Kreu Letërsi Bibliotekë “Vdekja e Omerit”, fragment nga romani në dorëshkrim i Adil Ollurit

“Vdekja e Omerit”, fragment nga romani në dorëshkrim i Adil Ollurit

Ata që nuk do të ndjejnë dhimbje për Omerin më mirë të mos e lexojnë fare këtë tregim, sepse as nuk do ta kuptojnë e as nuk do ta përjetojnë. Ata që nuk derdhin lot për vdekjen e një të riu, lë t’i shmangën sa më shumë këtij rrëfimi. Ky rrëfim nuk është për zemërgurët, ata që i shikojnë ftohtë vdekjet, vajet dhe vuajtjet e të tjerëve. Ky rrëfim është për ata që derdhin lot, lot të njëmendtë, jo të shtirur. Daullet nganjëherë bien jo vetëm për ata që kanë vesh, por për ata që dinë të dëgjojnë mirë; tregimet nganjëherë shkruhen jo vetëm për ata që kanë që kanë sy, por edhe për ata që kanë lot.

Kush nuk i duron rrëfimet për vdekjet, më mirë le të heqë dorë nga këndimi i këtyre rreshtave që do të lidhen me njëri-tjetrin për ta ndërtuar një ngrehinë, brenda së cilës vetëm funde të lumtura nuk do të ketë. Ata që janë mësuar me dëgjimin e përrallave të lehta me të ndodhura fatsjellëse e përfundime fatlume, le të ndryshojnë rrugë, lë hynë në kthesa të tjera, sepse këtu nuk do të gjejnë të tilla gjëra. Nuk do të gjejnë zgjidhje të këndshme për të gjitha palët dhe lehtësira të ndryshme, me të cilat mund ta kalojnë një mesditë të bukur a një mbrëmje argëtuese. Ata që janë mësuar t’i marrin gjërat shtruar, të mos e vrasin mendjen për errtat dhe të mynxyrtat e qenies njerëzore, më mirë të mos trokasin në dyert e kësaj godine, sepse nuk do t’iu hapet. Kush është i bindur se lumturia arrihet duke qëndruar anash të gjitha veseve njerëzore, duke mos u përballur e asnjëherë e në asnjë mënyrë me to, më mirë t’i mbyllin faqet e këtij libri, sepse do të zhgënjehet thellësisht dhe shpirtërisht. Vetëm ata që janë të bindur se nuk ka lumturi të plotë, gjersa të ketë vdekje, janë të mirëseardhur në këtë rrëfim, që më shumë të frikëson se sa të gëzon. Ata që janë të gatshëm për të sharë, për të qarë, për të mallkuar e për të urryer, janë të mirëpritur në këtë godinë. Ata janë mysafirët më të denjë të saj.

***

Omeri u gjet i vdekur në një rrugicë të shkurtër e pa drita në periferi të qytetit. Trupi i tij u gjet pranë një dyqani të vogël, m’u te shkallët e tij. U gjet i vrarë me tre plumba, një në bark, një në gjoks e një në ballë. Tre plumba për ta rrëzuar një trup njeriu, për ta zhbërë një jetë e për ta shuar një frymë. Vrasësit nuk i mjaftoi një plumb, atij i duheshin tre për ta përligjur trininë e një krimi. Vrasësi nuk e kishte për ngut, atij nuk i bëhej vonë, i duhej të ishte më së i saktë. Plumbi i parë në bark nuk mjaftonte, plumbi i dytë në gjoks nuk e përmbushte vrasësin në plotninë e një akti të menduar e të stërmenduar, ndërsa plumbi i tretë në ballë ishte ai i vërteti, që i ofronte vrasësit siguri dhe paqe me veprën e bërë. Plumbi i tretë nuk do t’ia linte asnjë mundësi të vrarit dhe për këtë vrasësi do të ketë qenë më së i bindur. Të vrasësh dikë në ballë nuk i lë gjë rastësisë. Vrasësi nuk dëshironte befasi. Sikur plumbi i parë në bark mos të kishte depërtuar thellë në trupin e tij, sikur plumbi i dytë në gjoks mund të mos i ketë prekur organet qenësore të të vrarit, andaj atij për të qenë rehat me punën e bërë, i duhej ta shkrepte edhe një plumb. Dhe atë ku tjetër, pos në ballë, për t’ia ndalur në çast frymën gjahut të tij, gjerë atëherë shëndetplotë, i gjatë, shpatullgjerë, flokëverdhë dhe me korp atleti. Plumbi në ballë nuk i linte gjë befasisë, së cilës gjithsesi do t’ia ketë pasur frikën vrasësi.

