Poeti laureat Rudolf Marku botoi së fundmi në ExLibris ciklin poetik “Dorëshkrim nga Ditari i Deles së Lumtur”
Gjuha e trillimit është e orientuar drejt të gjitha llojeve të devijimeve nga normat e njohura, siç janë ndryshimet social-politike, progresi shkencor teknologjik dhe ai kulturor, të cilat ndikojnë në stilin individual të krijuesit.
Edhe vetë gjuha e një kombi nuk mbetet në vend.
Vetë e folura e sotme e përditshme nuk ngjan, jo vetëm me gjuhën e gjyshit, as me të babajt, por as me gjuhën tonë. Ka ardhur koha e nipërve!
Poeti shkruan, jo pa zili :“Fëmijët tanë jetojnë të lumtur,/ Me celularët e markave më të fundit,/Tik-tok, Face book, instigram, podcast, drone në hapsirë…”
Bota e sotme, jo vetëm me zhvillimin galopant, por, mbi të gjitha, me fragmentaiizimin e saj të skajshëm e të gjithanshëm bën presionin e vet edhe mbi krijimtarinë poetike.
Ligjërimi poetik u përshtatet kushteve të reja bashkëkohore, duke kapërcyer edhe vetë traditën e gjuhës kombëtare letrare.
Këto ndryshime apo devijime nuk i shmang asnjë poet, që synon zhvillimin e gjuhës së trillit të vet genuin poetik.
Ky zhvillim lidhet me brendinë ideo-artistike bashkë me modulimin e ligjërimit poetik.
Rudolf Marku na sjell në këtë cikël botën e sotme komplekse dhe të fragmentuar. Na sjell “blegërimat” e kësaj bote ku jetojmë.
Këto “blegërima” (të “deles së lumtur”) janë të panumërta dhe nga më të ndryshmet: nostalgjike, bashkëkohore, politike, shoqërore, individuale dhe filozofike.
Mendja e hapur e poetit Rudolf Marku ndaj botës dhe bindja e tij prej krijuesi me përvojë, bashkë me preferencat e veta dhe shijen e tij estetike avangarde e kanë çuar poetin drejt vargut të lirë, i vetmi që ka këllqe të pasqyrojë një realitet kaq të fragmentuar dhe të gjymtuar bashkëkohor.
Intonacioni metrik, me rregullat e veta strikte të numërit të rrokjeve, të theksave ritmikë dhe të rimave besoj se nuk do të ishte aspak komod për pasqyrimin e kalvarit të realitetit bashkëkohor të botës sonë kaq të komplikuar.
Rudolf Marku është vetë një emigrant i përshtatur dhe i mësuar me këtë botë dhe këtë realitet krejt të ndryshëm nga ai i viteve të rinisë kur nisi të shkruante poezi.
Kam parasysh jo vetëm jetën e tij të përditshme të emigrantit, që ka marrë dhe një kombësi të dytë. Ai është ushqyer me poezinë botërore bashkëkohore, jo vetëm nga leximet e thelluara, por edhe nga përkthimi i saj në gjuhën e vet të origjinës.
Këto përvoja e kanë yshtur atë që t’ i japë vargut të tij një modelim të ri, duke iu larguar ritmit të traditës me të cilin ai u mëkua në rininë e vet.
Për dikë kjo mund të bëjë dhe një “delikt”! Më kujtohet se si Majakovskin futurist e patën quajtur “poet amerikan” se paskëshe “imituar” Uitmenin, stilin e tij!
M’ u kujtua dhe vargu i Ricasit se vendet e tjera rreth nesh janë “mëhallat e Botës”!
Modelimi i vargut të Rudolf Markut mban ritmin e botës së sotme në të cilën jetojmë. Ritëm dinamik me frymëmarrje të shqetësuar dhe të mbushur me dramat dhe sfidat e shpirtit:
“Kthehem , pasi kaloj qindra qytete, dhjetra shtete, dhe dy dete në mes,
Çdo natë shoh lart në qiell, përmes mjegullnajave, një yll i vogël feks,
Dhe kujtohem se sferat qiellore nuk flasin në gjuhën e të gjallëve
Teksa dy pleq nga ky yll i vogël më shohin me një mall sekret.”
(Në vizitë në shtëpinë e fundit të prindërve).
Janë: “Dashuritë e mëdha, dashuritë e mohuara, dashuritë kalimtare që i lë jashtë,
Dashuritë që vetë i harrove pas dere, ende tek qullen në shiun rrebesh.” (Në fundin e jetës sonë)
Është trishtimi i pafund e i padukshëm i kujtimeve:
“Dhe ditën e Votimit zgjohemi herët nga muzika,
Është koha të kujtojmë ujqërit e dikurshëm, tmerret e jetës së lirë,
Pasiguritë e hapsirave, kohën kur pinim ujë në përrenj…”
“Zbres në stacionin e qytetit tim;
Kthej kokën nga treni që ka filluar të largohet ngadalë,
dhe e shoqëroj me sy derisa zhduket larg si një re në qiej.
