Kreu Opinion Vangjush Saro: Fjalë për origjinalitetin

Vangjush Saro: Fjalë për origjinalitetin

Dëgjoj dhe lexoj shpesh të ceket termi origjinalitet; dhe kjo thuhet e shkruhet me një lehtësi që të habit. Por ndërsa merr në dorë pastaj aksh libër, prozë a poezi, konstaton se fjala, termi, nuk janë kund… Doemos, është një qëllim i lartë dhe një arritje e madhe të ketë origjinalitet në krijimtari. Origjinaliteti ka të bëjë me vetë qenien e krijuesit, nga vjen, çfarë ka përjetuar, ç’kulturë e vizione ka për botën; mandej shfaqet në tematikën e parapëlqyer, imponohet me teknikat që aplikon, lartohet me gjuhën që përdor, shkon deri te kujdesi për detajet. E megjithatë, përtej këtyre nënvizimeve, origjinaliteti vjen me shfaqjen e autorit, buron më së pari nga talenti i lindur, a thua janë të njëkohshëm; përndryshe, krijimtaria nuk do të ishte me interes për publikun.
“Dy udhë u ndanë në pyll/ dhe unë mora atë që s’ishte rrahur shumë. Dhe ajo solli gjithë ndryshimin.” Janë vargje të njohura të poetit amerikan Robert Frost. Më parë, ishte Esenini që shkruante: “Këndo vetë, qoftë edhe si bretkosë.” Kurse Dostojevski thoshte: “Ndjej frikë, frikë nga të ngjasuarit me të tjerët.” Origjinaliteti rëndom ndan klasin e krijuesve. Mund të ketë shumë arsye apo shpjegime përse një krijimtari mund të jetë apo mund të quhet e cilësuar dhe përse një tjetër mbetet thjesht në kufijtë e tentativës. Shpjegimet mund të fillojnë me shkallën e talentit dhe të përfundojnë me fatin vetjak të krijuesit. Gjithsesi, një prej argumenteve më të rëndësishme në këtë temë, është pikërisht veçanësia, origjinaliteti, pangjashmëria me të tjerët, shkurtazi dukuria e patjetërsueshme e krijimit të profilit artistik.
Më duhet ta them me droje – ndoshta do të doja të mos e thosha – por sot, një mungesë e frikshme origjinaliteti e gjetjesh, ka ngritur një perde mosbesimi midis krijuesve dhe lexuesit; në të gjitha zhanret, sidomos në poezi. Në një vështrim sa më realist dhe të patrazuar nga teoritë e pafund, krijimi artistik që lë gjurmë dhe mbetet, është një punë e pavarur, me tipare të dallueshme, fryt i kërkimit të formave dhe shprehive origjinale, pa imituar (pa le më kopjuar) ndokënd. Gjetja artistike dhe kombinimi i ideve, prurja e një gjëje të pashkruar a shfaqur më parë, guximi për te e çuditshmja, përkryerja në çdo hap të krijimit, këto dhe të tjera qasje janë shanset që një vepër të mund të jetë interesante, tërheqëse, por edhe jetëgjatë.
Origjinaliteti në të shkruar i jep autorit dhe veprës së tij një zë e tingëllim të veçantë, asish që të mos jetë asnjëherë monotone, por veç intriguese, ndërkohë që, me raste, nxit fantazinë e lexuesit a shikuesit, krijon fushë për debat, e grish atë në meditim, ndoshta e bën edhe të ndjehet pak bashkautor. Një nga të fshehtat më të mëdha pse na pëlqejnë disa krijime, pse ato jetojnë shumë dhe bëhen pjesë e përjetimeve njerëzore edhe pasi e kanë konsumuar gjatë lavdinë e tyre, është pikërisht origjinaliteti, gjëja e veçantë dhe interesante që, në një kuptim, identifikohet me vetë autorin. E vështirë për çdo shkrimtar e artist të lërë gjurmë, nëse ai nuk ka mundur të krijojë dot profilin e vet artistik. E di që ky pohim shpërndan pak trishtim, por s’ka Zot që ta kthejë mbrapsht.
Në botën e madhe të artit dhe në historinë e ndritur të tij, janë shquar gjithnjë, në kohën e tyre apo më pas, shkrimtarët dhe artistët që bashkë me veprën kanë “firmosur” edhe veçanësinë e tyre. Don Kishoti i Servantesit, të paktën prej pesë shekujsh, na mahnit me bukurinë e vet; tashmë romani është cilësuar si një nga librat më të lexuar ndonjëherë në kohëra, është ekranizuar pafundësisht, është dramatizuar, është bërë balet. Performimi i tij në kaq shumë arte, flet vetiu për një gjetje të jashtëzakonshme, por që është përcjellë nga një mjeshtër i madh, i cili tregon aq bukur dhe në mënyrë krejt të veçantë. Peneli magjik dhe ngjyrat dehëse të Van Gogut mund të qëmtohen nga kushdo, edhe në mos pastë ndonjë kulturë të madhe. Po ashtu, besoj, muzikën e Bethovenit, shumëkush e dallon lehtësisht nga krijimtaria e të tjerëve.