Plumbi në ballë e ndali në çast frymën e Omerit. Kjo gjithsesi se do ta ketë gëzuar vrasësin, i cili qetësisht do të ketë ikur në punët e tij. Mund ta ketë pirë një kafe në shtëpinë e tij dhe të jetë shtrirë në divan për ta ndezur televizorin ose telefonin e tij të mençur për t’i parë lajmet se si do ta kenë trajtuar veprën e tij. Ndoshta edhe nuk do të ketë shkuar fare në shtëpi, por do të jetë ndalur për të pirë kafe në kafenetë e shumta në qytet. Aty do të jetë lidhur me internet për t’i lexuar reagimet e pritshme të të tjerëve për atë që kishte bërë. Një vrasës gjakftohtë edhe mund ta ketë bërë këtë. Fundja, të dhënat e mëvonshme të policisë thoshin se vrasja ishte kryer me një armë të pazëshme. Andaj, me siguri vrasësi atë mbrëmje do të ketë ecur i shpenguar rrugëve të qytetit. Askush nuk kishte dëgjuar krisma, askush nuk kishte parë gjë. Vrasësi natyrisht se do t’i ketë pritur reagimet e të tjerëve, sepse Omeri ishte djalë i njohur e i dashur për qytetin, dhe sigurisht se njerëzit do të shprehnin ngushëllime, vaje e mallkime për dorasin. Herë të njëmendta e herë të shpifura, por megjithatë do të shprehnin. Kur vdes një i ri, ose më së rëndi kur vritet një i ri, i njohur i dashur për shumëkënd, njerëzit flasin, vajtojnë, nxjerrin mllef e mallkojnë, edhe nëse asnjëherë nuk e kanë njohur të ndjerin.    

***

Omeri u gjet i gjakosur në një rrugicë të shkurtër e pa drita në periferi të qytetit. Gjaku që dilte nga mesi i ballit ia kishte skuqur fytyrën dhe flokët e tij të verdhë. Sytë mezi i shiheshin, goja dhe buzët ishin puthur me gjakun e njomë, fyti i bardhë ishte ngjyrosur me të kuqen e mortit. Sytë që kishin parë sa e sa gjëra të shëmtuara e të bukura, tashmë nuk do t’i shihte kush. Goja që kishte nxjerrë fjalë të pahairit e të hairit, të hijshme e të pahijshme, tashmë nuk do të nxirrte asnjë zë. Buzët që kishin puthur gra e vajza të bukura të qytetit, tashmë mund ta përqafonin vetëm dheun e ftohtë, që do ta përpinte korpin e tij prej atleti dhe do t’i bënte nikoqirllëk të përhershëm.

Gjoksi i gjerë i një burri njëzetë e shtatë vjeçar ishte gjakosur. Këmisha e tij e bardhë kishte marrë tjetër ngjyrë. I kishte rrjedhur gjaku si ujë burimi, gjersa i kishte mbuluar dhe skuqur të gjitha gjymtyrët e pjesës së epërme të trupit.

