshur. Si cigare e ndezur…Por, drama e poetin zgjatet e zgjatet. Shkrimtari do vinte në Mirditë shpirtcoptuar, të takojë të birin Jamarbërin në burgun e Spaçit, projekt djallëzor i shokut vet të luftës, Mehmet Shehu. Pyeste për nxënësin e tij poet e i thonin se e kanë larguar nga biblioteka dhe e kanë dërguar të bëj llaç në ndërmarrjen e ndertimit. Dhe shkonte zemëruar. Si cigare e shuar!

Frrok Gjet Kola

Vjen një kohë, që Gjokë Beci lejohet të botojë librin e dytë. Dhe është  gruaja e shkrimtarit, piktoria Safo Marko, që do bëjë  kopertinën e librit “Zambaku im”. Po trokiste një stinë e re.

Po dilnim nga një dimër i egër, shumë i egër. Dhe kafja e fundit e Gjokës me Petron, vetëm  pak kohë para se ai do të ndërronte jetë.

Ja dhe përmbyllja e poezisë:

“Andej nga shkon Petro

valë lëshon Dhërmiu,

Andej nga vjen Petro

lule mbjell njeriu.

Dhe shkonte zemëruar

Si cigare e shuar,

Se vinte duke qeshur

Si cigare e ndezur.

***

I pari iku këso bote, Frrok Gjeta i Kthellës. Një jetë plot bëma, veprimtari, dhimbje  e tmerr. Iku zemëruar!I dyti iku Petro, ky toska i mirë i Frrok Gjetës dhe gjithë gjakut tonë. Shkoi zemëruar. I treti Gjoka. Shkoi dhe ai zemëruar. Shkuan të tre zemëruar si cigare e shuar…Dhe na vijnë në kujtimet tona, duke qeshur, si cigare e ndezur!

Exit mobile version