Po të përpiqesha të shkoja më tej në këtë galeri autorësh e veprash, në thellësi të kohërave apo edhe në dekadat e cilësuara moderne, nga Homeri te Shekspiri, nga Tolstoi e Çehovi te Tueni, nga Heminguej e Xhojsi te Kafka e Markezi, do të humbisja fillin… Rëndesa që bie vlerësimin, s’është e thënë të jetë e shënuar diku, e deklaruar – krijuesi nuk thotë ja ku i kam dukuritë në fjalë – sepse ato shkrihen në vepër në atë mënyrë që lexuesi, spektatori, ta ngjërojnë e ta ndjejnë të bukurën pa qenë nevoja për shpjegime apo qasje të sforcuara. Veçanësia mund të lexohet pikësëpari në tematikën që autori sjell dhe në gjinitë e zhanrin që preferon; si të thuash, një shkrimtar i mirë dhe i veçantë ndjen, kërkon dhe gjen “territorin” e tij… Stili i të shkruarit, mënyra se si tregon, skemat që përdor, gjuha, figuracioni, shpërfillja e normave të ngurta, etj. e bëjnë atë tërheqës dhe ndonjëherë shënojnë edhe shkollë letrare.
Disa nga emrat më të spikatur të Letërsisë Shqipe mund të dallohen menjëherë për nga stili, tematika dhe qasja në realitet: Çajupi, Migjeni, Poradeci, Kadareja. Kushdo që mund të vinte në dyshim këtë konstatim, sado kokëfortë po të ish, do të mund të dallonte menjëherë autorët e mësipërm: Për nga tematika ku fokusohen, për nga zhanri që kanë përzgjedhur, për nga teknikat letrare që përdorin, për nga gjuha dhe stili krejt i veçantë. Në vështrimin e autorit të këtyre radhëve, këto veçori, “sekrete” në mund t’i quajmë kështu, gjenden të shkrira në vepër, njëfarësoj janë vetë krijimtaria.
Lektisjet e Lasgushit donin një varg të shtruar, të qetë, me shumë përkujdesje e përkëdhelje, për nga rima dhe gjuha. Zhgënjimet dhe fryma protestuese e Migjenit kërkonin tjetër grintë, natyrisht edhe tjetër gjuhë e stil. Dhe ai bashkoi në një: mbresat e errëta nga një realitet i vështirë, leximet, ëndrrat, mendimin për të ardhmen… Është gjithnjë më bindëse dhe, sigurisht, jeton më gjatë një krijimtari që menjëherë njëmendësohet me emrin e autorit. “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, “Kronikë në gur”, “Dimri i madh”, “E penguara”, “Darka e gabuar” etj., e bëjnë lexuesin të kuptojë menjëherë kush është autori.
Kam rastin të përsëris çfarë kam shkruar edhe më herët për Ismailin tonë, mungesën fizike të të cilit e ndjejmë aq shumë. Ai erdhi në letërsi me një frymë krejt tjetër, në tematikë, në terma, në konceptimin e jetës, në guxim… Po. Ishte një autor që guxoi, në përmbajtje dhe në formë. Koha që shkon, e vërteton edhe më shumë veçanësinë e tij, sa edhe guximin për të thyer monotoninë dhe frikërat e drojen e kohës. E di që disa (për fat të keq, ndonjëherë edhe asish që quhen krijues) nuk arrijnë t’i dallojnë e vlerësojnë këto dhe kërkojnë nga ai “t’i binte murit me kokë”. Ndonjëherë, më vjen t’i pyes: Ku ishin këta (trima pas lufte) kur një personazh i tij i thotë një komunisteje të vjetër: “Na mërzitët me këtë Stafetën e Revolucionit! Mbajeni se nuk e duam.” (Dimri i madh) Ku ishin ata kur ai shkruante: “Iknin e vinin ushtritë nën indiferencën e plotë të qytetit.” (Kronikë në gur) Ku ishin ata kur ai vinte në gojën e një bejlereshe fjalinë: “Kur ata t’i marrë malli për ne, atëherë do të ketë ardhur fundi i tyre.” (Nëntori i një kryeqyteti) Ku ishin ata kur ai nxirrte nga shpirti baladën “Mësueset e fshatit”? Ku ishin ata kur në Pallatin e Madh të Kulturës, në një plenum famëkeq të LSHA (fillimi i viteve ‘80) e kryqëzuan për romanin “Nëpunësi i pallatit të ëndrrave”? Etj. Pa debat, se nuk ka vend për një gjë të tillë kur ke të bësh me një gjeni; thjesht u them merreni më shtruar, më butë, më qetë…