Korpi i fuqishëm i një burri njëzetë e shtatë vjeçar nuk i kishte bërë ballë plumbave. Revolja sa një pëllëmbë dore dhe tre plumba të vegjël ishin më të fuqishëm se një trup i plotë dhe i gjatë njëqind e tetëdhjetë e nëntë centimetra. Plumbat do të kenë qenë të vegjël, por të mjaftueshëm për t’ia dhënë fundin e përgjithmonshëm një burri të ri, që cilësohej njëri nga më të fuqishmit jo vetëm të lagjes, por të mbarë qytetit. Trup vigani e trup kreshniku ishte vlerësuar nga të afërmit dhe miqtë, por arma e ftohtë, e vogël dhe vrastare, nuk pyeste për këto cilësime dhe pa një pa dy, shkrepi tri herë mbi të, jo më shumë, aq sa i mjaftonin, dhe një jetë që do të mund të merrte vrull në ditët, muajt dhe vitet në vijim, u pre dhe ra përdhe. 

***

Kush e vrau Omerin?

Kështu do të pyes secili lexues i këtij rrëfimi, dhe jo vetëm lexues, por edhe secili dashamirës e i njohur i Omerit.

Ai ose ata do të duan ta marrin lajmin qysh në faqet e para të këtij libri. Me siguri, do të duan që sa hap e mbyll sytë, ta dinë se ku, si, kur dhe kush shkrepi tri herë mbi trupin e të riut. Janë të mësuar t’i marrin të dhënat shpejt e shpejt, të mos humbin kohë duke lexuar qindra faqe për ta kuptuar një të vërtetë, që sipas mendjeve mesatare mund ta marrin me pesë, gjashtë apo dhjetë ose më së shumti njëzetë rreshta. Por jo, këtu nuk do të ndodh kështu, sepse ky libër nuk e ka synim parësor ta tregojë të vërtetën, por ta zbërthejë të vërtetën, ta shpjegojë të vërtetën, ta jap një qëndrim rreth të vërtetës. Me anë të këtij libri nuk do të lajmërojmë, por do të shpjegojmë.

Edhe ashtu, gjetja e një vrasësi nuk është gjë e lehtë. Po të ishte e tillë, me siguri se nuk do të ndodhnin kaq shumë vrasje, nuk do të vdisnin njerëzit nga plumbat e revolverit, qoftë ai me zë apo pa zë. Ata që vrasin, dinë edhe të fshihen. Ata që shkrepin plumba tinëzisht në mes të natës, dinë të ruhen edhe në mes të ditës. Andaj, gjetja e një vrasësi është punë jashtëzakonisht e vështirë edhe për hetuesit më kërkimtarë e më të zotë, lëre më për një rrëfimtar që më shumë i intereson arsyeja e një vrasjeje, se sa zbulimi i emrit të vrasësit. Fundja, emri i vrasësit nuk është për të qëllim parësor e qëllim në vete.

Duke lexuar dhe duke menduar rreth vrasjes së Omerit, dikush, dikur dhe diku, me siguri do të pyes se pse njeriu vret njeriun. Ç’nxitje e ç’fuqi të brendshme duhet ta ketë një vrasës i mundshëm kur niset për ta vrarë dikë? A frikësohet vrasësi gjatë rrugëtimit të tij gjerë te vendi i krimit? A ndjen diçka kur e sheh në sy prenë e tij? A ndodh ndonjëherë që ai t’i bie pishman m’u në çastin kur do të duhej t’i shkrepte plumbat mbi trupin e të përndjekurit të tij? A ka vrasje të arsyeshme dhe kur mund të arsyetohet një vrasje? Andaj, njëra pas tjetrës mund të shtrohen një grumbull pyetjesh të njëpasnjëshme që nuk mund të marrin përgjigje të shpejta e as të lehta. Edhe ashtu, ky libër nuk mëton të japë përgjigje të thjeshta për çështje jashtëzakonisht të ndërlikuara, sepse po të donte të jepte përgjigje të tilla, të thjeshta, të shpejta e të lehta, autori nuk do ta shkruante këtë libër. Do të mjaftohej me një shënim të shkurtër, të pamenduar hollësisht e gjerësisht, të cilin do ta hidhte faqe botës, ku njerëzit do të argëtoheshin dhe do të ndiheshin falënderues që kanë i gjetur përgjigjet e gatshme për gjërat që mund t’i shqetësojnë.

Exit mobile version