Kreu Letërsi Bibliotekë Vangjush Saro: Një “vetëvrasje” komike…

Vangjush Saro: Një “vetëvrasje” komike…

Dik Devil, një nga formatuesit e lojërave elektronike në kompaninë e famshme EVERYTHING, po i jepte fund shëtitjes me qenin e tij sa një dorë, kur befas pa disa fëmijë që po luanin me shkarpa, me gurë dhe me baltë; madje ishin bërë pak pis. Z. Dik ndali këmbët. Parku në rrugën Stivenson 54 ishte i qetë, por ai u drodh. Si mundej?! Formatuesi i famshëm i kompanisë së famshme po i vështronte ata fëmijë sikur s’kish parë ndonjëherë asi të bënin ashtu. Ata dhe natyra donin me sfidu kompaninë gjigande (!) Të kapur e kishin. Formatuesi tundi kokën; nuk i besohej se ende kishte fëmijë që mund të kalonin kohën në park: me kleçka, me gurë, me gjethe, me një lojë aq të rëndomtë si Hide-and-Seek*

Për një çast, iu duk sikur do t’i binin mbi kokë gjithë bredhat e parkut, në mos do të pësonte ndonjë atak; bëri tutje me të shpejtë, duke hequr zvarrë qenin e tij të pakët. Jo më larg se dy ditë përpara, ai qe njoftuar nga Departamentit i Shpërndarjes dhe Reklamave se javën e fundit shitja e tableteve kishte rënë 0.07 përqind; ajo e Luftëtarit me Tunikë që bën namin me superautomatik 0.008 përqind; Gangsteri i cili shtyp e vret këdo që i del përpara mjaft të shpëtojë kokën… 0.0009 përqind. Dik Devil e plasi qenin në shkallët e brendshme të shtëpisë dhe pa u kujdesur fare për t’ia pastruar këmbët a për ta çuar drejt e në vaskë, siç bënte zakonisht, u sul në dhomën e ndenjies dhe i ra me kokë murit që kishte më afër. Po ç’do t’i bënte një goditje ashtu dosido pas një muri me drywall*! Ai mori një garuzhde druri dhe filloi të godiste veten nga këmbët; por jo, s’e kishin fajin ato, iu kthye kokës, bam e bam… I vinte të çahej më dysh. Ai vriste mendjen të vriste sa më shumë qënie atje në lojërat që shpikte dita-ditës, kurse këta më argaliseshin me kleçka dhe me guriçka. Të kujt ishin këta fëmijë? Në ç’kohë jetonin ata?

-Nënat… ku t’i kini! – filloi të bërtiste e të shante z. Devil si ndonjë i marrë.

Opo, nënave të tyre t’u vinte anës ai, por ja, sa nxori inatin. Jo krejt. Prapë i ra murit me kokë. Pse i bëjnë muret me drywall dhe jo me gurë? Se po të ishte muri prej guri… Rrëmbeu një jastëk nga ata që ishin me shumicë në dhomën e ndenjies dhe filloi të rrihte veten. Bam e bam e bam! More, donte të vdiste me doemos. Ç’të bënte tjetër? Po i vinte plasja. Ai kridhej ditë e natë mbi laptop për të shpikur lojëra soj-soj ku gëlonin armët, kapsulat, kërcimet e frikshme, buçitjet shurdhuese, përplasjet për vdekje… kurse ata më luanin me gjethe e me bar e me guriçka. Kush e kishte lënë pas dore atë park në rrugën Stivenson 45, ashtu 54, me baltë, me shkopinj, me drurë të rrëzuar?!

Z. Devil la jastëkun dhe u përpoq të hidhej përpjetë, të kapte tavanin, të dërmonte kokën, ta vriste veten njëfarësoj. Por edhe pse ishte paq i gjatë, nuk po e arrinte dot qëllimin e lartë. Madje i duhej të qetësonte edhe qenin e tij, tre gishtërinj mbi dysheme, por që hidhej dhjetë gishtërinj ngase kujtonte që i zoti po luante; donte të merrte pjesë edhe ai në argëtim. Ç’argëtim, o të hëngërshin qentë; ky këtu donte të vriste veten, ishte bërë helm.