Petro Marko, ishte një tjetër mjeshtër i prozës së gjatë, me një profil të spikatur, një këngëtar i lirisë, i dashurisë dhe i natyrës komplekse njerëzore, një shkrimtar që shpalos shumë përvojë, duke përfshirë ndërkaq në prozën e tij elemente moderniste dhe duke iu përgjigjur me stil dhe profesionalizëm kërkesave aluçinante të kohës e të shkollës së Realizmit Socialist. Ashtu siç thotë me të drejtë studjuesi Behar Gjoka, “në narrativen e prozës romanore të Petro Markos, rrëfimi fiton njëfarë distance nga ngjarjet”. (“Hasta la vista”, “Qyteti i fundit”) Po ashtu, Jakov Xoxa, nga krijimtaria e të cilit dallon romani “Lumi i vdekur”, vjen me një prozë bindëse, të shtruar, realiste dhe plot ndjeshmëri artistike, solide në të gjitha komponentet e gjinisë; një autor shumë origjinal. Duke folur për episodet e dashurisë në këtë vepër, studjuesja Klara Kodra vë në dukje se si “dashuria erotike përshkruhet me guxim, madje edhe me një lloj sensualizmi, po ky i fundit mbetet i shëndetshëm si në folklor”. E gjithë krijimtaria e Xoxës, në tematikë, në mënyrën se si shtjellon episodet, në peizazhet e vizatuara me aq kujdes, në përpjekjen maksimale për të vizatuar karakteret, e bën atë një nga autorët më të veçantë të Letërsisë Shqiptare.
Gjithë në këtë vijë të bisedës, krejt ndryshe nga shumë e shumë prozatorë të kohës, erdhi Qamil Buxheli, një satirist i lindur; humori dhe ironia ishin (nëse mund ta themi kështu) të përfjalshme në krijimtarinë e tij. (Kujtojmë që një pjesë e mirë e krijimtarisë së tij u ndalua, duke filluar nga drama “Dueli” dhe më pas romani “Kur qesh tërë qyteti”.) Tregimi i tij “Stenograma e një fjalimi”, që më vonë u inskenua nën titullin “A doni më për Belulin?”, pothuaj një mono-komedi, mbetet një model ekselent i të shkruarit, i të bërit humor në mënyrën më të kulturuar dhe për çfarë e vlen, i qasjes në tema të rëndësishme dhe i vizatimit në perfeksion të karaktereve njerëzore. Trendi qesëndisës në filmin “Historiani dhe kameleonët” (realizuar sipas romanit “Karriera e z. Maksut”) vjen në kohë: tenderat, shatërvani, burgu, gostitë, dhuratat, rendja marrëzisht për të hyrë në histori, etj. Janë të gjitha në rendin e ditës…
Në fund të viteve ‘70, u shfaq në Letërsinë Shqipe një tjetër prozator i veçantë, Nasi Lera. Ndalesa në tema të mprehta, ku mund të veçohej përpjekja për të hyrë në jetën intime të njeriut, droja për tjetërsimin e tij, lufta (e kufizuar) për më shumë dinjitet, etj. ishin disa nga rrekjet e veçanta. Në tregimet e tij ka shumë jetë, ka vërtetësi, dialogë të bukur e në një intensitet të vazhdueshëm. Në prozën e Lerës shoh një qetësi prej njeriu të mençur e një qëndrim aq qytetar. Ishte edhe për këtë që ai tërhoqi vëmendjen e kineastëve. (Kujtoj filmat “Duaje emrin tënd” dhe “Telefoni i një mëngjesi” të regjisorëve Kristaq Mitro e Ibrahim Muçaj, “Të shoh në sy” të regjisorit Mevlan Shanaj, etj.)
Një nga autorët që në fillim të viteve ‘90 zgjoi interesin e publikut të gjerë, kinemasë, por edhe botuesve të huaj, është Fatos Kongoli. Ka disa tipare ku mund të ndaleshim, por po veçoj njërin, atë të ndjesisë njerëzore në formën e kujtesës, përqeshjes dhe faljes; veças në temën e së shkuarës. Kjo ishte ndryshe nga shumë autorë të tjerë që, të fiksuar tek anët e errëta të së shkuarës, e rëndojnë dhe e skajojnë atë dhe episodet e saj. Këta autorë nuk përpiqen asfare të qëndrojnë në prapaskenë e të lënë personazhet të veprojnë, të flasin, të ndjejnë; ata lëshohen kokë e këmbë në subjekte të stërshkruara pa u fshehur aspak dhe pa e kamufluar fare urrejtjen e cinizmin. Ndryshe nga ata, te Kongoli e vërteta e kohës rrëfehet ftohtë, hidhur, zbulohet me një ndjesi të rezervuar, sikur autori të ishte vetë në ato që tregon dhe në të njëjtën kohë jo, nuk është, po tregon për një botë shumë të largët dhe që vërtet nuk duhet të rishfaqet më në jetët tona, në përvojat e mëtejme.