Secili nga ne, siç mund të merret me mend,
në vitin njëmijë e nëntëqind e nentëdhjetë, mund të ishte vetë ky tren.”
Poezia “Heronjtë” është një nga shembujt më tipikë të rimodelimit të një realiteti të gjymtuar njerëzor nëpërmjet vargut të lirë avangardist të poetit.
Po ju sjell vetëm këtë fragment të saj:
“…Heronjtë e sotëm braktisin spitalet,
Dhe dalin në rrugë me plagët që ende kullojnë,
Iu shmangen gazetave, stacioneve të Ti-Vi-ve
Nuk durojnë të marrin më plagë lavdërimesh, tituj të rremë
Dhënë nga presidentë të tredhur, kryeministra eunukë,
a kritikë arti dekretuar në pazare qepësh,
Iu shmangen bulevardeve, ecin në rrugicat tona të fëminisë,
Të dënuar nga dashnitë e vjetra e të sinqerta
Në kërkimin nostalgjik të një jete të ngjashme me jetën tonë.
Veç statujat e thyera ilirike të zhvarrosura në muzgjet e vonë,
U japin atyre një buzëqeshje tërë ndrojtje,
Si ajo drita që japin yjet e largët
Për njerëzit e verbër që e kanë vështirë ta dijnë se për ku shkojnë…”
Të veçanta janë edhe tropet, mjetet shprehëse artistike, që përdor me mjeshtëri poeti Rudolf Marku, siç është hiperbola:
“Ka mbi dymijë vjet që e ndjej dhëmbjen
Ndonjëherë dhoma e ndejtjes më duket sallë në spital,
Shoh me kujdes trupin se mos gjej plagë.”
Krahasimet e tij dramatike:
“Sa herë vritemi para se të vdesim? Pemët janë më me fat,
Ringjallen në stinën e duhur, kurse ne nuk na prekin stinët,
Dhe nuk dijmë të ringjallemi, siç bëjnë lumenjtë e tharë a bimët.”
E veçantë dhe shumë domethënëse është alegoria plot ironi në titullin e këtij cikli poetik të rrallë: “Delja e lumtur”!
Oksimoroni “delja e lumtur” në mënyrë ironike bën fjalë për këtë realitet dramatik të humnerës shpirtërore para së cilës gjendet kjo botë në një udhëkryq fatal.
I veçantë dhe i ri për poezinë tonë është heroi lirik i Rudolf Markut:
“Do kisha dashtë të jem një Odise mbi dallgë
Se sa një Vullkan që tërheq këmbët zvarrë mbi flakët e ndezura.”
Ai është një i zhgënjyer prej dashurisë intime në kësaj bote moderne:
“Një herë me tre vajza njëherësh ka(m) bërë dashuri,
Me njëren ish(a) në shtrat, tjetrën e mbaja në kokë,
Të tretën në zemër, në fshehtësi.,”
E para e la sepse jeta është e shtrenjtë dhe nuk ka shtëpi.
E dyta e braktisi se u shpall Miss i Viti 2040.
Ndërsa ajo, që e kishte në zemër, ka kohë që u martua me armikun e tij rival.
Ai ka dhimbje, por nuk ka ëndrra.
Për të: “Greminat e Harrimit janë më të thella se oqeanet”.
Kujtesa për të “është si ta marrësh kufomën e të vdekurit dhe ta çosh në shtëpi/Dhe t’i përzesh të gjallët për hatër të tij.”
I pezmatuar, por edhe i kthjelluar ai pohon:
“Është zemra më e fundit e përdorur nga ty,
Nuk ka kohë për një zemër tjetër,
Duhet të kurdiset me kujdes, që të kthehen gjithë dashuritë e jetës tënde pas,
Pa harruar asnjë çast.”
(Në fundin e jetës sonë)
Një sagë e pashkruar më parë!
Një hero lirik, që jeton në një botë ku janë tronditur shtyllat e moralit të saj.
Ai jeton me ankthin se çdo dite i shfaqet “delja e zezë”, simboli i kujtesës të së kaluarës, që do të thotë: “ ta marrësh kufomën e të vdekurit dhe ta çosh në shtëpi/Dhe t’i përzesh të gjallët për hatër të tij!”.
Një sagë bashkëkohore e rrallë për poezinë tonë moderne.
Një poezi thellësisht realiste, po aq sa edhe impresioniste, që botën bashkëkohore e kalon nëpërmjet ndërgjegjes së vet duke e lidhur ngushtë me meditimet, ndijimet dhe mbresat e veta nga jeta.
Poezia Rudolf Markut na vjen si një ogur fatmirë se poezia jonë e re po troket me këmbëngulje në dyert e poezisë avangardiste bashkëkohore.