Hëëë, u kujtua të sajonte ndonjë helm e t’i jepte fund vetes… Duke kërkuar në raftin e ilaçeve, mendja po aty: Ti vuu (!) përmbys mbi laptop, natë e ditë, që të sajosh lloj-lloj figurash që shkrepin papushuar armë automatike, që vrasin e presin orë e çast dhe pastaj kapin qiellin me një të kërcyer, e jo si qeni i tij xhuxh, kurse ata gjejnë aty buzë përroit ca shkopinj, një dru të hedhur, guriçka… O po s’ka, do thënë Bashkisë t’i zhdukë të gjitha këto, hë hë!

Ra zilja e ajfonit, por ai s’kishte mend me e zënë me dorë, se ngaqë nuk po gjente helm, filloi të kërkonte ndonjë copë litar, rip, gjalmë, çfarë të ishte, se donte të varej; dëshpërimi i tij që ata atje po loznin me dhe e me gurë e me gjethe, ishte hata. Mos duhej të linte një letër para se të varej? Për dreq, duke mbyllur njërin nga dollapët, e zhvoshku pak dorën, madje… Olele, gjaku! 911-shi, ndihmë, ku e kam ajfonin? Formatuesi i vdekjes u tremb për vdekje. Mirë që çjerrja ishte e vogël dhe në sipërfaqe. E mblodhi veten dhe pastaj edhe dorën me një mbështjellëse.

Ajfoni binte vazhdimisht. E gjeti më në fund; qe ndryrë në një nga xhepat e xhakaventos. Hë, kush i binte ziles se edhe s’ka kohë, ka ndër mend të zhduket nga kjo botë ku luajnë me kleçka, me top futbolli, me drurë… Alo! Alo? Uau! Uau! Ishte rritur shitja e tableteve 0.07 përqind; ajo e Luftëtarit me Tunikë që bën namin me superautomatik 0.008 përqind; Gangsteri i cili shtyp e vret këdo që i del përpara mjaft të shpëtojë kokën… 0.0009 përqind. Dik Devil ngriti duart lart të lëvdonte Zotin, anipse kish gjasa që ai t’ia shkurtonte këmbët, në mos këtë herë, njëherë tjetër.

Gjithsesi u qetësua tashmë; shkoi të bënte një kafe të gjatë dhe ndërkaq, nuk pushonte së medituari. Jo, se të mos kishte ndryshuar situata, ia kishte futur vetes bam bam, si ata në lojërat e tij. Ç’e do që vetë nuk mbante armë! Lozin me guriçka; ke parë ti! More, kompania nuk do humbiste as edhe një dollar, i ka vdekur nëna! Njerëzia, të mëdhenj e të vegjël lënë kokën për ato lojëra, i blejnë me para, i marrin në njëmijë e një mënyra; ashtu edhe ne fitimet, ha ha! Duan të thonë që duke i praktikuar ato si të marrë, ata marrosen edhe vetë. Kush po pyet, s’qenka përmbysur bota!

T’ëmën! Lozin me kleçka, që të na heqin bukën e gojës… Hide-and-Seek! S’mbahet mend qëkur është. Edhe topa futbolli e bejzbolli të mos prodhohen më, s’ka. Libra jo e jo. Shkoi të hapte laptopin. Këto kohë punonte nga shtëpia. T’ia fus tani një loje tjetër, me sa më shumë zhurmë e dhunë, se ashtu i do mushka drutë. Tym, zjarr, gjak. Kurajo, Dik!

Qeni i tij miush ia kishte këputur gjumit. Dy të mjerë sekush në hall të tij…

…………………………………………………………..

*Hide-and-Seek/ Kukafshehthi.

Drywall/ panel me allçi mes dy fletëve (letra të trasha) për muret.

Exit mobile version