Duke hedhur një vështrim kërkues e dashamirës edhe tek arte të tjera, në dekada, mund të thuhet me bindje se gjithnjë janë përcjellë në publik vepra që kanë manifestuar veçanësi, duke mbijetuar në rrethana delikate. Dalloheshin menjëherë punët e Vangjush Mios, sikundër më pas ato të piktorit Sali Shijaku, etj. Me një vështrim të parë, sot mund të shquash stilin e veçantë të piktorit Artur Muharemi; sikundër ndjehet veçanësia e Vlash Drobonikut. Disa nga kineastët tanë gjithashtu kanë lënë gjurmë më së pari për shkak të stilit dhe faktorit vetjak. Viktor Gjika pëlqente temat e “mëdha”, tablotë epike (“Nëntori i dytë”, “Përballimi”); Dhimitër Anagnosti e qëndiste filmin gjer në sekuencën e fundit dhe në lojën e aktorëve kishte kërkesa maksimale (“Në shtëpinë tonë”, “Përrallë nga e kaluara”, “Gjoleka, djali i Abazit”); Piro Milkani kujdesej që në filmat e tij të kishte gjithnjë humor dhe optimizëm; (“Çifti i lumtur”, “Zonja nga qyteti”, “Trishtimi i zonjës Shnajder”). Kristaq Mitro e Ibrahim Muçaj u dalluan për frymën lirike në filmat e tyre; (“Apasionata”, “Duaje emrin tënd”, etj.) Esat Musliu u qas në drama të forta dhe me një sfond klasor; (“Hije që mbeten pas”, “Nata”). Albert Xholi mund të veçohet për trajtimin e temave sociale dhe të jetës reale, sjellë në ekran me aq thjeshtësi; (“Familja ime”, “Shkëlqim i përkohshëm”, “Jeta në duart e tjetrit”, etj.) Në kinemanë e sotme, spikati menjëherë kinoregjisori Gjergj Xhuvani; dramës i dha ngjyra groteske dhe lojës së aktorëve një përsosmëri që kishte munguar më parë (“Parrullat”, “I dashur armik”, etj.)
Një vepër origjinale krijon edhe hapësira për të zgjeruar interesin social e kulturor rreth saj; ajo i ka të gjitha mundësitë të qëndrojë bindshëm në treg dhe në mendjen e njerëzve, të rivijë herë pas here; ajo zgjon interesin e kineastëve dhe të botuesve të huaj. mund të duket sikur tretet për një kohë, por është gjithnjë atje, vlen e kujtohet… Të qenit i veçantë, me fjalë të tjera krijimi i një profili artistik, mbetet gjëja më e rëndësishme për çdo krijues, shkrimtar apo artist; është ajo çka e dallon nga të tjerët dhe e bën jetëgjatë krijimtarine e tij.
Në këto radhë, u përpoqa të jap ndonjë opinion, të shfaq disa mendime, pa marrë përsipër të vë kufij apo të skicoj ose të çoj më tej ndonjë teori; është thjesht një vështrim mbi terma që e vlejnë vëmendjen. Shënimet tona janë ndihmesa përmes të cilave besojmë se zgjerohet edhe më tej pamja e Letrave Shqip, e krijimtarisë artistike dhe e autorëve të veçantë, në dekada të ndryshme. Dhe vetëm kaq. Sigurisht, jeta letrare dhe ajo artistike, veprat dhe autorët, janë më shumë se kaq; dinamikën që karakterizon zhvillimet e sotme (dua të them të disa dekadave) nuk mund ta shterojmë në pak radhë, çka nënkupton se mund t’i kthehemi kësaj teme sërish, me emra të tjerë, por pa harruar kurrsesi që përshtypjet gjithnjë janë vetjake. (“Një libër apo një histori mund të shihet në aq shumë versione, sa ka lexues… Kushdo merr atë çka do prej saj dhe për rrjedhojë, ndryshon matja e saj.” Xh. Stejnbek)

*Emrat e autorëve të huaj janë shkruar sipas parimit të shqiptimit. Faleminderit për mirëkuptimin.

Exit mobile version